I shpallur në kërkim nga GJKKO,arrestohet 36-vjeçari

Policia ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Member”, duke vënë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim nga drejtësia për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

I arrestuari është Fredi Pali, 36 vjeç, banues në Lezhë, i cili u lokalizua dhe u kap nga forcat policore në zonën e Ishull Shëngjinit, pas një hetimi të kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ndaj 36-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më datë 11 prill 2023, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Fredi Pali akuzohet për disa vepra penale të rënda, përfshirë:

“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal;

“Grupi i strukturuar kriminal”;

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Nga hetimet rezulton se i arrestuari ka qenë pjesë aktive e një grupi kriminal, që vepronte në fushën e trafikut të narkotikëve, ndërsa dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe në pastrimin e të ardhurave të përfituara nga veprimtaritë e paligjshme.

Materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për hetime të mëtejshme.

Shpërndahen 11 milionë euro per fermeret. Nga nafta, tek blegtoria e bletaria

Rreth 23,396 fermerë në të gjithë vendin kanë arritur të marrin financim, pasi janë shpallur fitues në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësisë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë,  disbursimi i fondeve të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025 vijon intesivisht, ku deri më tani janë shpërndarë rreth 1,13 miliard lekësh apo 11 milionë euro, ndërsa pagesat për përfituesit e tjerë janë në proces.

Masat e Skemës Kombëtare 2025 përfshijnë: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta); zhvillimin e bletarisë; mbështetje për farë, fidanë dhe inpute të tjera; kultivimin e bimëve mjekësore-aromatike; fermat organike; certifikimin Global GAP; ⁠mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

69.917 aplikime janë regjistruar në e-Albania nga fermerët apo Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor për të pasur akse nga fondet e vëna në dispozicion për financimin e sektorit bujqësor përmes Skemës Kombëtarë të Mbështetjes 2025. 

Më shumë aplikime janë regjistruar për skemën e naftës, me afro 52.837 aplikime, ndërsa interes të lartë ka pasur edhe për blegtorinë dhe bletarinë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural,  për masat 1-7 janë në total janë 7272 fermerë përfitues. 

Përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025, synohet ulja e kostove të prodhimit për fermerët, rritja e rendimentit dhe fuqizimi i  prodhimit MadeinAlbania duke forcuar konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Aplikimet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi janë hapur më 14 Prill dhe janë mbyllur me 30 maj 2025.

Fondi është 3.2 miliardë lekë dhe i është dhënë më shumë financimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor, të cilat do mund të përfitojnë në masën 100%.

Mbi 67 mijë fermerë në të gjithë vendin kanë përfituar financim nga Skema e Subvencioneve në bujqësi përgjatë vitit 2024, nga të cilët 14,937 përfitues nga skema kombëtare si dhe 52,195 të planifikuar nga skema e subvencionimit të naftës për bujqësinë.

Shqiptarët, të fiksuar pas inteligjencës artificiale

Tendencat në botën digjitale ndryshojnë me një shpejtësi të madhe, duke reflektuar risitë më të fundit të teknologjisë, zhvillimet e tregut global dhe aplikacionet që njerëzit përdorin çdo ditë. Të dhënat mbi shkarkimet dhe përdorimin e programeve janë një tregues i qartë se si kalojmë kohën tonë gjatë lundrimit në internet dhe çfarë preferencash teknologjike po formësojnë jetën tonë të përditshme. Sipas statistikave të publikuara nga App Figures, qytetarët shqiptarë gjatë muajit shtator kanë treguar prirje të qarta drejt aplikacioneve të inteligjencës artificiale, lojërave dhe platformave praktike të shërbimeve online.

Tek përdoruesit e Android, aplikacioni më i shkarkuar është ChatGPT, i cili ka fituar popullaritet falë funksioneve të shumta. Ky fakt tregon se përdoruesit shqiptarë janë gjithnjë e më të prirur të shfrytëzojnë inteligjencën artificiale për të lehtësuar punën e tyre të përditshme. Në vend të dytë qëndron platforma e blerjeve online TEMU, e cila po njeh një rritje të shpejtë jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë Europën. Roblox, një nga lojërat më të njohura ndërkombëtarisht, mban vendin e tretë, duke reflektuar faktin se gjeneratat e reja në Shqipëri janë pjesë e një trendi global të argëtimit virtual. Në listën e Top 10 nuk mungon as aplikacioni e-Albania, i cili dëshmon për rritjen e ndjeshme të përdorimit të shërbimeve publike elektronike përmes telefonave inteligjentë.

