Ministria e Mbrojtjes: Në 24 orë u raportuan 16 vatra zjarri, 4 ende aktive

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 16 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive. Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Vlorë, Finiq, Vau i Dejës, Poliçan, Dimal, Skrapar, Bulqizë, Dibër, Kavajë, Tiranë, Korçë, Librazhd, Fier, Kurbin dhe Kukës.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

• Orikum, bashkia Vlorë – Në vendin e quajtur “Sotiran” ndërmjet fshatrave Tragjas dhe Dukat, në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra në lartësi të malit. Situata është mbajtur në monitorim gjatë natës. Aktualisht po operojnë në terren: 7 forca zjarrfikëse, 4 punonjës të Shërbimit Pyjor, 7 forca bashkiake, 40 forca ushtarake dhe helikopteri Cougar.

• Poliçan – Në fshatin Zgërbonjë, njësia administrative Vërtop, ku për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta, zjarri u përhap me shpejtësi. Rreziku për banesat u eliminua. Sot në terren ndodhen 7 efektivë me 2 automjete zjarrfikëse të MZSH Poliçan dhe 5 forca të Shërbimit Pyjor.

• Bulqizë – Në “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe dëllinja. Zjarri është me intensitet të ulët dhe nuk përbën rrezik për përhapje të mëtejshme. Janë evidentuar 3 vatra të ndara. Në operacion janë përfshirë 2 automjete zjarrfikëse me 11 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca të Shërbimit Pyjor dhe 3 vullnetarë. Sipërfaqja e djegur vlerësohet rreth 17 ha.

• Dibër – Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha dhe livadh. Për shkak të erës së fortë, zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar një pjesë të madhe të parkut. Aktualisht nuk ka rrezik për zona të banuara. Në terren janë angazhuar 5 forca të AdZM, 6 zjarrfikës të MZSH Dibër, 5 forca bashkiake, 15 vullnetarë si dhe helikopteri Cougar.
Raste të tjera të evidentuara:

• Në fshatin Ndroq, Tiranë, u dogj një banesë 2-katëshe si pasojë e një zjarri.• Në fshatin Mbrostar, Fier, zjarri përfshiu një hangar me bazë ushqimore për blektorinë, duke shkaktuar ngordhjen e rreth 75 deleve dhe dëmtimin e lehtë të pronarit. Shkaku i zjarrit mbetet i panjohur.
Në total, nga zjarret e rëna, kryesisht në sipërfaqe me pemë, shkurre dhe barishte, janë djegur rreth 24 hektarë bimësi.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 31 automjete zjarrfikëse dhe 268 forca, përfshirë Forcat e Armatosura me 60 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse dhe helikopterin Cougar në dy vatra zjarri.
Parashikimi i motit dhe rrezikut nga zjarret:
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në qarqet Shkodër dhe Lezhë, ndërsa në qarqet e tjera reshjet do të jenë të dobëta.

Sa i përket zjarreve:
• Nivel rreziku “I ULËT” në qarkun Shkodër
• Nivel rreziku “I MODERUAR” në qarkun Kukës
• Nivel rreziku “I LARTË” në qarqet e tjerë

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë të jenë plotësisht të angazhuara, në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse, për monitorimin dhe ndërhyrjen në kohë në çdo vatër zjarri, me qëllim minimizimin e dëmeve në mjedis dhe rrezikut për jetën e qytetarëve.

Thirrje për qytetarët:
Lutemi që të shmangni çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr në natyrë, të denonconi menjëherë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve dhe të bashkëpunoni me strukturat shtetërore për mbrojtjen e jetës, pronës dhe natyrës sonë të përbashkët. Kujdesi juaj shpëton jetë!

