Pushuesit drejt bregdetit, trafik i rënduar në Vlorë

Fundjava ka regjistruar trafik në disa prej akseve kryesore në Vlorë, kjo edhe për shkak të numrit të lartë të pushuesve.

Rruga Transballkanike, por edhe përgjatë vijës bregdetare, kanë regjistruar një numër të lartë automjetesh dhe rrjedhimisht edhe vështirësi në lëvizje.
Një situatë e tillë pritet të na shoqërojë gjatë këtij sezoni, kryesisht në ditët e fundjavës, kur numri i pushuesve rritet ndjeshëm dhe Vlora kthehet në një kaos të vërtetë trafiku.

Vendimi: Rritje page dhe ndryshim në strukturën e administratës, ja kategoritë përfituese

Këshilli i Ministrave ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në vendimin që rregullon strukturën e pagave, nivelet e pagave dhe shtesat e tjera.
Këshilli i Ministrave ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në vendimin që rregullon strukturën e pagave, nivelet e pagave dhe shtesat e tjera mbi pagë për zëvendësministrat, funksionarët e kabineteve, prefektët, nënprefektët, nëpunësit civilë dhe nëpunësit e disa institucioneve të administratës publike.

Ndryshimet e propozuara nga zëvendëskryeministri synojnë përditësimin dhe përmirësimin e kuadrit rregullator të pagave në shërbimin civil.

Vendimi i ri përfshin ndryshime specifike si zëvendësimi i tabelave që janë pjesë përbërëse e vendimit fillestar, zëvendësohet me një lidhje të re me të njëjtin numër dhe emërtim, që i bashkëlidhet vendimit të fundit. Kjo do të thotë se struktura e pagave dhe kategorizimet e institucioneve apo pozicioneve mund të jenë ri dizajnuar.

SHTESAT MBI PAGË

Vendimi i qeverisë parashikon rritje page për sekretarët dhe zëvendëssekretarët e përgjithshëm. Vendoset një shtesë mujore prej 65,000 (gjashtëdhjetë e pesë mijë) lekësh për nëpunësit në pozicionet “Sekretar i Përgjithshëm” dhe “Zëvendëssekretar i Përgjithshëm”.

Kjo paraqet një rritje të ndjeshme në shtesën mbi pagë për këto pozicione kyçe drejtuese. Po ashtu, në vendimin e ri bëhet edhe një saktësim i pozicionit “koordinator”. Është ndryshuar edhe një nënndarje për të përcaktuar qartë pozicionin e “koordinatorit” brenda njësive të menaxhimit pranë sekretarit të përgjithshëm dhe zëvendëssekretarit të përgjithshëm.

Ky saktësim mund të ndikojë në kategorizimin dhe përcaktimin e pagës për këto role. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2025 do të përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë për këtë vit.

Këto efekte do të fillojnë nga momenti i emërimit të nëpunësve/punonjësve në pozicionet e prekura nga këto ndryshime. Ky vendim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhurat e një pjese të konsiderueshme të stafit drejtues dhe nëpunësve civilë në administratën publike shqiptare.

PREMTIMET

Rritja e pagave dhe pensioneve ka qenë kali i betejës me të cilin erdhi Kryeministri Rama gjatë fushatës së tij elektorale. Madje, ka përmendur edhe profesione të tilla si mësues, punonjës të administratës, mjekë, ushtarakë dhe punonjës të policisë.

“Pagat e mësuesve, punonjëse të administratës, mjekëve, ushtarakëve, të punonjësve të policisë do të rriten më tutje dhe për një arsye tjetër: sepse krijohen dy reagime. Një reagim është po pse pagat dhe jo pensionet?

Po pse vetëm ata që punojnë në shtet? Kur shteti rrit pagat, sektori privat ndjek mbrapa. Ne kemi arritur që për nivele të caktuara të jemi konkurrues me bankat dhe ne kemi nevojë për njerëz shumë të përgatitur, sidomos për shkak të negociatave.

E dyta, çdo pagë që rritet është një lajm i mirë edhe për perspektivën e pensioneve, sepse rriten të ardhurat nga sigurimet dhe kur shteti bëhet nxitës për pagat e privatit merr edhe nga pagat e privatit dhe shton në Fondin e Sigurimeve dhe sot e kemi shumë më solid seç e kishim”, – deklaroi kryeministri gjatë një takimi me mësues në muajin mars të këtij viti.

