17-vjeçari g*det me g*rshërë një 40-vjeçar pas një konfl*kti për motive të dobëta

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku një 17-vjeçar është proceduar penalisht pasi ka sulmuar fizikisht një 40-vjeçar me një mjet prerës.Sipas Policisë, konflikti ka ndodhur më 20 shtator 2025 dhe ka pasur si pasojë plagosjen e lehtë të shtetasit D.V., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policise

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materiale në Prokurori dhe proceduan penalisht: • një shtetas të mitur 17 vjeç, pasi më datë 20.09.2025, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe ka goditur me një mjet prerës (gërshërë), shtetasin D. V., 40 vjeç, të cilit i ka shkaktuar plagë sipërfaqësore në trup dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ujku sulmon kopenë në Karbunarë të Vogël, 40 bagëti të ngo*dhura

Lushnje, 21 shtator 2025 – Një sulm i egër nga ujku ka tronditur banorët e fshatit Karbunarë e Vogël, në bashkinë e Lushnjes, ku një tufë me bagëti të imta është bërë pre e grabitqarit në orët e para të mëngjesit.

Sipas blegtorit, sulmi ka ndodhur rreth orës 03:30, në kohën kur bagëtitë ndodheshin në vathë. Nga 80 krerë dele dhe dhi, ujku ka mbytur 40 prej tyre, ndërsa pjesa tjetër kanë mbetur të plagosura rëndë ose lehtë, të shpërndara mes vathës dhe rrugëve pranë.Kur vajta në mëngjes, gjysma e tufës ishte e masakruar. Ujku i kishte ngrënë, kafshuar dhe të tjerat i kishte lënë rrugëve të plagosura. S’kishte parë ndonjëherë një sulm të tillë,” – tregon blegtori i tronditur.

Ngjarja ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike për familjen blegtore, ndërsa banorët shprehen të shqetësuar për rritjen e rasteve të sulmeve nga kafshë të egra, që po zbresin gjithnjë e më afër zonave të banuara.

Trafikuan shtetase nga Uganda me qëllim shfrytëzim prostitucioni, Prokuroria Fier arreston ‘tutorin’ dhe bashkëpunëtorët, nën akuzë për 6 vepra penale

Në kuadër të hetimeve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë, u arrestuan pesë persona, dy shtetase nga Uganda, ‘tutori’ dhe bashkëpunëtorët e tyre për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” kryer në bashkëpunim, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” kryer në bashkëpunim dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor” të parashikuar nga nenet 110/a/2, 115 dhe 25, 114/1 301 dhe 25, 279/2 dhe 25, 180/a/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Pas një hetimi proaktiv disa mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, dokumentoi veprimtarinë e jashtëligjshme të trafikimit të personave të rritur organizuar nga shtetasi O.P. administruar nga shtetësja K.H. 

Vajzat e trafikuara së fundmi ishin nga Uganda, të cilat kishin hyrë në vendin tonë në muajin mars 2024. Ato rekrutohen fillimisht si kërcimtare “strip dance” dhe më pas duke përfituar nga kushtet ekonomike dhe sociale pranonin kryerjen e shërbimeve seksuale në zonën “prive” të lokalit. O.P., duke patur si qëllim të pengojë zbulimin e së vërtetës, gjatë periudhës së hetimeve pasi ka mbyllur për disa kohë lokalin, ka përdorur shtetasen O.G. si qerramarëse dhe administratore fiktive. 

Edhe në këtë rast, shtetasi O.P. përdor një person vulnerabël, një vajzë me probleme familjare e sociale. Bashkëpunëtorja e tij K.H. menaxhonte lokalin, vajzat e punësuara ndërsa paratë e fituara ia dorëzonte organizatorit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan 611,000 Lekë, shuma parash në monedha të tjera dhe dy doreza përforcuese grushti metalike.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjitshëm Fier miratoi kërkesat e Prokurorit dhe caktoi masat e sigurimit “arrest në burg” për organizatorin O.P. dhe bashkëpunëtoren K.H., “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” për O.G. Për vajzat e huaja u caktua “detyrim për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

RAMA-“Së shpejti, ministrat ‘jo njeri’ do jenë normalitet”

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sërish kritikave për për ministren e Inteligjencë Artificiale të prokurimeve publike, Diellën.Ai parashikoi se së shpejti, ministrat me Inteligjencë Artificiale do të jenë normalitet, ndërsa shtoi se vetëm ata që kanë vetë në mendje të vjedhin, “kanë hall’ se si do të vjedhë Diella.

