Becchetti i bllokon Albcontrol 135 mln euro për Arbitrazhin, nuk shlyhet as huaja 74 mln euro

Albcontrol nuk ka arkëtuar 135 mln euro deri në fund të 2024-s, për shkak të bllokimit të llogarive nga konflikti me Becchettin.Shuma që Albcontrol, kompania me pronësi shtetërore, që menaxhon trafikun ajror, nuk ka arritur të arkëtojë për shkak të bllokimit të llogarive të saj në Eurocontrol, si rrjedhojë e konfliktit mes qeverisë shqiptare dhe investitorit italian, Francesco Becchetti, ka arritur në 13.5 miliardë lekë në fund të vitit 2024, ose 135 milionë euro sipas bilancit zyrtar të kompanisë.

Përfshirë dhe interesat bankare në pritje, shuma arrin në 13.7 miliardë lekë.

“Gjatë vitit 2024 ashtu si edhe gjatë vitit 2023, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për bllokimin e të ardhurave nga shërbimet en route dhe terminal charge, të ofruara nga Albcontrol”, thuhet në përshkrimin e pasqyrave financiare.

Shuma që Albcontrol nuk arrin të arkëtojë po rritet vit pas viti. Nga 607 milionë lekë që ishte ky zë në dhjetor 2020, arriti në 2.9 miliardë lekë në 2021, u rrit në 6.7 miliardë lekë në vitin 2022 për të arritur në 10.5 miliardë lekë në 2023,  dhe 13.5 miliardë lekë në 2024-n.

Këto të ardhura, Albcontrol duhet t’i kishte marrë nga aktiviteti normal i saj, ulje­ngritje e mbikalime për periudhën 2021-2024 nga Eurocontrol, organizatë paneuropiane e dedikuar në mbështetjen e aviacionit europian, me seli në Bruksel.

Fillimisht këto detyrime ishin në zërin “Llogari të arkëtueshme nga kompanitë ajrore”, i cili paraqet të drejtat për arkëtim për shoqërinë, por që nuk janë arkëtuar paratë për këto të ardhura, ndërsa në 2024-n kanë kaluar në zërin “Klientë në pritje”.

Në vitin 2024, kompania raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, në rritje me 9% në krahasim me vitin e mëparshëm, si rrjedhojë e gjallërimit të aktivitetit ajror pas pandemisë.

Shpenzimet e personelit ndërkohë u rritën me 47%, duke arritur në 1.47 miliardë lekë.

Mori 74 milionë euro kredi për të përballuar aktivitetin, nuk shlyen asgjë në 2024-n

Pamundësia për të arkëtuar paratë nga shërbimet që ajo ofron kanë detyruar Albcontrol që të marrë kredi dhe ndihma pranë institucioneve shtetërore në 2023-n. Në 2024-n, kompania raporton që nuk ka filluar akoma të shlyejë huatë, teksa do të duhet ti paguajë brenda 7 muajve të parë të 2025-s.

Në fund të vitit 2024, Albcontrol kishte një principal kredie për tu paguar prej 7.4 miliardë lekë, nga 2.4 miliardë lekë në 2022 dhe e pandryshuar nga 2023-shi. Nga kjo shumë, 421 milionë lekë janë dhënë hua nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të transportit Rrugor.

Për këtë kredi afati i shlyerjes është shtyre brenda 6 mujorit të parë 2025, së bashku me interesat dhe komisionet që do ti paguhen huadhënësit.

Qeveria nga ana e saj ka dhënë një mbështetje financiare prej 3 miliardë lekë përmes një akti normativ të miratuar në dhjetor 2023.  Shoqëria do të kthejë shumën e marrë brenda 31.07.2026 (shlyerja do të bëhet me 3 këste të barabarta gjashtëmujore duke filluar me këstin e pare të pagueshëm në date 31.07.2025).

4 miliardë lekë të tjera janë dhënë mbështetje financiare me vendim të Asamblesë së Aksionarit, përkatësisht nga 2 miliardë lekë në dhjetor 2022 dhe nëntor 2023. Aksioneri i Albcontrol është Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

“Gjatë vitit 2024, Shoqëria nuk ka shlyer këste për huatë e marra dhe gjendja e principalit mbetet e pandryshuar nga ajo e vitit 2023”, thuhet në raportin financiar..

Konflikti me Becchetti, shteti ende njeh detyrim 108 milionë euro

Zanafilla e përplasjes mes shtetit dhe investitorit nisi në qershor të 2015-ës,  kur u bllokuan asetet e Francesco Becchetti-t.

Bllokimi i këtyre aseteve çoi edhe në mbylljen e televizionit Agon Channel, element që u përdor nga Beccheti për të çuar çështjen në Arbitrazh.

