Hyri ne fushe gjatë ndeshjes/ Disiplina pezullon për 1 vit Koço Kokëdhimën

Komisioni i Disiplinës në FSHF ka dhënë sot vendimet në lidhje me ngjarjet e ndryshme të mesjavës futbollistike në vendin tonë, ku u luajtën kampionate të disa kategorive.Një nga ngjarjet më të bujshme të mesjavës ishte situata që u krijua në ndeshjen mes Apolonisë dhe Gramshit në futbollin e femrave.

Disiplina ka vendosur të pezullojë një vit presidentin e klubit fierak, Koço Kokëdhima, i cili hyri në fushë duke sulmuar gjyqtarët gjatë ndeshjes.E njëjta masë është dhënë edhe ndaj zyrtarit Kiri Mundija, ndërsa trajneri Mariglen Kule u ndëshkua me 8 ndeshje pezullim.

Ndërkohë, është dënuar me 4 ndeshje pezullim edhe presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili tërhoqi skuadrën për disa minuta nga fusha në ndeshjen me Tiranën dhe akuzoi gjyqtarët se po tentonin të hidhnin ekipin e tij nga kategoria

Vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 28.03.2025

KF Teuta, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së seancave stërvitore në ambientet e Stadiumit Niko Dovana, ku zhvillohen ndeshjet zyrtare, duke shkelur nenin 38/2 të Rregullores së Aktivitetit, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
KF Egnatia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
KF Bylis, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa gjatë zhvillimit të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i KF Bylis, Besnik Kapllanaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dhe shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, në bazë të neneve 13/2/a dhe 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
FK Apolonia Femra, për mos marrjen e masave të nevojshme për rendin dhe sigurinë në ndeshje duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të neneve 8, 17/1 dhe 17/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/d të KDE, gjoba të aplikohet në masën 5%.
Zyrtari i FK Apolonia Femra, Maringlen Kule, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Zyrtari i FK Apolonia, Koço Kokëdhima, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 1 (një) vit pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
Zyrtari i FK Apolonia, Kiri Mundija, për sulm ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/l të KDE dënohet me 1 (një) vit pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
KF Bylis U-17 Femra, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Abissnet Superiore Femra U-17, kunder KF Lushnja Femra U-17, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/d të KDE, gjoba të aplikohet në masën 5%.
Lojtari i KF Devolli, Agudelo Gaviria Juan Diego, për provokim të spektatoreve, në bazë të nenit 14/1/f, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
KF Shkumbini U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Kategoria e Dytë U-19, Zona Rajonale Tiranë, kunder Kamza Sport U-19, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
KF Turbina U-19, për braktisjen e ndeshjes së vlefshme të kampionatit Kategoria e Parë U-19, kunder Flamurtari FC U-19, në bazë të nenit 16/1 të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0. Sipas nenit 76/1/e të KDE, gjoba të aplikohet në masën 3%.
Akademia e Futbollit U-15, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mos marrjes së masaveorganizative shkelur Rregulloren e Aktivitetit, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Vllaznia, Arbër Shytani,pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDE, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Oriku, Endi Suloj, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Turbina, Alojs Vernozi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së KFF Gramshi si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës

Grekët zhvillojnë industrinë shqiptare të jahteve 

Investimet greke në Shqipëri po vërshojnë në sektorin e turizmit. Investitorët grekë i kanë dhënë një hov industrisë së jahteve dhe kroçereve në jugun e vendit, ndërsa në eventin më të madh të biznesit “Match Maker Albania”, u shprehën optimistë për të vijuar investimet në projekte të tjera në të ardhmen.

Për Diogenis Venetopoulos, Shqipëria është një vend shumë tërheqës për të investuar, duke marrë parasysh pozicionin strategjik dhe bregdetet e bukura, por edhe klimën e favorshme të biznesit.

