Situata e zjarreve në vend/ 58 vatra zjarri në 24 orët e fundit, Tirana dhe Fieri zonat më të prekura

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes raportojnë se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë shënuar 58 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet ende aktive.

Vatra e vetme aktive ndodhet në fshatin Markatomaj, njësi administrative Zejmen, bashkia Lezhë, në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe bimësi të përzier. Pavarësisht izolimit rreth orës 05:45 nga katër automjete zjarrfikëse dhe banorët e zonës, trungjet e djegura vazhdojnë të vetëndizen herë pas here për shkak të erës.

Në qarqet e tjera, zjarret janë neutralizuar me sukses:

  • Lezhë: 8 vatra – të gjitha të shuara.
  • Berat: 5 vatra – të neutralizuara.
  • Gjirokastër: 2 vatra – të shuara.
  • Fier: 8 vatra – kryesisht në shkurre dhe bimësi.
  • Elbasan: 3 vatra në fshatrat Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras.
  • Tiranë: 12 vatra në Tiranë, Kavajë e Rrogozhinë – përfshirë edhe një zjarr në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli” (vetëm dëme materiale).
  • Durrës: 5 vatra – të gjitha të izoluara.
  • Shkodër dhe Korçë: nga 2 vatra secila – të neutralizuara.
  • Vlorë: 3 vatra – të fikura me sukses.

Sipas autoriteteve, janë djegur rreth 32 hektarë sipërfaqe me bimësi, përfshirë lis, arra dhe ullinj. Në operacione morën pjesë 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale, si dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.

Instituti i Gjeoshkencave parashikon për sot nivel rreziku të lartë për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, dhe rrezik të moderuar në qarqet e tjera.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë temperaturave të larta dhe të kontaktojnë strukturat vendore në rast nevoje.

Pushimet çdo vit e më të shtrenjta

Vera e vitit 2025 vjen me çmime më të larta, por edhe me më shumë mundësi për pushime që nuk janë vetëm çlodhje, por edhe investim në eksperiencë.

Pavarësisht rritjes së kostove, turizmi mbetet përparësi për shumë konsumatorë që po kursejnë gjatë vitit për të jetuar një verë “të denjë për Instagram”.

Në plazhet me rërë të bardhë të Greqisë, në resortet luksoze me koncepte “all-inclusive” të Antalias, në vilat moderne buzë detit në jug të Shqipërisë, apo në fshatrat piktoreskë të Alpeve shqiptare, destinacionet e pushimeve janë gjithnjë e më të larmishme, por qëllimi mbetet i njëjtë: të shpenzosh me zgjuarsi, me kujdes ndaj buxhetit, por edhe me klas dhe stil.

Pushimet nuk janë më vetëm një shkëputje nga rutina, për shumë shqiptarë, ato janë kthyer në një “moment vjetor kulmor”, që duhet planifikuar me kujdes dhe shijuar në maksimum.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku një paketë standarde mjaftonte për të qenë i kënaqur, sot udhëtarët shqiptarë, veçanërisht brezi i ri, po bëhen gjithnjë e më kërkues.

Ata nuk ndjekin më klishetë e pushimeve “hotel – shezlong – darkë në bufe”, por kërkojnë përvoja që ndërthurin natyrën, gastronominë vendase, lëvizjen fizike dhe aventurën.

Një ekskursion malor në Theth, një javë pune në distancë në një shtëpi tradicionale në jug, një kurs gatimi në një fermë italiane apo një koncert veror në një qytet mesdhetar, janë kthyer në skenarë realë pushimesh, që mbeten gjatë në kujtime dhe…në galeritë e telefonit.

Sipas të dhënave nga agjencitë turistike dhe platformat online, po vërehet një rritje e qartë e interesit për udhëtime përtej sezonit të pikut, si dhe për formate të reja, më fleksibël.

Qershori dhe shtatori po fiton gjithnjë e më shumë peshë si muaj zgjedhjeje, jo vetëm për çmimet më të ulëta, por edhe për përvojën më të qetë.

Ndërkohë, inflacioni dhe rritja e kostove kanë ndikuar te shporta e përditshme e konsumatorit, por jo domosdoshmërisht te vendimi për të udhëtuar.

