Rrugët Romake që i mbijetuan mijëvjeçarëve: Inxhinieria e lashtë që sfidon kohën moderne

Më shumë se dy mijë vjet më parë, romakët ndërtuan rrugë me një përpikëri që ende habit inxhinierët e shekullit XXI. Pa asfalt, pa makineri dhe pa beton, ata ngritën rrjete që i kanë rezistuar motit, luftërave dhe shekujve të përdorimit – ndërsa shumë rrugë moderne degradohen brenda pak vitesh.

Rrugët romake janë ndër arritjet më madhështore të inxhinierisë antike. Ndërtuara për qëllime ushtarake, tregtare dhe administrative, ato u shndërruan në boshtin që bashkoi një perandori të tërë – nga Britania në Egjipt, nga Spanja në Lindjen e Afërt.

Çdo rrugë ndiqte rregulla të rrepta projektimi: drejtim sa më të shkurtër midis pikave strategjike, kanale kullimi në të dy anët dhe një strukturë shtresash që siguron stabilitet dhe qëndrueshmëri. Gurët e mëdhenj vendoseshin në bazë, mbi ta shtrohej zhavorr e rërë, ndërsa në sipërfaqe vendoseshin pllaka të rënda guri, prerë me dorë dhe të vendosura me saktësi milimetrike.

Rezultati ishte mbresëlënës: rrugë që qëndronin të forta shekuj të tërë, lejonin qarkullim në çdo mot dhe lidhën territore të gjera me qendrën e perandorisë. Shprehja “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” nuk ishte metaforë, por realitet i organizimit perandorak.

Sipas historianëve, gjatë kulmit të Perandorisë Romake, sistemi rrugor arrinte mbi 400 mijë kilometra, prej të cilëve rreth 80 mijë kilometra ishin të shtruara me gurë – një arritje e jashtëzakonshme për një botë pa makineri ndërtimi.

Një nga shembujt më të njohur është Via Appia, e ndërtuar në vitin 312 para erës sonë, e cila është ende e dukshme dhe pjesërisht e përdorshme sot. Ajo shërben si simbol i qëndrueshmërisë, dijes dhe filozofisë së ndërtimit që Roma e lashtë e ngriti në art.

Në një epokë të teknologjisë së lartë, ku rrugët moderne kërkojnë riparime të shpeshta, trashëgimia romake ngre një pyetje thelbësore: si arriti lashtësia të ndërtojë për përjetësi, ndërsa ne shpesh ndërtojmë për përkohshmëri?

Ekspertët theksojnë se sekreti qëndron jo vetëm te materiali, por te filozofia e punës. Romakët projektonin për qëndrueshmëri dhe kujdeseshin për detajin. Sot, kjo qasje është kthyer në frymëzim për inxhinierët që kërkojnë modele ndërtimi afatgjata dhe ekologjike.

Rrugët romake nuk janë vetëm dëshmi të historisë, por mësim i gjallë për të tashmen. Ato tregojnë se kur dija, përkushtimi dhe vizioni bashkohen, edhe guri mund të mbetet më i fortë se koha vetë.

Mbreti Charles viziton Vatikanin — monarku i parë britanik që shkel aty pas gati 500 vitesh

Mbretërit britanikë do të marrin pjesë në një shërbesë historike ekumenike në Kapelën Sistine me Papën Leoni XIV, për të shënuar Vitin Jubilar 2025 të Kishës Katolike.Lajmi u konfirmua nga Pallati Buckingham, i cili e cilëson këtë vizitë si një ngjarje historike pa precedent në historinë moderne të marrëdhënieve ndërfetare.