Panorama ndryshon disi tek përdoruesit e App Store, ku në vend të parë renditet Google Gemini, inteligjenca artificiale më e avancuar e platformës Google. Ky aplikacion po fiton gjithnjë e më shumë përdorues dhe tregon se inteligjenca artificiale nuk kufizohet vetëm në një program, por po shfaqet me alternativa të ndryshme që përdoruesit zgjedhin sipas nevojave. Pas tij, në vendin e dytë qëndron ChatGPT, ndërsa në vendin e tretë renditet Kuleta Digjitale, një aplikacion i cili gjithashtu ka tërhequr interes në tregun shqiptar. TEMU dhe Wolt, aplikacioni i njohur për dërgesa ushqimore, plotësojnë pesëshen e parë të renditjes,

Nga ana tjetër, rrjetet sociale si Facebook, Instagram vazhdojnë të mbeten mes aplikacioneve më të shkarkuara, por nuk kryesojnë listën, pasi ato nuk përbëjnë më një risi. Shumica e përdoruesve i kanë prej kohësh në telefonat e tyre dhe i përdorin si pjesë të pandarë të jetës së përditshme

Vr*në 2 shtetas në Roskovec, Prokuroria Fier dërgon në gjyq 7 persona, 3 për ‘Vr*sje në rrethana të tjera cilësuese’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit Altin Kukaj., Ervis Kukaj. dhe Emauris Kukaj për veprën penale ‘Vrasja në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79, gërma ‘dh’ e Kodit Penal si dhe katër persona të tjerë për përkrahje të autorit të krimit e moskallëzim të krimit.

Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.1375 të vitit 2024, u provua se të pandehurit A.K., Er.K., Em.K., në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kryer vrasjen e shtetasve Gramoz Kurtaj e Lavdirim Kurtaj

Pak para se të ndodhte ngjarja, i pandehuri Er.K. ka patur një konflikt fizik me djemtë e viktimës G.K., si dhe ka qëlluar me pistoletë kundrejt tyre dhe viktimës G.K. Pas komunikimit telefonik dy të pandehurit Em.K. dhe Er.K. janë takuar dhe ky i fundit i ka treguar ngjarjen.

Armën e zjarrit, automatik luftarak i modelit 56, me të cilën i pandehuri A.K. ka qëlluar viktimat G.K. dhe L.K., i pandehuri Er.K. i ka lënë në kasollen përbri pularisë me qëllim për t’imarrë në vijim i pandehuri Em.K. Ky i fundit, pasi ka marrë armën e zjarrit, automatik luftarak, ka shkuar në vendin ku ndodheshin viktimat, ka frenuar menjëherë para lokalit të tyre, ka marrë armën dhe ka mbushur karikatorin e saj, duke nxitur të pandehurin A.K. të qëllojë me breshëri drejt tyre. I pandehuri A.K. ka shtënë ndaj viktimave G.K. dhe L.K. me armën e zjarrit automatik luftarak, të cilën ia mori nga dora të pandehurit Em.K.

Gjithashtu, për të njëjtën ngjarje, Prokuroria ka marrë të pandehur dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq të të pandehurve: T.Z., akuzuar për kryerjen e veprës penale “Përkrahja e autorit të krimit” parashikuar nga neni 302/2 i K.Penal; Y.K..akuzuar për kryerjen e veprave penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 278, prg. 3 e 4, dhe 280, të Kodit Penal; R.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal; dhe E.H. akuzuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i K.Penal.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Rikthehet rimbursimi i TVSH-së për fermerët

Skema aktuale e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në bujqësi do të ndryshojë, duke shfuqizuar formulën që është zbatuar që nga viti 2018.

Sot, grumbulluesit që blejnë produkte nga fermerët vendas nuk përfitojnë rimbursim të TVSH-së, ndërsa për produktet e importuara rimbursohen me 20%, çka ka sjellë pasoja negative për sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve dhe peshkimit.