Përballja e Shqipërisë me investitorin italian, Francesco Becchetti, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, përfundoi me një vendim në favor të tij, duke i akorduar një kompensim prej 110 milionë eurosh në vitin 2020.

Në 26 maj 2021, në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) u paraqit një tjetër kërkesë e Shqipërisë sa i takon përplasjes me investitorin italian Francesco Becchetti ku u regjistrua një kërkesë për korrigjim të vendimit për anulim të paraqitur nga Republika e Shqipërisë.

Por në prill 2023, Becchetti fiton përfundimisht Arbitrazhin me qeverinë shqiptare.

Ky i fundit, pasi ftoi gjyqin me qeverinë shqiptare për një shumë prej 110 milionë eurosh, po synon mbledhjen e parave në llogaritë që shteti shqiptar ka jashtë kufijve, ku një prej tyre është llogaria e Albcontrol në Eurocontrol në Bruksel, e cila ka ngrirë që prej vitit 2021.

Në total, Qeveria shqiptare përballet me një faturë prej gati 180 milionë eurosh nga çështjet e humbura dhe ato në proces në arbitrazh ndërkombëtar, me biznese të ndryshme, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave për fundin e vitit 2024. Rreth 60% e kësaj shumë është vetëm detyrimi për çështjen “Becchetti”.

Financat ende e njohin këtë shumë, që i detyrohen investitorit italian si detyrim kontingjent, ku përfshihen detyrime të mundshme financiare që mund t’i ngarkohen shtetit shqiptar si rezultat i çështjeve të hapura në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, në rast se vendimi jepet në favor të palës paditëse kundër shtetit. /Monitor

Homazhet për Dhimitër Anagnostin, kryeministri Rama nderon ikonën e artit shqiptar

Kryeministri Edi Rama ishte mes personaliteteve që morën pjesë në homazhet e organizuara në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit për t’i dhënë lamtumirën e fundit Dhimitër Anagnostit.

Jjghj
Dghjfgjhfj

Me një buqetë në dorë dhe në heshtje respekti, Rama nderoi figurën e mjeshtrit të madh të kinematografisë shqiptare, duke shprehur ngushëllimet e tij për familjarët dhe të afërmit.

Rama la edhe një mesazh lamtumire në librin e dedikuar për Anagnostin, pas takimit me familjarët e regjisorit të shquar.

Ish-kreu i SHISH dhe djali i tij nën akuzë për 3 vepra penale nga Prokuroria e Beratit për ‘nxjerrje sekreti shtetëror’, ‘mbajtja e armëve’ e ‘Organizimin e lojërave të fatit’

Ish-drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit në Berat, shtetasi A.Sh dhe djali i tij, P.Sh. janë marrë në hetim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit tëPërgjithshëm Berat për veprat penale ‘Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit në kundërshtim me ligjin’, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Tregimi i sekretit shtetëror nga personi që i është besuar’ parashikuar nga nenet 197/1, 273/3 dhe 294/1 tëKodit Penal.

Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë tëJuridiksionit të Përgjithshëm, Berat, nga hetimet mbi procedimin penal nr.370 të vitit 2023, pas informacioneve se në një ambient në lagjen ’30 Vjetori’ në një lokal që drejtohej nga shtetasi P.Sh., po zhvilloheshin lojëra fati, u konstatuan kompjuterat e markave të ndryshme, të ndezura dhe në ekrane shfaqen lojrat online të ngjashme me ato të Adex Casino.

Nga verifikimi teknik, u provua se nëpërmjet një aplikacioni apo software të instaluar në këto paisje elektronike, duke u lidhur në internet, realizoheshin lojëra fati online.

Gjatë hetimeve, u ushtrua kontroll i banesës së shtetasit A.Sh., babait të tij, ku u konstatuan një krëhër metalik ngjyrë bronxi me 5 fishekë, të paplasur të kalibrit 7.62 mm, një çantë dore ngjyrë të zezë brenda të cilës u gjetën 3 krehër, të mbushur secili me nga 7 fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe dy USB me mbishkrimet “Turbox” dhe “Kingston”.

Ky shtetas i cili ka ushtruar detyrën si Drejtor i Shërbimit Informativ Berat, shpjegoi se, në nëntor të vitit 2023 është larguar nga detyra dhe ka dorëzuar armatimin por ka harruar të dorëzojë municionin e gjetur në banesë nga shërbimet e policisë. Ai sqaroi se, fishekët e kalibrit 7.62 janë fishek të armëve të vjetra që i ka gjetur të godina e vjetër e ShIK-ut dhe i ka marrë si suvenir dhe i ka harruar në banesë. 

