Punimet në aksin rrugor Berat-Ballaban, Rama e Balluku: Mund të dorëzohet brenda vitit

Edhe pse përfundimi i rrugës Berat-Ballaban ishte parashikuar për vitin 2026 sipas kontratës, ritmi i mirë i punimeve mund të bëjë të mundur dorëzimin e saj brenda këtij viti.

Gjatë inspektimit në lotin e parë të këtij aksi, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaruan se puna në këtë segment ka arritur në 27%.

“Jemi në një segment të rëndësishëm rrugor, që lidh tre bashki kyçe: Beratin, Përmetin dhe Tepelenën. Aktualisht, punimet në lotin e parë kanë arritur në 27%, por sipas diskutimeve me ekipin në terren, nëse gjithçka ecën sipas planit, rruga mund të përfundojë brenda këtij viti.

Të gjitha problematikat e hasura deri më tani, përfshirë shpronësimet dhe procedurat me autoritetet vendore, janë zgjidhur me efikasitet falë mbështetjes së Bashkisë së Beratit, të cilën e përgëzojmë për bashkëpunimin.

Ky është një aks rrugor i kategorisë F, me punimet që kanë nisur nga zona e Tepelenës, konkretisht nga Ura e Ballabanit. Aktualisht, progresi në këtë zonë ka arritur në 67%, ndërsa në lotin e dytë, puna është në nivelin e 30%. Siç kemi biseduar me kompaninë ndërtuese, ka shumë gjasa që rruga të përfundojë brenda dhjetorit, duke krijuar një lidhje të rëndësishme edhe me Vithkuqin.”

Nga ana tjetër, kryeministri Rama vlerësoi progresin e punimeve dhe theksoi se investimet infrastrukturore do të vazhdojnë me projekte të reja rrugore. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e zonës për zhvillimin e agroturizmit, duke e konsideruar këtë aks rrugor si një mundësi për të nxitur ekonominë lokale.

Media gjermane: Zgjedhjet do vendosin nëse Shqipëria do çlirohet nga diktati i Sorosit

Jo vetëm mediat amerikane, por edhe ato gjermane, shkruajnë se këto zgjedhje në Shqipëri mund të përcaktojnë nëse vendi do dalë nga diktati i miliarderit majtist, Soros. Media e djathtë gjermane ‘Die Freie Welt’ publikon një editorial nga bordi i tyre ku thekson se këto zgjedhje janë një test për të ardhmen e Shqipërisë në Europë

Më poshtë shkrimi i plotë:
Zgjedhjet parlamentare do zhvillohen në Shqipëri më 11 maj – një ngjarje që ka rëndësi të madhe edhe përtej kufijve të vendit. Ky vend nuk është thjesht përballë zgjedhjes mes qeverisë dhe opozitës, por edhe përballë vendimit nëse do t’i nënshtrohet përfundimisht elitave globaliste apo do të mbrohet nga ndikimi i donatorëve të huaj. Veçanërisht shpërthyes është fakti se miliarderi George Soros dhe Fondacioni i tij i Shoqërisë së Hapur janë të përfshirë në vend prej vitesh me “reformën e tyre në drejtësi” – një instrument perfid që synon të heshtë forcat konservatore, sipas The Federalist.

Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama ka 12 vjet që drejton vendin – dhe dëshiron të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të siguruar një mandat të katërt në detyrë. Vendi është kthyer prej kohësh në një kënd lojërash për persekutim politik. Të rinjtë po largohen masivisht nga Shqipëria, ekonomia është në stanjacion dhe gjyqësori është zgjatim i qeverisë.

Veçanërisht perfid ishte sulmi i shënjestruar ndaj Sali Berishës, liderit të opozitës konservatore. Kur ai u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike në vitin 2021, Departamenti i Shtetit Biden e futi shpejt në listën e zezë – mes akuzave të rreme për korrupsion. Pa prova, Berisha u shpall persona non-grata dhe u sanksionua.

Qëllimi ishte i qartë: opozita konservatore duhet eliminuar, ndërsa rrjetet e mbështetura nga Soros zgjeronin pushtetin e tyre. Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pompoi miliona në programe që nuk e forcuan Shqipërinë, por promovuan reformat gjyqësore dhe zgjedhore të Soros – dhe në këtë mënyrë siguruan qëndrimin e socialistëve në pushtet.

