Hapet pika kufitare në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës – një hap drejt operimit të plotë ndërkombëtar

Qeveria ka miratuar vendimin për hapjen e pikës së kalimit kufitar në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke i hapur rrugë funksionimit të plotë të aeroportit për qarkullimin ndërkombëtar të shtetasve.

Vendimi është marrë në mbështetje të ligjit “Për kontrollin kufitar” dhe me propozim të Ministrit të Brendshëm. Sipas dokumentit zyrtar, pika kufitare do të jetë e dedikuar për qarkullimin ajror ndërkufitar, duke mundësuar kështu operimin e rregullt të fluturimeve ndërkombëtare.

Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të vënies në funksion të plotë të një prej investimeve më strategjike në jug të vendit.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Brendshme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave si dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Aeroporti i Vlorës u certifikua më 8 maj 2025, me uljen e avionit të parë në pistë. Ky aeroport pritet të shndërrohet në një nga portat kryesore hyrëse të jugut të Shqipërisë dhe të japë një shtysë të re për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në rajon.

Zjarri në Drenovë po i afrohen një pusi nafte

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë fshatin Drenovë në Mallakastër, duke rrezikuar seriozisht zonat përreth. Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të gjerë dhe tashmë po i afrohen një pusi nafte, një magazine dhe një nënstacioni elektrik, duke e bërë situatën tejet të rrezikshme.

Në errësirë dhe nën rrezikun e flakëve, shërbimet zjarrfikëse lokale janë në gatishmëri të plotë, duke u përpjekur të frenojnë përparimin e zjarrit. Ndërkohë, pritet mbërritja e përforcimeve nga strukturat e Albpetrolit për të ndihmuar në kontrollimin e situatës kritike.

Operacioni i shuarjes së flakëve po zhvillohet me mjete rrethanore dhe me angazhimin e forcave në këmbë, ndërsa banorët janë të alarmuar për sigurinë e banesave dhe pasurive të tyre. Autoritetet lokale kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe bashkëpunim të qytetarëve me strukturat e emergjencës.

Gjendet i pa jetë një 29-vjeçar brenda automjetit të tij në parkim

Me datë 16.07.2025, në Astir, në parkimin e pallatit ku banonte, është konstatuar nga familjarët, brenda automjetit të tij, pa shenja jete, shtetasi E. D., rreth 29 vjeç.

Nga këqyrja e jashtme paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës.

Krimet zgjedhore, Celibashi: 139 procedime penale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Përgjithshme dhe SPAK, për javë me radhë shqyrtuan të gjitha denoncimet që lidhen me krimet zgjedhore.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, gjatë një interviste për Klan News, bëri një vlerësim të bashkëpunimit të institucionit që ai drejton me dy institucionet e tjera të drejtësisë.

“Një eksperiencë e suksesshme, edhe pse kam konstatuar që për një pjesë të politikës, ky bashkëpunim nuk ka marrë vlerësimin që në gjykimin tim do duhej ta merrte”, tha ai.

Kryekomisioneri Celibashi tregoi numrin e procedimeve penale për të cilat ka një hetim dhe tipologjitë e krimeve që janë konstatuar më shumë.
“Janë rreth 139 procedime penale, të cilat janë trajtuar ose janë në proces trajtimi nga SPAK. Denoncimet lidhen kryesisht me presionin ndaj administratës publike, përdorimin e aseteve publike, shitblerjen e votës”, theksoi ai.

Celibashi sugjeroi se bashkëpunimi me të tre institucionet duhet të formalizohet në ligj.
“Kjo eksperiencë duhet të shtrihet dhe në zgjedhjet e ardhshme, dhe ndoshta mund të ketë nevojë që kjo formë e bashkëpunimit të jetë e formalizuar dhe në ligj, të jetë më e institucionalizuar”, shtoi ai.

Rregullat e garës duhet të ndryshojnë, sipas drejtuesit të KQZ, edhe për administratën publike.
Duhet të vendosen disa limite të sjelljes së përfaqësuesve të administratës publike, duke filluar nga niveli më i lartë, kryeministri, ministri etj.”, nënvizoi Celibashi.
Për rezultate konkrete, kryekomisioneri Celibashi tha se do të duhet kohë deri në përfundimin e hetimeve nga institucionet ligjzbatuese.

“Përplasje në koalicionin ‘Shqipëria Bëhet’: ‘Mandati nuk është i Tikut, por i votave tona të përbashkëta’

Përplasje të ashpër në distancë mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, pas refuzimit të kandidatit Zeqir Kordhoni për t’u dorëhequr nga mandati i tij në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Në një postim të ri, Shabani ka akuzuar ashpër Lapajn, ndërsa shkruan se daja i tij, Zeqir Kordhoni, është kërcënuar me jetën e fëmijëve:

Unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e tij, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët, mendoj që Zeqiri ka bërë shumë mirë që i ka dalë përballë dhe i ka prerë rrugën”, – shkruan Shabani.

