Vra*ja e studentes shqiptare/ Nëna e ish-të dashurit nuk e donte në shtëpi

Nuk e shihte me sy të mirë. Aq sa nuk e donte as pranë shtëpisë. Një qëndrim që, ndoshta, nuk ishte vetëm pasojë e një mentaliteti kulturor të Nors Mazlapan, nënës së Mark Samsonit, por fshihte diçka më të thellë. Një lloj armiqësie ndaj Ilaria Sula-s, vajzës që për afro një vit frekuentonte apartamentin e vogël të familjes filipinase në rrugën Homs.

Nuk doja që Mark ta sillte gjithmonë Ilarian në shtëpi. Kisha frikë se do ta shpërqendronte shumë – djali im duhet të jetë i përqendruar te studimet”, i ka rrëfyer ajo hetuesve.

Këto janë fjalët e nënës së të riut që ndodhet aktualisht në burg për vrasjen e studentes shqiptare, trupi i së cilës u hodh në një humnerë në zonat e thella të Capranica Prenestina-s, pasi u ther për vdekje nga ish i dashuri, pikërisht në banesën e familjes Samson në lagjen “Africano” të Romës.

Vetëm një lule për vajzën e vrarë

Me kalimin e ditëve, pozicioni i nënës së Markut – një i ri i diplomuar në Arkitekturë, i cili ka pranuar fajin, por me shumë kontradikta – po bëhet gjithnjë e më qendror në hetime.

Ajo dhe bashkëshorti i saj, Rik Samson, rrezikojnë të hetohen për bashkëpunim në vrasje me paramendim dhe për fshehje kufome.

Tensioni po rritet edhe në lagje, në komunitetin e madh filipinas. Xhaxhai Emilio iku me skuter sapo pa gazetarët, madje edhe ata nga Filipinet që kanë nisur të interesohen për një çështje që shumë shpejt kaloi përtej kufijve të Rripit Rrethues të Romës (Grande Raccordo Anulare).Por, aty ku u vra Ilaria, ka vetëm një lule – një karafil rozë.

“Po flija. Nuk kuptova asgjë. Ditën tjetër dola nga shtëpia”, mësohet të ketë thënë gruaja, një shtëpiake me disa probleme shëndetësore, gjatë marrjes në pyetje nga policia kriminale, nën drejtimin e hetuesit Roberto Pititto.

Deri më tani, ky ka qenë e vetmja dhe e para seancë pyetjesh me të, por nuk përjashtohet mundësia që të përsëritet.

Ka skepticizëm rreth versioneve që kanë dhënë gruaja dhe bashkëshorti i saj, i cili punon si ndihmës shtëpiak në një familje në veri të Romës.

“Ne ishim në shtëpi, e dinim që vajza ishte me Markun”

“Natën e 25 marsit ishim të dy në shtëpi. E dinim që Ilaria kishte ardhur për të vizituar Markun”, pohuan edhe ata orët e fundit.

Megjithatë, babai ka thënë më parë se kishte dalë dhe nuk ishte kthyer deri të nesërmen.

Pra, dy javë pas vrasjes, prindërit e ish-të dashurit të viktimës nuk kanë mundur ende të shpjegojnë qartë se çfarë kanë bërë gjatë atyre 24 orëve dhe cili ka qenë roli i tyre në veprimet e të birit: të vrasë një vajzë të mbyllur me çelës në dhomën e tij, më pas – gjatë ditës – ta fusë trupin në një valixhe, pasi e ka mbështjellë me një qese plastike, ta ngarkojë në makinën e familjes – në rrugë, jo në ndonjë garazh – dhe ta çojë për ta hedhur në një greminë 40 kilometra larg Romës.

“Asnjë britmë, asnjë zhurmë”

“Ne nuk dëgjuam asnjë zhurmë, asnjë britmë nga dhoma e Markut”, u kanë thënë gjithashtu prindërit policisë.

Ndoshta ky është versioni i vetëm që mund të jetë i besueshëm, pasi edhe të gjithë banorët e pallatit me numër 8 dhe ata të ndërtesës përballë – shumë prej të cilëve janë filipinas, përfshirë xhaxhain Emilio – kanë pohuar se nuk dëgjuan asnjë britmë nga apartamenti i familjes Samson, që ndodhet në katin përdhes.

Për çdo gjë tjetër, dyshimet ndaj Nors dhe Rik Samsonit konsiderohen mëse të justifikuara, edhe për faktin që duket shumë e vështirë të besohet se Mark e ka kryer të gjithë këtë krim i vetëm.

Tani edhe marrëdhënia mes nënës dhe ish-të dashurës së të birit është nën lupën e hetuesve.