Sipas komunikimeve me agjencitë, ata pohojnë se shqiptarët po kursejnë në blerje të tjera, më pak veshje, më pak dalje, më shumë planifikim, për të përballuar një verë që duhet “të jetë e paharrueshme”. Sipas agjencisë Ilirida Travel, tashmë rezervimet e hershme të janar-marsit janë bërë shumë më të zakonshme se 5 vite më parë dhe sipas kësaj logjike prenotimi, kursehet deri në 30%.

Pra, ku do të pushojnë shqiptarët këtë vit? A do t’u qëndrojnë besnikë plazheve të njohura, apo do të eksplorojnë rrugë të reja? Tendencat e reja tregojnë se përgjigjja nuk është më e thjeshtë.

Pushimet janë bërë më shumë sesa një destinacion, janë një përzierje zgjedhjesh personale, përvoje kulturore, buxheti dhe ëndrrash të vogla që duhen realizuar, qoftë për një fundjavë apo për një javë të tërë.

Të rinjtë pushojnë ndryshe

Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku një paketë standarde mjaftonte për të qenë i kënaqur, sot udhëtarët shqiptarë, veçanërisht brezi i ri, po bëhen gjithnjë e më kërkues. Ata nuk ndjekin më klishetë e pushimeve “hotel – shezlong – darkë në bufe”, por kërkojnë përvoja që ndërthurin natyrën, gastronominë vendase, lëvizjen fizike dhe aventurën.

Greqia dhe Turqia, zgjedhjet kryesore

Edhe këtë vit, e njëjta panoramë, për pushime shqiptarët zgjedhin kryesisht fqinjët grekë dhe ‘vëllezërit’ turq. Greqia zgjidhet për destinacionet me aksesin e shpejtë dhe të afërt dhe sidomos, nga të pasionuarit e aventurës në ishujt e saj.

Turqia vijon të pëlqehet për komoditetin e chart-erave të linjës direkte dhe resortet “ultra all inclusive”.

Drejtuesit e agjencisë Union Travel thonë se destinacionet më të pëlqyera në Greqi janë Korfuzi, Halkidhikia e Parga.

Afërsia dhe mundësia për të shkuar në këtë destinacion edhe me automjete private e bëjnë më të vizituar dhe të prekshëm nga një pjesë e mirë e shqiptarëve që zgjedhin të pushojnë jashtë.

Por, e pohuar nga të gjitha agjencitë, Greqia këtë vit ka qenë 20% më e shtrenjtë se sa viti i shkuar. Nga agjencia ATHS kjo ka ndodhur sepse Greqia nuk ka oferta të reja strukturash akomoduese dhe ato ekzistueset “justifikohen” me kosto e rritura të mirëmbajtjes.

Ofertat për këtë destinacion janë për hotelet me katër e pesë yje, për 5 apo deri në 10 ditë qëndrim. Alternativë tjetër janë pushime në Korfuz, duke filluar nga 500 euro për person në hotele me 4 yje; në Halkidiki, duke nisur nga 550 euro për person, sipas Union Travel, të cilat janë destinacione të preferuara ndër vite.

Në Turqi, tre janë destinacionet që kërkohen  për shkak të ofertave të shumta: Antalya, Bodrum dhe Alanya.

Nga Union Travel thonë se çmimet fillojnë me 600 euro/personi dhe arrijnë deri në 2000 euro në disa resorte më të kripura. Shqiptarët në Turqi parapëlqejnë të prenotojnë në resorte me katër e pesë yje dhe me shërbime “all” apo edhe “ultra all inclusive”.

Antalia është destinacioni kryesor, i ndjekur nga Kemeri, Bodrumi e Alania. Koha e qëndrimit llogaritet mesatarisht nga 7 net.

“Për prenotimet e hershme, në Antalya ka pasur oferta hotelesh që kanë zbatuar deri edhe në 50% ulje të çmimeve. Një paketë për qëndrim në hotel me pesë yje, për 7 ditë, është ofruar me çmim prej 600 euro/personi”, thonë drejtuesit e agjencisë ATHS.

Shtrenjtohet Greqia

Greqia këtë vit ka qenë 20% më e shtrenjtë se sa viti i shkuar. Nga agjencia ATHS kjo ka ndodhur sepse Greqia nuk ka oferta të reja strukturash akomoduese dhe ato ekzistueset “justifikohen” me kosto e rritura të mirëmbajtjes.

