Fier-Dhunonte bashkëshorten dhe ngacmonte seksualisht vajzën e saj të mitur, dërgohet në gjyq 40-vjeçari

Prokuroria Fier dërgon në gjyq shtetasin Altin Rabija, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe keqtrajtonte e ngacmonte seksualisht vajzën e saj të mitur, 11 vjeçe.

Bashkëshortja e tij është pajisur me urdhër mbrojtjeje. Ngjarja ka ndodhur në nëntorin e vitit 2024.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.R. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ dhe ‘Keqtrajtimi i të miturit’ parashikuar nga nenet 130/a/4, 108/a/2 dhe 124/b/1 të Kodit Penal.

Hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1755 të vitit 2024, nisën pas shqyrtimit të kërkesës së shtetases B.R. ndaj bashkëshortit të saj në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me objekt lëshimin e urdhërit të mbrojtjes. Në përfundim, gjyqtari i çështjes ka vlerësuar se faktet e referuara nga kjo shtetase përmbajnë elementë të veprës penale dhe për këtë shkak ka bërë referimin përkatës në prokurori.

Pas administrimit të referimit përkatës, organi i akuzës në bashkëpunim me policinë gjyqësore, ka arritur të provojë se në periudha të ndryshme, shtetasi A.R. ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij si dhe ka kryer veprime aktive ndaj të miturës R.Ç. (fëmijës që shtetasja A.R kishte nga martesa e parë), që konsistojnë në keqtrajtimin vijues të saj dhe kanë avancuar në veprime që kanë natyrë të ngacmimit seksual të saj.

Pas kryerjes së veprime hetimore të plota, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar për gjykim kërkesën penale ndaj shtetasit A.R. për veprën penale “Dhuna në familje” në dëm të shtetases B.R. “Ngacmimi seksual” dhe “Keqtrajtimi i të miturit” në dëm të miturës R.Ç, parashikuar nga nenet 130/a/4, 108/a/2 dhe 124/b/1 i K.Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale të dhunës në familje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve më të rënda në të ardhmen dhe që cënojnë moralin dhe dinjitetin e shtetasve.“, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Rama ironi me opoziten

Kryeministri Edi Rama, nuk i ka kursyer batutat për opozitën. 

Në një takim të organizuar me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit, Rama u shpreh se edhe Dasnor Sula ndërtoi një parti të fortë në Peqin, por ia “vodhën natën”. 

“Më 12 maj shkrijmë SPAK dhe çlirojmë TikToK. Deklaratat e tilla tregojnë që me këta nuk ka garanci. 

Ndërtoi Dash Sula i shkretë tërë atë parti në Peqin edhe u gdhi në mëngjes ia kishin vjedhur natën. S’dihet kush do t’i hajë ato kokrra gruri se gjeli i detit nuk është më. Gjel deti e kam kompliment sepse është në të thatë, të tjerët janë në kënetë. 

Më pas Rama kaloi tek Lulzim Basha me të cilin ka pasur një komunikim virtual nëpërmjet videove të shpërndara në rrjetet sociale ditët e fundit. 

“Vetëm Luli nuk evolon sepse është i lindur i përsosur, një njeri të cilin gjumi e do aq shumë sa e mban për vete është i përsosur. Ka njerëz që lindin me këmishë, Luli ka lindur me këmishë nate”, tha ai.

Telefonata Trump-Putin, Shtëpia e Bardhë: Fillojnë menjëherë negociatat dhe për armëpushimin në Lindjen e Mesme

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se dy presidentët  Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord  që lëvizja drejt paqes  të fillojë me një armëpushim të energjisë dhe infrastrukturës.

Ata ranë dakord gjithashtu për negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një postim në rrjetin social X, ka deklaruar se të dy presidentët, Trump dhe Putin, folën për nevojën për paqe dhe një armëpushim në luftën në Ukrainë.

“Të dy liderët ranë dakord që ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se të dyja palët shpresojnë për marrëdhënie më të mira midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Gjaku dhe thesari që si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë shpenzuar në këtë luftë do të shpenzoheshin më mirë për nevojat e popullit të tyre”, shton ai. “Ky konflikt nuk duhet të kishte filluar kurrë dhe duhet të kishte përfunduar shumë kohë më parë me përpjekje të sinqerta dhe të mirëbesimit për paqe.”

Të dy diskutuan gjithashtu për një fund të përhapjes së armëve strategjike dhe tensioneve midis Izraelit dhe Iranit.

“Të dy liderët ranë dakord se një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha”, shton deklarata. “Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur të arrihet paqja.”

Momente paniku në Londër, makina merr para turmën e njerëzve. Humb jetën një 20-vjeçare, 3 në gjendje të rëndë

Një 20-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga një automjet furgon në Londrën qendrore.