Xhelozia e nënës së Markut ndaj Ilarias

Më shumë se konflikte të zakonshme, bëhet fjalë për një armiqësi të heshtur ndaj vajzës, ndoshta e lidhur me bindjet fetare të nënës.

Sigurisht, mund të shihet si një sjellje e zakonshme prindërore – një përzierje mbrojtjeje dhe xhelozie për të birin – por ndoshta ishte diçka më shumë, që ka dalë në pah edhe gjatë marrjes në pyetje të saj.

Hetuesit tani përpiqen të kuptojnë nëse kjo ndjenjë ka ndikuar drejtpërdrejt në atë që ndodhi në dhomën e 23-vjeçarit, ku, pavarësisht pastrimit të kujdesshëm, u gjet gjaku i Ilarias.

Ajo u godit në qafë, në befasi apo ndoshta në gjumë, nga dikush që ndodhej pas saj, me një thikë që ende nuk është gjetur. Në dhomën ngjitur, në ato pak metra katrorë, Nors dhe burri i saj thonë se po flinin të qetë./Corriere Della Sera

Shoqërimi i Kryetarit te Ballit Kombetar,Alimadhit, policia jep detaje

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin A. A., 61 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të rendit publik”.

Ky shtetas dyshohet se, gjatë një kontrolli të ushtruar nga shërbimet e Policisë në një lokal në rrugën e “Dibrës”, me qëllim verifikimin e informacionit se në këtë ambient ushtrohej veprimtaria e paligjshme e lojërave të fatit dhe basteve sportive, ka refuzuar të zbatojë urdhrat e punonjësve të Policisë, duke i kundërshtuar verbalisht dhe fizikisht dhe ka tentuar të largohet nga ambienti, pavarësisht kërkesës për të qëndruar në vendin ku ndodhej, deri në përfundim të procedurës.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë ka nisur veprimet verifikuese, bazuar në pamjet filmike të publikuara në rrjete sociale dhe pretendimet e paraqitura nga shtetasi në fjalë.

Tabacchino për shitje dr*ge/ Arrestohen 3 persona në Vlorë

Finalizohet operacioni policor “Tabacchino”, goditen 2 raste të shpërndarjes së drogës dhe tregtisë së paligjshme të mallrave të dyshuara si të kontrabanduara.

Sekuestrohen dhjetëra doza kokaine, kanabisi dhe paketa cigaresh pa pullë fiskale.

Kishin përshtatur subjektet e tyre tregtare për fshehjen dhe shitjen e dozave të kokainës dhe kanabisit, vihen në pranga 3 shtetas.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe tregtisë së paligjshme të mallrave të dyshuara si të kontrabanduara, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Tabacchino”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

D. B., 40 vjeç, K. V., 44 vjeç dhe A. T., 39 vjeç, të tre banues në Vlorë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë kontrollit në dy subjekte tregtare të llojit tabakino, në qytetin e Vlorës, njëri në përdorim nga shtetasi D. B. dhe tjetri në përdorim nga shtetasit K. V. dhe A. T, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dhjetëra doza me lëndë narkotike të dyshuara si kokainë dhe kanabis, si dhe një sasi paketash cigaresh pa pullën fiskale të Ministrisë së Financave, të dyshuara si të kontrabanduara.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Fletët e votimit- KQZ miraton sasinë që do të prodhohet për çdo qark

Sot, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi sasinë e fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qark për zgjedhësit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025. Nga përpunimi i të dhënave të listës të zgjedhësve marrë nga DPGJC për zgjedhjet e datës 11 maj 2025, rezulton se në Republikën e Shqipërisë numri i zgjedhësve është 3,467,962 zgjedhës. Sasia e fletëve të votimit që do të prodhohet për zgjedhjet për Kuvend, duke shtuar 2% (përqind) mbi numrin e zgjedhësve, është 3,534,000 fletë votimi.

KSHZ caktoi numrin e Komisioneve të Administrimit e Numërimit dhe Vlerësimit të Votave nga Jashtë (KANVVJ) dhe Grupeve të Numërimit të Votave nga Jashtë (GNVJ), përkatësisht 7 KANVVJ dhe 37 GNVJ.

Gjithashtu, u dha autorizimi për KZAZ-në nr. 44, Bashkia Rrogozhinë, që me vendim të krijojë dhe emërojë Komisionin e Qendrës së Votimit të Posaçme nr. 2224/01, IEVP Rrogozhinë.

Në përfundim të shqyrtimit administrativ të kërkesës së “Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, për heqjen e menjëhershme të simboleve, stemave dhe logove jo zyrtare të PD, Komisioneri urdhëroi Policinë Bashkiake Korçë për heqjen e menjëhershme të materialeve propagandistike nga ambienti privat në lagjen nr. 7, Korçë.

