Sherri për vendin e parkimit përfundon me të shtëna, plagoset një person

Një konflikt për një vend parkimi ka përfunduar me të shtëna armësh në Kamëz.

Sipas informacioneve paraprake, dy persona janë përfshirë në një debat që ka degjeneruar në dhunë, ku njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka plagosur në këmbë personin tjetër.

Nuk dihen ende detaje mbi gjendjen e të plagosurit, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të incidentit.

Vrasja e efektivit te Policise ne FIER, prokuroria mbyll hetimet, çon për gjykim autorin

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim shtetasin A.M për vrasjen e punonjësit të policisë së shtetit N.C.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin A.M. për veprat penale ‘Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt’, parashikuar nga nenet 79/b, 278 prg.I dhe 291 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.689, të vitit 2024 mbi bazën e materialit të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, u provua se, në datë 13.05.2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier, i pandehuri A.M. ka vrarë me armë zjarri punonjësin e Policisë së Shtetit N.C, i cili mbante veshur uniformën e Forcave Speciale “Shqiponja” që e bënte lehtësisht të shqueshme cilësinë e tij. 

Konflikti mes viktimës dhe të pandehurit ka lindur për shkak se ky i fundit, ndërsa drejtonte automjetin e tij, është futur në kthesë me shpejtësi, pa kontrolluar rrugën, duke përbërë rrezik për përdoruesit e rrugës. 

Viktima i ka tërhequr vëmendjen të pandehurirt për këtë veprim, shkak për të cilin i pandehuri ka ndaluar automjetin e tij, ka zbritur prej tij me çantën ku kishte armën e zjarrit dhe ndërsa shkonte drejt viktimës, i cili nuk kishte dalë nga mjeti i tij, ka nxjerrë armën e zjarrit të llojit pistoletë që mbante me vete dhe ka shtënë drejt fytyrës së viktimës N.C. duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë krime kundër jetës dhe autoritetit të shtetit.

Euro forcohet ndaj Lekut, arrin nivelin më të lartë në dy muaj

Kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi një rritje të fortë ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 99.68 lekë, në rritje me 0.91 krahasuar me të mërkurën. Niveli i sotëm i kursit të Euros është më i larti që prej fundit të muajit janar.

Rritjet e forta ditore të kursit të Euros janë tipike për momentet kur tregu shfaq një kërkesë të madhe dhe të përqendruar për të blerë valutë. Kjo vjen zakonisht për shkak të kërkesës nga shoqëri tregtare ose në raste më të rralla për nevoja të vetë bankave.

Një vit më parë, pikërisht në 27 mars, Euro shfaqi një rritje të ngjashme madje edhe më të lartë, me një 1.7 pikë brenda një dite. Në atë rast, rritja erdhi për shkak të blerjeve të mëdha nga njëra prej bankave të sektorit, për të shpërndarë dividendin vjetor për aksionerin e saj.

Burime nga tregu valutor shprehen se praktikisht e njëjta gjë po ndodh edhe këtë vit. Sipas tyre, në treg nuk ka një kërkesë me bazë të gjerë për valutë që të paralajmërojë rritje të qëndrueshme dhe strukturore të kursit të këmbimit të Euros. E gjithë kërkesa për valutë ka ardhur nga një bankë e vetme e sektorit, që ka realizuar blerje në një shumë të madhe.

Ekspertët shpjegojnë se situata të tilla krijohen për shkak të përmasave të vogla dhe cektësisë së tregut valutor në vend. Gjithashtu, në periudhat pranë fundit të muajit kalendarik, shumica e bankave nuk janë shumë të predispozuara për të shitur valutë në shuma të mëdha, për shmangur pozicione të hapura në valutë përtej limiteve të lejuara rregullatore. Edhe ky faktor e bën më të fortë impaktin e kërkesave të mëdha në ditët e fundit të muajit.

Ekspertët mendojnë se gjasat janë që kjo rritje e kursit të amortizohet nga tregu në harkun e pak ditëve dhe kursi Euro-Lek do të bjerë gradualisht pranë niveleve të mëparshme, ashtu siç ka ndodhur edhe në të shkuarën.

