Paris-2 v*ktima mes festimeve të PSG-së për fitoren në Ligën e Kampioneve

Festimet për triumfin historik të Paris Saint-Germain në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Inter Milan (5-0) u kthyen në episode dhune dhe tragjedi në disa qytete të Francës, duke shkaktuar dy viktima dhe qindra të plagosur, sipas autoriteteve franceze.

Sipas një zëdhënëseje të policisë, një i ri u godit për vdekje me thikë në qytetin Dax, në jug të vendit, teksa një turmë po festonte fitoren e PSG-së. Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta dhe hetimet janë në vijim.

Ministria e Brendshme franceze konfirmoi gjithashtu një viktimë të dytë: një grua që po udhëtonte me skuter në Paris u përplas për vdekje nga një automjet gjatë kaosit të krijuar nga tifozët.

Përtej dy viktimave, Ministria raportoi një bilanc të lartë dhune në të gjithë vendin:

192 persona janë plagosur, përfshirë 22 efektivë policie dhe 7 zjarrfikës.

Të paktën 559 persona janë arrestuar, kryesisht në Paris, ku pati përplasje mes tifozëve dhe forcave të rendit.

Në qytetin Grenoble, një makinë u përplas me një grup njerëzish, duke plagosur katër anëtarë të një familjeje, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Policia e trajton këtë si një aksident.

Fitorja e PSG-së në Mynih, e cila shënoi suksesin e parë të klubit në këtë kompeticion prestigjioz, u shoqërua me një atmosferë të elektrizuar në të gjithë Francën. Por, për fat të keq, festimet në shumë zona degraduan në përleshje, vandalizëm dhe ngjarje tragjike.

Autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kanë bërë thirrje për qetësi dhe për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ngjashme.

Energjia nga era – nisin procedurat për impiantin ne Orikum

Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur për herë të parë këtë vit të nisë procedurat për licencimin e një kompanie për prodhimin e energjisë elektrike nga impiantet e erës. Vendimi është marrë për shoqërinë “SunPro”, për një impiant me kapacitet prodhues 3 MW, me vendndodhje në Tragjas, Njësia Administrative Orikum.

Ky hap vjen në një moment kur energjia eolike vijon të mbetet një potencial i pashfrytëzuar. Të dhënat për vitin 2024 tregojnë se janë dy projekte me fuqi totale të instaluar prej 148.5 MW që kanë marrë opinion paraprak për t’u lidhur në sistemin e transmetimit.

Projekti i parë është “Park Eolik Pogradec” me kapacitet 120 MW, ndërsa tjetri, “Park Eolik Drin-2”, parashikohet të ketë një fuqi të instaluar prej 28.5 MW. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që projekte të tilla marrin miratime paraprake. Vitet e kaluara, një sërë nismash të ngjashme kanë kaluar fazat e parë të vlerësimit, por deri më sot asnjëra prej tyre nuk ka hyrë në fazën e prodhimit.

Sipas të dhënave zyrtare nga ERE, aktualisht në Shqipëri janë vetëm dy kompani që mbajnë licencë për prodhimin e energjisë nga era, por edhe këto nuk kanë nisur ende ndërtimin e impianteve përkatëse.

Ekspertët e energjisë e konsiderojnë erën si një burim të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme, me potencial të lartë për të kontribuar në sigurinë energjetike dhe për të ulur varësinë nga burimet hidrike. Ndërkohë që, Enti Rregullator i Energjisë thekson se zhvillimi i energjisë së erës, por edhe i burimeve të tjera si fotovoltaikët dhe hidrocentralet e vegjël, kërkon një integrim më të mirë në rrjetin e transmetimit dhe investime të shtuara në infrastrukturën elektroenergjetike të vendit.

Vr*tet te dera e shtëpisë 57-vjeçari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Talë të Lezhës, ku një 57-vjeçar është vrarë me armë zjarri në rrethana ende të paqarta.

Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza, i cili u gjet i pajetë brenda në makinën e tij, në oborrin e banesës, sapo ishte kthyer në shtëpi.

Autori i krimit është ende i paidentifikuar dhe nuk dihen motivet e vrasjes.

 Forcat e policisë kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për grumbullimin e provave dhe marrjen në pyetje të familjarëve dhe banorëve të zonës.

Grupi hetimor po ndjek disa pista për zbardhjen e rrethanave të krimit.

Njoftimi i Policisë

Në fshatin Tale, Lezhë, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. K., rreth 57 vjeç, banues në Tale. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ngjarja ka ndodhur para banesës së tij, në kohën që  shtetasi P. K., po kthehej për në banesë me automjetin e tij. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë vendore të mbështetura nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Shkodër”, bënë me dije burime zyrtare.

Euro më e lirë, por çmimet nuk janë ulur – Importet, tregjet lokale nuk pasqyrojnë ndryshimin

Pavarësisht se zhvlerësimi i euros ka ndikuar në uljen e kostos së produkteve të importuara, çmimet për konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të jenë në rritje. Kjo tendencë konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, të cilat nxjerrin në pah një kontrast të fortë mes çmimit të blerjes nga jashtë dhe çmimit final në tregun vendas.