Ngjarja ndodhi teksa makina goditi një turmë njerëzish. Një këmbësor tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Tre këmbësorë të tjerë kanë pësuar lëndime.

Drejtuesi i automjetit një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Londrës për drejtim të pakujdesshëm.

Publikohet modeli i fletës se votimit per Qarkun FIER, pritet sot miratimi nga KQZ

Modeli i fletës së votimit për 12 qarqet për zgjedhjet parlamentare të 11 maj është publikuar.Sot pritet miratimi nga KQZ në mbledhjen që pritet të nisë në orën 16:00.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon seancë publike ditën e Martë, datë 18.03.2025 në orën 16:00.

Ekstradohet Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit

Ekstradohet në Shqipëri Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit.Pasditen e së martës, Interpol Madrid pritet të ekstradojë drejt Shqipërisë Lulzim Berishën.Spanja ka vendosur të ekstradojë në Shqipëri, Lulzim Berishën, person ky që konsiderohet nga prokuroria si kreu i bandës së Durrësit.

Berisha, do mbërrijë në Tiranë në masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet të përballet në një proces gjyqësor ku SPAK e akuzon për vrasjen e Klodian Saliut në muajin shkurt 2015 në Durrës.

Njëherësh, SPAK caktoi në dhjetor 2020 masë sigurimi arrest në burg për Berishën, si i dyshuar në vrasjen me tritol të Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.Por këto akuza u rrëzuan nga vetë SPAK, duke e konsideruar se nuk kishte prova të mjaftueshme kundër Lulzim Berishës.Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Lulzim Berisha, do duhet të vuajë dhe një dënim me 6 vite burg, masë dënimi kjo që ka mbetur ende e papërfunduar nga dënimi me 25 vite burgim të dhënë disa vite më parë nga Gjykata e Lartë.

Kjo është përballja e dytë e Lulzim Berishës me Drejtësinë, pasi herën e parë ai u ndesh me dëshminë e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Adriatik Coli.

Ndërsa herën e dytë ai duhet të përballet me dëshminë e Luftar Reçit, i cili tashmë është bërë bashkëpunëtor i prokurorisë SPAK.Reçi, ka treguar se ai së bashku me Plaurent Dervishaj, Lulzim Berishën, Indrit Taullain dhe Indrit Rusin që njihet me nofkën “Çeçi”, kanë vrarë Klodian Saliun.

Për këtë ngjarje u deportua një vit më parë dhe Plaurent Dervishaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

BIRN: Gara e pabarabartë e 11 majit, si do të zgjidhen deputetët e rinj

Diku nga korriku i vitit 2001, zgjedhjet ishin mbajtur, por nuk kishin përfunduar. Një foto që me gjasa do të hyjë në histori, nëse dikush do të marrë mundimin të merret me studimin e historisë së zgjedhjeve, u shfaq në gazetat e kohës. Në foto, kryetari i atëhershëm i Partisë Socialiste, Fatos Nano, foli në një tribunë të improvizuar. Sipër kokës së tij, një tabelë e modelit të kohës së komunizmit shkruante “PTT Bubullimë”. Ishte kjo tabelë që dekonspironte vendndodhjen dhe llojin e katrahurës ligjore e zgjedhore që u diskutua gjatë.

Partia Socialiste i kishte varur shpresat në fitoren e një mandati qeverisës me tre të pestat e parlamentit në një skemë gjerësisht të kritikuar, në të cilën, në një nga zonat e Shqipërisë, zona me numër 60 dhe e njohur si Dushk, Lushnjë, ku bën pjesë edhe fshati Bubullimë, duhej të votonte në një mënyrë të tillë që të prodhonte plot 11 mandate deputetësh, 6 për qind të të gjitha mandateve, ndonëse zona në fjalë përbënte vetëm 1% të të gjithë votuesve në vend.

Gazetat në atë kohë i vunë një nofkë kësaj manovre duke e emërtuar atë “Sistemi i Dushkut”, një epitet për të përshkruar se si makinacionet e pacipa politike deformojnë vullnetin e votuesve duke i dhënë një partie të caktuar, më shumë pushtet nga sa qytetarët i kanë dhënë.

Në zgjedhjet e vitit 2001, Partia Socialiste mori 41 për qind të votave dhe 73 mandate, ose 52% të parlamentit.

U bë disa vite tashmë që panorama mediatike shqiptare nuk është më aq vibrante sa të krijojë emërtime të tilla për manipulimet politike, kështu që, sistemi aktual i krijuar vitin e kaluar nga një marrëveshje e re mes PD-së dhe PS-së me lista kandidatësh të mbyllura dhe të hapura nuk ka marrë ndonjë emërtim të tillë alegorik.

