Konstituohet Këshilli Drejtues i RTSH. Petrit Beci zgjidhet me 10 vota nënkryetar i KDRTSH

Këshilli drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, RTSH, ka zhvilluar mbledhjen e parë që nga 17 marsi ku parlamenti miratoi kryetarin dhe anëtarët e tij.

Këshilli Drejtues i RTSH, u njoh me aktet e parlamentit për mandatin e gjithsecilit dhe më pas u votua për nënkryetarin, që u zgjodh z. Petrit Beci me 10 vota pro.

Në këtë mbledhje të parë, Këshilli Drejtues propozoi edhe ngritjen e një grupi pune për hartimin e një procedure të standardizuar për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm sipas përcaktimit ligjor të Statutit të RTSH.

Gjatë mbledhjes u diskutua dhe u ra dakord për të gjitha pikat e rendit të ditës.

Një pikë e rëndësishme e mbledhjes së parë ishte diskutimi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, që mbahet në datat 13–17 maj në Bazel të Zvicrës.

Për shkak të afateve të përcaktuara nga organizatorët e Eurosong, anëtarët u dakordësuan që të thërrasin një mbledhje tjetër brenda kësaj jave për të vijuar me procedurat e nevojshme.

Shqipëria do të përfaqësohet nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, me të cilën fituan edhe Festivalin 63 të Këngës në RTSH.

Nuk të vjen mirë që dikush që është këtu sot, nesër e sheh para gjykatës”, Rama për SPAK-un: Është një moment kthese historike që duhet të vazhdojë

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje nga Shkodra që qytetarët të votojnë Partinë Socialiste që të vijojë zbatimi i reformës në drejtësi.Gjatë fjalës së tij, ai komentoi edhe arrestimet e anëtarëve apo ish anëtarëve të PS, ku u shpreh se “nuk të vjen mirë që dikush që është këtu sot, nesër e sheh para gjykatës”, por theksoi se kjo është një moment kthese historike që duhet të vazhdojë dhe të mbështetet.

Kryeministri ripërsëriti se edhe nga ana e institucioneve të drejtësisë së re ka lajthitje dhe gafa, por PS duhet të japë mbështetjen.

Rama: Shpata ishte tek zyra ime, Altin Dumani nuk është 22 vjeç, mund të ketë 20 vite që është prokuror, e kishit dëgjuar më parë për Altin Dumanin, kishit dëgjuar më parë ndonjë ministër apo ata që hyjnë e dalin në televizor të shkonte në gjykatë, të dënohej apo arratisej? As prindërit, as gjyshërit nuk kishin parë, ka pas vetëm njerëz të dënuar nga i pari i qeverisë, jo nga një gjykatë apo prokuror më parë, si ndodhi kjo, ra nga qielli apo një ditë të bukur u çuan një grup prokurorësh dhe hodhën hov.

E vërtetë që është që ligjin këta e bënë po kush e kërkoi, se kush e kërkoji nuk ka nevojë të diskutojmë shumë, mjafton të kthehesh pas e të shohësh kur ishim në opozitë, ne kërkuam një pakt kombëtar, ia kërkuam bufit të kënetës në 2009, në 2013 e kishim në program, kur u bë reforma u ngujuan në bulevard ishte Luli, vinte çdo natë dhe këndonte himnin para zyrës sime. Ja ku e keni bufin thotë në 11 maj do fitojmë, në 12 maj do shkrijmë SPAK, do shkrijë Ndoc Rrokun, se ky është edhe qyteti i Ndoc Rrokut.

Është e vetmja mënyrë e sigurt që të bëhemi anëtarë të BE. Përderisa ne i hymë detit në këmbë e dinim që gjërat do shkonin pak a shumë siç do të shkojnë, edhe nga ana e drejtësisë së re ka lajthitje, gafa, por dhe duhet të japim mbështetjen tonë.