Prishja e ndërtimeve pa leje, nis protesta e banorëve të Thethit

Situata në Theth është tensionuar këtë mëngjes, pasi banorët kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit, duke penguar hyrjen e forcave të Policisë së Shtetit.Ky veprim vjen në kuadër të kundërshtimit të aksionit të IKMT-së, e cila edhe sot ka planifikuar prishjen e disa ndërtimeve pa leje në zonën turistike.Pa praninë e forcave të rendit, inspektorët e IKMT ndodhen në pritje, pasi nuk mund të vijojnë me veprimet pa mbështetje policore.Banorët e Thethit kanë kundërshtuar me forcë prishjen e objekteve, duke e konsideruar aksionin të padrejtë dhe të papërshtatshëm për një zonë që varet nga turizmi.

Rama publikon foton nga Vlora: Ja se si doli në dritë Lungomarja, e çliruar nga “rraqet” e tepërta

VLORA sot pasdite❤️

Ja se si doli në dritë Lungomarja, thjesht duke hequr barrikadat absurde dhe frymën e shëmtimit kioskëzues, ndërkohë që të gjithë kanë hapësirën e tyre, edhe qytetarët, vizitorët, turistët, edhe njësitë e shërbimit, të çliruara nga “rraqet” e tepërta dhe të tërhequra qytetarisht në zonën e tyre😍✋

 Marta Kos: SPAK të mos preket! Struktura duhet të ruhet plotësisht

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, gjatë diskutimit në Parlamentin Evropian për raportprogresin e Shqipërisë për vitet 2023-2024 ka kërkuar që reforma në drejtësi të mos preket.

“Rezultatet e mira të strukturës së posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, janë hapa pozitivë që theksohen edhe në raportin e Parlamentit. Është jetike që Shqipëria të vazhdojë të tregojë progres konkret në fusha kyçe.  Në këtë kontekst, pavarësia e strukturës së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, SPAK, duhet të ruhet plotësisht. SPAK është sot institucioni më i besuar në vend. Kjo duhet mbrojtur dhe forcuar”, tha Marta Kos.

Komisionerja për zgjerim u tha anëtarëve të Parlamentit Evropian se bisedimet me Shqipërinë po ecin me një shpejtësi të madhe, edhe pse ende ka shumë punë për t’u bërë.

“Ky raport vjen në një moment vendimtar, pasi negociatat e anëtarësimit mes Shqipërisë dhe BE-së po ecin me një ritëm të paparë më parë, siç e dëgjuam, me disa arritje të rëndësishme të përmbushura në muajt e fundit dhe të tjera që priten.

Kjo tregon se Shqipëria është angazhuar seriozisht në procesin e zgjerimit, ndërsa BE-ja po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë. Ne po punojmë ngushtë me Presidencën daneze për të mbajtur ritmin. Besojmë se edhe dy grupet e mbetura do të hapen sapo të jetë e mundur”, vijoi Kos.

Kos e mbylli fjalën e saj duke thënë se në kontekstin aktual gjeopolitik, Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor mbeten një prioritet gjeostrategjik për BE-në.

Të dy raportet e progresit të dy viteve të fundit për vendin tonë do të miratohen gjatë të mërkurës.

Salianji nga selia e PD: Regjimi më izoloi para zgjedhjeve, bëra sakrificë për interes publik

Ervin Salianji, ish-deputeti i PD-së në konferencë për mediat nga selia e Partisë Demokratike: Prej muajsh kam bërë burg politik. Jemi këtu me një Shqipëri që edhe me dënimin tim, nuk pati benefit, por pati regres në demokraci. Pas 35 vitesh, Shqipëria dënon për herë të parë për agjitacion e propagandë. Çova para drejtësisë një trafikant droge. Ky pushtet buron kryesisht nga këto lidhje kriminale. Kam dalë nga burgu, pasi kam kryer dënimin politik. Është sakrificë nga ana ime, e bërë për interes publik.

U dënova për kallëzim të rremë, ndërsa kallëzim nuk është bërë fare. Nuk kam pasur akuzë për vjedhje a korrupsion apo diçka tjetër, por vendimi i gjykatës thotë se kam pasur qëllim ta rrëzoj qeverinë dhe në zona ku kam dashur të rrëzoj përfaqësuesit e qeverisë në zonë, duhet të izolohesha përpara zgjedhjeve dhe të dal pas zgjedhjeve. Vullneti i një individi vendos mbi çdo institucion, normë e nen të shkruar në Kushtetutë. Pas denoncimit tim, një i dënuar për trafik droge, shkoi dhe u dorëzua në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Denoncimi im vetëm e ka ‘zhveshur’ qeverinë.

