Vr*ten me a*më zjarri 2 persona pas një konflikti në Durrës

Informacion paraprak

Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.

Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.

Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.

Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Sa do të kushtojnë pronat nga 1 janari 2026? -Cmimet e reja në 12 qarqe të vendit

Nga 1 Janari 2026 pronat në Shqipëri do të kushtojnë më shtrenjtë. Projektligji i Ministrisë Financave që përcakton çmimet e reja të referencës në 12 qarqe të vendit, përjashtuar vetëm Bashkinë Tiranën, së shpejti do të shkojë për diskutim në komisionet parlamentare për t’i hapur rrugë miratimit dhe hyrjes në fuqi.

Por sa do të jenë çmimet e reja dhe në cilin qark blerja e një pasurie të paluajtshme do të jetë më pak apo më shumë e kushtueshme?

Referuar draftit,  qarku më i lirë ku mund të blihet një banesë nga viti i ardhshëm është Shkodra, ku çmimi minimal nis nga 10.500 lekë/m2 për Bashkinë Fushë-Arrëz deri në 75.000 lekë/m2 në bashkinë Shkodër.

Në qarkun Gjirokastër çmimi minimal nis nga 17,000 lekë/m2 në Memaliaj dhe arrin maksimalen deri në 63.000 lekë/m2 në Gjirokastër.

Në qarkun Berat, çmimi minimal nis me 26.000 lekë/m2 në bashkinë Skrapar deri në 55 mijë lekë/m2 në qytetin e Beratit.

Në qarkun e Fierit mund të blihet një banesë që nis me çmimin 32.000 lekë/m2 në Patos dhe arrin deri në 62.000 lekë/m2 në qytetin e Fierit.

Në qarkun e Korçës, Kolonja ka çmimet më të lira zyrtare të shitjes së pronës, regjistruar në 31,300  lekë/m2, duke arritur maksimalen në zonë e parë të bashkisë së Korçës me 70.000 lekë/m2.

Për qarkun Kukës nis nga 32.000 lekë/m2 në qytetin Bajram Curri në 58.000 lekë/m2 në Kukës.

Në qarkun Lezhë nga 36.000 lekë/m2 në Milot në 70.000 lekë/m2 në Shëngjin.

Në qarkun Dibër çmimet e referencës janë përcaktuar nga 40 mijë lekë/m2 në Klos deri në 52 mijë lekë/m2 në Peshkopi.

Për Qarkun Elbasan nga 40.000 lekë/ m2 në Belsh deri në 60.000 lekë/m2 në qytetin Elbasan.

Për qarkun Durrës nga 43.000 lekë/ m2 në qytetin e Shijakut në 200 mijë lekë/ m2 në zonën 13 të qytetit Durrës.

Për qarkun Vlorë nga 31 mijë lekë në Finiq në 200 mijë lekë/m2 në zonën 7 të Vlorës, që korrespondon me ishullin e Sazanit.

Ndërkohë në qarkun Tiranë,  çmimet ndryshojnë për Kamzën, Rrogozhinën, Vorën dhe Kavajën, ku më të lira janë në Rrogozhinë në 46.000 lekë/m2 dhe çmimi më i larë arrin në Kamëz, deri në 75 mijë lekë/m2.  Ndërsa çmimet referencë brenda qytetit të Tiranës aktualisht aplikohen deri 228 mijë lekë/m2 në njësinë nr 5.    

Sipas metodologjisë, çmimet mesatare referuese janë bazuar mbi shitblerjet e 4 viteve të fundit, vendndodhjen dhe sistemin urban dhe një parashikim për tendencat e ardhshme të tregut imobiliar. Ato janë të kategorizuara në lloje pasurie si: ndërtesë, shtëpi, apartament, garazh, bodrum dhe njësi tregtare.

Çmimi për metër katror për njësitë tregtare, të shërbimit ose të prodhimit brenda ndërtesave është 1.5  herë më i lartë se çmimi referues i zonës së vlerës ku ato ndodhen, ndërsa për Tiranën kjo kategori është dy herë më e lartë. Mbi çmimet referencë të përcaktuara nga Ministria e Financave, Këshillat Bashkiake do të kenë të drejtë të lëvizin plus minus 30%.

Pensionistët, më shumë para’ në fundvit – Ndryshon sërish buxheti i shtetit 2025.