Në moshën 76-vjeçare, Mbreti Charles III do të bëhet monarku i parë britanik që merr pjesë në një akt publik adhurimi me Papën, që nga ndarja e Kishës së Anglisë nga Roma në vitet 1530, gjatë Reformacionit të Henrikut VIII.Në shenjë vlerësimi për angazhimin e tij gjatë gjithë jetës në promovimin e dialogut ndërfetar, Papa Leoni XIV do t’i akordojë Mbretit Charles titullin “Confrater Mbretëror” të Bazilikës Papale dhe Abacisë së Shën Palit Jashtë Mureve (San Paolo Fuori le Mura).

Ky është një titull nderi shpirtëror, që simbolizon një vëllazëri të veçantë me Kishën Katolike – fjala latine “frater” do të thotë vëlla.

Për ta nderuar këtë lidhje të re, në bazilikë është ndërtuar një karrige e posaçme për Madhërinë e Tij, e cila do të përdoret gjatë shërbesës dhe do të mbetet atje në mënyrë të përhershme, si simbol i respektit të ndërsjellë midis Papës dhe Mbretit si krerë shtetesh.

Vizita dyditore e Mbretit dhe Mbretëreshës (të mërkurën dhe të enjten) ka një ngarkesë të thellë simbolike, pavarësisht se është e shkurtër. Ata do të takohen për herë të parë me Papën Leoni XIV që nga zgjedhja e tij në maj. Gjatë një vizite të mëparshme në prill, çifti kishte takuar shkurtimisht Papën Françesku, por shumë nga aktivitetet e planifikuara u anuluan për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Sipas Pallatit Buckingham, kjo do të jetë vizita e parë shtetërore që nga Reformacioni në të cilën një Papë dhe një Monark britanik do të luten së bashku, dhe gjithashtu hera e parë që një monark anglez merr pjesë në një shërbesë në Bazilikën e Shën Palit Jashtë Mureve, një vend me lidhje historike me kurorën britanike.

Mbretëresha Camilla do të vizitojë gjithashtu Kapelën Pauline, ku ndodhen dy nga afresket e fundit të Michelangelo-s, që paraqesin Shën Pjetrin dhe Shën Palin.

Të dy, Mbreti dhe Mbretëresha, do të marrin pjesë në një shërbesë ekumenike në Kapelën Sistine, që do të fokusohet në temën “Kujdesi për Krijimin”, një temë e përbashkët për të dy liderët, të cilët janë të angazhuar fort në çështjet e mjedisit dhe mbrojtjen e natyrës.

Vizita përfshin gjithashtu takime me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë.

Siguracionet e automjeteve ndryshojnë nga 2026, shoferët që bëjnë aksidente do të paguajnë më shumë

Më i ulët apo më i lartë, siguracioni i automjeteve do të ndryshojë duke nisur nga janari 2026. Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, drejtuesja e AMF-së, Mimoza Kaçi, deklaroi se kush ka shkaktuar aksidente gjatë këtij viti do të paguajë më shumë.

Drejtuesit e rregullt do të marrin si bonus një sigurim më të ulët, ndërsa ata problematik do të marrin “malus” ose sigurim më të lartë.

Mund të mos jetë perfekt, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve, pasi që në 1 janar 2026 do të hyjë në zbatim si bonusi ashtu edhe malusi. Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi është 3.8, do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus, që do të luhatet”, thotë Kaçi.

Sa i përket sigurimit të detyrueshëm të banesave, një projektligj që ka pasur edhe kundërshtime nga kompanitë e sigurimeve, Kaçi theksoi se kjo është një nismë e mirë:

“Është draftuar një ligj i cili është në konsultim. Është një nismë shumë e mirë, ofron mbulim të banesave sipas një niveli të caktuar, qytetarët mund të shtojnë edhe më shumë. Ky është një sigurim minimal.”

Drejtuesja e AMF-së, teksa u pyet edhe për kriptomonedhat, deklaroi në Komision se një draft po përgatitet dhe pritet të jetë në konsultim publik së shpejti.

“Kemi punuar për draftimin e ligjit, jemi në një grup pune ku janë përfshirë AMF, BSH, Ministria e Ekonomisë. Kemi përgatitur një draft të parë, po diskutohet në grupin e punës dhe deri në fund të vitit mendohet që ne të publikojmë draftin”, shton Kaçi.