Njeriut nuk i vjen mirë që dikush që është këtu sot nesër e sheh duke shku në prokurori, pastaj para gjykatës, por nga pikëpamja e ambicies sonë për të bërë histori që është fati ynë dhe i Evropës janë përputhur në një pikë, duhet të jemi krenarë, ndryshe kurrë nuk do të ndodhte të pastrohej, por mbi të gjitha të ndjente që është një hapësirë ku barazia para ligjit nuk është një slogan.

Cilat janë bashkitë më “borxhe? – Stoku i detyrimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve arrin në 33 milionë euro

Pushteti vendor rezulton me  një stok detyrimesh ndaj bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e 3.3 miliardë lekëve apo 33 milionë eurove në fund të Dhjetorit 2024.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ajo që vihet re është se ka një ulje shumë të lehtë të borxheve në raport me shtatorin 2024, por në krahasim me dhjetorin 2023, ecuria ka qenë pozitive, pasi rënia e këtij stoku regjistrohet me afro 15 milionë euro.

Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut duket se po ecën në rrugën e duhur, pasi tashmë çdo bashki në vend nuk e arrin më vlerën prej 1 miliardë lekësh, që më parë ka qenë e zakonshme.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga  totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve 933 milionë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, 528 milionë lekë për shërbime,  rreth 380 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1.3 miliardë lekë shpenzime të tjera.

Por a ka ndryshuar renditja e bashkive që kanë më shumë detyrime dhe cilat janë ato që kryesojnë? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.

Konkretisht në vendin e parë renditet Bashkia Kavajë, duke lënë pas Tiranën e cila ka kryesuar për një periudhë të gjatë. Kavaja rezulton me një vlerë detyrimesh afro 738 milionë lekë.

Më pas renditet bashkia Tiranë me 570  milionë lekë borxhe, shifra më e ulët e regjistruar ndër vite, ndjekur nga  bashkia Pogradec me 238 milionë lekë, më pas vjen bashkia Rrogozhinë me 161 milionë lekë dhe Vorë me 154 milionë lekë, duke ia lënë radhën Dimalit, Dibrës dhe Cerrikut.  

Ajo që vihet re është se nga top lista e 5 bashkive me më shumë detyrime krahasuar me Shtatorin 2024,  ka zbritur bashkua Lezhë dhe është përmirësuar në renditje Vora.  

Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Malësi e Madhe, Kuçovë,  Korçë,  Has, dhe Patos.

Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij.

Balluku: Synojmë që në 2030 të kemi 1 miliardë euro eksporte bujqësore

Zv.kryeminstrja Balluku inspektoi një kompani bujqësore ALBASEED, që furnizon me shumicë pikat bujqësore me inpute bujqësore.

“Në të gjitha takimet që unë bëj me fermerët, një nga problemet më të mëdha që kemi dëgjuar kohët e fundit është cilësia e farës, sepse që të japësh një farë me cilësi jo të  mirë dhe bujku të investohet në kohë për ta mbjellë dhe për të pritur që të ketë rezultat dhe rendimenti të jetë shumë i ulët, atëherë me të vërtetë për ata është problem jetik. Kështuqë, ti para se ta ndash me ta ti bën testet, ke parcelat e testimit.”

Nga ana tjetër, në fjalën e saj zv.kryeministrja Belinda Balluku theksoi se do të subvencionohet mbrojtja biologjikë në mënyrë që produktet shqiptare të hyjnë në supermarketet e Evropës.

“Kjo është ajo që synojmë, qeveria shqiptare synon që në 2030 të arrijmë 1 miliardë eksporte bujqësore, sot jemi 540 mln. Këtë vit synojmë të subvencionojmë edhe mbrojtjen biologjike, duam të kalojmë në një etapë tjetër atë që na garanton mbrojtjen biologjike që produket shqiptare të futen në supermarketet e Evropës.”

Objektivi i qeverisë shqiptare është që deri në vitin 2030 të arrijë 1 miliardë eksporte bujqësore.