“Tashmë kemi hapur një kompani këtu në Tiranë, për të rritur aktivitetin e jahteve, kroçereve, por edhe turizmin tokësor në Shqipëri. Unë shoh një vend shumë miqësor për të bërë biznes, një vend të hapur për të bërë biznes dhe jam shumë i kënaqur me gjithçka që kam parë deri tani. Unë jam edhe në Bordin Drejtues të Shoqatës së Pronarëve të Kroçereve dhe po nxis shumë linja kroçeresh, linja të tjera lundrimi, që të investojnë në Shqipëri, pra në pjesën bregdetare”.

Drejtuesi i Departamentit të Ekonomisë dhe Tregtisë në Ambasadën Greke, Marios Belibasakis u shpreh se ndërtimi dhe energjia, janë dy sektorë të tjerë ku përqendrohen investimet nga Greqia.

“Shqipëria është një treg shumë i mirë dhe ka shumë mundësi për investitorët grekë në sektorët e energjisë, ndërtimit, materialeve të ndërtimit, turizmit dhe shumë e shumë fusha të tjera. E dini, ne jemi vende fqinje, kemi shumë gjëra, agroturizmin, sektorin ushqimor, shumë fusha që mund të punojmë së bashku dhe të krijojmë mundësi për popujt e të dy vendeve”.

Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit që lamë pas, fluksi i investimeve nga Greqia kapi vlerën e 15 milionë eurove.

WiFi publik falas për bashkitë shqiptare – BE hap thirrjen për aplikim

Bashkitë shqiptare mund të përfitojnë WiFi publik falas nga Bashkimi Evropian. BE ka hapur një thirrje për të gjitha bashkitë në Ballkanin Perëndimor, që të aplikojnë nga data 28 mars deri në 28 prill për përfitimin e hotspote Wi-Fi falas.

Numri i bashkive përfituese do të jetë 500 në të gjithë rajonin. Pikat e aksesit Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke ofruar akses falas dhe të qëndrueshëm në internet për banorët dhe vizitorët.

Bashkitë pjesëmarrëse do të marrin mbështetje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë furnizimin dhe instalimin e pajisjeve Wi-Fi, shërbimin e internetit dhe mirëmbajtjen. Në këmbim, bashkive u kërkohet të angazhohen për ruajtjen e shërbimit përtej periudhës fillestare të financimit, duke siguruar qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.

Nisma do të financojë plotësisht instalimin e një pike aksesi WiFi në një vend publik të zgjedhur nga bashkia. Ofruesit profesionistë të shërbimeve të internetit do të kujdesen për pajisjet teknike, mirëmbajtjen dhe shërbimet fillestare të internetit për të siguruar përvojë të thjeshtë dhe të besueshme për përdoruesit.

Aplikimi për thirrjen publike duhet të dorëzohet nga Kryetari i Bashkisë, një zyrtar i punësuar nga bashkia ose një anëtar i këshillit bashkiak. Gjatë procesit të aplikimit, duhet të ngarkohet një Dëshmi e Nënshkruar e Marrëveshjes, që konfirmon pajtimin e Kryetarit të Bashkisë për të marrë pjesë në Nismën WiFi4WB.

Për bashkitë, kjo është një mundësi që ata të përmirësojnë infrastrukturën e tyre digjitale lokale, ndërsa për banorët është një mundësi për të shijuar Wi-Fi falas dhe të besueshëm.

Kjo iniciativë është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që mbështet transformimin digjital dhe fuqizon komunitetet lokale.

Rritet numri i viktimave nga aksidentet rrugore

Pavarësisht se numri i aksidenteve është ulur ne dy muajt e parë të këtij viti, fatkeqësisht ka pasur për tepër viktima

Vetëm në muajin shkurt 2025 humbën jetën të paktën 19 persona, nga të cilët 16 meshkuj dhe 3 femra.Referuar të dhënave të INSTAT viktimat meshkuj janë rritur nga 6 të shënuara në shkurt të vitit 2024 në 16 për të njëjtën periudhë këtë vit.