Paga mesatare pritet të shkojë 1 mijë euro në muaj në sektorin privat e publik bashkë, ndërsa për pagën minimale të cilin Rama zotohet të jetë 500 euro brenda mandatit të katërt, do të ketë lehtësi për sipërmarrësit

Shqiptarët te “fiksuar” Në 5 muaj, u importuan ora me vlerë mbi 3.2 milionë euro

Në një kohë kur çmimet e produkteve bazë vijojnë të shqetësojnë xhepin e qytetarëve, një tjetër tregues tregon se luksit nuk i ka rënë ora!
Shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për… orë dore! Por jo çfarëdo ore — ora të markave më të njohura në botë, që shpesh janë më shumë simbol statusi sesa aksesor funksional.

Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, janë importuar rreth 325 milionë lekë në orë – ose rreth 3.25 milionë euro.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo është një rritje prej 27% në vlerë.

Një fakt interesant është se, ndonëse shpenzimet janë rritur, sasia e orave të importuara ka rënë.
Në pesë muajt e parë të këtij viti, janë importuar 34 ton orë – ndërsa një vit më parë, kjo sasi ishte 44 ton.

Pra, më pak orë, por shumë më të shtrenjta.
Kjo tregon një zhvendosje të qartë drejt orëve të klasit të lartë, larg atyre më ekonomike apo imitimeve.

Nga makina luksoze te aksesori i vogël në dorë, duket se për një pjesë të shqiptarëve ora nuk është vetëm për të parë kohën — por për të treguar kohën e tyre… të suksesit.

/SCAN/

Skema për vetëprodhimin e energjisë elektrike

Vetëprodhuesit e energjisë elektrike kanë injektuar një sasi të vogël energjie në rrjet, çka sugjeron se pjesa dërrmuese ka qenë e nevojshme për plotësimin e nevojave të tyre. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar – prill vetëprodhuesit e lidhur në tensionin 35 KV dhe 20 KV injektuan në rrjet një total prej 943 mWh, një sasi që gjithsesi është ndjeshëm me e lartë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur në rrjet u hodhën vetëm 88 mWh.  

Pavarësisht vlerave modeste, këto shifra janë të rëndësishme në drejtim të funksionimit të kësaj skeme, pasi vetëprodhimi i energjisë elektrike paraqet një sërë avantazhesh, duke nisur nga kostot e ulta për konsumatorët e deri te krijimi i një sistemi energjie më të qëndrueshëm, më gjithëpërfshirës dhe me më pak emetime karboni.

Sipas legjislacionit në fuqi, çdo abonent që zotëron impiant fotovoltaik për qëllime vetëprodhuese mund të injektojë energjinë e tepërt të prodhuar në rrjetin e shpërndarjes me qëllim shfrytëzimin e saj në një periudhë deri në një vit, ndërsa bilanci neto dhe faturimi bëhen në bazë vjetore, për çdo pikë matjeje të autorizuar.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme, numri total i konsumatorëve që mbajnë statusin e vetëprodhuesit të energjisë elektrike është 2415, ndërkohë që kapaciteti total i instaluar nga kjo kategori është rreth 217 mWp.

/SCAN/

Policia e Vlorës kryen kontrolle per zhurmat e muzikes gjatë natës në baret dhe diskot

Policia e Vlorës ka zhvilluar kontrolle në disa lokale nate dhe ambiente të muzikës në qytet, në kuadër të masave për parandalimin e ndotjes akustike.Aksioni është ndërmarrë nga efektivë të Komisariatit të Policisë Vlorë dhe është përqendruar kryesisht në baret dhe diskot që ndodhen në zonat turistike dhe përgjatë Lungomares.

Gjatë kontrolleve janë verifikuar nivelet e zhurmës, respektimi i orareve të lejuara për muzikë si dhe pajisja e subjekteve me aparatura matëse të zhurmës, siç e kërkon ligji.

Policia njoftoi se qëllimi i këtij operacioni është ruajtja e rendit publik dhe mbrojtja e qetësisë së banorëve dhe pushuesve, sidomos në këtë sezon veror kur qyteti pret mijëra vizitorë.

Zhurmat tej normës së lejuar, policia e Vlorës kryen kontrolle

Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa subjektet që rezultojnë në shkelje të ligjit do të përballen me masa administrative apo penale, sipas rasteve.

Policia u bën thirrje pronarëve të respektojnë ligjin dhe të garantojnë një ambient argëtues, por të sigurt dhe pa ndotje akustike.

Gjatë kontrolleve nuk u konstatua ndotje akustike, megjithatë policia sensibilizoi pronarët për normën e lejuar që është 85-110 Decibel . Nëse kalon këtë normë, do të ketë gjoba që varjojnë nga 200 mijë lekë deri në 400- mijë lekë të rinj.

