Marta Kos: SPAK të mos preket! Struktura duhet të ruhet plotësisht

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian për raportprogresin e Shqipërisë për vitet 2023-2024 ka kërkuar që reforma në drejtësi të mos preket.

“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe.  Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Marta Kos.

Komisionerja për zgjerim u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po ecin me një shpejtësi të madhe, edhe pse ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten.

Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, vijoi Kos.

Kos e mbylli fjalën e saj duke thënë se në kontekstin aktual gjeopolitik, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një prioritet gjeostrategjik për BE-në.

Të dy raportet e progresit të dy viteve të fundit për vendin tonë do të miratohen gjatë të mërkurës.

Salianji nga selia e PD: Regjimi më izoloi para zgjedhjeve, bëra sakrificë për interes publik

Ervin Salianji, ish-deputeti i PD-së në konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike: Prej muajsh kam bërë burg politik. Jemi këtu me një Shqipëri që edhe me dënimin tim, nuk pati benefit, por pati regres në demokraci. Pas 35 vitesh, Shqipëria dënon për herë të parë për agjitacion e propagandë. Çova para drejtësisë një trafikant droge. Ky pushtet buron kryesisht nga këto lidhje kriminale. Kam dalë nga burgu, pasi kam kryer dënimin politik. Është sakrificë nga ana ime, e bërë për interes publik.

U dënova për kallëzim të rremë, ndërsa kallëzim nuk është bërë fare. Nuk kam pasur akuzë për vjedhje a korrupsion apo diçka tjetër, por vendimi i gjykatës thotë se kam pasur qëllim ta rrëzoj qeverinë dhe në zona ku kam dashur të rrëzoj përfaqësuesit e qeverisë në zonë, duhet të izolohesha përpara zgjedhjeve dhe të dal pas zgjedhjeve. Vullneti i një individi vendos mbi çdo institucion, normë e nen të shkruar në Kushtetutë. Pas denoncimit tim, një i dënuar për trafik droge, shkoi dhe u dorëzua në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Denoncimi im vetëm e ka ‘zhveshur’ qeverinë.

Salianji: Do të kërkoj drejtësi në Strasburg

Ervin Salianji, ish-deputeti i Partisë Demokratike, është liruar pas 10 muajsh burgim, që e cilëson si të motivuar politikisht.

Ai deklaroi se dënimi i tij erdhi si pasojë e denoncimit të një trafikanti droge dhe e quajti këtë një përballje me një regjim të kriminalizuar.Salianji premtoi të vijojë betejën politike dhe ligjore, duke paralajmëruar se çështjen do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut. Ai theksoi se burgimi i tij është dëshmi e një sistemi të kalbur që i frikësohet opozitës.

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën per lirim,ish kryebashkiaku Veliaj mbetet në burg

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj pas seancës së zhvilluar ditën e sotme.

Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, duke rrëzuar rekursin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit si i dyshuar për korrupsion, pastrim të parave, fshehje të pasurisë dhe futje të paligjshme të sendeve në ambientet e burgut.

Prokuroria Fier sekuestron 276 ha tokë e përfituar me dokumenta të falsifikuara, procedohet për dy vepra penale

Prokuroria Fier sekueston 276 hektarë tokë e përfituar me dokumenta të falsifikuara, procedohet për dy vepra penale

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë tëJuridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestroi një pasuri tëpaluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, parashikuar nga neni 287 dhe 186 i KoditPenal. 

Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.1419, datë24.10.2019, rezultoi se shtetasi T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar “Vendimi nr.249, datë 22.02.2008”, etj, të ish Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë e llojit ‘kullotë’ dhe “pyll”, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.

    Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999,të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit). 

Gjithashtu rezulton se vendimi nr.5, datë 26.09.1999, iish Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet efalsifikuar:

– Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier. 

​​​Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.

Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminale, si dhe sekuestrimit/konfiskimit të produkteve të veprave penale

 Lirohet nga burgu ish-deputeti i PD, Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji do të lirohet sot nga qelia, duke përfituar lirimin me kusht pas seancës së sotme në Gjykatën e Fierit.

Salianji ndodhej në burgun e Fierit prej shtatorit të vitit 2024, pasi u dënua me 1 vit burg me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”.

Në seancën e sotme në gjykatë Shërbimi i Provës ka paraqitur raport pozitiv për Salianjin, ndërsa edhe prokurori i çështjes ka shprehur dakordësinë për lirimin e tij.

Reagon Policia Fier per videon virale ku dhu*ohet nje vajze adoleshente

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier

Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen disa shtetase të mitura duke dhunuar një bashkëmoshatare, bëjmë me dije se:

Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë nisur punën për identifikimin e shtetaseve që shfaqen në video dhe për verifikimin e rrethanave të rastit.

Janë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat, shtetaset që shfaqen në video, të cilat janë pyetur në prani të punonjëses sociale, psikologut, avokatit dhe prindërve.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 4 shtetase (3 të moshës 16 vjeç dhe 1 e moshës 17 vjeç), si edhe u shpall në kërkim një tjetër shtetase 16 vjeçe që shfaqet në video.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier fton median dhe qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri, duke i garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm, konform ligjit.

Salianji kërkon sot lirimin me kusht në Gjykatën e Fierit

Në Gjykatën e Fierit zhvillohet sot seanca për shqyrtimin e kërkesës për lirim me kusht të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Salianji ka depozituar kërkesën për lirimin me kusht pasi ka ezauruar 2/3 e dënimit.Shërbimi i Provës pritet të paraqesë raportin e tij, në bazë të të cilit gjykata do vendosë për pranimin ose rrëzimin e kërkesës.

Në seancën e shkuar u paraqit raporti i vlerësimit të sjelljes nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, ku sipas avokatit të Salianjit, Ledio Braho, ka rezultuar pozitiv.Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej tetorit 2024, pasi u dënua me 1 vit burg me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë në lidhje me çështjen “Babale”. Ai ka deklaruar se është viktimë e një procesi të montuar politik dhe se është dënuar padrejtësisht.