Rama per situaten nga zjarret: Erdhën 5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair nga Italia

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka vlerësuar përpjekjet e jashtëzakonshme të strukturave shtetërore për përballimin e situatës së zjarreve në vend. Ai e cilësoi këtë një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjithë ata që janë në terren, duke luftuar me flakët që kanë përfshirë disa zona të Shqipërisë.

Rama bëri me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 34 vatra aktive, prej të cilave 13 janë izoluar dhe shuar. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar dhjetëra mjete zjarrfikëse, qindra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, si dhe janë vënë në dispozicion 5 helikopterë dhe një avion zjarrfikës Canadair, i ardhur si ndihmë nga Italia.

Ndërkohë, zonat që vazhdojnë të paraqesin rrezik të lartë janë Delvina, Poliçani, Gramshi, Dropulli, Finiqi, Berati, Tepelena dhe Bulqiza. Forcat nga toka dhe ajri vijojnë ndërhyrjet për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronën, ndërsa gatishmëria mbetet maksimale. Kryeministri vlerësoi gjithashtu edhe ndihmën e partnerëve europianë dhe të Emirateve, që po kontribuojnë në përballimin e kësaj situate të vështirë.

Postimi i kryeministrit Edi Rama:

Një ditë sakrifice dhe krenarie për të gjitha strukturat shtetërore, që vijojnë pa ndërprerje përpjekjet në terren për shuarjen e flakëve në të gjithë vendin

Gjatë 24 orëve të fundit:

34 vatra aktive

13 të izoluara dhe të shuara

Në operacione janë angazhuar:

Dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe trupa të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi në të gjitha bashkitë e prekura

Mbi 600 efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës, punonjës bashkiakë dhe forca vullnetare

5 helikopterë dhe 1 avion zjarrfikës Canadair i sjellë bujarisht nga miqtë e shtrenjtë italianë

Qindra mjete, përfshirë autoambulanca dhe mjete transporti për evakuimin dhe mbështetjen e banorëve

Vatra që kërkojnë vëmendje në vazhdim: Delvinë, Poliçan, Gramsh, Dropull, Finiq, Berat, Tepelenë dhe Bulqizë, ku forcat nga toka dhe mjetet nga ajri po punojnë pa u ndalur për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe pronës.

Gatishmëria është maksimale dhe bashkëpunimi mes të gjitha strukturave shtetërore dhe mbështetja e partnerëve europianë dhe emiratas po vijon për të përballuar këtë situatë të vështirë

Rekord dëmesh nga zjarret – mbi 45 mijë hektarë të djegur në vend

Me rreth 90 vatra zjarri dhe mbi 45 mijë hektarë tokë të djegur që nga fillimi i vitit, Shqipëria po përballet me një nga sezonet më të rënda të dekadës. Situata ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa shifrat tregojnë se përhapja e flakëve këtë vit është dyfishuar krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, deri në vitin 2024 regjistroheshin mesatarisht 6 zjarre në javë gjatë verës, ndërsa këtë vit shifra ka arritur në 13 zjarre në javë. Vetëm deri në fund të korrikut, flakët kanë prekur 12 banesa, 3 stane, 1 objekt kulti dhe një nënstacion energjie.

Megjithë dëmet e mëdha, pak qytetarë kanë të siguruar pronën e tyre kundër zjarrit. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në gjysmën e parë të vitit 2025, primet e shkruara bruto për sigurimin nga zjarri dhe forcat e natyrës ranë me 2.4%, duke arritur në rreth 1.7 miliardë lekë. Numri i kontratave të sigurimit për këtë qëllim është mbi 31 mijë, me një rritje 9.3% krahasuar me një vit më parë, por ende i pamjaftueshëm për të mbuluar dëmet në shkallë kombëtare.

Nga viti 2021 deri në 2024, primet e arkëtuara për sigurimin nga zjarri janë rritur nga 2 miliardë lekë në 2.6 miliardë, ndërsa numri i kontratave është shtuar me 10.8%. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e dëmeve do të mbulohet nga shteti. Qeveria ka nisur hartimin e një pakete kompensimi për fermerët që kanë humbur tokat bujqësore, ndërsa vlerësimi i dëmeve do të bëhet nga bashkitë përkatëse.

Vera e nxehte, rritet konsumi i energjisë elektrike me 38%

Shqipëria po përballet me vera gjithnjë e më të nxehta, duke shtuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike nga familjet. Sipas të dhënave , gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht të periudhës 2018–2024, konsumi mesatar familjar është rritur me 38%.

Në qershor, rritja ka qenë 25% (nga 186 mijë mWh në 232 mijë mWh), ndërsa korriku ka shënuar rekord me +46% (nga 192 mijë mWh në 280 mijë mWh). Në gusht, konsumi është rritur me 43% (nga 211 mijë mWh në 301 mijë mWh).

Sipas Entit Rregullator të Energjisë, 37% e konsumit vjetor të një familjeje lidhet me ngrohjen dhe klimatizimin. Përdorimi i kondicionerëve është shtuar ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta dhe përmirësimit të kushteve të jetesës. Censi 2023 tregon se numri i familjeve me kondicioner është rritur me 27.5% krahasuar me 2011-ën. Vetëm në 5 muajt e parë të 2025-ës, importet e kondicionerëve arritën në 3.47 miliardë lekë, me rritje 411.6 milionë lekë nga viti i kaluar.

