Veliaj nga qelia vendos kryetaren e re, largon te emëruaren e Ramës

Erion Veliaj ka shkarkuar nga detyra e kryetares së komanduar të Bashkisë Tiranë Anuela Ristanin.

Në dokumentin e firmosur nga kryebashkiaku Veliaj, detyra e kryetares së komanduar i delegohet nënkryetares së bashkisë, Sara Goxhaj.

Vendimi:

Në mbështetje të nenit 8 pika 2, neni 59 pika “I”, pika “3” të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, të neneve 22, 28 dhe 29 të ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Rregullores me nr. 46111 datë 29.12.2022 për “Miratimin, Organizimin, Funksionimin, Detyrat dhe Përgjegjësitë e Strukturave të Institucionit të Bashkisë Tiranë”,

URDHËROJ:

  1. Sara Goxhaj, Nën/Kryetar i Bashkisë Tiranë, të kryej përkohësisht edhe detyrat e Kryetarit të Bashkisë Tiranë.
  2. Periudha e ushtrimit të kompetencave të deleguara, fillon më datë 19.03.2025, deri në një urdhër të dytë.
  3. Urdhri nr. 366, datë 14.02.2025 “Për delegimin e përkohshëm të detyrave të kryetarit të Bashkisë Tiranë”, shfuqizohet.
  4. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm, Kabineti i Kryetarit, Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Brendshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Medias dhe Komunikimit me Qytetarët, për zbatimin e këtij urdhri.

Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe njoftohet në stendën e afishimeve publike të Bashkisë Tiranë.

KRYETARI Erion Veliaj

Berisha – “Vetëm pllakat e gurëve në 61 qytete, kanë kushtuar 2.3 mld euro”

Kryetari i PD, Sali Berisha, ka akuzuar Ramën se ka shpenzuar vetëm për pllakat e gurëve në 61 qytete afro 2.3 miliardë euro. Gjatë prezantimit të programit ekonomik për qeverisjen, Berisha tha se në çdo lloj lapsi t’i biesh nuk shkojnë kurrë më shumë se 300 milionë euro.

Duke vijuar më tej, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se në 12 vite, qeverisja socialiste shpërdoroi taksat e shqiptarëve, duke mbledhur 65 miliardë euro, por u shpenzuan vetëm 8 miliardë euro për paga.

“Çdo shqiptar duhet të pyesë vetën, sa kushtonte kompensimi i pronarëve? Shifrat e larta shkojnë tek 800 milionë. Por ta zëmë 1 miliardë, po ta zëmë 1.5 miliardë. Po në këto 57 milionë, nuk mund të kishin pronarët atë që u takonte? Nuk mund të kishin të përndjekurit atë që iu takonte?

Është përvetësuar dhe vjedhur në mënyrë që imagjinata nuk e rrok dot”, tha Berisha.

Në fund, Berisha iu drejtua pronarëve duke premtuar se potenciali i PD pas 11 majit, është i plotë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare detyrimit madhor të qeverisë shqiptare ndaj detyrimit të pronarëve, detyrimit madhor të qeverisë shqiptare ndaj ish të përndjekurve politikë.

Protesta në Stamboll, qytetarët përplasen me policinë pas arrestimit te Imamoglu

Protesta masive dhe përplasje me policinë kanë nisur në Stamboll pas arrestimit të kryetarit të bashkisë Ekrem Imamoglu.Sipas mediave të huaja, pavarësisht ndalimit, studentët e universitetit u mblodhën për të protestuar. Policia u përpoq të bllokonte marshimin, por mijëra protestues duke brohoritur pro-demokracisë, arritën të thyenin bllokadën e policisë.

Mësohet se jashtë portës kryesore, studentët u bënë thirrje studentëve të tjerë që të mbrojnë të drejtat dhe liritë e tyre demokratike. Më pas marshimi u drejtua drejt bashkisë së qytetit në zonën e Saratchane.