Në periudhën janar-shkurt, kursi i këmbimit euro-lek shënoi një korrektim të lehtë në rrijte nga nivelet e fundit të vitit të kaluar. Kjo mund të shpjegohet me flukse disi më të ulëta valutore hyrëse në këtë sezon të vitit, por nga ana tjetër edhe me rritjen e ndjeshme të ofertës së lekut, për shkak të shpenzimeve të mëdha qeveritare në fund të muajit dhjetor./Monitor.al

Tërmet 7.7 Rihter në Myanmar,dëme të mëdha ne ndertesa

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter goditi Myanmarin të premten në mëngjes ( me orën tonë). Tërmeti ishte aq i fortë sa është ndjerë në Tajlandë dhe vende të tjera fqinje. Tërmeti shkaktoi shembjen e ndërtesave si në Myanmar ashtu edhe në Bangkok, ndërsa rrugët u “ndanë” në dysh. Videot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë shkallën e shkatërrimit.

Video nga Mandalay, qyteti i dytë më i madh në Myanmar:

Tërmeti kishte një thellësi fokale prej 10 kilometrash dhe ndodhi rreth orës 14:20 (ora lokale, 07:20 me orën tonë) në një distancë prej afërsisht 17 kilometrash nga qyteti i Mandalay me rreth 1.2 milionë banorë, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS). 

Një pasgoditje tjetër me magnitudë 6.7 ballë bëri që autoritetet të paralajmërojnë popullsinë për të tjera lekundje të forta.

Dëshmitarët okularë në Bangkok thanë se njerëzit, menjëherë pas tërmetit, dolën në rrugë në panik.

“Dëgjova një zë ndërsa flija në shtëpi, vrapova sa më shumë që munda nga ndërtesa me pizhame,” tha Nuanghai, një banor i Chiang Mai, qyteti i dytë më i madh i Tajlandës dhe një destinacion popullor turistik i njohur për tempujt e tij.

Shqipëria mbyll negociatat në 2027”, komisionerja për zgjerimin e BE e konfirmon: Janë pararojë bashkë me Malin e Zi

Mbyllja e negociatave me BE-në brenda vitit 2027 është një prej premtimeve që po artikulon ditët e fundit kryeministri i vendit Edi Rama teksa prezanton kandidatët për zgjedhjet e 11 majit.Por deklaratat e tij i përforcoi sot nga Sllovenia komisionerja e zgjerimit Marta Kos.

Në një intervistë për radio televizionin slloven, duke folur për prioritetet e Komisionit Europian tha se gjatë mandatit të saj janë dy vendet që do të përmbyllin negociatat, Mali i Zi dhe Shqipëria.

Dy shtete nga Ballkani Perëndimor janë në pararojë të procesit të anëtarësimit në BE. Mali i Zi që renditet në krye, vend me të cilin negociatat mund të përfundojnë deri në fund të vitit 2026. Shqipëria është në vendin e dytë dhe besoj se mund të kalojë vijën e finishit për ti mbyllur negociatat në fund të vitit 2027”, shprehet Kos.

Në këtë drejtim, Komisionerja Kos tha se vendimi përfundimtar do të merret nga shtetet anëtare të BE-së.

Jam e vetëdijshme për rëndësinë e jashtëzakonshme të komunikimit sepse nuk mund ta imagjinoj që pasi të kenë përfunduar të gjitha negociatat, një shteti anëtar do të thoshte jo, ne nuk e duam atë vend në Bashkimin Europian, prandaj jam optimiste për të dyja shtetet pararojë, Shqipërinë dhe Malin e Zi”, shton Kos.

Sinjalet pozitive për Shqipërinë, zonja Kos i dha edhe gjatë vizitës së saj të parë si komisionere në Tiranë pak javë më parë, ku vlerësoi rrugën e integrimit të Shqipërisë, dhe mbështetjen me 1 miliard euro për reformat në Shqipëri.

Rama/Paga minimale do të rritet në 500 Euro

Nga 1 Janari i vitit të ardhshëm paga minimale e detyrueshme do të jetë 500 Euro. Kryeministri ka zbuluar në komunikimin “sy më sy” vendimin që qeveria e tij do të ndërmarrë pas zgjedhjeve të 11 Majit.

“Pagën minimale e kishim 157 Euro e kemi 400 Euro dhe me vendim në Qershor do ta bëjmë 500 Euro, që do të hyjë në efekt nga Janari 2026.”

Një tjetër premtim që Rama zbulon është ai për strehimin.“Dhe kemi një program për 50 mijë dyer deri në 2030”.Rama replikon ashpër me të gjithë ata që e akuzojnë se s’ka bërë asgjë ne 12 vite

“Kush nuk do të shohë është më i verbër se ai që ka probleme me shikimin.”