Pensionistët do të marrin një bonus më të lartë këtë fundvit. Përmes një akti normativ, qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit, ku fondi i dedikuar për bonusin e fundvitit do të jetë 5.9 miliardë lekë apo 59 milionë euro. 

Referuar relacionit, ky ndryshim bëhet nisur nga realizimi i pritshëm i kontributeve për vitin 2025, të cilat rezultojnë me tejkalim, si edhe me qëllim përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të pensionistëve dhe adresimin e problematikave ekonomike me të cilat kjo kategori e shoqërisë përballet.

Shpërblimi i fundvitit për 756 mijë pensionistë, i cili në vijimësi ka shënuar si rritje të frekuencës, si edhe një trend rritës të masës së përfitimit, ka gjithmonë në fokus përmirësimin e nivelit të plotësimit të nevojave të kësaj kategorie.

Nga ana tjetër, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm shtohen me 7.97 miliardë lekë,  nga të cilat rreth 6 miliardë lekë shkojnë si shtesë për avancimin e projekteve të ndryshme të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 Konkretisht: 2.4 mld lekë në transportin rrugor për projekte me performancë të mirë, për të cilat avancohet financimi nga viti 2026, duke krijuar hapësirë në atë vit për projektet e reja, si: “Ndërtim rruga lidhëse Tiranë – Elbasan me korridorin VIII”; “Arredim, rikualifikim urban, Superstrada Tiranë–Durrës (Faza I– III)”; “Ndërtim rruga Kashar – Nyja Vaqarr (Faza III)”; “Spostim i linjave të tensionit të lartë në aksin, korridori VIII”.

Në programin e transportit ajror 3 miliardë lekë do të shkojnë për mbështetjen e Albcontrol-it në formën e transfertës kapitale, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive.

Në programin “Mbështetje për energjinë” 203 milionë lekë shkojnë për mbylljen e detyrimeve të disa institucioneve (AIE, AKBN, aparati i MIE-s etj.)

Në programin e transportit hekurudhor 364 milionë lekë për vitin 2025 për zbatimin e projektit të linjës hekurudhore “Terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4 km)”, si zgjatim i linjës Durrës– Tiranë, me vlerë totale 1.8 miliardë lekë.

Në programe të tjera rreth 50mln lekë për programin “Mbështetje për industrinë dhe mbështetje për burimet natyrore”.

Ndryshimet në buxhet janë bërë si rrjedhim I ndryshimeve në kabinetin qeveritar dhe rialokimin e fondeve për institucione që kanë qenë të pa mbuluara si dhe performancës së mirë të të ardhurave në 9-mujor.

Inceneratori i Fierit të rishqyrtohet në Apelin e GJKKO me trupë tjetër gjykuese

Dosja e inceneratorit të Fierit duhet të gjykohet në Apelin e GJKKO-së. Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë, i marrë ditën e sotme në Dhomë Këshillimi. Shkalla e tretë e gjyqësorit vendosi të prishë vendimin e Apelit të GJKKO-së, i cili e kishte kthyer dosjen e inceneratorit të Elbasanit për rigjykim në GJKKO.

Kështu, Gjykata e Lartë e kthen çështjen në Apel për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese. Rekursi në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Apelit të GJKKO ishte bërë nga SPAK, por edhe nga mbrojtja e të pandehurve.

“Prishjen e vendimit nr.55 (87-2024-383) datë 19.12.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues”, informoi Gjykata e Lartë.

Për këtë dosje, GJKKO i dha dënimet më 25 shtator 2023. Gjykata e Posaçme dënoi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka me 10 vite burg. Alqo Bllako u dënua u dënua për shpërndorim detyre me 4 vite.

Klodian Zoto u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit aktiv, por u dënua me 2 vjet për korrupsion pasiv, shtatë vjet për skema mashtruese, dhe tetë vjet për pastrim parash.

Pëllumb Abeshi u dënua me 3 vjet e 6 muaj, Erjon Murataj me 3 vite, Loran Dusha 7 vite, Arbër Denizi por me 7 vite, ndërkohë që të gjithë përfituan zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Arben Dervishaj dhe Juri Imeraj u shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat ndërsa Arjola Kodra u shpall e pafajshme për korrupsion. Nga ana tjetër disa prej të pandehurve, kundërshtuan akuzat dhe dënimin, duke kërkuar në Apel pafajësi.