Gjatë katër muajve të parë të vitit 2024, çmimi mesatar i një kilogrami drith në import ka rënë nga 46.4 lekë në 37.6 lekë – një ulje prej rreth 19%. Megjithatë, kjo rënie nuk është reflektuar në mënyrë proporcionale në treg, pasi çmimi i bukës dhe produkteve të tjera të përpunuara vijon të qëndrojë në nivele të larta.

E njëjta situatë vihet re edhe në tregtinë e frutave dhe perimeve. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, çmimi mesatar i importit për një kilogram zarzavate ishte 72.5 lekë, aktualisht është ulur në 64 lekë, duke shënuar një rënie me afro 12%. Megjithatë, në vend që kjo të çonte në çmime më të ulëta për konsumatorin, frutat dhe perimet janë shtrenjtuar nëpër tregjet e vendit.

Situata nuk ndryshon as në kategorinë e mishit dhe produkteve të tij, përfshirë edhe bulmetin e vezët. Edhe pse çmimet e importit për këto produkte janë në rënie, konsumatorët vijojnë t’i blejnë ato me çmime të larta në supermarkete, dyqane lagjesh apo tregje të hapura.

/SCAN/

Naftë per fermeret- Mbi 68 mijë aplikime në skemën e bujqësisë

Mbi 68 mijë fermerë aplikuan për të përfituar subvencion në bujqësi, nga të cilët 90% e tyre kërkojnë të përfitojnë naftën pa akcizë. Të premten në mesnatë u mbyll afati për aplikimin në Skemën Kombëtare të Subvencioneve.

 Qeveria ka vënë në dispozicion të fermerëve subvencione për 8 masa që do të financohen, ku përfshihet mbështetja për tufën bazë të matrikuluar/ lopë/ dele dhe dhi; mbarështimi i bletarisë; mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera; mbështetje për kultivimin e bimëve aromatiko-mjekësore; mbështetje për fermat organike; certifikimi Global GAP; si dhe mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi.

Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill. Ata që kanë lopë do të marrin 10 mijë lekë për krerë, ndërsa ata që mbarështojnë të imëta 1 mijë e 200 lekë. Me 1 mijë lekë do të mbështeten bletarët, ndërsa kultivuesit e perimeve, luleshtrydheve dhe rrushit do të marrin 200 mijë lekë për hektarë. Pwr bimët medicinale, mbwshtetja wshtw 30 mijë lekë/ hektarë.

Sa i takon shpërndarjes gjeografike, edhe këtë vit numri më i lartë i aplikimeve është në qarqet ku bujqësia e blegtoria është më e zhvilluar, si Fier, Korçë, Berat dhe Elbasan.

Fondet e vëna në dispozicion për fermerët, kanë rritur ndjeshëm formalizmin në bujqësi, pasi kushti kryesor për të përfituar është pasjisja me NIPT. Këtë vit janë mbi 5,200 fermerë të cilët janë pajisur rishtazi me NIPT në tatime.

 48-vjeçari bie nga lartësia, ndërron jetë në vend

Një 48-vjeçar ka humbur jetën paraditen e së shtunës në Tiranë, pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punës në një pallat në ndërtim.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Brigada VIII”. Viktima është një shtetas i huaj nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Tiranë/Informacion paraprak.

Më datë 31.05.2025, në rrugën “Brigada VIII”, dyshohet se gjatë punës në një pallat në ndërtim, ka rënë nga lartësia dhe ka humbur jetën punëtori, shtetasi i huaj V. N., rreth 48 vjeç,(Bosnjë-Hercegovinë).

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, njofton policia.

Ekstradohet nga Italia 44 vjecari i denuar nga gjykata Fier

Dy shtetas shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale të ndryshme, janë arrestuar dhe ekstraduar drejt Shqipërisë nga Greqia dhe Italia.Në Greqi u arrestua një 34-vjeçar me inicialet N. K., alias N. T., ndaj të cilit Gjykata e Matit kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet si bashkëautor në kultivimin e bimëve narkotike në një parcelë në zonën e Ulëzës, Dibër, në vitin 2022. Pas ndalimit të tij nga autoritetet greke, u krye me sukses ekstradimi drejt Shqipërisë.

Ndërkohë, në Milano të Italisë, u kap dhe u ekstradua një 44-vjeçar me inicialet O. J., alias O. Ç., i dënuar nga Gjykata e Fierit me 6 muaj burg për veprën penale “Dhunë në familje”.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kapja e tij erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane.

Ekstradimet janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për vendosjen para drejtësisë të personave të shpallur në kërkim për vepra penale brenda dhe jashtë vendit.

Makina përfshihet nga flakët në aksin rrugor Fier-Roskovec

Një automjet është përfshirë nga flakët ditën e sotme në aksin rrugor Fier–Roskovec, në vendin e njohur si “Kthesa e Marinzës”.

Ngjarja ndodhi rreth mesditës, duke shkaktuar panik tek drejtuesi i mjetit që udhëtonte në të. Sipas raportimeve paraprake, automjeti është djegur totalisht, por nuk ka të lënduar.Shërbimet zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje menjëherë pas njoftimit dhe bënë të mundur neutralizimin e flakëve. Paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.