Zjarret kërcënojnë rrjetin energjetik, stakohet linja 35 kV për arsye sigurie

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar lidhur me ndikimin e situatës së zjarreve në sistemin energjetik të vendit. Ajo bëri me dije se për arsye sigurie, janë ndërmarrë masa të menjëhershme për të shkëputur nga rrjeti disa nënstacione dhe linja transmetimi që ndodhen në afërsi të vatrave aktive të zjarrit.

Rasti më i fundit është regjistruar në zonën e Bulqizës, ku flakët i janë afruar linjës 35 kV Bulqizë – Krastë. Për të shmangur çdo rrezik të mundshëm, kjo linjë është stakuar, duke lënë pa energji elektrike nënstacionet Krastë, Batër si dhe hidrocentralet e zonës përreth.

“Dëmet në sistemin energjetik si pasojë e zjarreve janë të konsiderueshme, por ende të përballueshme nga operatorët, duke garantuar vijimësinë e shërbimit për qytetarët”, tha ministrja Balluku.

Ajo theksoi se prioritet mbetet sigurimi i jetës dhe infrastrukturës, ndërsa autoritetet po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë në zonat e prekura.

Dh*noi kamarierin për një shishe ujë, pezullohet oficeri i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi

Pas përfshirjes jashtë orarit të shërbimit në një konflikt fizik, në ambientet e një lokali në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave, të oficerit të Policisë Kufitare Dibër.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur ndaj Nënkomisar A. I., me detyrë Oficer Policie në Komisariatin e Policisë Kufitare Dibër, procedurën disiplinore të rëndë, bazuar në Ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që parashikon masa për:
-raste të sjelljeve që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut tek Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës;
-kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se Nënkomisar Ardian Isufi, jashtë shërbimit dhe në shoqërinë e shtetasit L. B., 57 vjeç, banues në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, është konfliktuar fillimisht fizikisht me shtetasin A. B., 18 vjeç. Pas përshkallëzimit të konfliktit, janë përfshirë edhe shtetasit V. B., 53 vjeç, pronar i një hoteli në lagjen “Pavarësia 2”, dhe E. M.
Aktualisht, Nënkomisar A. I. ndodhet i shtruar në Spitalin Rajonal Vlorë.

Për këtë rast vijojnë veprimet procedurale nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.
Policia e Shtetit mbetet e vendosur të reagojë me vendosmëri ndaj çdo rasti që cenon besimin e qytetarëve. Ajo fton qytetarët të denoncojnë çdo veprim të paligjshëm apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e saj, duke garantuar trajtim të paanshëm dhe konform ligjit.

Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe e çon në spital

Skandal në Vlorë: Ish-shefi i “Rrugores” dhunon kamerierin, pronari i lokalit e rreh dhe e çon në spital

Një incident i rëndë ka ndodhur në një lokal në lagjen “Pavarësia 2” të Vlorës, ku ish-shefi i qarkullimit rrugor në këtë qytet, aktualisht oficer i Policisë Kufitare në Dibër, Ardian Isufi, është përfshirë në një përplasje fizike me një 18-vjeçar, kamerier në lokal. Ngjarja ndodhi jashtë orarit të shërbimit, dhe si pasojë, Isufi është pezulluar menjëherë nga detyra.

Sipas burimeve zyrtare të Policisë, gjithçka nisi për një konflikt banal: porosia që u shërbye kishte një shishe ujë më shumë se ç’ishte kërkuar. Isufi dhe një person me precedent penalë, L. B., 57 vjeç, kanë goditur kamerierin e ri, A. B.

Por situata mori përmasa të tjera kur pronari i lokalit, V. B., 53 vjeç, ndërhyri për të mbrojtur punonjësin e tij dhe sulmoi fizikisht vetë oficerin e policisë, duke e lënë këtë të fundit të plagosur dhe të shtruar në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Policia ka nisur menjëherë një procedurë disiplinore të rëndë ndaj Nënkomisar Ardian Isufi, bazuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi sjellja e tij konsiderohet si një akt që dëmton rëndë figurën e policisë dhe besimin e qytetarëve tek institucioni.

Për ngjarjen janë përfshirë në hetim edhe shtetasi E. M. dhe të tjerë persona të pranishëm në përplasjen fizike.

Ndërkohë, Prokuroria dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijojnë procedurat ligjore për të sqaruar të gjitha rrethanat e konfliktit.

Policia e Shtetit ka reaguar duke dënuar ngjarjen dhe ka ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo sjelljeje të papërshtatshme nga ana e efektivëve të saj.

KQZ certifikon të hënën mandatet për qarqet Fier, Durrës dhe Elbasan

Pas rrëzimit të 12 ankimimeve nga Kolegji Zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i lirë tashmë t’u japë mandatet deputetëve fitues nga zgjedhjet e 11 majit.

Bëhet fjalë për tre qarqet e fundit që mbeteshin në pritje – Fierin, Elbasanin dhe Durrësin. Të hënën, kryekomisioneri Ilirian Celibashi pritet të shpallë zyrtarisht shpërndarjen e mandateve, duke mbyllur kështu procesin zgjedhor të pranverës.

Në qarkun e Durrësit, Partia Socialiste merr 8 mandate, ndërsa koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore përfiton 6 mandate. Në Fier, ku PS doli me rezultat të thellë, do të shpërndahen 12 mandate për socialistët dhe 4 për opozitën. Edhe Elbasani ndjek të njëjtin shembull: 10 mandate për PS dhe 4 për PD-ASHM.

