Bora e parë ka ardhur me herët këtë vit!

Edhe pse mirëmbajtja dimërore nis zyrtarisht më 15 nëntor, #ARRSH dhe kompanitë e kontraktuara ishin tërësisht të gatshme.

Mjetet borëpastruese dhe skuadrat e punonjësve dolën në terren që në orët e para të mëngjesit, duke ndërhyrë në aksin Ura e Zapodit – Shishtavec dhe në Theth.

Qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset nacionale.

Lejuan ndërtimet pa leje Prokuroria Fier dërgon në gjyq 6 zyrtarë të IMT-së për ‘Shpërdorim detyre’ dhe 1 person tjetër për ‘Ndërtim të paligjshëm’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtatë zyrtarë për veprat penale ‘Ndërtim i paligjshëm’ dhe ‘Shpërdorim detyre’, parashikuar nga nenet 199/a, pg 1 dhe 4 dhe 248 të Kodit Penal.

Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1665, datë 21.10.2024, u evidentuan 7 raste të ndërtimeve pa leje nga shtetas të ndryshëm të Bashkisë Mallakastër. Këta shtetas kryesisht pajiseshin me deklarata paraprake për kryerje punimesh dhe më pas kryenin ndërtime të cilat kërkonin pajisje me leje ndërtimi. Në disa raste të ndërtimeve pa leje, rezultoi se strukturat përkatëse inspektuese dhe Ndihmës Specialistët e zonës ishin në dijeni të ndërtimeve pa leje dhe nuk ushtronin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit. 

Nga hetimi u provua se kryeinspektori dhe dy inspektor pranë IMT-së Bashkia Mallakastër, nuk ushtruan detyrat funksionale në 7 rastet e ndërtimeve pa leje. Megjithse ishin vënë në dijeni për ekzistencën në disa raste të këtyre ndërtimeve, ato nuk ushtronin detyrën funksionale sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, ligjit nr. 107/2024 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, duke i ngarkuar me përgjegjësi sipas nenit 248 të Kodit Penal. 

Gjithashtu, mos ushtrimi i përgjegjësive sipas ligjit nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, u evidentua dhe për 3 Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, konkretisht shtetasit Y.K, I.B, D.Y. Rezultoi se, këta shtetas nuk kanë ushtruar detyrat e tyre funksionale në kontrollin, evidentimin dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje, megjithse kanë qënë në dijeni të tyre. Dijenia e tyre rezultoi nga aktet shkresore të marra gjatë hetimit.  

Në përfundim të hetimeve u morën me cilësinë e të pandehurit 7 shtetas dhe përkatësisht: 

1-​Y. K me detyrë ish Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

2-​I. B me detyrë ish Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

3-​D.J me detyrë ish Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

4-​A. X, me detyrë Kyeinspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit bashkia Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

5-​Sh. Xh me detyrë inspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit bashkia Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

6-​K. Y me detyrë inspektor pranë Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit bashkia Mallakastër, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. 

7-​L M, për kryerjen e veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a pg.4 i Kodit Penal. 

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë shtetasve që cënojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve, si dhe punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Bostani shqiptar, produkti më i kërkuar në botë! – Vetëm në 8 muaj u eksportuan 54.6 mijë ton në tregjet e huaja

Sasia e produkteve të prodhuara në tokën shqiptare që kanë shkuar në tregjet botërore ka arritur në 361.994 ton deri në muajin Gusht 2025.

Krahasuar me periudhën janar-gusht të vitit të kaluar, volumi i eksporteve është rritur me 9.1%.

Por cilat janë produktet më të kërkuara nga konsumatorët e huaj?

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, të siguruara nga SCAN TV, tregojnë se ndër produktet më të eksportuara përgjatë këtij viti janë pjepër dhe shalqi, domate,  tranguj dhe kërpudha.

Në vendin e parë qëndrojnë produktet pjepër dhe shalqi me 54.6 mijë ton të eksportuara vetëm në 8 muaj, duke regjistruar një rritje prej 12.4 ton. Vlera e bostanorëve të eksportuara arriti në 12.9 milionë euro nga 10 milionë euro në 2024-ën.

Këto produkte duket se kanë lënë nën hije domaten shqiptare e cila ka një sasi ndjeshëm më të ulët në eksport, ndërsa ka pësuar rënie në raport me 2024-ën. Në 8 muaj janë eksportuar vetëm 18 mijë ton domate me vlerë 11.3 milionë euro nga 25.3 mijë ton të eksportuara në të njëjtën periudhë të 2024-ës me vlerë 18 milionë euro.  Ndërsa gjatë këtij viti janë eksportuar gjithashtu edhe 5.6 mijë ton tranguj dhe 6.4 mijë ton kërpudha.