Dubai dhe Egjipti, kërkesa në rritje

Përveç destinacioneve tradicionale si Greqia dhe Turqia, këtë verë po vërehet interes gjithnjë e më i madh për vende si Dubai dhe Egjipti. Këto destinacione, dikur të konsideruara më shumë si “luksoze” apo sezonale vetëm për dimër, tani po shndërrohen në zgjedhje të zakonshme për pushimet verore të shqiptarëve.

Dubai, me paketat e tij me çmime që nisin nga 900 deri në 1,200 euro për person për 5-7 ditë (përfshirë fluturimin, akomodimin dhe guidat), po tërheq udhëtarë që kërkojnë një kombinim të qytetarisë moderne me relaksin oriental.

Ndërkohë, Egjipti, me resortet e shumta “all inclusive” në Sharm El Sheikh dhe Hurghada, ofron një raport cilësi-çmim që është ende konkurrues në treg, paketat variojnë nga 750 në 950 euro personi për javë, duke përfshirë gjithçka.

Agjencitë turistike konfirmojnë rritjen e rezervimeve për këto dy destinacione, të cilat po tërheqin jo vetëm pushues tradicionalë, por edhe çifte të reja dhe të rinj që kërkojnë përvoja ndryshe, përtej Europës klasike.

Klima ekzotike, shërbimi dhe mundësia për të postuar “diçka ndryshe” në rrjete sociale janë kthyer në motivues shtesë në këtë zgjedhje, pohojnë agjentët e kontaktuar nga “Monitor”.

Për ata që duan të pushojnë pa e rënduar shumë buxhetin, paketat ekonomike mbeten një alternativë mjaft e kërkuar, veçanërisht në një verë ku çdo shpenzim po peshohet më shumë se zakonisht.

Greqia kontinentale, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, por edhe bregdeti shqiptar, ofrojnë mundësi reale për pushime 4 deri në 7-ditore, me çmime që variojnë nga 250 deri në 500 euro për person, në varësi të destinacionit, kategorisë së akomodimit dhe mënyrës së transportit.

Nga Matias Travel and Tours pohojnë se kanë përshtatur ofertat e tyre për këtë segment të tregut, duke ofruar paketa ekonomike me autobus, net në hotele me 3 yje, mëngjes të përfshirë dhe ndonjëherë edhe ekskursione lokale. Këto paketa janë veçanërisht të preferuara nga familjet me fëmijë dhe studentët, të cilët kërkojnë çlodhje dhe ndryshim ambienti, por nuk kanë luksin për të shpenzuar pa kufi.

Një nga ofertat tipike të sezonit përfshin një udhëtim me autobus drejt Pargas në Greqi ose Budvës në Mal të Zi, 4 net në hotel të kategorisë mesatare dhe mëngjes të përfshirë, për rreth 270-320 euro për person.

Alternativat vendase, si një fundjavë në Radhimë ose një minipushim në Velipojë apo Shëngjin, mund të jenë edhe më të përballueshme, sidomos kur organizohen vetë, pa ndërmjetës.

Dikur i konsideruar si “fund i sezonit”, shtatori po kthehet gjithnjë e më shumë në një muaj pushimesh të preferuar, sidomos për ata që duan të shmangin fluksin, temperaturat ekstreme dhe çmimet e larta të korrikut dhe gushtit.

Agjencitë turistike raportojnë një rritje të dukshme të kërkesës për udhëtime në shtator, si në destinacionet klasike europiane, ashtu edhe në qytete bregdetare më pak të eksploruara nga shqiptarët.

Një nga destinacionet më të kërkuara të këtij shtatori, sipas Ilirida Travel, është Costa Brava, në Barcelonë, një kombinim i mrekullueshëm mes plazheve mesdhetare dhe kulturës urbane spanjolle.

Paketa kushton 319 euro për person dhe përfshin: biletën e avionit, akomodimin për 4 net, mëngjesin, siguracionin e udhëtimit dhe nisjen nga data 12 shtator.

Çmimi, për një këto ditë pranë Barcelonës, është një mundësi që gjithnjë e më shumë shqiptarë po e shfrytëzojnë, veçanërisht të rinjtë apo çiftet pa fëmijë në shkollë.

Një tjetër destinacion që po zgjon interes është Malta, ishulli mesdhetar që ndërthur historinë, arkitekturën baroke dhe detin e kristaltë.