Këto tre qarqe ishin pjesë e një vendimi të mëparshëm të KAS për rinumërim të kutive, pasi opozita pretendonte parregullsi në numërim. Por procesi i rinumërimit nuk solli ndryshime në rezultatet përfundimtare, përveç një rotacioni të brendshëm mes kandidatëve të PS në Fier.

Opozita vazhdoi më tej me ankimimet, këtë herë në Kolegjin Zgjedhor, duke kërkuar pavlefshmëri të rezultateve të 11 majit. Por edhe këto pretendime u rrëzuan, duke i hapur rrugë përmbylljes përfundimtare të procesit zgjedhor dhe shpërndarjes së mandateve.

Arrestohet autori i zjarrvënies në malin e Shashicës ku u rrezikuan nga flaket fshatrat Kaninë dhe Sherishtë

Një zjarr masiv përfshiu mbrëmjen e djeshme malin e Shashicës, duke rrezikuar seriozisht zonat e banuara pranë fshatrave Kaninë dhe Sherishtë. Flakët përfshinë një sipërfaqe të madhe me bimësi të dendur, ndërsa era e fortë dhe temperaturat e larta përshpejtuan përhapjen e tyre në drejtim të banesave dhe staneve të bagëtive.

Policia ka bërë të ditur se zjarri dyshohet se është shkaktuar qëllimisht. Në pranga është vënë shtetasi E. F., banues në Kaninë, i cili zotëron një stan bagëtish pranë zonës ku dyshohet se ka nisur vatra. Ai akuzohet për veprën penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vijojnë.

Sipas të dhënave paraprake, motivi i zjarrvënies dyshohet të jetë hapja e kullotave të reja për bagëtinë – një praktikë e paligjshme dhe e rrezikshme, që po shkakton dëme të mëdha mjedisore dhe rrezikon jetën e banorëve.

Autoritetet vijojnë të jenë në terren për të mbajtur nën kontroll situatën

Zjarr jashtë kontrollit në Borsh, evakuohen 40 persona – Forcat Ajrore dhe zjarrfikësit në betejë me flakët

Situata në Borsh vijon të jetë tejet alarmante, teksa zjarri që ka përfshirë zonën është jashtë kontrollit. Flakët po përhapen me shpejtësi, duke kërcënuar banesa, biznese dhe sipërfaqe të gjelbra.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri me dije se për shkak të rrezikut, janë evakuuar 40 persona nga banesat e tyre. Ai konfirmoi se në operacion janë përfshirë dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët kanë nisur ndërhyrjen nga ajri që në orët e para të mëngjesit për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit.

Ndërkohë, zjarrfikësit ndodhen në terren dhe po përballen me kushte të vështira për shkak të terrenit të thepisur dhe temperaturave të larta. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke e bërë më të vështirë kontrollin e situatës.

Ministri i Mbrojtjes ne Kanine -Zjarrvënie e qëllimshme

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka vizituar sot nga afër zonat e përfshira nga flakët në Shashicë dhe Kaninë, ku prej ditësh vijon lufta për shuarjen e zjarreve. Në terren, ai ishte i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, dhe kryeplaku i fshatit. Gjatë komunikimit me ta, ministri deklaroi se “kjo është zjarrvënie e qëllimshme dhe e papranueshme”, duke theksuar nevojën për përgjegjësi dhe ndërhyrje të shpejtë.

Përpos forcave tokësore, operacionit të sotëm iu bashkuan edhe avionët “Canadair”, që po ndërhyjnë nga ajri për të frenuar përhapjen e mëtejshme të zjarrit. Era e fortë dhe temperaturat e larta po e bëjnë më të vështirë situatën në terren.

Ministri Vengu kërkoi përforcim të bashkëpunimit mes strukturave të mbrojtjes civile, Forcave të Armatosura, bashkive dhe komunitetit lokal për të mbrojtur zonat e banuara dhe pasuritë natyrore. Ai theksoi se ndërhyrja e koordinuar është thelbësore për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës

Fier/ Si u zbulua vr*sja e 56 vjecarit nga vajza e tij

Makabriteti në Frashër të Fierit: Vajza mbyt të atin me tel, i dashuri dhe e ëma ndihmojnë në krim

Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja e rëndë që ndodhi në Frashër të Fierit, ku një 26-vjeçare dyshohet se ka mbytur babanë e saj, Anesti Rama, me ndihmën e të ëmës dhe një bashkëpunëtori, me të cilin dyshohet se kishte lidhje intime.

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes. Vajza fillimisht e ka goditur të atin në organet gjenitale, duke e rrëzuar në tokë. Më pas, Çlirim Dogani – nje 56 vjecar nga fshati Arapaj Roskovec dhe personi me të cilin 26-vjeçarja dyshohet se kishte një raport intim – e ka mbajtur viktimën nga duart, ndërsa vajza e mbyti me tel.

Dyshohet gjithashtu se janë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse në këtë akt të dhunshëm. Nëna e 26-vjeçares nuk ka qëndruar jashtë ngjarjes – ajo dyshohet se ka ndihmuar për të fshehur gjurmët, duke pastruar trupin e pajetë të bashkëshortit.

Zbulimi i krimit erdhi falë përgjimeve telefonike pas ngjarjes, ku autorja ka komunikuar me Doganin, tashmë të identifikuar si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Ky i fundit është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.

Policia dhe Prokuroria e Fierit po vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë motivet dhe rolin e secilit në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.