Dënimet e GJKKO-së më 2023

Lefter Koka -10 vjet burg

Alqi Bllako 4 – vjet burg

Klodian Zoto 11 – vjet burg

Pellumb Abeshi – Shërbim prove

Florian Muçaj – Shërbim prove

Azem Shatëri – Shërbim prove

Erjon Murataj – 3 vjet burg

Sabina Cenameri – Shërbim prove

Arben Dervishaj – I pafajshëm

Loran Dusha – 7 vjet burg

Arjola Kodra – E pafajshme

Arbër Denizi – 7 vjet burg

Juri Imeraj – I pafajshëm

Regan Merdani – Shërbim prove

Gentian Zifla – Shërbim prove

Apeli i GJKKO kthen për hetim çështjen ndaj kryebashkiakes së Lushnjës

NJOFTIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, më datë 30.09.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 195 akti, datë 02.09.2025 regjistrimi, mbi ankimin e shtetasit A.H., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shfuqizimin e vendimit të mosfillimit të procedimit penal datë 24.04.2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në lidhje me kallëzimin penal nr. 81, datë 14.04.2025” dhe vendosi:

– Ndryshimin e vendimit nr. 268, datë 04.06.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar ankimin e ankuesit A.H. dhe duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të regjistrojë procedimin penal dhe të kryeje hetime.
– Një kopje e vendimit t’iu komunikohet palëve.
U vendos në Tiranë, me datë 30.09.2025 ora 12:45.

Fier/Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në lagje të ndryshme të qytetit.

U kap me sasi Canabisi me vete dhe në automjet, të ndarë në dhjetëra doza të gatshme për shitje, vihet në pranga 29-vjeçari.

Sekuestrohen lënda narkotike dhe 2 celularët e të arrestuarit.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas të implikuar në prodhim/shitje narkotikësh, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale kapën dhe vunë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin R. O., 29 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit fizik dhe gjatë kontrolli në automjetin që drejtonte, këtij shtetasi iu gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në 35 doza të gatshme për shitje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

“Të gjithë shqiptarët me mjet identifikimi digjital” – Kryeministri Rama: Do të nisë në fillim të vitit 2026

Qeveria ka prezantuar projektin e Identitetit Digjital, një nismë që synon të transformojë mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me institucionet publike, biznesin dhe njëri-tjetrin, për më shumë lehtësi, siguri dhe transparencë.

I pranishëm në prezantim, kryeministri Rama tha se Identiteti Digjital do të jetë gati në fillim të vitit 2026, duke qenë kështu edhe përpara vetë Bashkimit Europian.

“Baza e një kapërcimi tjetër të madh dhe një projektimi në të ardhmen falë teknologjisë. Faktikisht, në dijeninë time, çfarë po demonstrohet sot, do jetë në dispozicion të publikut, të raportimi i qytetarit dhe shtetit dhe ekonomisë sonë në fillim të 2026-ës. BE po ashtu po përgatitet për identitetin digjital dhe objektivi i shpallur i BE është që në 2027 qytetarët e BE të pajisen me identitetin e tyre digjital.

Ne do jemi një vit më parë. Rikujtoj se përparësia që teknologjia i jep çdo vendi që e përqafon atë dhe i drejtohet asaj për të kapërcyer pengesa historike, është përparësi e jashtëzakonshme që unë e quaj bekim të kësaj kohe. Falë AI vendet Mund të imagjinojnë të kapërcejnë epoka që përndryshe do kishin të pamundura për tu kapërcyer me shpejtësi”, tha Rama.

Rama përmendi gjithashtu përpjekjet për të kaluar nga një ekonomi e bazuar te paraja në dorë, drejt një ekonomie digjitale dhe transparente, duke e konsideruar këtë projekt shumë të rëndësishëm.

Procedime penale në Fier dhe Lushnjë për mosbindje ndaj policisë dhe dh*në në familje

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. Gj., 28 vjeç, banues në fshatin Seman, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, për të ndaluar automjetin që drejtonte. Pas ndalimit, është kryer kontroll në automjet, ku është gjetur 1 fishek automatiku.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. K., 46 vjeç dhe M. K., 44 vjeç, pasi dyshohet se shtetasi E. K. ka kanosur shtetasen M. K. (bashkëshortja e xhaxhait të tij), ndërsa 44-vjeçarja dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së saj.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.