Shembja e masivit të dheut, ndërrojnë jetën 2 të rinjtë që po punonin në kantier

Njoftimi i policisë:

Gramsh/Informacion paraprak

Në fshatin Holta, gjatë punës në një kantier ndërtimi, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur një masiv dheu, dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit A. B., 22 vjeç dhe E. Ll., 32 vjeç.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Proda mesazh efektivëve për zgjedhjet: Këto ditë të jenë pasaportë besimi e vlerësimi për Policinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u është drejtuar me një mesazh për të gjithë punonjësit e Policisë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit.

Në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë përfundoi paraditen e sotme instruktazhi me punonjësit e Policisë që janë planifikuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku do të zhvillohet procesi i votimit.

Në instruktazh kanë marrë pjesë drejtuesit e Drejtorive dhe të Komisariateve, të cilët u kanë përcjellë punonjësve të Policisë porositë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për angazhim, profesionalizëm, barazlargim dhe gjakftohtësi në përmbushjen e detyrave.

“Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e deritanishëm nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj, dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes, për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë në interes të qytetarëve dhe të vendit”, thekson kreu i Policisë së Shtetit, Proda në mesazhin drejtuar efektivëve në të gjithë vendin.
Të gjithë punonjësve të Policisë të angazhuar në procesin zgjedhor u janë shpërndarë librat e xhepit me detyrat që duhet të përmbushë çdo punonjës policie i angazhuar në fazën finale të këtij procesi.

Ky libër është prodhuar nga Policia e Shtetit.
Punonjësit e Policisë janë shpërndarë në vendet e planëzuar për shërbim, për ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë procesit elektoral, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore.

Në bashkëpunim me OSBE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të angazhuar për hetimin e krimeve zgjedhore.
Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë.
Rreth 5316 punonjës policie dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve.

Prokurorët e SPAK zbarkojnë në 12 qarqet e vendit, shoqërohen nga agjentët e BKH! Ja zonat më problematike

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, në 12 qarqet e vendit kanë zbarkuar prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. 

Behet me dije se ata shoqërohen nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në qarqet që mund të konsiderohen si zona të nxehta për krimin zgjedhor janë caktuar nga dy prokurorë. Të tilla janë Fieri, Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Lezha.

Ndërkohë në kryeqytet janë caktuar prokurorë të posaçëm.

Karta e Identitetit brenda 3 ditesh,aplikohet procedura e përshpejtuar

Karta e identitetit tashmë mund të merret brenda 3 ditësh nga dita e aplikimit.IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, ka sjellë këtë shërbim të ri për qytetarët shqiptarë.

Përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri.

Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura nis me blerjen e kuponit. Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania, bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek dhe më pas tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.

Salmonelë te filetot e pulave importuar nga Brazili, AKU bllokon mishin

Një sasi e konsiderueshme fileto pule e importuar nga Brazili, është bllokuar, pasi u konfirmua prania e salmonelës në mish.Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se në një mostër nga filetoja e ngrirë u gjet Salmonella Typhimurium.

AKU thotë se ka ndërhyrë me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, megjithatë nuk dihet ngarkesa e hedhur në treg.Çështja i ka kaluar për hetim e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

Berisha shfaqet me një buf në konferencën për shtyp, i përgjigjet Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur me një buf gjatë konferencës për shtyp.Duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, Berisha u shpreh se bufi është simboli i mençurisë dhe diturisë.

“Filmojeni pak, ju lutem mos harroni. Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.

Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.

Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar. Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini.”, tha Berisha.

Sherri për vendin e parkimit përfundon me të shtëna, plagoset një person

Një konflikt për një vend parkimi ka përfunduar me të shtëna armësh në Kamëz.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona janë përfshirë në një debat që ka degjeneruar në dhunë, ku njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka plagosur në këmbë personin tjetër.

Nuk dihen ende detaje mbi gjendjen e të plagosurit, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të incidentit.

Vrasja e efektivit te Policise ne FIER, prokuroria mbyll hetimet, çon për gjykim autorin

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin A.M për vrasjen e punonjësit të policisë së shtetit N.C.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M. për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg.I dhe 291 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.689, të vitit 2024 mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, u provua se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. 

Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës. 

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurirt për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit të llojit pistoletë që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C. duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.