Në programin e ri të qeverisë të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikohet rimbursim i TVSH-së për fermerët, i cili do të funksionojë si transfertë direkte në mbështetje të tyre.

Për zbatimin e kësaj mase do të alokohen rreth 1,5 miliardë lekë në vit.

Aktualisht janë të regjistruar rreth 100 mijë fermerë me NIPT në të gjithë vendin, të cilët mund të shesin prodhimet e tyre pa faturë TVSH-je, përmes autofaturës që plotësohet nga blerësi.

Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së në masën 20% për fermerin kalonte nëpërmjet përpunuesve.  Nga viti 2019 deri në 2022, skema ndryshoi. Fillimisht në 2019-ën, TVSH-ja në blerje (nga fermerët) u ul në 6%.

Ndërsa TVSH-ja në shitje e produkteve të përpunuara mbeti 20%. Prej vitit 2022, skema e TVSH-së së kreditueshme u heq plotësisht, duke vendosur 0% TVSH të zbritshme për blerjet nga fermerët. Në vend të rimbursimit të TVSH-së, qeveria aplikoi subvencione direkte për fermerët

Ndryshimet e reja synojnë të rrisin konkurrueshmërinë e prodhimeve vendase dhe të përmirësojnë pozitat e fermerëve në treg.

Turqi-44-vjeçari q*llon me a*më ish-gruan dhe largohet nga vendngjarja

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur të mërkurën në qytetin Kahramanmaraş të Turqisë, ku një grua 42-vjeçare, Eser Karaca, u vra brutalisht nga ish-bashkëshorti i saj, Atilla Aydintapli, 44 vjeç.

Ngjarja makabre ndodhi brenda ambienteve të një spitali privat, ku viktima, nënë e dy fëmijëve, punonte.

Sipas mediave turke, momentet e krimit janë kapur nga kamerat e sigurisë së spitalit. Në pamje, autori shihet teksa hyn në zyrën e ish-gruas së tij me një çantë të zezë në dorë. Vetëm pak sekonda më pas, Karaca shihet duke dalë me nxitim nga zyra, duke tentuar të shpëtojë e ndihmuar dhe nga kolegia e saj.

Por Aydintapli, që mbante një pushkë të fshehur në çantë, e ndoqi atë dhe e qëlloi nga afër në shkallët e spitalit, ndërkohë që gruaja ngriti duart dhe iu lut të ndalonte. Pavarësisht kësaj, ai e qëlloi edhe dy herë të tjera përpara se të largohej me vrap nga vendngjarja.

Autori u arrestua shumë pak pas ngjarjes.

Hyn në fuqi udhëzimi i ri: Ndalohet përdorimi i telefonave në shkolla nga nxënësit dhe mësuesit

Ndalimi i telefonave në ambientet shkollore

Sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, nxënësit nuk do të lejohen të përdorin telefonat celularë gjatë qëndrimit në shkollë. Pajisjet do të dorëzohen në kutitë përkatëse në klasë në fillim të orës dhe do të qëndrojnë të fikura ose në modalitetin “Airplane” deri në përfundim të procesit mësimor.

Edhe mësuesve u ndalohet përdorimi i telefonave gjatë orës së mësimit, përveç rasteve emergjente ose për arsye pedagogjike të miratuara nga drejtoria e shkollës.

Procedura dhe masat disiplinore

Në rast shkeljeje, pajisja merret nga mësuesi dhe dorëzohet në drejtori, ndërsa prindi njoftohet menjëherë për ta tërhequr. Nëse shkelja përsëritet, parashikohen masa disiplinore si pjesëmarrja në aktivitete ndërgjegjësuese ose masa më të rënda për nxënësit e shkollave të mesme.

Roli i prindërve

Prindërit kanë përgjegjësinë të bashkëpunojnë me shkollën, të informohen mbi rregullat dhe të sigurojnë që fëmijët e tyre nuk përdorin telefonin gjatë qëndrimit në institucionin arsimor.

