Prokuroria Fier jep masa sigurimi për 4 zyrtarë të bashkisë

Shpërdoruan detyrën dhe ushtruan ndikim të paligjshëmduke lejuar mos pagesën e plotë të taksave nga subjektet private, Prokuroria Fier jep masa sigurimi për 4 zyrtarë të bashkisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.68 të vitit 2025 për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

Nga hetimet e deritanishme, ku janë përdorur edhe metodat speciale të hetimit, rezulton se:

• Personi nën hetim A.H., me detyrë Drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, duke shfrytëzuar pozicionin e saj, në pesë episode, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Drejtoresha e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore të Bashkisë Fier, me qëllim që kjo e fundit të lëshonte vërtetime për pagesën e detyrimeve dhe përllogaritje të taksave e tarifave vendore nën vlerën e përcaktuar. 

Gjithashtu, personi nën hetim A.H. nuk ka marrë masat e nevojshme për vendosjen e pajisjes fiskale në parkimet e Bashkisë Fier dhe si pasojë e mosveprimeve të saj, vlera e të ardhurave të krijuara për të cilat nuk është paguar asnjë tatim është 40.912.640 lekë dhe detyrimi tatimor i shmangur është i lartë.

• Personi nën hetim A.C. me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, ka lëshuar fatura të taksave dhe tarifave mbi vlerën reale, për subjekte të caktuara, vlera e të cilave ka ndryshuar pas ankesës së subjekteve, në disa raste duke u ulur tej parashikimeve të vendimeve të Këshilli Bashkiak Fier. Po ashtu, në funksion të detyrës, personi nën hetim nuk ka marrë asnjë masë në lidhje me fiskalizimin e pikave të parkimit të mjeteve të cilat janë në administrimin e Bashkisë. 

• Personi nën hetim M.D., me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek personi nën hetim A.C., me detyrë Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për t’i ulur vlerën e detyrimeve që do të paguante më pas shtetasi A.M. subjekt privat.

• Personi nën hetim V.Ç. me detyrë Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, me një urdhërin të nxjerrë prej tij në muajin maj të vitit 2024 ka detyruar inspektorët tatimorë të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar, pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Pas kryerjes së kontrollit, personi nën hetim nuk ka kryer procedurën ligjore për të kërkuar rikontroll në Drejtorinë e Përgjithshme. Rezulton gjithashtu se nga ana e personit nën hetim nuk është mbikëqyrur fushata sensibilizuese, pasi nuk është kontrolluar asnjë subjekt tjetër. Procedura e ndjekur në kontrollin e vitit 2024 bie ndesh me procedurën e ndjekur në vitin 2025.

Në vijim të veprimeve procedurale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkesën për caktimin e masave të sigurimit ndaj personave nën hetim A.H., A.C., M.D.,V.Ç.. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e Prokurorisë, duke vendosur:

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” ndaj personit nën hetim A.H. e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” dhe masën ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personit nën hetim V.Ç., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

– Caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj personit nën hetim A.C., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

– Caktimin e masës ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe masën e sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” ndaj personit nën hetim M.D. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Zbardhen detaje nga dosja ndaj Erion Veliajt: Efektivi i burgjeve i dha telefonin për të telefonuar familjarët gjatë shoqërimit

Janë zbardhur detaje të reja nga dosja hetimore ndaj Erion Veliajt, ku një dëshmi e pazakontë vjen nga një efektiv i shërbimit të burgjeve. Fatjon Baci, punonjës i transportit të të paraburgosurve, ka pohuar përpara hetuesve të SPAK se i ka dorëzuar telefonin e tij personal Veliajt gjatë rrugës nga paraburgimi i Durrësit në drejtim të Tiranës.

Sipas dëshmisë, Veliaj ka përdorur telefonin për të kryer dy telefonata me familjarët e tij – një herë përpara se të niste seanca gjyqësore dhe një tjetër pas përfundimit të saj.