Në mobilizim morën pjesë edhe studentë nga universitete të tjera në Stamboll. Policia turke ndaloi protestuesit para Shkollës Ekonomike.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa studentët deklarojnë se do të vijojnë protestat e tyre edhe në ditët në vijim.

Kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu është arrestuar nën akuzën e korrupsionit dhe terrorizmit. İmamoglu u ndalua pas kontrollit në shtëpinë e tij. Janë lëshuar urdhra arresti ndaj 100 personave të tjerë, përfshirë gazetarë dhe biznesmenë. Akuzat variojnë nga korrupsioni te terrorizmi.

Imamoglu i Partisë Republikane Popullore (CHP), përballet me dy hetime të veçanta që përfshijnë gjithashtu akuza për drejtimin e një organizate kriminale, ryshfet dhe manipulim tenderash.

Berisha sulmoi Tom Doshin dhe Vilma Nushin për ilaçet jocilësore. Reagon PSD

Kreu i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar Vilma Nushin dhe Tom Doshin se do të humbasin çdo licencë dhe do të ndëshkohen për ilaçet jocilësore që kanë hedhur në treg, pas 11 majit, nëse PD fiton zgjedhjet parlamentare. Berisha tha se brenda 100 ditëve, do të nisë shitja e ilaçeve cilësore dhe Vilma Nushi dhe Tom Doshi do humbasin çdo licencë dhe do ndëshkohen.

“Një, votohet ligji në parlament në të cilin përcaktohet se në Shqipëri nuk mund të shitet asnjë ilaç që nuk shitet në të paktën dy vende anëtare të BE si garanci që qytetarët shqiptarë do marrin ilaçet me cilësinë më të lartë.

E gjithë kostoja në paketën e rimbursimit do paguhet nga qeveria për këtë lëvizje. Dy vetë procedohen, Vilma Nushi dhe Tom Doshi humbasin çdo licencë dhe shitja e ilaçeve që kanë bërë ata jashtë standardeve do u rikthehet në masa ndëshkimore shembullore, pasi mali, po t’i bëje dhimbjet njerëzore për shkak të ilaçeve që nuk veprojnë, arrijnë një mal i tërë”, tha Berisha një ditë më parë.

Partia Socialdemokrate ka reaguar përmes një deklarate për mediat duke i kujtuar Berishës se nuk ka bërë asgjë tjetër gjithë jetën përvecse ka shpifur. Sipas PSD,  qytetarët e kanë kuptuar, mbi të gjitha shkodranët q e dinë kush është Tom Doshi.

“E kanë kuptuar, sepse e kanë besuar dhe votuar cdo vit dhe më shumë, e kanë kuptuar se ai ka qenë mes tyre, me dhe pa pushtet. Dinë ta bëjnë dallimin midis atij që di ta mbajë fjalën dhe një gënjeshtari. Këtë diferencë do e bëjmë sërish në 11 maj, do votojnë atë që ka ndihmuar e mijëra njerëz në hall pa u kërkuar asgjë mbrapsht, do votojnë për burrat jo gënjeshtarët”, thuhet ndër të tjera në deklaratën për mediat të PSD.

Në fund, duke i dhënë përgjigje Berishës për llogaridhënie para zotit,  PSD thotë se “ Berisha ka dhe hesape të tjera me shqiptarët”.

“Do u kthejmë paratë shqiptarëve” – Berisha: Motoja jonë po “ngjit” gjithnjë e më shumë

Gjatë një konference për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është ndalur sërish në programin ekonomik të kësaj force politike. Sipas tij, programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore po bëhet pjesë shpirtërore e qytetarëve shqiptarë.

Motoja jonë se do u kthejmë paratë shqiptarëve po ngjit gjithnë e më shumë. Minimumi jetik 200 euro, rritja e pensioneve me 20 përqind, rritja e rrogës minimale me 20 përqind, rritja e rrogës mesatare në 1200 euro, karta e konsumatorit për pensionistët dhe rrogëulëtit, kanë pasur një impakt shumë pozitiv. Fëmijët jetimë do të përfitojnë 200 euro që të gjithë. Nuk mund të ketë më shqiptarë të agresuar nga varfëria ekstreme. Me kartën e konsumatorit do marrin 450 euro, sot për sot se nesër kur të rriten çmimet, do shkojë edhe më shumë.