Qëllimi i udhëzimit

Ky udhëzim bazohet në parimet kombëtare dhe ndërkombëtare të arsimit dhe synon të përmirësojë disiplinën, të rrisë përqendrimin gjatë orëve të mësimit dhe të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë midis nxënësve dhe mësuesve.

Çfarë përcakton udhëzimi

NDALIMI I PËRDORIMIT TË TELEFONAVE CELULARË DHE PAJISJEVE TË NDËRLIDHURA ME TELEFONIN

1. Ndalohet përdorimi i telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të nga nxënësit gjatë procesit mësimor dhe gjatë qëndrimit në mjediset e institucionit arsimor parauniversitar.

2. Përdorimi i telefonit celular dhe pajisjeve të ndërlidhura me të gjatë orëve të mësimit është i ndaluar edhe për mësuesit, përveç rasteve emergjente, të përcaktuara në rregulloren e shkollës apo kur përdorimi lidhet drejtpërdrejt me nevoja të provuara pedagogjike ose organizative të procesit mësimor të lejuara nga drejtoria e shkollës.

3. Çdo pajisje e konstatuar apo përdorur në mënyrë të palejuar në ambientet e shkollës merret nga mësuesi dhe dorëzohet në drejtorinë e shkollës, deri në përfundim të orarit mësimor.

4. Përjashtimisht për nevoja urgjente nxënësit mund të komunikojnë me prindin apo personat që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore, vetëm me lejen e mësuesit kujdestar/drejtorit të shkollës. Drejtuesit e shkollës janë në dispozicion për të mundësuar komunikimin e ndërsjellë të nxënësit me prindin në çdo rast emergjent të parashikuar në rregulloren e shkollës.

PËRGJEGJËSITË E DREJTORISË SË SHKOLLËS

a) të sigurojë në çdo klasë një kuti/sirtar për depozitimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të ndërlidhura me to, në rastet kur nxënësi i ka marrë ato në shkollë. Telefoni celular duhet të jetë i fikur ose në modalitetin “Airplane” dhe duhet të vendoset në kutinë e caktuar në klasë në nisje të procesit mësimor dhe deri në përfundim të tij;

b) personeli mësimor është përgjegjës për zbatimin e rregullit në klasë sipas përcaktimeve të bëra në rregulloren e brendshme të shkollës;

c) të përcaktojë në rregulloren e brendshme të shkollës, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtuesve të shkollës, mësuesve, oficerëve të sigurisë dhe shërbimit psikosocial, nxënësve, prindërve, të cilat lidhen me zbatimin e këtij udhëzimi;

d) të sigurojë që ky rregull t’i komunikohet të gjithë nxënësve dhe prindit/ve ose personave që ushtrojnë përgjegjësinë prindërore në fillim të vitit shkollor;

e) të organizojë takime me prindërit, për t’i informuar mbi rregullat dhe rëndësinë e zbatimit të tyre. Prindi duhet të konfirmojë që është njohur dhe e pranon këtë rregull;

f) të informojë sipas përcaktimeve në rregulloren e brendshme të shkollës, prindin apo personin që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit, përmes fletores së komunikimit digjital në Sistemin e Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP), për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë apo pajisjeve të ndërlidhura me to gjatë gjithë procesit mësimor;

g) të raportojë periodikisht për zbatimin e këtij udhëzimi në zyrën vendore të arsimit parauniversitar (ZVAP) për rezultatet e zbatimit të këtij udhëzimi dhe masat e marra.

ROLI DHE BASHKËPËRGJEGJËSIA E PRINDËRVE OSE E PERSONAVE QË USHTROJNË PËRGJEGJËSINË PRINDËRORE TË NXËNËSIT

1. Prindi apo personi që ushtron përgjegjësinë prindërore duhet të bashkëpunojë me shkollën për zbatimin e këtij udhëzimi, duke u angazhuar që nxënësi të mos marrë me vete apo të përdori telefonin celular apo pajisje të ndërlidhura me të, gjatë qëndrimit në shkollë.