Kalemi Travel pohon se prenotimet për Maltën në shtator janë shtuar ndjeshëm, falë një oferte që përfshin 4 net qëndrimi, linjë direkte, mëngjes të përfshirë dhe siguracion shëndeti, me një kosto prej 380 euro për person.

Udhëtimi i organizuar dhe lehtësia në procedura, e bën këtë destinacion tërheqës për pushuesit që kërkojnë diçka ndryshe, por brenda një buxheti të arsyeshëm.

Për ata që kërkojnë destinacione më të veçanta, Kapadokia ofron përvojën unike të fluturimit me balonë dhe pamjet e shkretëtirës turke – një paketë 4-ditore me nisje në shtator kushton rreth 460-500 euro për person.

Ndërsa për dashamirësit e natyrës dhe bregdetit, Jugun e Italisë (Puglia, Bari, Leçe) e gjen me paketa nga 350 euro për 5 net.

Rajoni, më shumë në fundjavë

Për shumë shqiptarë, fundjavat jashtë vendit janë kthyer në një mënyrë të shpejtë dhe të përballueshme për të ndryshuar ajër, pa pasur nevojë për ditë të shumta pushimi apo buxhete të mëdha.

Falë linjave të shkurtra me makinë apo autobus dhe ofertave të shumta të agjencive turistike, destinacionet e rajonit, nga Mali i Zi në veri, deri në Selanik apo Ohër në juglindje, janë ndër më të preferuarat për arratisje të shkurtra, veçanërisht në periudhat jashtë sezonit të pikut.

Budva, Kotorri dhe Ulqini në Mal të Zi ofrojnë kombinimin perfekt mes detit dhe gjallërisë së jetës së natës, ndërsa çmimet për një fundjavë 2-3-ditore me akomodim dhe transport fillojnë nga 99 deri në 150 euro për person.

Një tjetër destinacion që po tërheq interes të shtuar është Ohri, me peizazhin e tij të qetë dhe çmime shumë konkurruese, një paketë tipike fundjave kushton rreth 85-110 euro për person, me mëngjes dhe ekskursione lokale të përfshira.

Selaniku dhe Janina, të arritshme lehtësisht me makinë apo autobus, janë gjithashtu zgjedhje të shpeshta për grupe të rinjsh apo çifte që kërkojnë pak shopping, pak det dhe shumë relaks.

Në shumicën e rasteve, këto udhëtime organizohen të premten pasdite me kthim të dielën në mbrëmje, një format që po fiton popullaritet të veçantë për ata që nuk duan të humbasin as ditët e punës, as fundjavën./MONITOR

Protestuesit ne Beograd nisin përplasjet me policinë.

Pas fjalimit të fundit në protestën në Slavija, protestuesit hoqën jelekët dhe bënë thirrje për dhunë totale

Fjalët e tyre të fundit ishin se kjo nuk është më një protestë studentore dhe se “drita jeshile” është dhënë.

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, i ka dënuar ashpër “sulmet e pjesëmarrësve në marshin në sheshin Sllavija ndaj pjesëtarëve të Ministrisë së Brendshme”.Ai ka thënë se do t’i ndërmarrë të gjitha masat për të rikthyer rendin publik dhe që të gjithë ata që e kanë sulmuar policinë do të ndiqen penalisht.

Vetë Vuçiç e ka publikuar një video – para se të shpërthente dhuna – nga Parku i Pionierëve, ku janë mbledhur studentët pro tij, duke thënë se “bllokuesit humbën”.

“Studentët fituan, bllokuesit humbën. Krenar me këta të rinj”, ka shkruar presidenti serb në Instagram.

Sipas tij, në protestën e së shtunës ka pasur tre herë më pak njerëz sesa më 15 mars, kur është mbajtur një protestë masive.

Sipas Vuçiçit, studentët do të kthehen në universitete dhe i ka falënderuar ata që i kundërshtojnë bllokadat.
Studentët i bëjnë përgjegjëse institucionet për shembjen e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntorin e vitit të kaluar, që ka rezultuar me vdekjen e 16 personave, prandaj po kërkojnë nga Qeveria që t’i dërgojë presidentit Vuçiq një propozim për shpërndarje të parlamentit dhe shpallje të zgjedhjeve të reja.
Kërkesa e dytë është ndërprerja e tubimit të mbështetësve të Qeverisë, të cilët deklarojnë se duan të mësojnë. Ata u kanë thënë ultimatum autoriteteve deri në orën 21:00 të së shtunës që t’ua plotësojnë kërkesat.
Mirëpo, Vuçiç ka thënë më 27 qershor se “ultimatumi nuk është pranuar”.
Disa ditë më parë, autoritetet i kanë arrestuar gjashtë persona për përgatitje të “përmbysjes së dhunshme të rendit kushtetutës”. Autoritetet i akuzojnë organizatorët e protestës se janë “duke u përgatitur për dhunë”.
Studentët, në anën tjetër, kanë deklaruar se me veprimet e tyre deri tani kanë treguar se janë kundër çdo forme të dhunës.