Trendi rritës i eksporteve është tregues se politikat mbështetëse për fermerët dhe rritja e standardeve të prodhimit po japin rezultatet e pritshme.

Objektivi ambicioz i qeverisë është  që përmes instrumenteve të mbështetjes, siç është Skema Kombëtare, Skema e Investimeve, Garancia Sovrane apo linja e kredisë së butë, që deri në vitin 2030 vlera e eksporteve të produkteve bujqësore të arrijë në 1 miliardë euro.

Scan

Pritet furtunë në Shqipëri/ Meterologu grek jep alarmin: Priten përmbytje dhe reshje bore

Një valë e re e motit të keq pritet të godasë Shqipërinë në ditët e para të tetorit me rënie të ndjeshme temperaturës, reshje intensive shiu dhe stuhi.Lajmin e bën të ditur meteorologu i njohur grek dhe njëkohësisht eurodeputeti i Pasok-ut, Sakis Arnaoutoglou, i cili shpesh paralajmëron për fenomenet e rrezikshme kohore që prekin vendin tonë

Sipas tij e enjtja, 2 tetor, do të sjellë reshje të dendura shiu dhe dëbore në shumë zona të Shqipërisë.Konkretisht në veriun e vendit, nga Shkodra deri në Kukës dhe Peshkopi, priten reshje shumë të forta shiu, ndërsa mbi 900–1000 metra lartësi do të ketë reshje të dendura bore me shtresim të konsiderueshëm. Në zonat qendrore, si Dibra, Burreli dhe Elbasani, reshjet do të jenë po ashtu të bollshme, ndërsa në malet Korab dhe Shebenik dëbora do të nisë mbi 1000 metra, me intensitet në lartësi më të mëdha -thekson meteorologu grek.

Po ashtu në juglindje, në Gramsh , në Korçë dhe rreth maleve Moravë dhe Gramoz, parashikohen reshje të dendura shiu dhe dëborë mbi 1200 metra. Ndërsa në jug, në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, do të ketë kryesisht reshje shiu, ndërsa nuk përjashtohen reshje bore në zonat mbi 1200–1300 metra.

Ndryshe paraqitet situata në bregdetin perëndimor, nga Tirana e Durrësi deri në Vlorë, ku reshjet do të jenë të pakta dhe të dobëta, madje në disa zona mund të mungojnë fare.

Moti i keq do të shkaktojë probleme në lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Zinxhirët do të jenë të nevojshëm në rrugën Shkodër–Kukës, në segmentin malor Burrel–Peshkopi mbi 900–1000 metra, në rrugën Elbasan–Librazhd drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut mbi 1000 metra, si dhe në disa kalime malore drejt Korçës dhe rreth Gjirokastrës e Përmetit mbi 1300–1400 metra.

Erërat do të fryjnë të enjten në mbrëmje përgjatë vijës bregdetare nga Vlora deri në Shkodër, me shpejtësi  60–80 km/h, që korrespondojnë me forcën 8 të shkallës Beaufort, ndërsa në brendësi të vendit era nuk pritet të kalojë forcën 5–6 Beaufort.

Profesori italian nga burgu i Fierit: Shëndeti im mendor dhe fizik është në rrezik

Po jetoj këto ditë me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje ndaj atyre që më mbështesin dhe shprehin atë që ka ndodhur, në mënyrë që të krijohet qartësi.”

Këto janë fjalët e Michele D’Angelo, një profesor universiteti nga L’Aquila, në një mesazh të ndarë nga bashkëshortja e tij, Vanessa Castelli, e cila e vizitoi sot në burgun shqiptar të Fierit, ku ai mbahet në paraburgim për afërsisht 50 ditë pas një aksidenti rrugor më 8 gusht.

“Nuk mund ta mohoj se masa e paraburgimit në burg është, sipas mendimit tim, e tepruar,” shkroi ai. “Është një gjendje jashtëzakonisht e vështirë, e bërë edhe më e vështirë nga fakti që jam larg shtëpisë, në një vend gjuhën e të cilit nuk e flas.

“Duke marrë parasysh sjelljen time, historinë time personale dhe profesionale, si dhe ekzistencën e metodave alternative që mund të sigurojnë pajtueshmërinë me procedurat pa kompromentuar më tej shëndetin dhe ekuilibrin tim psikologjik, shpresoj vërtet që ky reflektim të pritet me kujdes” – shtoi ai.

Profesori, nëpërmjet gruas së tij, përsërit besimin e tij në institucionet lokale: “Unë i besoj punës së autoriteteve shqiptare dhe aftësisë së tyre për të vlerësuar çdo faktor në mënyrë të paanshme.”