Me kthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, tani ka një shpresë në rritje se ndikimi i Soros në Shqipëri dhe Evropën Lindore do të marrë fund. “Kthimi i Trump shënon fundin e keqpërdorimit të parave të taksapaguesve amerikanë për të mbështetur qeveritë e majta në mbarë botën”, shpjegoi Berisha.

Në fakt, Trump ka dëshmuar që në mandatin e tij të parë se është gati t’i shpallë luftë rrjeteve globaliste. Nëse ai frenon ndikimin e organizatave të Sorosit në rajon, kjo mund të ketë pasoja të mëdha – jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin dhe më gjerë.

Zgjedhjet në Shqipëri do të tregojnë nëse vendi mund të çlirohet nga diktati i kukullave ndërkombëtare – apo nëse aparati Soros do të demonstrojë sërish fuqinë e tij. Por me Trump në Shtëpinë e Bardhë, batica mund të ndryshojë.

Fier-Dhunonte bashkëshorten dhe ngacmonte seksualisht vajzën e saj të mitur, dërgohet në gjyq 40-vjeçari

Prokuroria Fier dërgon në gjyq shtetasin Altin Rabija, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe keqtrajtonte e ngacmonte seksualisht vajzën e saj të mitur, 11 vjeçe.

Bashkëshortja e tij është pajisur me urdhër mbrojtjeje. Ngjarja ka ndodhur në nëntorin e vitit 2024.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.R. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ dhe ‘Keqtrajtimi i të miturit’ parashikuar nga nenet 130/a/4, 108/a/2 dhe 124/b/1 të Kodit Penal.

Hetimet në kuadër të procedimit penal nr.1755 të vitit 2024, nisën pas shqyrtimit të kërkesës së shtetases B.R. ndaj bashkëshortit të saj në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier me objekt lëshimin e urdhërit të mbrojtjes. Në përfundim, gjyqtari i çështjes ka vlerësuar se faktet e referuara nga kjo shtetase përmbajnë elementë të veprës penale dhe për këtë shkak ka bërë referimin përkatës në prokurori.

Pas administrimit të referimit përkatës, organi i akuzës në bashkëpunim me policinë gjyqësore, ka arritur të provojë se në periudha të ndryshme, shtetasi A.R. ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij si dhe ka kryer veprime aktive ndaj të miturës R.Ç. (fëmijës që shtetasja A.R kishte nga martesa e parë), që konsistojnë në keqtrajtimin vijues të saj dhe kanë avancuar në veprime që kanë natyrë të ngacmimit seksual të saj.

Pas kryerjes së veprime hetimore të plota, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka dërguar për gjykim kërkesën penale ndaj shtetasit A.R. për veprën penale “Dhuna në familje” në dëm të shtetases B.R. “Ngacmimi seksual” dhe “Keqtrajtimi i të miturit” në dëm të miturës R.Ç, parashikuar nga nenet 130/a/4, 108/a/2 dhe 124/b/1 i K.Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale të dhunës në familje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve më të rënda në të ardhmen dhe që cënojnë moralin dhe dinjitetin e shtetasve.“, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Rama ironi me opoziten

Kryeministri Edi Rama, nuk i ka kursyer batutat për opozitën. 

Në një takim të organizuar me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit, Rama u shpreh se edhe Dasnor Sula ndërtoi një parti të fortë në Peqin, por ia “vodhën natën”. 

“Më 12 maj shkrijmë SPAK dhe çlirojmë TikToK. Deklaratat e tilla tregojnë që me këta nuk ka garanci. 

Ndërtoi Dash Sula i shkretë tërë atë parti në Peqin edhe u gdhi në mëngjes ia kishin vjedhur natën. S’dihet kush do t’i hajë ato kokrra gruri se gjeli i detit nuk është më. Gjel deti e kam kompliment sepse është në të thatë, të tjerët janë në kënetë. 

Më pas Rama kaloi tek Lulzim Basha me të cilin ka pasur një komunikim virtual nëpërmjet videove të shpërndara në rrjetet sociale ditët e fundit. 

“Vetëm Luli nuk evolon sepse është i lindur i përsosur, një njeri të cilin gjumi e do aq shumë sa e mban për vete është i përsosur. Ka njerëz që lindin me këmishë, Luli ka lindur me këmishë nate”, tha ai.