I riu nuk i ndaloi postbllokut, policia qëlloi drejt automjetit

Incident mes policisë dhe një të riu në aksin rrugor Lezhë-Milot, pranë fshatit Gajush.

I riu nuk është bindur urdhërit për të ndaluar dhe blutë kanë qëlluar në drejtim të mjetit të tij. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, ndërsa për ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet. Është arritur të neutralizohet i riu dhe të ndalohet.
Është shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Ndotja ne Gorisht – ALBPETROL deklarate per mediat mbi situaten

DEKLARATË PËR MEDIAT

Kompania Albpetrol sh.a, në zbatim të detyrave të saj funksionale, gjatë viteve të fundit ka vendosur mbrojtjen e mjedisit në krye të listës së prioriteteve, si rrjedhoje e strategjive kombëtare dhe vendimeve të Qeverisë Shqiptare, në mbrojtje të pasurive natyrore kombëtare. Në mënyrë të veçantë ky orientim është bërë i domosdoshëm, nisur nga një situatë e rënduar, e trashëguar nga shfrytëzimi për dekada me radhë, i zonave naftëmbajtëse.

Vendburimi i Gorisht-Koculit, i publikuar ditët e fundit në media, është një vendburim 60-vjeçar si pjesë e industrisë së nxjerrjes së naftës në këtë zonë.

Gjatë aktivitetit kesaj zone, për 6 dekada me radhë, ky vendburim ka prodhuar mbetje të shumta, të cilat deri para pak vitesh nuk janë trajtuar sipas protokolleve teknike, të cilat ne zbatojmë rigorizisht sot për eleminimin e tyre.

Kompania Albpetrol është e angazhuar plotësisht për të rehabilituar pjesën e lumit të ndërlidhur me zonën naftëmbajtëse, sipas kushteve teknike dhe hapësirave financiare në një kohë sa më të shkurtër.

Aktualisht, në zonë nuk ka asnjë aktivitet të ri ndotës prej shumë kohësh. Operimet zbatojnë protokollet teknike të nxjerres dhe evadimit në përputhshmëri të manualeve dhe në respekt të plotë të mbrojtjes së mjedisit. Albpetrol po e zvogëlon çdo vit sasinë e mbetjeve të trashëguara e kjo vërtetohet nga veprimet e ndërmarra zyrtarisht.

Fatkeqësisht kjo njollë aktivizohet në temperatura të larta, pasi gjatë pjesës tjetër të vitit, nuk ka rrjedhje të këtyre mbetjeve, dhe ky është një fakt tjetër që mund të provohet lehtësisht edhe nga ekspertët e mbrojtjes së mjedisit dhe raportimet e mediave.

Kompania Albpetrol do të vijojë me një plan masash të përcaktuar qartë, të pastrojë zonat e ndotura për dhjetëra vite me radhë, duke i kushtuar kujdes të veçantë mbrojtjes dhe rehabilitimit të mjedisit, sidomos në mbrojtje të pasurisë tonë natyrore kombëtare, Lumit Vjosë.

Çmimi i naftës në botë drejt rënies

Çmimet e naftës u rritën të premten, megjithatë projeksionet po tregojnë se do të pësojnë uljen më të madhe javore që nga marsi 2023.

Mungesa e ndërprerjeve të mëdha në furnizim si pasojë e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit ka bërë që primet e rrezikut gjeopolitik të zhduken pothuajse plotësisht.