“Në furgon, para se të mbërrinim në Tiranë, më kërkoi të telefononte vëllain se ndihej keq. Ia dhashë telefonin dhe ai komunikoi vetë me numrin,” ka deklaruar efektivi. “Më pas, përsëri pas gjyqit, para se të kalonim shinat pranë SPAK-ut, më kërkoi sërish telefonin. Edhe atëherë ja dhashë nga frika.”

Në dosje citohet se gjatë bisedës, Veliaj i ka komunikuar vëllait të tij për ecurinë e seancës dhe vlerësimet e avokatëve për paraqitjen e tij në sallë, duke i quajtur “10 me yll”. Ai ka shtuar gjithashtu se “e kanë me mua personale”.

Fatjon Baci ka pohuar se nuk ka mundur të dëgjojë të gjitha bisedat për shkak të zhurmës së trafikut, por vendimi për t’ia dhënë telefonin, sipas tij, u diktua nga “presioni dhe respekti ndaj figurës publike të të arrestuarit”.

Ky incident shënon një tjetër zhvillim në hetimet e nisura ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet nën hetim për disa akuza të rënda, përfshirë korrupsionin dhe pastrimin e parave. SPAK vijon hetimet mbi rrjedhjen e informacionit dhe mundësinë e favorizimeve gjatë qëndrimit të Veliajt në paraburgim.

Rama mbledh qeverinë ne fokus puna e cdo ministrie

Kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje të veçantë të qeverisë, të llojit “retreat”, e cila po zhvillohet në periferi të Tiranës. Kjo mbledhje ka karakter pune dhe analize, ku në fokus është vlerësimi i performancës së çdo ministrie.

Gjatë këtij takimi, ministrat do të paraqesin raportet për punën e kryer deri më tani, duke bërë një bilanc të arritjeve, sfidave dhe objektivave të përmbushura. Qëllimi i kësaj mbledhjeje është një analizë e thelluar e punës së çdo dikasteri, si dhe përcaktimi i prioriteteve për muajt në vijim.

Në 59% të bashkive, numri i bizneseve të vogla në rënie nga tkurrja e popullsisë

Shumica e bashkive të vendit janë duke parë tkurrje të forta të popullatës dhe për rrjedhojë edhe të bizneseve.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në 36 bashki nga 61 gjithsej numri i bizneseve person fizik që zakonisht përfshijnë të vetëpunësuar ose biznese me xhiro deri në 2 milionë lekë është ulur në mënyrë të ndjeshme.

Në rang vendi si biznese person fizik ishin aktive mbi 97 mijë subjekte me 2024, me rritje vjetore vetëm 0.5%, por në bashki të vogla ka rënie të fortë për shkak të rënies së popullsisë. Personat fizikë përbënin 74% të ndërmarrjeve gjithsej, (pa përfshirë fermerët), ndërsa pjesa tjetër janë të regjistruar si persona juridikë, sipas INSTAT.
Sipas të dhënave të përpunuara për ndryshimin vjetor të bizneseve “Person Fizik” në vitin 2024 krahasuar me 2023, vihet re një polarizim i fortë mes zonave të mëdha urbane dhe bashkive më të vogla. Në pjesën më e madhe e bashkive ka rënie, ndërsa vetëm një pjesë e kufizuar ka shënuar rritje.
Në bashkitë me krizën më të madhe të bizneseve person fizik kryeson Pusteci me një rënie drastike prej -25% të bizneseve, e ndjekur nga Konispoli -7.2%, Tropoja -6.7%, Mati me –6.5% dhe Selenica -6.1%.