Ndërkohë, monitoruesit e fushatës zgjedhore kanë raportuar në KQZ për shkelje të konstatuara në Bashkinë Tiranë dhe Delvinë, ndaj KSHZ vendosi:

 1. Urdhërimin e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për heqjen e menjëhershme të materialeve propagandistike nga zyra zgjedhore afër QV-së 2114, me vendndodhje shkolla e mesme e bashkuar “Bedri Llagami”, njësia administrative Vaqarr, Tiranë.

 2. Urdhërimin e subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” për heqjen e menjëhershme të materialeve propagandistike nga zyra zgjedhore afër KZAS-së nr. 89 me vendndodhje, në Delvinë, Qarku Vlorë.

U caktua koha e transmetimit në radiotelevizionin publik të fushatës zgjedhore të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore.

Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Koalicioni PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore do të kenë një minutazh kohor transmetimi të barabartë prej 90 minuta secila, përkatësisht 60 minuta në televizionin publik dhe 30 minuta në radion publike. Partia Socialdemokrate do të ketë një minutazh kohor transmetimi të barabartë prej 45 minuta, përkatësisht 30 minuta në televizionin publik dhe 15 minuta në radion publike.

Një minutazh kohor transmetimi të barabartë prej 20 minuta, përkatësisht 10 minuta në televizionin publik dhe 10 minuta në radion publike do të kenë partitë joparlamentare:

 1. Lëvizja Shqipëria Bëhet

 2. Partia Nisma Thurje

 3. Partia Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptar

 4. Partia Djathtas 1912

 5. Partia Lëvizja Bashkë

 6. Partia Koalicioni Euroatlantik

 7. Partia Mundësia

 8. Partia Aleanca Demokracia e Re

 9. Lëvizja Atdheu

 10. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare

Komisioneri miratoi rregullat dhe kriteret e ndarjes së hapësirave reklamuese zgjedhore në billboard dhe city lights në mënyrë të barabartë. Bashkitë, jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, hartojnë një listë të hapësirave të lejuara për reklamat zgjedhore dhe menjëherë e publikojnë atë në faqet zyrtare përkatëse, si dhe njoftojnë subjektet zgjedhore dhe KQZ.

Sot, u plotësuan dhe vakancat e krijuara në këshillat bashkiak:

 1. Këshilli i Bashkisë Berat, me kandidatin e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, z. Albion Sulaj”.

 2. Këshilli i Bashkisë Sarandë, me kandidatin e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, zj. Katerina Beqo”.

 3. Këshilli i Bashkisë Sarandë, me kandidatin e “Partisë Lëvizja e Legalitetit”, z. Kevin Alikaj”.

Berisha u premton qytetarëve: Do të falet çdo gjobë për dritat, ujin, ndërtimet dhe kamatat!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e degës nr. 2 në Tiranë, ka premtuar se me ardhjen e PD në pushtet, do të ketë amnisti për gjobat ndaj qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se do falet çdo gjobë që është vendosur për dritat, për ujin, ndërtimet në fshatra në qytet si dhe për kamatat. Ai u shpreh se kamatat ndaj qytetarëve merren me në mënyrë të paligjshme, pasi sipas tij s’ka ligj, pasi ato janë falur njëherë.

Berisha: Këta ndërtojnë pallate dhe nuk paguajnë gjoba, kurse atë që ngre çatinë e tij në fshat e marrin dhe e rrasin në burg, është reale kjo që po them.

Kjo merr fund, do falet çdo gjobë që është vendosur për dritat, për ujin, ndërtimet në fshatra në qytet, kamatat. Kamatat e marrin në mënyrë të paligjshme s’ka ligj, se ato janë falur njëherë.

Kamata e fatura false per qytetarët, marrin fund, e kam deklaruar, do ketë amnisti për gjobat dhe për biznesin e vogël, jo vetëm për qytetarët.

Hekurudha europiane ndalon në Tiranë/ Projekt hekurudhor për Europën, Shqipëria stacion i një prej 5 linjave te tij

Një projekt ambicioz që lidh 39 destinacione të Europës me trena është prezantuar nga një grup ekspertësh. Përmes linjës hekurudhore të trenave me shpejtësi të lartë, veriu, jugu, perëndimi dhe lindja e Evropës do të jenë më afër.

Projekti përbëhet nga pesë linja kryesore në kontinentin e vjetër. Napoli-Helsinki, Lisbonë-Kiev, Madrid-Stamboll, Dublin-Kiev dhe Milano-Oslo. Rrjeti është quajtur “Starline”, i konsideruar si një “Tub Evropian” përfshin edhe Shqipërinë.