Pa një ligj të tillë, teksa një aktivitet i tillë nuk lejohet, në 2024 u sekuestruan nga Prokuroria e Posaçme rreth 11 milionë euro kriptomonedha.




Shoferi humb kontrollin, përmbyset makina në rrugë

Një aksident rrugor është regjistruar paraditen e sotme në aksin Sarandë–Skërficë, në afërsi të fshatit Senicë, Njësia Administrative Vergo, bashkia Delvinë.

Ngjarja ndodhi kur një automjet tip Toyota, i drejtuar nga shtetasi Alton Zhuli, 50 vjeç, u përmbys në mes të aksit rrugor, pasi drejtuesi humbi kontrollin mbi drejtimin.

Fatmirësisht, nga aksidenti nuk ka pasur të lënduar, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale.

Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat kryen veprimet procedurale dhe verifikimet përkatëse. Testi i alkoolit rezultoi negativ, duke përjashtuar konsumimin e alkoolit si shkak të mundshëm të aksidentit.

Autoritetet janë duke hetuar për të përcaktuar shkakun e saktë të humbjes së kontrollit, ndërsa paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur për shkak të lagështirës në rrugë apo ndonjë defekti teknik të mjetit.

Samiti i Procesit të Berlinit, kryeministri Rama mirëpritet nga Mbreti Charles III në Londër

Kryeministri Edi Rama u mirëprit nga Mbreti Charles III në Londër, bashkë me udhëheqësit e tjerë të Ballkanit Perëndimor.Në foton e publikuar, shihet momenti kur kreu i qeverisë i jep dorën Mbretit, ndërsa prezent në sallë është dhe kryeministri i Britanisë së Madhe.

Mbreti Charles III ka mirëpritur udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor në Londër, për bisedime mbi emigracionin, sigurinë dhe rritjen ekonomike.Londra do të presë zyrtarisht liderët rajonalë në takimin e radhës të Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në kryeqytetin britanik.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, i cili është bërë pjesë e disa tryezave dhe forumeve që të martën e 21 tetorit, ku ka folur për tema të ndryshme si integrimi drejt Bashkimit Evropian dhe ndërveprimi rajonal, e deri te gjeopolitika e kontinentit të vjetër.

Takimi i sivjetshëm, i cili zhvillohet në Londër nën mikpritjen e kryeministrit britanik Keir Starmer, do të mbledhë në një tryezë liderët e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së, përfshirë Gjermaninë dhe Francën

Ndërtim pa leje brenda spitalit, Prokuroria Fier dërgon në gjyq ish-drejtorin për ‘Shpërdorim detyre’ dhe 4 persona të tjerë për ‘Falsifikim të dokumenteve’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin P.V., i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe shtetasit Xh.B., J.Sh., K.L. dhe A.Sh., të akuzuar për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr.831 të vitit 2021 u provua se:

-​ I pandehuri P.V., në cilësinë e drejtorit të Spitalit “Ihsan Çabej” Lushnjë, urdhëroi ndërtimin e shtesës së quajtur “ura lidhëse mes pavioneve të patologjisë dhe të infektivit” pa marrë leje ndërtimi nga organet kompetente, duke ndryshuar destinacionin e fondit buxhetor të parashikuar për mbulimin e zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, pa ndjekur procedurën përkatëse ligjore dhe duke shmangur kryerjen e procedurës së prokurimit publik. Gjithashtu, situacionet e punimeve që sipas këtij të pandehuri ishin kryer tek “ura lidhëse”, përmbajnë më shumë punime se ato të realizuara realisht, çka ka sjellë një përfitim të padrejtë për shoqërinë “D…” dhe dëm ekonomik për buxhetin e shtetit. 