Këto bashki janë tipike të vogla kanë nivel të lartë emigrimi, plakje të popullsisë dhe mungesë mundësish për zhvillim të qëndrueshëm të aktivitetit privat. Rënia e bizneseve tregon jo vetëm largimin e popullsisë, por edhe mbylljen e iniciativave të vetëpunësimit për shkak të mungesës së tregut lokal.
Në të kundërt bashkitë më rritje më të madhe të bizneseve person fizik janë ajon Këlcyrës +10.7%, e ndjekur nga Delvina +8.9%, Sarandë +7.5% dhe Vorë me 6.6%, të cilat kanë lidhje të forta turistike ose logjistike, si Saranda që ka përfituar nga turizmi, apo Vora që ndodhet në korridorin industrial mes Tiranës dhe Durrësit. Po ashtu, Gjirokastra dhe Libohova kanë përfituar nga investime në agroturizëm.
Tirana, Durrësi dhe Shkodra shfaqin rritje të lehtë, çka tregon një stabilitet në aktivitetin ekonomik në qendrat urbane, të cilat ende grumbullojnë popullsi nga zonat rurale dhe në këtë mënyrë ruajnë edhe dinamikën në bizneset e vogla.
Trendët demografike janë duke u bërë përcaktuese në ekonominë rajonale. Pakësimi dhe plakja e popullsisë po çon në faliment bizneset e vogla për shkak të ngushtimit të kërkesës por edhe të emigrimit të qendrave më të mëdha urbane.
Popullsia e vendit nga viti 2011 në vitin 2024 ka rënë me 17 për qind, ndërsa ritmet e rënies po thellohen vitet e fundit nga ikja e të rinjve dhe nivelet tejet të ulëta të lindjeve. /MONITOR

Fier – Skandal me parkimin nëntokësor Arrestime dhe pezullime nga detyra

Fier

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

  • “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
  • “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
  • “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.

Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.

Rivlerësimi i pronave do bëhet me 5 %- Afati i zbatimit do të jetë nga 1 janari deri më 30 shtator 2026

Qeveria hap rrugën për një tjetër proces rivlerësimi të pasurive të paluajtshme.

Nga 1 janari deri më 30 shtator 2026, qytetarët dhe bizneset do të kenë mundësinë të rivlerësojnë pronat e tyre, duke i përafruar me çmimet reale të tregut. Kjo nismë e re synon të rrisë transparencën në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, pa rritur normat tatimore ekzistuese.

Ndryshe nga herët e mëparshme, ku norma e tatimit mbi rivlerësimin varionte nga 1 deri në 3 për qind, këtë herë tatimi do të jetë 5 për qind mbi diferencën e vlerës. Ligji do të përfshijë edhe pasuritë që janë në proces regjistrimi apo legalizimi, ndërsa për subjektet juridike do të kërkohet rivlerësim nga ekspertë të licencuar.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve të banesave me një mesatare prej mbi 20 për qind vetëm gjatë vitit 2024  është një nga arsyet kryesore që ka shtyrë qeverinë të ndërmarrë këtë hap. Sipas Bankës së Shqipërisë, tregu i pasurive po pëson ndryshime të shpejta, ndaj përditësimi i vlerës së pronave konsiderohet i domosdoshëm si për qëllime fiskale ashtu edhe për planifikimin urban.

Udhëzimet konkrete për zbatimin e procesit pritet të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përmes një udhëzimi të përbashkët të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Kadastrës.

Merr flakë makina në autostradën Lushnje–Fier

Një aksident është shënuar këtë të mërkurë në autostradën Lushnje–Fier, pranë zonës së njohur si pushimi i shoferit.

Një automjet tip Ford, i cili ishte në lëvizje, ka marrë flakë papritur dhe është djegur plotësisht, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse nga Lushnja.Në mjet ndodheshin tre persona, të cilët fatmirësisht kanë arritur të dalin në kohë dhe nuk kanë pësuar lëndime. Ndërhyrja e menjëhershme e zjarrfikësve ka bërë të mundur shmangien e një tragjedie të mundshme, por automjeti është shkatërruar tërësisht nga zjarri.

Për shkak të operacionit për shuarjen e flakëve dhe menaxhimin e trafikut, janë krijuar radhë të gjata në autostradë. Shërbimet e policisë rrugore kanë qenë të pranishme në terren për të garantuar qarkullimin dhe sigurinë.

Në vendngjarje ndodhet edhe grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një defekti në sistemin elektrik të mjetit.

Babai p*rplas aksidentalisht vajzën e tij 4-vjeçare , humb jetën ne spital

Informacion paraprak.

Me datë 23.07.2025, në zonën e Qerekës, automjeti me drejtues shtetasin A. S., dyshohet se në ambientet e biznesit të tij, aksidentalisht ka përplasur vajzën e tij të mitur, rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të rastit.