Telefonata Trump-Putin, Shtëpia e Bardhë: Fillojnë menjëherë negociatat dhe për armëpushimin në Lindjen e Mesme

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se dy presidentët  Donald Trump dhe Vladimir Putin kanë rënë dakord  që lëvizja drejt paqes  të fillojë me një armëpushim të energjisë dhe infrastrukturës.

Ata ranë dakord gjithashtu për negociata teknike për zbatimin e një armëpushimi detar në Detin e Zi, një armëpushim të plotë dhe paqe të përhershme.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një postim në rrjetin social X, ka deklaruar se të dy presidentët, Trump dhe Putin, folën për nevojën për paqe dhe një armëpushim në luftën në Ukrainë.

“Të dy liderët ranë dakord që ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se të dyja palët shpresojnë për marrëdhënie më të mira midis SHBA-së dhe Rusisë.

“Gjaku dhe thesari që si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë shpenzuar në këtë luftë do të shpenzoheshin më mirë për nevojat e popullit të tyre”, shton ai. “Ky konflikt nuk duhet të kishte filluar kurrë dhe duhet të kishte përfunduar shumë kohë më parë me përpjekje të sinqerta dhe të mirëbesimit për paqe.”

Të dy diskutuan gjithashtu për një fund të përhapjes së armëve strategjike dhe tensioneve midis Izraelit dhe Iranit.

“Të dy liderët ranë dakord se një e ardhme me një marrëdhënie të përmirësuar dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ka avantazhe të mëdha”, shton deklarata. “Kjo përfshin marrëveshje të mëdha ekonomike dhe stabilitet gjeopolitik kur të arrihet paqja.”

Momente paniku në Londër, makina merr para turmën e njerëzve. Humb jetën një 20-vjeçare, 3 në gjendje të rëndë

Një 20-vjeçare humbi jetën pasi u përplas nga një automjet furgon në Londrën qendrore.

Ngjarja ndodhi teksa makina goditi një turmë njerëzish. Një këmbësor tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Tre këmbësorë të tjerë kanë pësuar lëndime.

Drejtuesi i automjetit një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Londrës për drejtim të pakujdesshëm.

Publikohet modeli i fletës se votimit per Qarkun FIER, pritet sot miratimi nga KQZ

Modeli i fletës së votimit për 12 qarqet për zgjedhjet parlamentare të 11 maj është publikuar.Sot pritet miratimi nga KQZ në mbledhjen që pritet të nisë në orën 16:00.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillon seancë publike ditën e Martë, datë 18.03.2025 në orën 16:00.

Ekstradohet Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit

Ekstradohet në Shqipëri Lulzim Berisha, ish-kreu i bandës së Durrësit.Pasditen e së martës, Interpol Madrid pritet të ekstradojë drejt Shqipërisë Lulzim Berishën.Spanja ka vendosur të ekstradojë në Shqipëri, Lulzim Berishën, person ky që konsiderohet nga prokuroria si kreu i bandës së Durrësit.

Berisha, do mbërrijë në Tiranë në masa të rrepta sigurie, ndërsa pritet të përballet në një proces gjyqësor ku SPAK e akuzon për vrasjen e Klodian Saliut në muajin shkurt 2015 në Durrës.

Njëherësh, SPAK caktoi në dhjetor 2020 masë sigurimi arrest në burg për Berishën, si i dyshuar në vrasjen me tritol të Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.Por këto akuza u rrëzuan nga vetë SPAK, duke e konsideruar se nuk kishte prova të mjaftueshme kundër Lulzim Berishës.Me ekstradimin e tij në Shqipëri, Lulzim Berisha, do duhet të vuajë dhe një dënim me 6 vite burg, masë dënimi kjo që ka mbetur ende e papërfunduar nga dënimi me 25 vite burgim të dhënë disa vite më parë nga Gjykata e Lartë.

Kjo është përballja e dytë e Lulzim Berishës me Drejtësinë, pasi herën e parë ai u ndesh me dëshminë e bashkëpunëtorit të prokurorisë, Adriatik Coli.

Ndërsa herën e dytë ai duhet të përballet me dëshminë e Luftar Reçit, i cili tashmë është bërë bashkëpunëtor i prokurorisë SPAK.Reçi, ka treguar se ai së bashku me Plaurent Dervishaj, Lulzim Berishën, Indrit Taullain dhe Indrit Rusin që njihet me nofkën “Çeçi”, kanë vrarë Klodian Saliun.

Për këtë ngjarje u deportua një vit më parë dhe Plaurent Dervishaj nga Emiratet e Bashkuara Arabe.