Shp*rthim me lëndë pl*sëse në një lokal , vetëm dëme materiale

Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Rrugën e Durrësit, në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake nga policia, rreth orës 03:45, dyshohet se një sasi e vogël eksplozivi është vendosur pranë derës hyrëse të një lokali në pronësi të shtetasit A. S.

Fatmirësisht, shpërthimi nuk ka shkaktuar të lënduar, por janë regjistruar dëme materiale në ambientet e lokalit.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Policia po analizon kamerat e sigurisë dhe po merr dëshmitë përkatëse.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit.

Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar.

Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Dy të rinj pla*osen me ar*ë zj*rri pranë stadiumit – dërgohen drejt Traumës në Tiranë

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen nr. 4 të Sarandës, pranë stadiumit të qytetit, ku dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë.

Sipas burimeve zyrtare, të plagosur kanë mbetur shtetasit Ernest Lama, 24 vjeç dhe Gëzim Hoxhaj, 32 vjeç. Fillimisht ata kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Sarandës dhe më pas janë transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, ndërsa rrethanat dhe motivet e atentatit mbeten ende të paqarta. Policia është në vendngjarje dhe ka nisur hetimet nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, me qëllim identifikimin e autorit, si dhe zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të plotë të kësaj ngjarjeje.

Hetimet vijojnë me intensitet, ndërkohë që zona ku ndodhi plagosja është e rrethuar nga forcat e rendit.

OSSH hap tender 55 mln lekë për matës inteligjentë në 67 nënstacione, për modernizimin e rrjetit elektrik

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) ka hapur tenderin me një fond limit prej rreth 55 milionë lekësh për furnizimin dhe instalimin e matësve inteligjentë në 67 nënstacione elektrike në Shqipëri. Ky projekt synon modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të matjes së energjisë elektrike, duke zëvendësuar matësit e vjetër që nuk garantojnë më saktësi dhe besueshmëri.

Matësit e rinj do të pajisen me teknologji të avancuar që mundësojnë lexim dhe regjistrim në kohë reale të të dhënave për çdo fider në nënstacionet përkatëse. Të dhënat do të transmetohen automatikisht në sistemin e Menaxhimit të Matjes së Avancuar (AMI) të OSSH-së, duke përmirësuar monitorimin, kontrollin dhe eficiencën e rrjetit të shpërndarjes.

Përveç furnizimit dhe montimit, kontrata përfshin testimin dhe vënien në punë të pajisjeve sipas standardeve evropiane të sigurisë, cilësisë dhe mbrojtjes së mjedisit, me markimin CE. Pajisjet e reja pritet të përmirësojnë reagimin ndaj defekteve dhe dëmtimeve, duke reduktuar kohën e ndërprerjes së energjisë për abonentët.

OSSH njofton se furnizimi do të bëhet me teknologjinë më të fundit, duke garantuar efikasitet dhe jetëgjatësi të pajisjeve. Ky investim është pjesë e përpjekjeve për të modernizuar rrjetin elektrik dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj konsumatorëve.

FIER-Balluku e Subashi, kanë inspektuar hapësirat publike qe janë zënë në mënyrë të paligjshme dhe do të çlirohen

Fier – Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Fier, Armando Subashi, kanë inspektuar disa zona të qytetit ku hapësirat publike janë të zëna në mënyrë të paligjshme dhe do të çlirohen, në kuadër të nismës kombëtare për rikthimin e tyre në përdorim nga qytetarët.

-Gjatë vizitës në Fier, u promovua gjithashtu shërbimi “Zyra me një Ndalesë”, ku qytetarët, e veçanërisht të moshuarit , mund të marrin asistencë falas për përfitimin e dokumenteve dhe shërbimeve përmes portalit e-Albania.

-Autoritetet theksuan se asnjë qytetar nuk duhet të paguajë për shërbimet e e-Albania, pasi ofrimi i tyre nga zyrat e noterëve apo avokatëve kundrejt pagesës është shkelje ligjore dhe do të ndëshkohet.

-Të dyja këto nisma synojnë përmirësimin e jetës urbane dhe garantimin e aksesit të barabartë në shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

Përkeqësohet situata në Drenovë të Mallakastrës – Flakët mund te perhapen drejt zonave të banuara, rrezik evakuimi

Zjarri që ka përfshirë zonën e Drenovës në Mallakastër është përshkallëzuar ndjeshëm, duke u kthyer në një emergjencë serioze. Flakët janë përhapur me shpejtësi për shkak të erërave të forta, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe pyjesh dhe kullotash.

Forca zjarrfikëse nga disa bashki të qarkut Fier, si dhe trupa të ushtrisë dhe të kompanisë Albpetrol, janë angazhuar në përpjekje të pandërprera për shuarjen e zjarrit. Ndërhyrjet nga ajri me helikopterë nuk kanë arritur ta ndalojnë përparimin e flakëve, që mbeten jashtë kontrollit.

Emergjencat civile kanë vënë theksin tek rreziku në rritje që i kanoset zonave të banuara, ndërsa mundësia e evakuimit të popullsisë në disa lagje të afërta nuk përjashtohet nëse situata vijon të përkeqësohet.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar. Ndërkohë, strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri të lartë për çdo zhvillim të mëtejshëm.

Fier – Procedime penale për dhunë në familje, ndërtim të paligjshëm dhe perndjekje

Drejtoria Vendore e Policisë Fier bën me dije se, gjatë 24 orëve të fundit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër kanë referuar materialet procedurale në Prokurori, duke nisur procedime penale ndaj disa shtetasve për vepra të ndryshme penale.

Në Fier:

  • Ka nisur procedimi penal ndaj shtetasit K. R., 50 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
  • Shtetasit P. R., 70 vjeç, G. R., 62 vjeç dhe N. R., 57 vjeç po procedohen për veprën penale “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve”.
  • Ndaj shtetasit S. N., 48 vjeç është nisur procedim për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Në Lushnjë:

  • Ka filluar procedimi penal për shtetasin E. R., 31 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetase me inicialet M. V.

Në Mallakastër:

  • Procedim penal ndaj shtetasit M. A., 36 vjeç, banues në fshatin Drenovë, i cili dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me send të fortë një shtetas 67 vjeç.

Ndërkohë, është bërë edhe kallëzim për largim nga banesa. Shtetasja V. K. ka raportuar se më datë 14.07.2025, është larguar nga banesa bashkëshorti i saj, J. K., 41 vjeç. Policia po punon për gjetjen e tij.

Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Ilir Meta mbetet në burg-Apeli i Posaçëm rrezon kerkesen e tij per lirim

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për lehtësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi vendimin për “arrest me burg”. Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, pas vendimit të dhënë sot nga trupa gjykuese.

Meta kërkonte zëvendësimin e masës me një më të butë, si “arrest në shtëpi” apo “detyrim për paraqitje”, duke e cilësuar masën aktuale si të padrejtë dhe me prapavijë politike, por Apeli i Posaçëm konfirmoi masën e sigurisë të vendosur më herët nga GJKKO.

Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, janë marrë të pandehur nga SPAK për një sërë veprash penale, përfshirë korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë. Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024.

Rama: Zero tolerancë për tendat e hekurit. Ndëshkime penale për nënpunësit që kanë firmosur

Kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se një prej lejeve dhënë ndaj një biznesi është anuluar, ndërsa paralajmëroi se do të ndiqet një qasje me zero tolerancë ndaj rasteve të ngjashme në të gjithë vendin.

“Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, shkruan Rama

Vijon aksioni, Rama: Zero tolerancë për tendat e hekurit.