Por nga verifikimet e kryera nga prokuroria rezultoi se armatimet ishin kthyer dhe kjo provohej edhe nga fletëhyrja që ndodhet në institucion. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera rezultoi se, dy nga materialet e ndodhura në Usb-në me emërtimin “Usb drive” janë të klasifikuara në nivelin “sekret” dhe administrohen në SHISH në kopje të vetme. Kopjimi ose shumëfishimi i tyre është i ndaluar dhe në kundërshtim me aktet që normojnë punën e SHISH.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Në përfundim të hetimeve paraprake, pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, vijmë në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se të pandehurit P.Sh dhe A.Sh. kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen. Rezulton përfundimisht e provuar se i pandehuri A. Sh. ka qenë me detyrë punonjës i Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ka kopjuar materiale që, sipas ligjit të njohur publikisht, përbëjnë sekret shtetëror, dhe i janë besuar për shkak të detyrës.

Marrja e këtyre materialeve në kundërshtim me rregullat e sigurisë së informacionit të klasifikuar, dhe përhapja e tyre në dy Usb brenda në banesën e të pandehurit, kur ai nuk ushtronte më as detyrën e punonjësit të shërbimit informativ të shtetit, që ka rezultuar me ekspozimin e pjesshëm ose tërësor, në mënyrë të paautorizuar, përbën shkelje të sigurisë së informacionit të klasifikuar.

Shkaktoi aksidentin me dy viktima në aksin Fier-Vlorë, arrestohet 28-vjeçarja italiane

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasen italiane A. T., 28 vjeçe, banuese në Napoli, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin në afërsi të vendit të quajtur “Kripa”, në autostradën “100 Vjetori”, është përplasur me një kamionçinë tip “Benz”. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i kamionçinës, shtetasi F. H., 63 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital edhe pasagjeri në këtë mjet, shtetasi D. M., 47 vjeç, banues në Vlorë.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ndërron jetë në spital edhe i plagosuri i dytë nga aksidenti në Fier-Vlorë

Vlorë, 2 shtator 2025 — Ka ndërruar jetë në spital edhe i plagosuri i dytë nga aksidenti i rëndë i ndodhur mesditën e djeshme në autostradën Fier – Vlorë, pranë fshatit Panaja.

Burime mjekësore konfirmuan për redaksinë se pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, i aksidentuari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.

Kujtojmë se aksidenti i rëndë ndodhi dje, duke i marrë jetën një personi në vendngjarje

Policia vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit tragjik.

Naftëtarët protestojnë përballë Bankers Petroleum, sindikata shpall dy tubime më 5 dhe 6 shtator

Sindikata e Sektorit Hidrokarbur ka shpallur organizimin e dy tubimeve proteste më datat 5 dhe 6 shtator, nga ora 12:00 deri në 13:00, përballë zyrave të shoqërisë Bankers Petroleum.

Sipas sindikatës, qëllimi i këtyre tubimeve është përcjellja e kërkesave legjitime të punëtorëve, që lidhen me rritjen e pagave, zbatimin e kontratës kolektive të punës, përmirësimin e kushteve të punës dhe përfitimin e statusit të naftëtarit.

📢 Njoftim për Tubim!

Sindikata e Sektorit Hidrokarbur do të mbajë dy tubime më datat 5 dhe 6 Shtator, nga ora 12:00 deri 13:00, përballë zyrave të Shoqërisë Bankers Petroleum.

Qëllimi i tubimit është të përcjellim kërkesat tona legjitime për:

  • Të drejtat e punëtorëve
  • Rritjen e pagave
  • Zbatimin e kontratës kolektive të punës
  • Përmirësimin e kushteve të punës
  • Statusin e naftëtarit

Ky tubim vjen në vazhdën e atij të mbajtur më 1 Maj, i cili u tentua të heshtet nga kompania nëpërmjet kompromentimit të mediave kryesore në vend (dalë kjo edhe nga përgjimet e prokurorisë).

Ftojmë të gjithë punonjësit dhe anëtarët e sindikatës të marrin pjesë, sepse vetëm të bashkuar mund t’i bëjmë ballë çdo presioni dhe të arrijmë atë që na takon me të drejtë!

Sindikata #BashkëJemiMëTëFortë #Punëtorët #SSH #Solidaritet

Furnizimi me ujë, raporti: Vetëm Lezha 24 orë/ditë, ne FIER 18 orë

Të dhënat e analizuara nga Enti Rregullator i Ujit tregojnë se për vitin e shkuar, mesatarja e orëve të furnizimit me ujë në ditë ishte 17.44 orë/ditë, me një rritje 1.14 orë/ditë krahasuar me vitin paraardhës, i cili ka qenë në të njëjtin nivel me vitin 2022 me 16.3 orë/ditë.