-​Të pandehurit Xh.B., J.Sh., K.L. në cilësinë e anëtarëve të komisionit të ndjekjes së zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, kanë hartuar procesverbalin e datës 17.02.2021 mbi punimet e kryera në magazinën e oksigjenit si dhe procesverbalin e datës 30.04.2021 për punimet e kryera në pavionin e infektivit; asnjë prej të cilave në fakt nuk është kryer. 

-​I pandehuri A.Sh. në cilësinë e drejtuesit teknik të shoqërisë dhe të inxhinierit zbatues të kontratës së mirëmbajtjes nr.670/1, datë 05.06.2019, të lidhur nga shoqëria “D…” shpk, ka hartuar situacionin përfundimtar për punimet e kryera gjatë periudhës 03.01.2021 deri 25.05.2021, situacionet e punimeve të kryera në magazinën e oksigjenit dhe tek infektivi i vjetër, si dhe bashkë me komisionin e ngritur nga Spitali “Ihsan Çabej” Lushnjë, kanë hartuar procesverbalin e datës 17.02.2021 mbi punimet e kryera në magazinën e oksigjenit si dhe procesverbalin e datës 30.04.2021 për punimet e kryera në pavionin e infektivit; të cilat në fakt nuk janë kryer. Mbi bazën e këtyre situacioneve dhe procesverbaleve ka dalë edhe urdhri i shpenzimit nr.711, datë 29.12.2021, për pagesën e shoqërisë “D…” shpk.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë punonjësve shtetërorë ose në shërbim publik që kryejnë vepra penale kundër veprimtarisë shtetërore.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Dëshmia e plotë e kamerierit të lokalit ku ndodhi vr*sja e dyfishtë

“Daniel Pepa dhe Araniti kanë ardhur në lokal rreth orës 1-1.30 dhe ka kërkuar kafe. I thashë që s’ka kafe se ekspresi është fikur. Ai më tha se donte kafe patjetër, po i thashë që është fikur e s’bëhet në këtë orë.

Ai u acarua dhe në këtë moment ndërhyri Flori, për të më dalë në krah dhe nisi debati mes tyre. Nga lokali dolën te dera e lokalit dhe Flori Paluçi qëlloi mbi Aranitin, shokun e Danielit dhe Danieli më pas ka marrë armën dhe ka qëlluar mbi Florin duke e lënë të vrarë”- tregon kamerieri…

Olof Palme Center i dërgon letër Kryeministrit Rama: Solidaritet me naftëtarët në grevë

Një mesazh solidariteti ndërkombëtar ka mbërritur për punëtorët shqiptarë të sektorit të naftës. Olof Palme International Center, organizata suedeze që mbështet lëvizjet sindikale dhe të drejtat e punëtorëve në mbarë botën, i ka dërguar një letër zyrtare Kryeministrit të Shqipërisë, në mbështetje të Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur dhe punëtorëve të Bankers Petroleum, të cilët ndodhen në grevë prej disa ditësh.

Në letrën drejtuar qeverisë shqiptare, Olof Palme Center thekson nevojën urgjente për një dialog të vërtetë social, respektimin e marrëveshjeve kolektive të punës dhe garantimin e një trajtim të drejtë e dinjitoz për punëtorët e industrisë së naftës.

Sipas organizatës suedeze, këta punëtorë përfaqësojnë “shtyllën e një sektori jetik për ekonominë kombëtare”, ndaj kërkesat e tyre për kushte të drejta pune dhe siguri ekonomike duhet të dëgjohen me përgjegjësi.

Ky reagim i një institucioni të njohur ndërkombëtar shihet si një sinjal mbështetjeje për kauzën e punëtorëve shqiptarë dhe si presion moral ndaj qeverisë për të garantuar të drejtat sindikale dhe sociale të tyre.

Sindikatat shqiptare e kanë mirëpritur këtë qëndrim, duke e cilësuar si “një dëshmi se zëri i naftëtarëve po dëgjohet edhe përtej kufijve të vendit”.