Megjithatë, gara e 11 majit pritet të jetë thellësisht e pabarabartë dhe e përqendruar mes anëtarëve të së njëjtës parti që përplasen për pak mandate brenda listës së hapur.

Garë e pabarabartë

Deputeti socialist, Erion Braçe deklaroi të dielën në një postim në median sociale se gara në të cilën ai merr pjesë është “e pabarabartë”. Ky në fakt është një konkluzion që, me gjasa, vjen me vonesë.

Në fakt, që nga viti 2008, kur Rama, në atë kohë, kryetar i opozitës dhe Berisha, në atë kohë kryeministër, ranë dakord për sistemin me lista të mbyllura, PD dhe PS kanë krijuar me forcën e votave të tyre një sistem zgjedhor thellësisht të pabarabartë me një garë të dominuar nga dy udhëheqësit politikë dhe me një forcë parlamentare gjithnjë e më besnike ndaj tyre.

Në vitin 2008, Berisha dhe Rama ndanë Shqipërinë në 12 qarqe dhe vendosën një prag në masën 5% për të shmangur rrezikun që partitë e vogla të mund të fitonin mandate në Qarkun Tiranë, qarku i vetëm i madh ku pragu 5% bënte sens, sepse në qarqet e tjera, numri i mandateve është aq i ulët sa, edhe nëse merr 5% të votave, pra kalon pragun, merr zero mandate.

Ky ishte sistemi me të cilin shqiptarët votuan në zgjedhjet e vitit 2009 e 2013, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, tre partitë e mëdha të vendit konkurruan të ndara, ndërsa Rama fitoi mandatin e parë qeverisës me vetëm një parti që nga viti 1997.

Në vitin 2021, ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor, të cilat Rama i bëri me votat e të ashtuquajturës opozitë e re, krijoi sistemin me lista të mbyllura, por me votë pëlqyese, një sistem në të cilin, qytetari zgjidhte një parti dhe pastaj i jepte një votë njërit prej kandidatëve të saj. Kjo votë pëlqyese nuk caktoi në mënyrë domethënëse se kush nga kandidatët do të shkonte në parlament, këtë e caktuan kryetarët përkatës, por shërbeu gjithsesi si një formë kontabilizimi i makinerisë elektorale të çdo kandidati.

Listat e hapura dhe të mbyllura

Në krahasim me listat e mbyllura të zgjedhjeve 2009, 2013 e 2017, si dhe të listave të mbyllura me votë pëlqyese të vitit 2021, sistemi elektoral i këtij viti ngjan se është edhe më ekstrem. Shqiptarët do të ftohen të votojnë një parti të caktuar, dhe një kandidat, por deputeti që do të dërgojnë në parlament do të jetë një tjetër, i cili nuk do të votohet por është “emërtuar”, teorikisht nga partia përkatëse por praktikisht nga kryetari takues.

Në fletën e votimit do të kenë një listë të dytë të kandidatëve, të cilët, në pjesën dërrmuese, nuk do të shkojnë në parlament. Kjo është një skemë që qartazi favorizon sërish dy kryetarët në dy gjëra; e para, që aftësia e tyre për të kontrolluar grupet parlamentare të jetë e plotë, dhe, e dyta, që makineritë elektorale të mbështetura në “korrupsion publik” apo klientelizmi politik të jenë në garë të plotë me njëra-tjetrën për të siguruar mandate elektorale shtesë dhe rrjedhimisht, shumicën e ardhshme parlamentare.

Fleta e votimit e miratuar nga KQZ do të ketë dy seksione, një seksion sipër ku do të gjenden emrat e kandidatëve të listave të mbyllura dhe një seksion tjetër, ku do të gjenden listat e kandidatëve në garën e hapur. Qytetari do të duhet të zgjedhë, fjala vjen, kandidatin nr. 37 në listën e partisë X, ndërsa vota e tij do të dërgojë në parlament, jo kandidatin e zgjedhur prej tij, por kandidatin e parë nga lista e mbyllur, të cilin e ka caktuar kryetari.

Në Tiranë, në listat e hapura ka 37 kandidatë për secilën parti, por, nëse Partia Socialiste përsërit suksesin e vitit 2021 dhe merr 18 mandate, pra më shumë se gjysmën, atëherë 12 mandate i cakton kryetari ndërsa të 37 kandidatët e tjerë konkurrojnë në praktikë për vetëm 6 vende.