Rama:Kush bën punë të pandershme, të shkojë ku e ka vendin”

Kushdo që bën punë jo të ndershme, të shkojë atje ku e ka vendin”, është shprehur sot Rama, duke ritheksuar se Partia Socialiste do të vijojë të mbështesë pa kushte punën e SPAK.Rama iu referua Sali Berishës në lidhje me deklaratat e tij se do ta shkrijë  SPAK nëse vjen në pushtet, duke thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe se garant është PS.

“Pushteti politik nuk ka në dorë shpatën, tani ne duhet të ulim kokën për këtë? Përkundrazi, përtej të gjitha lajthitjeve e gabimeve, është një proces historik i domosdoshëm që do ta mbështesim deri në fund.Ata që nuk do të kenë kurrë gjë në dorë, SPAK-un e shohin si të vetmen shpresë, aleat për të bërë opozitë. Bufi thotë më 12 maj do ta shkrijmë. Jemi ne garantët për reformën në drejtësi dhe duhet të jemi shumë krenar për këtë gjë.

Kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe përdor fuqinë që i  jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës sonë, të shkojë atje ku e ka vendin”, tha ai.

Berisha prezanton 17 pikat e programit në bujqësi

Kryedemokrati Sali Berisha prezantoi sot 17 pikat e programit në bujqësi.

Made in Albania, shtyllë kryesore e Shqipërisë Madhështore, kërkon një bujqësi të zhvilluar dhe fermerë shqiptarë të suksesshëm.Bujqësia në Shqipëri këto 12 vite ka njohur rënie të madhe.

Me firmosjen e Ballkanit të Hapur, mijëra ferma në Shqipëri kanë falimentuar.Prodhimi bujqësor dhe blegtoral ka një rënie dramatike.

Numri i krerëve të bagëtive është ulur me 62 përqind krahasuar me vitin 2013.

Sot, 80 përqind e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në tregun shqiptar vijnë nga eksportetBujqësia, e cila punëson rreth gjysmë milionë shqiptarë dhe jep 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, merr nga buxheti një mbështetje prej 0.19 përqind të PBB.

Pra, disa herë më pak se vendet e rajonit, dhe në dallim nga këto vende, shumica e fondit të parashikuar në buxhet për bujqësinë, nuk shkon tek fermerët, por shpenzohet për administratën.

Programi ynë për Shqipërinë Madhështore në bujqësi bazohet në Made in Albania, rritjen e madhe të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, mbështetjen e fuqishme për fermerët dhe suksesin e tyre.

Për arritjen e këtij qëllimi, qeveria e koalicionit të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore do të:

-Subvencionojë për çdo njësi prodhimi, kokë bagëti dhe fidan të blerë fermerët dhe rritje për këtë qëllim e fondit të subvencionimit direkt të fermerëve nga 0.5 përqind e shpenzimeve buxhetore, apo 31 milionë që është de facto, në 3.5 përqind sa është niveli mesatar i rajonit.

-Mbrojtje sezonale e prodhimeve bujqësore.

-Dalje e menjëhershme nga Ballkani i Hapur që po rrënon prodhimin bujqësor dhe blegtoral shqiptar dhe zbatimi i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit evropian.

-Karta e ID do jetë NIPT-i i fermerit, mbështetje direkte, subvencion për sipërmarrësit në fushën e bujqësisë, ku çdo fermer do identifikohet me një NIPT.

-TVSH-ja në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje, kështu që paratë do shkojnë direkt tek fermeri dhe jo tek grosisti.

-Nafta do të subvencionohet gjer në nivelin e kostos.

-Mbështetje të veçanta pa kufizim për fermerët në fushat prioritare të bujqësisë, të përcaktuara nga qeveria, fushat e eksportit, fusha e blegtorisë, pemëtarisë dhe agro-përpunimit.

-Subvencionim i normave të interesit deri në masën 80 përqind për kreditë bankare në fushën e bujqësisë. Kjo ndërhyrje është emergjente për rritjen e injektimit të parave në këtë sektor.

-Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore do mbështetet nga investime thelbësore veçanërisht në ujitje dhe kullim ku çdo vit do investohen një shumë rreth 70 milionë dollarë me qëllim dyfishimin në katër vite të sipërfaqjes së ujitjes.

-Krijimi i agjencisë së studimit të tregjeve që të studiojnë tregun e brendshëm dhe të jashtëm dhe të bëjnë një orientim makro për fermerët shqiptarë për çfarë dhe sa duhet të mbjellin. Kështu do zbuten shumë krizat e krijuara nga stoqet.

-Mbështetje me grante dhe kredi të buta fermerëve dhe agropërpunuese për futjen e teknologjive të reja në prodhim dhe përpunimin e produkteve bujqësore, automatizimin, dixhitalizimin, blerjen e traktorëve dhe pajisjeve të tjera.

-Kompensim financiar me çmim dysheme për stokun e prodhimit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut dhe incentivim në ngritjen e industrisë agroushqimore për absorbimin e këtij stoku dhe shmangien e asgjësimit të këtyre produkteve. Kjo si mënyrë efektive për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe braktisjen e zonave rurale.

-Kryerja falas nga shteti i analizave të tokës bujqësore dhe puseve të ujitjes së saj.

-Garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore nëpërmjet laboratorëve të akredituara.

-Rritje e sigurisë ushqimore nëpërmjet fuqizimit të institucioneve përgjegjëse, futjes së sistemeve mbikëqyrëse sipas standardeve të BE, rishikim në themel i kuadrit ligjor për abuzuesit e tregut që dëmtojnë shëndetin e konsumatorit.

-Rritje e kapaciteteve laboratorike shtetërore me qëllim eliminimin e praktikave abuzive të kryerje së analizave nga laboratorët privatë.

Ngritja e infrastrukturës për kryerjen e kontrolleve zyrtareve në pikat e inspektimit kufitar pasi aktualisht mungesa e ambienteve karantinore dhe frigoriferike kompromentojnë drejtpërdrejt sigurinë e produkteve ushqimore të importuara.

Zhvillimi rural do të jetë një prioritet tjetër madhor i programit tonë për Shqipërinë rurale, ku infrastruktura e kësaj Shqipërie do të modernizohet në të njëjtën shkallë me atë të vendeve të rajonit.

Ky pra ishte të dashur fermerë programi me të cilin ne besojmë se rikthejmë në fushat, në serat, në tufat tuaja, në pemëtoret tuaja si krenari për ju, krenari kombëtare.

Renzi akuza Melonit nga Gjadri: Me kaq para do kishim bërë qindra kampe në Itali

Senatori italian, ish-kryeministri Matteo Renzi po zhvillon një vizitë në kampin e Gjadrit në Lezhë. Kjo vizitë vjen pas vendimit të gjykatës italiane, e cila i dha të drejtë qeverisë italiane, për marrëveshjen me Shqipërinë për emigrantët.

Për zbatimin e kësaj marrëveshje është angazhuar vetë kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni e cila është shprehur e vendosur për realizimin e këtij objektivi, që sipas saj është përshëndetur nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas marrëveshjes me Italinë, të nënshkruar mes dy qeverive më 6 nëntor të vitit 2023, porti i zbarkimit të refugjatëve nga vendet e treta është Shëngjini, ku është ngritur qendra pritëse. Ndërsa në Gjadër është ngritur kampi ku emigrantët do të qëndrojnë deri në shqyrtimin e kërkesave për azil

SPAK zgjat hetimet për Arben Ahmetajn

SPAK shtyn sërish me tre muaj hetimet për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj, që akuzohet se ka kryer veprat penale “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”.Prokuroria e Posaçme ka tashmë afat deri në datën 23 qershor për të plotësuar hetimet e munguara në dosjen ndaj Ahmetaj, teksa kjo është hera e tretë që organi akuzës zgjat hetimet.

Arben Ahmetaj ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023. Ky i fundit u shpall në kërkim nga Prokuroria e Posaçme lidhur me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.

Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.