“Ç’është ky mëkat, ç’është kjo çmenduri, ministër shteti jo njeri. Unë mendoj se në një kohë shumë më të shkurtër se sa mund të imagjinojmë, ministrat jo njeri nëpër qeveri do të jenë një normalitet. Do të vijë shumë shpejt, ne mund ta bëjmë dhe mund të jemi të shpejtë dhe kurajozë në proceset që lidhen me AI për t’i shërbyer më mirë publikut. Diskutojmë sot si do vjedhë Diella, sepse kur je hajdut aty të rri mendja. Një njeriu normal nuk i shkon kjo pyetje në mendje. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vite, ose kanë vjedhur, ose vjedhin, ose do të vjedhin, nëse do i caktonte njeri në vend të Diellës. Ndërkohë që, ajo që Diella do të bëjë është shumë e thjeshtë. Çfarë ndodh me tenderat dhe ku hyn korrupsioni në një proces tenderimi. Në dy faza, procesi ka dobësi që i shfrytëzon korrupsioni. Faza e parë, termat e referencës, që mund të bëhen të orientuar, siç ishte një tender në 2013, kur për të bërë tunel, thuhej të ketë eksperiencë në foni. E dyta, te gjykimi mbi dokumentacioni, jo nuk është vula e freskët, jo kjo apo ajo”.Diella e bën të pamundur trajtimin me preferencial të dikujt, theksoi kreu i qeverisë më tej.

Makina përplaset me kamionin ne Lushnje-Fier nje i plagosur

Një aksident rrugor i rëndë është shënuar sot në autostradën Lushnje–Fier, pranë zonës së Savrës, në kahun drejt qytetit të Fierit.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë “Bentley” është përplasur nga pas me një kamion, pasi kishte tentuar ta parakalonte atë.

Si pasojë e përplasjes, një person ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjes, ku ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

DPSHTRR sqaron publikun: Masat ndaj 7 punonjësve të Kontrollit Teknik në Fier u morën që në vitin 2023

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka bërë të ditur se masat disiplinore ndaj 7 punonjësve të Degës së Kontrollit Teknik të Mjeteve në Fier janë marrë që në vitin 2023, menjëherë pas një kontrolli të brendshëm administrativ, dhe jo tani siç është raportuar në disa portale.

Sipas DPSHTRR-së, pas verifikimeve të kryera u ndërprenë marrëdhëniet e punës për një punonjës, ndërsa 6 të tjerë u pezulluan, u ulën në detyrë ose u përjashtuan nga sektori i kontrollit teknik.

Institucioni nënvizon se këto masa u publikuan që në dhjetor 2023 dhe janë dëshmi e angazhimit serioz për të garantuar integritetin dhe sigurinë e shërbimeve ndaj qytetarëve. DPSHTRR konfirmon gjithashtu se do të vijojë bashkëpunimin e plotë me organet e drejtësisë.

“Zero tolerancë ndaj abuzimit – integriteti nuk negociohet”, thekson DPSHTRR.

Rama prezanton ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala: Universitet mjekësor në Fier dhe spital ekselence për turizmin shëndetësor

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala, duke shpallur një program transformues për sektorin. Rama deklaroi se qeveria do të ngrejë një universitet mjekësor në Fier, si dhe një spital ekselence për turizmin shëndetësor, duke e konsideruar këtë si një epokë të re për shërbimet mjekësore në vend.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi se do të ketë një rritje të ndjeshme pagash për mjekët dhe infermierët, ndërkohë që sistemi shëndetësor do të kalojë në një fazë të re digjitalizimi dhe inovacioni.

Një element kyç i kësaj strategjie do të jetë partneriteti me kompaninë britanike të inteligjencës artificiale në shëndetësi, e vetmja unicorn në këtë fushë, e cila sipas Ramës do ta vendosë Shqipërinë në hartën moderne të inovacionit mjekësor në Evropë.

“Ky është një hap gjigant drejt modernizimit të shëndetësisë shqiptare dhe forcimit të pozicionit të vendit si destinacion për turizmin shëndetësor”, tha Rama, duke i besuar ministres së re Sala drejtimin e këtij procesi.

Fier, thyen masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, në pranga 35-vjeçari me doza kanabisi

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuara për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, vihet në pranga 35-vjeçari i cili u kap me doza kanabisi me vete.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin E. Sh. (B)., 35 vjeç, banues në Fier, pasi u kap nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, jashtë banese, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. K., 28 vjeç, banues në Fier, pasi posedonte doza kanabisi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-H. Ç., 72 vjeç, banues në fshatin Frakull e Madhe, pasi dyshohet se zjarri që ka ndezur për të djegur mbeturina, ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë janë djegur pjesërisht disa rrënjë ulliri në pronësi të shtetasve të tjerë;
-S. M., 43 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se me vetgjyqësi i ka marrë celularin një shtetaseje për shkak të një borxhi të pakthyer;
-A. B., 30 vjeçe, banuese në fshatin Kallm, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetas 32 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 48 vjeç, banues në Karbunarë, pasi dyshohet se ka dëmtuar automjetin në pronësi të një shtetasi 40 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.