Gjithashtu, Shabani tha se, kur Lapaj s’mban përgjegjësi për veprimet e tij, si mund të mbajë ai përgjegjësi për dajën e tij.

Shabani thotë se Adriatikun nuk e karakterizoi burrëria, pasi kishte thënë se nëse koalicioni do merrte vetëm një mandati, ai nuk do të shkonte vetë në Parlament.

“Adriatiku ndryshoi mendim më pas” – dhe në këtë rast, Shabani thotë se daja i tij po e ndihmon Lapajn të bëhet burrë:

“Pas zgjedhjeve, Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin,” shkruan Shabani.

Ndjej keqardhje nga deklarata e Tikut, ku më shpall mua armikun e klasës. Duhet ta kisha menduar se pas Arlindit dhe Agronit, kisha mbetur vetëm unë nga fronti i të rinjve.

Gjithsesi për interes publik, dua të sqaroj tre gjëra.

E para, mandati i koalicionit ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ nuk ka qenë kurrë i Adriatikut. Unë e di që Tiku është mësuar të përvetësojë punën e të tjerëve, por pa votat e Nismës Thurje apo pa votat e mia, Adriatiku nuk do të ishte bërë kurrë deputet!!!

Në këto zgjedhje, për të marrë një mandat në Tiranë duheshin 13 500 vota. Adriatiku ka marrë 6 436 vota. Kështu, ato 7 000 vota të tjera janë marrë nga kandidatë të tjerë.

E dyta, Zeqiri e ka ndihmuar Tikun të bëhet burrë. Në këto zgjedhje ka patur vetëm një njeri që ka shpallur publikisht një angazhim përballë aktivistëve dhe votuesve, dhe ai është lideri i koalicionit. Me zë dhe me figurë, në disa media, Adriatiku është zotuar publikisht se, nëse fitonim vetëm një mandat, ai mandat nuk do t’i takonte atij. Kjo deklaratë shërbente për të motivuar aktivistët që të punonin për interesin e përbashkët, dhe jo për të bërë Tikun deputet. Pas zgjedhjeve, Adriatiku e drodhi, dhe kjo nuk u pëlqye nga shumë prej nesh, përfshi këtu edhe Zeqirin.

Duke besuar që ‘burri mbahet nga fjala’, Zeqiri e ka ndihmuar Adriatikun të mbajë fjalën dhe t’ia kalojë mandatin dikujt tjetër nga partia e tij.

E treta, nëse Tiku nuk mban përgjegjësi për veprimet e tij, përse duhet të mbaj unë përgjegjësi për dajën tim? Prej kohësh kemi pranuar që përgjegjësia është individuale. Zeqiri është 60-vjeç, burrë, dhe nuk mund të përdoret as nga unë, as nga Adriatiku. Ai ka dinjitetin e vet, dhe kur pa që Adriatiku po luante lojra, kërkoi t’i tërhiqte vëmendjen. Por kur u përball me kërcënime ndaj fëmijëve të tij, ai shkoi një hap më tej.

Unë nuk kam qenë dakord me sjelljen e tij, por kur shoh se si akoma pa pushtet këta janë të gatshëm të të kërcënojnë fëmijët, mendoj që Zeqiri ka bërë shumë mirë që i ka dalë përballë dhe i ka prerë rrugën. Në fund të fundit, për 100 vite ne kemi patur politikanë që vrisnin për pushtet; nuk na duhet të rrisim të rinj,” shkruan Endri Shabani.

Kontroll blic në të gjitha burgjet e vendit

Përfundon kontrolli blic në të gjitha burgjet  e vendit.

Mesohet se kontrollet janë kryer jo vetëm për sende të ndaluara por edhe janë kqyrur kartelat e takimeve të disa të burgosurve.Ndërkohë që janë kryer dy transferime drejtuesish te burgjeve

Po digjte mbeturina në oborrin e tij, i moshuari përfshihet nga flakët dhe ndërron jetë

Një 78-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në fshatin Fushë-Milot, pasi u përfshi nga flakët teksa ishte duke djegur mbeturina në bahçen e tij.

Viktima është identifikuar si Demer Haxhiu. Sipas burimeve paraprake, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfshirë trupin e të moshuarit.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Laçit dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Darëzezë/Fier — Pronar subjekti procedohet për pushtim të hapësirës publike në plazh

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin E. G., 41 vjeç, banues në Fier, pronar i një subjekti në plazhin e Darëzezës, pasi nga kontrollet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike, u konstatua se kishte vënë në bregdet, pa lejen përkatëse, 62 çadra dhe shezlongë, të cilët u hoqën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. P., 40 vjeç, banues në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasit:
-Gj. R., 25 vjeç dhe A. P., 50 vjeçe, pasi dyshohet se për motive pronësie, kanë shqetësuar njëri-tjetrin, nëpërmjet thirrjeve telefonike;
-S. Gj., 34 vjeç, banues në Kolonjë, pasi dyshohet se zjarri që ka ndezur për të djegur mbeturinat, ka dëmtuar hambarin me jonxhë të një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.