Pakënaqësinë më të madhe e tregon me një prej ndjekësve që nuk i vlerëson investimet ne Shkoder që vetëm prej 2 vitesh po administrohet nga socialistët.

“Çfarë nuk kishte Shkodra nga natyra që i ka sot? Të gjitha i kishte. Po pse numri i turistëve është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme, qysh se kur Benet Beci mori drejtimin e Bashkisë Shkodër, si e shpjegon ti këtë? Apo meqë e fituam ne Shkodrën edhe natyra filloi të buzëqeshë. Mirë mo pse nuk e pranoni një gjë shumë të thjeshtë që kur Shkodrën e kishte partia jote, se dukesh qartë se ke dhe në profil qartë vulën, Shkodra ishte katastrofë.“

Ndërsa me një ndjekës nga Kosova replikon për lidhjet me politikanët serbë.

“Është një pjesë e juaja atje në Kosovë që nuk mbush. Historia e miqve të mi “çetnikë”, është një budallallëk”.

Rama e nisi dhe e mbyll komunkimin e tij me ndjekësit virtual me një këshillë, pasi lajmëron  se Tik-Tok është përfundimisht i mbyllur si aplikacion në aparatet celulare.

“Sugjerim për të gjithë ata që do të dëgjojnë fjalën VPN falas, mos i hyni asaj rruge se VPN falas janë hapja e shtegut për të humbur të dhënat që keni në telefon”.

Një person ka ndërruar jetë në Vlorë pasi ka rënë aksidentalisht nga kati i tretë i banesës.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori për dy raste, konkretisht: në lagjen “Kushtrimi”, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga kati i tretë i banesës dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi I. D., 51 vjeç; Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, bën me dije Policia.

Berisha akuza Ramës dhe familjarëve të tij: Ka marrë pronat e kishës në jug!

Sali Berisha ka hedhur akuza sot ndaj Edi Ramës dhe familjarëve të tij, duke deklaruar se ka grabitur prona në jug të vendit, në gjirin e Gjipesë. Sipas tij janë bërë falsifikime për të marrë 24 hektarë tokë.Rikthehemi sot te një nga plaçkitjet më të mëdha, plaçkitja që Edi Rama me emrin e mamasë dhe vëllait, në bashkëpunim me kushërinjtë e tij, i kanë bërë shtetit dhe kishës ortodokse, duke i grabitur 224 mijë metër katrorë tokë.

Historiku i Edi Ramës, një hajn i papërmbajtur xhinsi nga nëna i Edi Ramës siç e dini është nga fshati i Vunoi dhe ai ka qenë një xhins i varfër. Sipas dokumenteve stërgjyshi i tij, Thomai, ka pasur si gjë të gjallë tre katër dhi dhe një apo dy derra.

Një personalitet i tyre, i shkolluar qe ishte Spiro Koleka, anëtarë i Byrosë dhe ministër i disa qeverise të Enver Hoxhës, në kujtimet e tij të publikuara nga e bija, rrëzon në mënyrë përfundimtare çdo disponim pronësie nga xhinsi, Koleka, krahu i Thomait e këtej. Territoret ku pretendohet janë mirëfilltas territore publike, ose të kishës. Ky është vërsul si një hajn i papërmbajtur i pronave të kishës. Në dosjen e tij ka falsifikime të paimagjinueshme. Ka shqyrtime dhe vendime jashtë çdo afati ligjor. Ka ndryshime datash që vetëm falsifikatorët që i kanë bërë e dinë.

Cili është roli i Ardit Bidos? Është jashtëzakonisht suspect, nuk ekziston asnjë dokument kadastral që të faktojë se kjo tokë i përkiste Thoma Kolekës, Petro Kolekës, stërgjyshit të Edi Ramës. Asnjë! Ka një dëshmi të periudhës që aty luftohej. E çuditshme është sesi në atë periudhë të luftës Bidua gjen një dëshmi pronësie që nuk përbën asnjë kategori ligjore.

Njeriu më i shkolluar i tyre, që Edi Rama e quan në kartolinat e vitit të ri Baba Pilua, në memorien e tij të publikuara nga vajza, dëshmon se ishte një familje e varfër, familje e varfër me 24 ha tokë nuk ekziston kurrë.

Ndaj dhe Pilua dëshmon se nuk kemi tokë. Nuk ka asnjë dokument që reforma agrare”, tha Berisha.