Në radhët e opozitës, nëse rezultati nuk ndryshon dhe ajo fiton 17 mandate që mori PD dhe LSI kur garuan veçmas katër vjet më parë, atëherë 12 janë të caktuar nga Berisha, ndërsa 5 mandatet e mbetura janë në garë për t’u fituar nga 37 kandidatët e listës së hapur të kësaj partie. Me pak fjalë, pavarësisht se votuesit përkatës të PS-së apo PD-së mund të pëlqejnë njërin apo tjetrin kandidat, ata që shkojnë në parlament janë persona, emrat e të cilëve në listën e votimit nuk i voton dot.

Nëse, për kandidatët e partive të mëdha në listat e hapura, gara është e pabarabartë deri në absurditet, për partitë e vogla gara është edhe më e padrejtë. Këto parti, pavarësisht nëse pretendojnë të marrin 1, 2 apo 5 deputetë dhe pavarësisht nëse pretendojnë që këto deputetë t’i marrin në një qark të caktuar, për të fituar të drejtën për të garuar, duhet të plotësojnë me kandidatura të gjitha qarqet me lista të plota.

Kryeministri Edi Rama u tall të hënën me një parti të vogël, kryetari i së cilës ka kandiduar, mes të tjerëve, edhe të atin. Gjasat janë që kjo ka ndodhur jo për shkak të pretendimeve të babait të Adriatik Lapajt për mandat deputeti, por për shkakun e thjeshtë se të gjitha partive, pavarësisht se sa të vogla, duopoli Rama – Berisha i ka caktuar detyrimin ligjor absurd që të kandidojnë me lista të plota. Ndërsa dy partitë e mëdha mund të joshin kandidatë për vendet humbëse, jo me mundësinë për t’u bërë deputet, por me premtimin për akses në sistemin klientelist të këtyre partive, partitë e vogla nuk kanë se si të bëjnë ndryshe veçse t’i mbushin listat si të munden. Për shembull, në vitin 2017, një parti e vogël e quajtur MEGA, (Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen), shkaktoi të qeshura naive kur kandidoi pothuajse një lagje fshati, shumica me të njëjtin mbiemër, për deputetë në të gjithë Shqipërinë. Kjo parti që, siç sugjeron emri, synon të përfaqësojë minoritetin grek të Shqipërisë, i cili banon kryesisht në qarqet Gjirokastër e Vlorë, detyrohej të gjente kandidatë edhe në Kukës, Dibër apo Shkodër, ku nuk kishte realisht synim për të konkurruar.

Gjithsesi, një vendim i Gjykatës Kushtetuese bëri që në këto zgjedhje, për herë të parë, të mos ketë prag për partitë e vogla, të cilat, së paku në Qarkun Tiranë, do të kenë mundësi reale për të fituar mandate. Aktualisht janë së paku pesë parti të reja që po garojnë me pretendimin për të marrë mandate. Hamendësimi që mund të bëhet bazuar në rezultatet e zgjedhjeve 2021 është që këtyre partive u nevojiten mes 12 mijë dhe 17 mijë vota për të marrë një mandat. Por nëse të pesta marrin nga, fjala vjen, 10 mijë vota secila, pavarësisht se 50 mijë votat e tyre përbëjnë gati 12% të të gjitha votave të hedhura në Tiranë, votat e tyre digjen.

Mandatet e humbura nga “votat e djegura” të partive te vogla u shkojnë partive të mëdha.

Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim doli pa mandat në qarqet Durrës, Korçë, Berat e Vlorë, për shkak se i munguan pak vota. Kjo njihet si anësia e formulës D-Hondt, e cila përdoret për llogaritjen e mandateve, formulë që favorizon partinë më të madhe, duke dhënë mandate shtesë qoftë edhe për një votë të vetme. Për shembull, në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Socialiste mori një mandat deputeti për çdo 10,244 vota të marra ndërsa PD mori një deputet për çdo 10,716 vota e LSI mori një deputet për çdo 27 mijë vota. Partia Socialdemokrate sfidoi edhe vetë formulën kur arriti të marrë tre mandate me vetëm 35 mijë vota ose një mandat për çdo 11,800 vota.

Votat për partitë e vogla, ose e ashtuquajtura Votë Proteste, nuk kanë munguar gjatë zgjedhjeve të shkuara, por këto vota nuk kanë sjellë deri më sot rezultat zgjedhor të vlefshëm për maxhorancën qeverisëse. Situata mundet të ndryshojë kësaj here. Në rast se pesë parti të vogla arrijnë të marrin pesë apo më shumë mandate në Qarkun Tiranë, ku i kanë shanset më të mëdha, maxhoranca qeverisëse mund të ndryshojë dhe duopoli politik PD-PS i themeluar në vitin 2008 me marrëveshjen Rama-Berisha për listat e mbyllura mund të hyjë në rrugën e thyerjes./BIRN

Breshëri plumbash mbi “CFO Pharma”, policia njoftim zyrtar

Informacion paraprak

Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. 

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.