Sa u përket femrave, ka pasur vetëm 1 viktimë më tepër krahasuar me një vit.

Nga ana tjetër krahas uljes së numrit të aksidenteve është shënuar edhe një ulje e personave të plagosur, vetëm me 103 të tillë gjatë muajit që lamë pas.

Të dhënat tregojnë se shoferët e moshave nga 25-34 dhe 40 vjec që vazhdojnë të jenë shkaktarët kryesorë te aksidenteve për të cilat rreth 88.1% e rasteve u shkaktua nga ta.

Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë së enjtes dhe më pak gjatë fundjavës.Në muajin shkurt vërehet një rritje e numrit të aksidenteve në Shkodër dhe Korçë, ndërsa kryeqyteti dhe qytetet bregdetare si Durrësi dhe Vlora duket se kanë gjetur qetësi për incidentet.

Donald Trump shtron iftar në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, shtroi një darkë iftari në Shtëpinë e Bardhë të enjten, me rastin e muajit të Ramazanit. Ai deklaroi se kishte një “numër rekord” mbështetësish myslimanë dhe theksoi përkushtimin e administratës së tij ndaj paqes në Lindjen e Mesme, si dhe premtoi të zgjerojë Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat u negociuan gjatë mandatit të tij të parë.

Çdo ditë po mbajmë premtimet tona ndaj komunitetit mysliman. Administrata ime është e angazhuar për të krijuar një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Po punojmë mbi Marrëveshjet historike të Abrahamit, për të cilat të gjithë thanë se ishin të pamundura. Dhe tani do të fillojmë t’i plotësojmë ato, sepse, siç e dini, Biden nuk bëri asgjë për t’i plotësuar. Ai nuk bëri absolutisht asgjë…”, tha Trump.

E nisëm pak ngadalë me ju, por më pas shifrat u rritën ndjeshëm”, shtoi Trump, duke folur për mbështetjen e myslimanëve për të gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Darka vjen mes tensioneve të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa shumë myslimanë kanë shprehur zemërimin e tyre ndaj mbështetjes së SHBA-së për Izraelin dhe ofensivës ushtarake në Gaza, e cila ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima pas sulmit të grupit Hamas më 7 tetor.

Gjithashtu, raportime të reja sugjerojnë se Trump mund të shpallë një ndalim të ri udhëtimi që mund të përjashtojë qytetarët nga Afganistani dhe Pakistani. Kjo masë do të rikthente ndalimin e parë të vendosur gjatë mandatit të tij të parë, që preku shtatë vende me shumicë myslimane dhe u konfirmua nga Gjykata e Lartë në vitin 2018.

Karta e Identitetit brenda 3 ditesh,aplikohet procedura e përshpejtuar

Karta e identitetit tashmë mund të merret brenda 3 ditësh nga dita e aplikimit.IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, ka sjellë këtë shërbim të ri për qytetarët shqiptarë.

Përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri.

Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura nis me blerjen e kuponit. Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania, bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek dhe më pas tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.

Salmonelë te filetot e pulave importuar nga Brazili, AKU bllokon mishin

Një sasi e konsiderueshme fileto pule e importuar nga Brazili, është bllokuar, pasi u konfirmua prania e salmonelës në mish.Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se në një mostër nga filetoja e ngrirë u gjet Salmonella Typhimurium.

AKU thotë se ka ndërhyrë me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, megjithatë nuk dihet ngarkesa e hedhur në treg.Çështja i ka kaluar për hetim e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

Berisha shfaqet me një buf në konferencën për shtyp, i përgjigjet Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur me një buf gjatë konferencës për shtyp.Duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, Berisha u shpreh se bufi është simboli i mençurisë dhe diturisë.

“Filmojeni pak, ju lutem mos harroni. Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.

Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.

Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar. Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini.”, tha Berisha.