Aksident ne FIER-BALLSH ,15 vjeçari humb kontrollin e makines duke dale nga rruga, 3 te plagosur

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 21:00, në aksin rrugor “Fier-Ballsh”, në fshatin Plyg, një shtetas 15 vjeç, banues në Mbyet, duke drejtuar automjetin dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit i cili ka dalë nga rruga.

Si pasojë janë dëmtuar dy pasagjerët 13 vjeç dhe 14 vjeç, banues në Mbyet, si dhe vet drejtuesi i mjetit, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.

Administrata Trump shpall sanksione të reja ndaj Iranit

Administrata e Trump njoftoi këtë të premte sanksione të reja dhe të gjera kundër më shumë se 30 individëve, subjekteve dhe një anijeje të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), në përpjekje për të ndërprerë rrjetet e blerjeve ushtarake të Teheranit dhe për të frenuar ndikimin e tij në rajon.

Sanksionet synojnë ata që akuzohen se mbështesin programet e raketave balistike dhe dronëve të Iranit. Mes të sanksionuarve janë edhe subjekte në Hong Kong dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar në tregti dhe transaksione financiare të paligjshme. Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, deklaroi se masa synon të ndalojë qasjen e Iranit në teknologji me përdorim të dyfishtë dhe pajisje të ndjeshme.

Në të njëjtën kohë, Departamenti i Thesarit shpalli sanksione kundër katër individëve, 12 kompanive dhe dy anijeve të lidhura me rebelët Houthi në Jemen, të cilët akuzohen për përfshirje në tregti të paligjshme të naftës.

Këto masa vijnë në një kohë tensioni të lartë në Lindjen e Mesme dhe në mes të bisedimeve diplomatike në Gjenevë, si pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të kufizuar kapacitetet ushtarake të Iranit dhe për të frenuar aktivitetet e tij destabilizuese në rajon./Newsweek/

Sa investuan bashkitë për banor?Fieri ka shpenzuar me pak

Kompetencat e pushtetit vendor për shërbimet dhe investimet publike janë mjaft të rëndësishme për cilësinë e jetës së qytetarëve.  Por si kanë shpenzuar bashkitë për investime të cilat përmirësojnë jetën e tyre dhe kush ka përfituar më shumë?

Referuar raportit të financave vendore 2024, sa i takon shpenzimeve për investime për banor, në vendin e parë renditet Bashkia e Kamzës me afro 130 euro për frymë.  Listën e pason Përmeti me 99 euro për banor, ndjekur nga Vora, Poliçani dhe Librazhdi me rreth 83  euro për banor. Më pas renditet Lezhë, Tiranë, Malësi e Madhe dhe Klos me afro 71 euro për frymë.

Ndërsa në listën e bashkive që kanë shpenzuar më pak për investime publike,  Libohova, Kurbini, Kavaja me vetëm 12 euro për banor dhe Fieri me 10 euro.

Sa i takon ndarjes së shpenzimeve sipas kategorive, në vitin 2024, peshën më të madhe e zë funksioni “Shërbime të përgjithshme publike” në rreth 21% me një rritje prej 1% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, funksioni i dytë më i rëndësishëm është “Çështjet ekonomike” me rreth 19.8% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor, ky funksion krahasuar me një vit më parë ka një rënie prej 1%.

Konstatohet që në tre funksione si “Shërbimet e përgjithshme publike”, “Çështjet ekonomike” dhe “Arsimi”, pushteti vendor gjatë vitit 2024 ka shpenzuar rreth 60% të totalit të shpenzimeve vendore. Kjo evidenton qartë fokusin në ato funksione të cilat ofrojnë shërbime që prekin drejtpërdrejt cilësinë e jetës së qytetarëve.

Shpenzimet në nivel funksioni në vitin 2024, me përjashtim të funksionit të shëndetësisë i cili zë një peshë të papërfillshme në buxhetin vendor, kanë patur rritje krahasuar me një vit më parë. Mbështetja e fortë e politikave sociale që jep pushteti vendor është reflektuar në rritjen prej 23% të shpenzimeve të këtij funksioni në vitin 2024.

Ndërkohë një rritje tjetër e rëndësishme lidhet me dy funksione që kanë peshë të madhe në buxhetin vendor që lidhen me shërbimet e përgjithshme publike dhe arsimin, ku të dy këto funksione janë rritur përkatësisht 11% dhe 12% në krahasim me një vit më parë. Rritja e mbështetjes për ato funksione ku janë të përqëndruara shërbimet kryesore publike tregon nevojën që pushteti vendor ka për më shumë burime të decentralizuara dhe autonomi financiare.