Tirana do të jetë pjesë e linjës Lisbonë-Kiev. Kryeqyteti shqiptar është stacioni i tetë nëse nisesh nga Portugalia dhe i gjashti nëse nisesh nga Ukraina. Tirana është kështu pjesë e rrjetit me qytete të rëndësishme evropiane, si Lioni, Milano, Romë, Zagrebi, Athina, Sofje, Bukureshti. Shumë pranë stacionit të Romës dhe Milanos, kjo linjë i mundëson Shqipërisë gjithashtu lidhjen me linjat e tjera që përshkojnë qendrën dhe veriun e kontinentit evropian.

Instituti me bazë në Kopenhagë, që ka prezantuar, e ka quajtur këtë projektin e shekullit 21 që do të funksiononte si një sistem metroje, duke rivalizuar transportin ajror të kontinentit.

“Starline ndryshon mënyrën se si evropianët e perceptojnë kontinentin e tyre, jo si një koleksion kryeqytetesh të largëta, por si një rrjet i vetëm, me lëvizje të shpejtë, ku çdo lidhje, qoftë për njerëzit apo mallrat, është e lehtë për t’u arritur”, janë shprehur ekspertët.

Ndëersa projekti duket tepër ambicioz, një sistem hekurudhor në mbarë Evropën do të ishte jashtëzakonisht i pwrdorur nga udhëtarët. Qytetet nga skajet e ndryshme të kontinentit do të ishin në këtë mënyrë shumë më afër. Sipas propozimit Helsinki dhe Berlini janë vetëm 5 orë larg, në vend të udhëtimit të plotë ditor që kërkon për momentin.

Sistemi i ri do të jetë rreth 30 për qind më i shpejtë se udhëtimi rrugor dhe hekurudhor aktual me trenat që funksionojnë me shpejtësi 300-400 km/h.

Starline 21 është gjithashtu edhe një projekt mjedisor. Transporti është një nga sfidat më të mëdha klimatike të Evropës. Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, në vitin 2022, sektori kontribuoi me rreth 29 për qind të emetimeve totale të gazeve serrë të BE-së. Fluturimet me distanca të shkurtra mbeten mënyra më e përdorur e transportit për miliona njerëz, pavarësisht se hekurudhat me shpejtësi të lartë emetojnë deri në 90 për qind më pak CO2 për udhëtim. Vende si Franca dhe Austria kanë filluar të kufizojnë fluturimet me distanca të shkurtra ku ekzistojnë alternativa hekurudhore, por ndikimi i vërtetë kërkon një qasje kontinentale, thotë grupi i ekspertëve.

Projekti duket tepër ambicioz dhe mund të kërkojë disa dekada për t’u realizuar në të gjithë kontinentin.

 U kap me para cash dhe flori me vlerë rreth 300 mijë euro, përfundon në pranga i riu

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Miniera”, rezultat i një hetimi pesë-mujor nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Operacioni çoi në arrestimin e shtetasit A. M., 29 vjeç, i dyshuar për pastrim parash dhe kontrabandë.

Gjatë kontrollit të kryer në biznesin e të arrestuarit, i cili operonte në fushën e exchange dhe argjendarisë në Fushë Krujë, policia gjeti dhe sekuestroi një shumë prej 100,000 eurosh në para cash, që dyshohet se ishin marrë hua me përqindje. Po ashtu, në ambientet e biznesit u zbuluan bizhuteri floriri me peshë 1400.41 gramë dhe vlerë 187,000 euro, të cilat dyshohen të jenë kontrabanduara, pasi nuk ishin të pajisura me fatura blerjeje.

Sipas hetimeve, 29-vjeçari, në bashkëpunim me babain e tij, shtetasin A. M., 60 vjeç, pastronte para me burime të dyshimta. Ndaj babait të të arrestuarit është iniciuar procedimi në gjendje të lirë për përfshirjen e tij në këto veprimtari kriminale.

Hetimet vazhdojnë për identifikimin dhe ndalimin e individëve të tjerë të përfshirë në këtë skemë, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për akuzat e “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Aksident ne Fier-Levan, perplasen 2 makina, 2 te plagosur

Një aksident ka ndodhur disa minuta më parë në aksin Fier- Levan , pranë vendit të quajtur “ Qafa e Koshovicës” . Dy automjete tip” Volskswagen” dhe tip “ Opel” jané përplasur me njëra – tjetrën dhe si pasojë e goditjes së fortë mjeti tip “ Opel” ka dalë nga rruga duke u përplasur me shtyllën elektrike dhe një pemë e cila është rrëzuar . Në vendngjarje ka mbërritur ambulanca e cila ka transportuar dy té lënduar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ndẽrsa policia dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e dinamikës së këtij aksidenti.

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 11:40, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, automjeti me drejtues shtetasin E. H., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin P. F.

Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar lehtë dy pasagjere, shtetaset F. H. dhe Sh. H., të cilat kanë shkuar në spital për kryerjen e ekzaminimeve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.