Nafta Brent u rrit me 54 cent, ose 0.8%, duke arritur në 68.26 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate (WTI) u rrit me 60 cent, ose afërsisht 0.9%, në 65.83 dollarë për fuçi.
Gjatë konfliktit 12-ditor që nisi më 13 qershor, pasi Izraeli goditi objektet bërthamore iraniane, çmimet e Brent-it u ngjitën përkohësisht mbi 80 dollarë për fuçi, por më pas ranë në 67 dollarë pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim mes dy vendeve. Si pasojë, të dy kontratat janë në rrugë për të regjistruar një rënie javore prej rreth 12%.Tregu pothuajse e ka injoruar tërësisht rrezikun gjeopolitik të para një jave dhe po i rikthehet një tregu të drejtuar nga themelet ekonomike”, deklaroi analisti i Rystad Energy, Janiv Shah.
Vëmendja është gjithashtu e përqëndruar në takimin e ardhshëm të OPEC+, i cili do të mbahet më 6 korrik dhe pritet të përcaktojë nivelet e prodhimit për muajin gusht.

Sipas analistëve, mund të ketë hapësirë për një muaj tjetër me ulje të shpejtuar të kufizimeve të prodhimit, por gjithçka do të varet nga treguesit e kërkesës gjatë verës.
Të dhënat e Administratës për Informacionin mbi Energjinë në SHBA (EIA), të publikuara të mërkurën, treguan se rezervat e naftës së papërpunuar dhe karburanteve kanë rënë në javën e kaluar, ndërsa aktiviteti i rafinimit dhe kërkesa janë rritur.

Po ashtu, të dhënat e së enjtes treguan se rezervat e naftës gasoil në qendrën e rafinimit dhe magazinimit Amsterdam-Roterdam-Anvers (ARA) kanë rënë në nivelin më të ulët në më shumë se një vit.
Në të njëjtën kohë, importet kineze të naftës iraniane pësuan rritje të ndjeshme në muajin qershor, si rezultat i përshpejtimit të dërgesave përpara përshkallëzimit të konfliktit dhe rritjes së kërkesës nga rafineritë e pavarura.
Kina është importuesi më i madh në botë i naftës dhe blerësi kryesor i naftës iraniane.
Sipas të dhënave të kompanisë së ndjekjes së anijeve Vortexa, Kina ka blerë mbi 1.8 milion fuçi naftë iraniane në ditë gjatë periudhës 1–20 qershor, një rekord sipas të dhënave të firmës.

Zjarret në vend: Rrezik në qarqet: Lezhë, Durrës, Fier ,Tiranë

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 9 vatra zjarri në pesë bashki: Tiranë, Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Berat.

Të gjitha vatrat janë neutralizuar me sukses, pa shkaktuar dëme në njerëz, banesa apo gjënë e gjallë.
Në 6 raste, zjarri ka përfshirë sipërfaqe me shkurre dhe barishte, duke shkaktuar djegien e rreth 0.5 hektarëve.

Në 2 raste, zjarri ka rënë në banesa: një në lagjen nr. 5 të Bashkisë Kavajë dhe një në fshatin Ishull Shëngjin, ku janë shkaktuar dëme materiale. Në rastin e Ishull Shëngjinit, për shkak të një rrjedhjeje gazi, është lënduar një grua, e cila u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës.
Në një rast tjetër, një automjet privat është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 9 forca operacionale dhe 64 automjete zjarrfikëse.
Sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme nuk parashikohen reshje shiu.
Sa i përket rrezikut nga zjarret, pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet: Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera parashikohet nivel rreziku “I MODERUAR”.I gjithë mekanizmi i Mbrojtjes Civile, si në nivel vendor ashtu edhe qendror, mbetet i angazhuar dhe në ndjekje të vazhdueshme të situatës.

Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta dhe të raportojnë çdo rast pranë institucioneve përkatëse në kohë reale.

Tiranë, taksia përplaset me kangjellat te Ambasada Amerikane

Një aksident automobilistik është regjistruar mëngjesin e kësaj të shtune në Tiranë.

Siç shihet edhe në foton e mëposhtme, drejtuesi i një taksie ka humbur kontrollin mbi mjetin e tij dhe për pasojë taksia është përplasur me barrierën anësore të rrugës dhe me një pemë.




Taksia e përfshirë në aksident i përket kompanisë “Blue Taxi”, teksa pema dhe kangjellat kanë shmangur tragjedinë, pasi makina mund të përfundonter në trotuar, duke perplasur këmbësorë që ishin në rrugën e tyre.

Nuk dihet nëse ka të lënduar apo jo, teksa Policia ndodhet në vendin e ngjarjes.