Gjithashtu, Berisha u shpreh se do të ketë kompensim për TVSH që qytetarët paguajnë, energjia do të zbresë në 7 lekë dhe nafta në çmimet që ka Kosova.

Pra, kjo paketë që e quajmë paketa e dhembshurisë dhe që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse kthimi i parave tek shqiptarët se atyre u merren taksat dhe ne do ua kthejmë atyre.

Sipas Berishës, ky start nuk ndalet derisa shqiptarët të dalin në krye për rrogat dhe pensionet.

Çmimet nuk ndryshojnë edhe sipas Eurostat/ Inflacioni i Shkurtit vlerësohet në 2.4%

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit, që mat rritjen e çmimeve sipas metodologjisë së ‘Agjencisë Europiane të Statistikave’, në muajin Shkurt të vitit 2025 regjistrohet në 2.4%, duke konstatuar kështu një normë të pandryshuar, krahasuar me Janarin e po të njëjtit vit. Nga ana tjetër, inflacioni sipas ‘INSTAT’ për të njëjtën periudhë ishte 1.9%. Theksojmë se metodologjia e matjes është e njëjtë me të dy metodat, por diferencat mes këtyre dy matjeve vijnë si rezultat i peshës që i jepet secilit grup të produkteve në llogaritjen e inflacionit.

Të dhënat zyrtare tregojnë se inflacioni mesatar në Europë përllogaritet në 2.7% dhe Shqipëria shihet e pozicionuar larg këtij kufiri. Ndërkohë, nga ana tjetër, vendet me normën më të lartë të çmimeve në Europë përgjatë Shkurtit të këtij viti janë Maqedonia e Veriut me 6%, Hungaria me 5.7%, Rumania me 5.2% si dhe Kroacia dhe Serbia me 4.8% dhe 4.7% respektivisht

Nëse analizojmë rritjen e çmimeve sipas vendeve të rajonit, shifrat tregojnë se Shqipëria pozicionohet relativisht mirë krahasuar me disa nga fqinjët në rajon, përveç Kosovës, ku për muajin Shkurt regjistron një normë të rritjes së çmimeve prej 1.7%.

Ndërkohë, nëse flasim për ndryshimin vjetor të grupeve shohim se rritja më e madhe e çmimeve prej 5.9% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 4.1%. Me rritje po ashtu vihen re edhe grupet “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3.1% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.9%, “Veshje dhe këpucë” me 2.3%, “Shërbimi arsimor” me 1.8%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1.3%, “Komunikimi” me 1.1% dhe “Shëndeti” me 0.8%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1.1%, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.1%.

Punimet në aksin rrugor Berat-Ballaban, Rama e Balluku: Mund të dorëzohet brenda vitit

Edhe pse përfundimi i rrugës Berat-Ballaban ishte parashikuar për vitin 2026 sipas kontratës, ritmi i mirë i punimeve mund të bëjë të mundur dorëzimin e saj brenda këtij viti.

Gjatë inspektimit në lotin e parë të këtij aksi, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se puna në këtë segment ka arritur në 27%.

“Jemi në një segment të rëndësishëm rrugor, që lidh tre bashki kyçe: Beratin, Përmetin dhe Tepelenën. Aktualisht, punimet në lotin e parë kanë arritur në 27%, por sipas diskutimeve me ekipin në terren, nëse gjithçka ecën sipas planit, rruga mund të përfundojë brenda këtij viti.

Të gjitha problematikat e hasura deri më tani, përfshirë shpronësimet dhe procedurat me autoritetet vendore, janë zgjidhur me efikasitet falë mbështetjes së Bashkisë së Beratit, të cilën e përgëzojmë për bashkëpunimin.