2. Në rastin kur prindi ose personi që ushtron përgjegjësinë prindërore kërkon ta pajisë fëmijën me telefon celular në shkollë apo pajisje të ndërlidhura me të, duhet t’ia bëjë të ditur arsyen e pajisjes që në fillim të vitit shkollor drejtorisë së shkollës dhe duhet të angazhohet t’i bëjë të ditur fëmijës, se telefoni celular apo pajisja e ndërlidhur me të do të fiket apo vendoset ne modalitetin “Airplane” në kutinë/ sirtarin e përcaktuar në klasë/shkollë dhe nuk do të përdoren për asnjë rast gjatë procesit mësimor, përveç rasteve të parashikuara në bashkëpunim me drejtorinë e shkollës dhe të përcaktuara në rregulloren e brendshme të saj.

PROCEDURA NË RAST SHKELJEJE

1. Drejtoria e institucionit arsimor parauniversitar, në rast shkeljeje të këtij udhëzimi, është e detyruar të njoftojë menjëherë prindin apo personin që ushtron përgjegjësinë prindërore, përmes Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Parauniversitar (SMIP) dhe mjeteve të tjera të komunikimit shkollor.

2. Telefoni celular dhe pajisjet e ndërlidhura me të do t’i kthehen prindit apo personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit, pas orarit mësimor, në kohën kur prindi apo personi që ushtron përgjegjësinë prindërore paraqitet në shkollë dhe nxënësit i komunikohet me shkrim masa e marrë nga institucioni arsimor parauniversitar.

MASAT NË RAST TË SHKELJEVE

1. Në rast të shkeljes për herë të parë të këtij rregulli nga nxënësi, masa e marrë do të jetë “këshillim” që shoqërohet me shënim nga mësuesi kujdestar, i cili njofton me shkrim prindin dhe nëpërmjet përdorimit të fletores digjitale në SMIP. Ky njoftim përfshin edhe marrjen dhe dorëzimin e telefonit celular apo pajisjeve të ndërlidhura me të në drejtori. Prindi, pas njoftimit, paraqitet në shkollë për marrjen e telefonit celular dhe/ose të pajisjeve të ndërlidhura me të.

2. Në rast të përsëritjes së kësaj sjelljeje nga nxënësi i arsimit bazë, konsiderohet shkelje e përsëritur dhe ndaj tij merren masat si më poshtë:

a) këshillim përmes Komisionit të Disiplinës së Shkollës në prani të nxënësit dhe prindit;

b) pjesëmarrje e nxënësit në orë/aktivitete të posaçme edukative dhe këshilluese apo në aktivitete komunitare që lidhen me edukimin qytetar dhe digjital në bashkëpunim me klubet e shkollës, për të cilat informohet dhe prindi.

3. Në rast të përsëritjes së shkeljes nga nxënësi i arsimit të mesëm të lartë, lidhur me ndalimin e përdorimit të telefonit celular apo pajisjeve të ndërlidhura me të, do të konsiderohet shkelje e përsëritur dhe ndaj tij, merren në mënyrë të përshkallëzuar masa disiplinore të përcaktuara në rregulloren e brendshme të shkollës

4. Institucionet arsimore parauniversitare, në funksion të zbatimit efikas të këtij udhëzimi, krahas masave të përcaktuara në këtë krye, mund të shtojnë në rregulloren e tyre të brendshme edhe masa të tjera për nxënësit, me karakter ndërgjegjësues, sensibilizues dhe edukues.

/Monitor

Opozita në Fier kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut Armando Subashi

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Fierit nga radhët e opozitës, Endri Jaupaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Armando Subashi. Kërkesa e tij u bë gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit, duke theksuar mungesën e përsëritur të kryebashkiakut në seancat ku janë trajtuar kërkesa të opozitës.

Deklarata e Jaupit solli për disa çaste heshtje në sallë, ndërsa më pas ndërhyri kryetarja e Këshillit Bashkiak, Antoneta Çuni. Ajo sqaroi se, sipas ligjit, pjesëmarrja e kryebashkiakut në mbledhjet e Këshillit nuk është detyrim ligjor.

“Ligji nuk e detyron kryebashkiakun të marrë pjesë në çdo mbledhje të Këshillit. Ai ka përfaqësuesit e tij dhe administratën përkatëse për të dhënë shpjegime kur është e nevojshme”, theksoi Çuni, duke kërkuar vijimin normal të seancës.

© Neoalb