Ekspertët rekomandojnë masa për eficiencë energjie si termoizolimi i banesave dhe përdorimi i pajisjeve me klasë A+, të cilat mund të ulin ndjeshëm faturat dhe ndikimin në mjedis.

SCAN

Asfiksohet nga tymi i zjarreve ne Delvine ,n/kryetari i Bashkisë, ishte pjesë e grupit për shuarjen e flakëve

Situata e zjarreve në zonën e Delvinës vijon të jetë tepër shqetësuese. Gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve, nënkryetari i Bashkisë së Delvinës, Filip Xuxi, është asfiksuar nga tymi teksa ndodhej në vijën e parë të frontit, si pjesë e grupit të emergjencës që po punon për kontrollin e situatës.

Xuxi u transportua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, pas inhalimit të një sasie të madhe tymi. Ai po trajtohet në repartin e urgjencës dhe gjendja e tij po monitorohet nga afër nga mjekët.

Zjarret kanë përfshirë disa zona pyjore përreth qytetit, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Terreni i vështirë dhe erërat e forta po pengojnë punën e forcave të emergjencës për neutralizimin e flakëve.

GJKKO rrëzon kërkesën e Metës, mbetet në fuqi masa e arrestit në burg

GJKKO rrëzon kërkesën e Metës per te marr lirine, mbetet në fuqi masa e arrestit në burg

Avokatët e Ilir Metës kanë braktisur seancën në GJKKO teksa togat e zeza kanë marrë vendim lidhur me ish-Presidentin.

GJKKO vendosi rrëzimin e kërkesës së Metës, duke lënë në fuqi masën e arrestit në burg.

Avokati i Metës u shpreh për mediat se prokuroria kërkoi qëndrimin në burg të Metës dhe sipas tij kjo do të aprovohet nga GJKKO.

“Me mua këta gjykatës nuk kanë shanse të tallen, duhet ti kthehen ligjshmërisë.

I thashë gjyqtarit do të largohem sepse ju vendimin e keni marrë. 

Atij nuk i erdhi mirë, ata vendosin afërmendësh se çfarë kërkon Prokurori. Prokurori kërkoi rrëzimin dhe Gjykata do ta rrëzojë. 

Mbrojtjen nuk e bën Meta, por e bëj unë. Meta ka qëndrimet e tij politike, por mbrojtjen nuk ma dikton as Meta dhe asnjë tjetër. 

Unë jam këtu për të parashtruar medimet e mia dhe për të parë se si sillet Gjykata.

Mund të tallet Gjykata me çdo lloj avokati, por me mua nuk ka shanse të tallen,” tha avokati

Rama falënderon forcat në terren dhe kërkon dënim maksimal për zjarrvënësit

Kryeministri Edi Rama ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët në disa zona të vendit.

Ai vlerësoi guximin e tyre për të rrezikuar jetën në mbrojtje të njerëzve, shtëpive dhe natyrës.

“🙏 Falënderim, respekt, mirënjohje me zemër për zjarrfikësit, forcat e ushtrisë, policinë, vullnetarët dhe banorët që po përballen me flakët, duke rrezikuar jetën për të mbrojtur njerëzit, shtëpitë dhe natyrën tonë 🦅🇦🇱,” shkroi Rama.

Ai u shpreh se ata që ndezin qëllimisht zjarre, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, sidomos në kushtet e ngrohjes globale dhe valëve të flakëve që po përfshijnë Mesdheun, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.

Fier – Arrestime dhe procedime penale për drejtim mjeti në gjendje të dehur, zënien e hapësirave publike, kundërshtim të punonjësve dhe ndotje të mjedisit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. Gj., 44 vjeç, banues në fshatin Pishë Poro, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që e drejtonte në gjendje të dehur dhe është rrëzuar. Si pasojë shtetasi M. Gj. është dëmtuar dhe është në kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit E. T. dhe D. Y., të dy banues në Patos, pasi dyshohet se kanë zënë në kundërshtim me ligjin, një hapësirë në katin e parë të pallatit ku banojnë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. Ç., 65 vjeç, banues në fshatin Karbunarë të Madhe, pasi dyshohet se ka kundërshtuar ekspertët e një grupi pune të bashkisë Lushnjë, për verifikimin e një sipërfaqe toke.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. Q., 60 vjeç, banues në Divjakë, pasi dyshohet se ka ndotur mjedisin, duke mbajtur bagëti në kushte të papërshtatshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

7 fshatra të djegura në Gramsh, zjarri ende jashtë kontrollit

Situata e zjarrit në Gramsh vazhdon të jetë shumë e vështirë.

Era e ka përhapur zjarrin dhe vatra të reja kanë dalë në zona të ndryshme.

Në Skënderbegas po digjet dhe fshati i fundit.

Gjithsej 6 fshatra të shkrumbuar totalisht, fshati i 7 sapo është përfshirë nga flaket dhe një tjetër shumë afër.
Në njësinë Kodovjat zjarri është shumë afër fshatit Posnovisht dhe pastaj fshatrat e tjerë janë zinxhir afër me njëri tjetrin.