Në zemër të mesazhit është mbështetja e shumë njerëzve: “Mbështetja që po marr nga Vanessa, nga kolegët, nga studentët, nga institucionet është ajo që më mban larg shembjes. Është spiranca ime. Çdo fjalë që vjen nga jashtë, çdo gjest, çdo shenjë shqetësimi është si një dritare që hapet. Vanessa më mban të informuar, më tregon se çfarë po ndodh dhe më jep forcën e dikujt që nuk ka pushuar kurrë së besuari në mundësinë e një interpretimi të ekuilibruar të fakteve.”

D’Angelo përfundon me një kujtesë për nevojën për proporcion: “Dhe unë, që këtej e tutje, vazhdoj të jetoj këto ditë me disiplinë, me durim dhe me shpresën se kjo vëmendje mund të transformohet në qartësi. Nuk po kërkoj dhembshuri, por të vërtetë. Nuk po kërkoj privilegje, por proporcion.”

Inspektim teknik në Dekantimin Usojë, Albpetrol monitoron nga afër gjendjen e rezervuarëve

Ekipet e Albpetrol kanë zhvilluar një inspektim në terren në Dekantimin Usojë, ku u fokusuan në gjendjen teknike të rezervuarëve të naftës dhe funksionalitetin e infrastrukturës ekzistuese të magazinimit.

Kontrolli i kryer kishte për qëllim jo vetëm monitorimin e detajuar të kapaciteteve, por edhe vlerësimin e rrjedhjeve të mundshme dhe masave që nevojiten për rehabilitimin e strukturave.

Sipas specialistëve, ky proces është pjesë e angazhimit të përditshëm për të garantuar standarde të larta sigurie, si dhe për të ndërtuar një industri energjetike më të qëndrueshme dhe efikase.

“Siguria teknike mbetet prioritet në çdo hap. Vetëm përmes monitorimit të vazhdueshëm mund të sigurojmë jo vetëm mbrojtjen e mjedisit, por edhe rritjen e performancës në sektorin e naftës”, theksojnë përfaqësues të kompanisë.

Ky inspektim është pjesë e një serie kontrollesh që Albpetrol po ndërmerr në disa pika kyçe të vendburimeve dhe rezervuarëve në vend, me synim modernizimin e infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimin e efikasitetit të saj.

Prokuroria e Fierit dëgon në gjykate për ‘Ng*cmim se**ual’ shtetasin Sh.L.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin Sh.L. për veprën penale ‘Ngacmim seksual’ parashikuar nga neni 108/a, pg.2 i Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.415, datë 01.04.2025, u provua se shtetasi Sh.L., ka kryer veprime konkrete të natyrës seksuale në dëm të të miturës, duke konsumuar elementët e veprës penale “Ngacmimi seksual”, parashikuar nga neni 108/a pg.2 i Kodit Penal.

Nga tërësia e hetimeve të kryera rezultoi se personi nën hetim Sh.L. me veprime aktive të kundraligjshme, konkretisht prekje në pjesë të ndryshme të trupit, ka cenuar dinjitetin e të miturës duke përfituar nga mosha e re dhe gjendja e saj sociale. Personi i pandehur Sh.L., i ka dhuruar para si dhe ka kërkuar të shkëmbejë puthje intime me të. E mitura pas ngacmimit ka kontaktuar mësuesen e saj kujdestare, e cila në bashkëpunim me shërbimin social përkatës ka referuar rastin në polici.  

I pandehuri Sh.L është hetuar me masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.  

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin e shpejtë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që cënojnë apo dëmtojnë mirëqënien dhe zhvillimin normal të të miturve. Gjithashtu, inkurajon bashkërendimin e strukturave bazë si mësuesit, psikologët e shkollave dhe shërbimet sociale pranë bashkive me qëllim identifikimin e rasteve dhe vënien e përgjegjësve para ligjit. 

Gjykata e Apelit dënon me 12 vite burg biznesmenin Francesco Becchetti

Gjykata e Apelit ka dënuar me 12 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti. Mësohet se Apeli i ka ulur 5 vite Becchettit, pasi shkalla e parë e ka dënuar me 17 vite burg për 4 vepra penale. 

Gjyqtarët e Apelit që morën vendimin ndaj biznesmenit janë Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani. Ishin avokatët e Becchettit ata të cilët iu drejtuan Apelit, pas vendimit të shkallës së parë. Gjykata e Tiranës e ka dënuar biznesmenin italian fillimisht me 17 vite burg, nën akuzën se ai përmes kompanive të tij, kishte krijuar një skemë të mashtrimit me TVSH dhe pastrim parash. Mbi Becchettin rëndojnë 4 vepra penale që janë “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim dokumentesh”, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”.