Salianji: Do të kërkoj drejtësi në Strasburg

Ervin Salianji, ish-deputeti i Partisë Demokratike, është liruar pas 10 muajsh burgim, që e cilëson si të motivuar politikisht.

Ai deklaroi se dënimi i tij erdhi si pasojë e denoncimit të një trafikanti droge dhe e quajti këtë një përballje me një regjim të kriminalizuar.Salianji premtoi të vijojë betejën politike dhe ligjore, duke paralajmëruar se çështjen do ta çojë në Gjykatën e Strasburgut. Ai theksoi se burgimi i tij është dëshmi e një sistemi të kalbur që i frikësohet opozitës.

Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën per lirim,ish kryebashkiaku Veliaj mbetet në burg

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi masën e sigurisë ndaj kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj pas seancës së zhvilluar ditën e sotme.

Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, duke rrëzuar rekursin e Veliajt, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit si i dyshuar për korrupsion, pastrim të parave, fshehje të pasurisë dhe futje të paligjshme të sendeve në ambientet e burgut.

Prokuroria Fier sekuestron 276 ha tokë e përfituar me dokumenta të falsifikuara, procedohet për dy vepra penale

Prokuroria Fier sekueston 276 hektarë tokë e përfituar me dokumenta të falsifikuara, procedohet për dy vepra penale

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë tëJuridiksionit të Përgjithshëm Fier sekuestroi një pasuri tëpaluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, parashikuar nga neni 287 dhe 186 i KoditPenal. 

Në kuadër të hetimit mbi procedimin penal nr.1419, datë24.10.2019, rezultoi se shtetasi T.Zh., me anë të përdorimit të dokumentit të falsifikuar “Vendimi nr.249, datë 22.02.2008”, etj, të ish Komunës Libofshë, ka përfituar 276.5 ha tokë e llojit ‘kullotë’ dhe “pyll”, në fshatin Hasturkas, Libofshë, Fier. Kjo pasuri është ndarë në disa pronarë me anë të kontratave të shitjes dhe dhurimit.

    Nga hetimet rezultoi se prona është përfituar mbi bazën e kërkesës së shtetasit T.Zh, vendimit nr.5, datë 26.09.1999,të ish Komunës Libofshë, Vërtetim datë 10/10/1999, lëshuar në emër të Komisionit të Verifikimit të Pronësisë pranë ish Komunës Libofshë, të cilat janë të falsifikuar, pasi rezulton se në këto akte nuk janë pasqyruar shkrimet dhe nënshkrimet e anëtarëve (provuar nga akti i ekspertimit). 

Gjithashtu rezulton se vendimi nr.5, datë 26.09.1999, iish Komunës Libofshë është marrë më parë se të bëhej kërkesa dhe data në të cilën është marrë korrespondon në kalendar me ditën e Dielë, ditë pushimi, duke çuar në përfundimin se prona është produkt i veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.

Në funksion të hetimeve, Prokuroria kërkoi sekuestrimin e pasurive me prejardhje nga dokumentet efalsifikuar:

– Pasuri e paluajtshme llojit “kullotë” dhe “pyll” me sipërfaqe 276.5 ha, e ndodhur në zonën kadastrale 1940, fshati Hasturkas, Libofshë, Fier. 

​​​Kjo kërkesë është pranuar nga Gjykata dhe Prokuroria Fier ka nxjerrë urdhërat e ekzekutimit, të cilat janë dërguar për zbatim.

Prokuroria Fier mbetet plotësisht e angazhuar për të luftuar me prioritet veprën penale të pastrimit të produkteve të veprave penale dhe veprimtarisë kriminale, si dhe sekuestrimit/konfiskimit të produkteve të veprave penale