Ky është një aks rrugor i kategorisë F, me punimet që kanë nisur nga zona e Tepelenës, konkretisht nga Ura e Ballabanit. Aktualisht, progresi në këtë zonë ka arritur në 67%, ndërsa në lotin e dytë, puna është në nivelin e 30%. Siç kemi biseduar me kompaninë ndërtuese, ka shumë gjasa që rruga të përfundojë brenda dhjetorit, duke krijuar një lidhje të rëndësishme edhe me Vithkuqin.”

Nga ana tjetër, kryeministri Rama vlerësoi progresin e punimeve dhe theksoi se investimet infrastrukturore do të vazhdojnë me projekte të reja rrugore. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e zonës për zhvillimin e agroturizmit, duke e konsideruar këtë aks rrugor si një mundësi për të nxitur ekonominë lokale.

Media gjermane: Zgjedhjet do vendosin nëse Shqipëria do çlirohet nga diktati i Sorosit

Jo vetëm mediat amerikane, por edhe ato gjermane, shkruajnë se këto zgjedhje në Shqipëri mund të përcaktojnë nëse vendi do dalë nga diktati i miliarderit majtist, Soros. Media e djathtë gjermane ‘Die Freie Welt’ publikon një editorial nga bordi i tyre ku thekson se këto zgjedhje janë një test për të ardhmen e Shqipërisë në Europë

Më poshtë shkrimi i plotë:
Zgjedhjet parlamentare do zhvillohen në Shqipëri më 11 maj – një ngjarje që ka rëndësi të madhe edhe përtej kufijve të vendit. Ky vend nuk është thjesht përballë zgjedhjes mes qeverisë dhe opozitës, por edhe përballë vendimit nëse do t’i nënshtrohet përfundimisht elitave globaliste apo do të mbrohet nga ndikimi i donatorëve të huaj. Veçanërisht shpërthyes është fakti se miliarderi George Soros dhe Fondacioni i tij i Shoqërisë së Hapur janë të përfshirë në vend prej vitesh me “reformën e tyre në drejtësi” – një instrument perfid që synon të heshtë forcat konservatore, sipas The Federalist.

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ka 12 vjet që drejton vendin – dhe dëshiron të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar një mandat të katërt në detyrë. Vendi është kthyer prej kohësh në një kënd lojërash për persekutim politik. Të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria, ekonomia është në stanjacion dhe gjyqësori është zgjatim i qeverisë.

Veçanërisht perfid ishte sulmi i shënjestruar ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës konservatore. Kur ai u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike në vitin 2021, Departamenti i Shtetit Biden e futi shpejt në listën e zezë – mes akuzave të rreme për korrupsion. Pa prova, Berisha u shpall persona non-grata dhe u sanksionua.

Qëllimi ishte i qartë: opozita konservatore duhet eliminuar, ndërsa rrjetet e mbështetura nga Soros zgjeronin pushtetin e tyre. Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pompoi miliona në programe që nuk e forcuan Shqipërinë, por promovuan reformat gjyqësore dhe zgjedhore të Soros – dhe në këtë mënyrë siguruan qëndrimin e socialistëve në pushtet.

Me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, tani ka një shpresë në rritje se ndikimi i Soros në Shqipëri dhe Evropën Lindore do të marrë fund. “Kthimi i Trump shënon fundin e keqpërdorimit të parave të taksapaguesve amerikanë për të mbështetur qeveritë e majta në mbarë botën”, shpjegoi Berisha.

Në fakt, Trump ka dëshmuar që në mandatin e tij të parë se është gati t’i shpallë luftë rrjeteve globaliste. Nëse ai frenon ndikimin e organizatave të Sorosit në rajon, kjo mund të ketë pasoja të mëdha – jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin dhe më gjerë.

Zgjedhjet në Shqipëri do të tregojnë nëse vendi mund të çlirohet nga diktati i kukullave ndërkombëtare – apo nëse aparati Soros do të demonstrojë sërish fuqinë e tij. Por me Trump në Shtëpinë e Bardhë, batica mund të ndryshojë.