“Objektivi i performancës së mirë të vendosur nga ERRU prej 18 orë në ditë ende nuk është arritur në rang sektori ndërsa për 10 shoqëri ky tregues është mbi 18 orë/ditë të furnizimit me ujë. Në sektorin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve, për vitin 2024, kanë operuar 14 shoqëri rajonale UK dhe 3 shoqëri ekzistuese UK që janë: SHUK Tiranë, SHUK Kamzë dhe SHUK Vorë.

Riorganizimi i shoqërive në zbatim të VKM-së nr. 302, 11.05.2022, u shoqërua me dinamikën dhe problematikën e saj që reflektohet në treguesit kryesorë të performancës të shoqërive në veçanti dhe sektorit në tërësi.

Gjatë vitit 2024 shoqëria që ka raportuar furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë/ditë pa ndërprerje është SHRUK Lezhë, e cila për këtë vit ka një rritje me +5.8 orë/ditë. Arsyeja lidhet me vënien në punë të ujësjellësit të ri për zonën e Laçit”, argumenton ERRU.

Rritjen më të madhe sipas të dhënave e ka pasur SHRUK Sarandë, me +11.00 orë/ditë si dhe SHRUK Dibër me +10.00 orë/ditë, pasi për të dy shoqëritë kanë përfunduar investimet e reja

Sipas Entit kohëzgjatja e furnizimit me ujë varion nga 4 – 24 orë/ditë nga të cilat 10 shoqëri performojnë mbi nivelin e mirë me 18 orë/ditë dhe 7 shoqëri janë nën këtë nivel, duke mos pasur asnjë përmirësim të këtij treguesi krahasuar me vitin 2022 dhe me vitin 2023. Ndërsa shoqëria rajonale UK Vlorë ka një rënie të këtij treguesi me -0.45 orë/ditë.

“Më problematikë janë dy shoqëritë e parajonalizuara: UK Vorë me 8 orë furnizimi me ujë dhe UK Kamëz me 4 orë furnizimi me ujë, në kufirin e performancës së dobët dhe duhet të punojnë seriozisht që të kenë përmirësim në vitin e ardhshëm.

Paraqitja grafike e mësipërme na mundëson të kuptojmë se cilat nga shoqëritë performojnë mirë në këtë tregues, si të tilla janë SHRUK Lezhë 24 orë/ditë, SHRUK Korçë 23.7 orë/ditë, SHRUK Pogradec 22.5 orë/ditë, SHRUK Dibër 22 orë/ditë, SHRUK Gjirokastër 22 orë/ditë, SHRUK Shkodër 21.55 orë/ditë, SHRUK Berat 22.11 orë/ditë, SHRUK Sarandë 21 orë/ditë, SHRUK Fier 18 orë/ditë dhe SHRUK Elbasan 18 orë/ditë”, vlerëson ERRU.

/Monitor

TAP transporton 50 mld metër kub gaz në Evropë

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) ka transportuar 50 miliardë metra kub gaz natyror në Evropë, që nga fillimi i operacioneve tregtare rreth 5 vjet më parë. Kjo arritje e rëndësishme nënvizon rolin e TAP në sigurimin e një furnizimi të besueshëm dhe të diversifikuar me gaz për Evropën, duke rritur njëkohësisht konkurrencën dhe duke kontribuar në përpjekjet e dekarbonizimit në të gjithë Evropën Juglindore. TAP, si segmenti evropian i Korridorit Jugor të Gazit, sjell gaz natyror nga Azerbajxhani në tregjet evropiane. Që nga fillimi i operacioneve komerciale në fund të vitit 2020, TAP ka furnizuar Italinë me rreth 41.7 miliardë metra kub gaz, Greqinë me 4.8 miliardë dhe Bullgarinë me mbi 3.2 miliardë metra kub gaz.

Drejtor Menaxhues i TAP, Luca Schieppati, deklaroi se “arritja e 50 miliardë metra kub është më shumë sesa një moment historik, është një demonstrim i qartë i rolit strategjik të TAP në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës dhe mbështetjen e objektivave klimatike”. “TAP ka ndihmuar në diversifikimin e furnizimit me energji të Evropës Juglindore dhe në uljen e varësisë nga lëndët djegëse fosile më të rënda”, shtoi Schieppati.

TAP ka siguruar furnizim të pandërprerë me gaz, për më shumë se katër vite e gjysmë. Ndërkohë, që nga fillimi i vitit 2022, për të adresuar kërkesat në rritje të Evropës, TAP ka transportuar vëllime përtej kapacitetit nominal të gazsjellësit. Kompania njofton gjithashtu, se është e gatshme të rrisë më tej kapacitetin, në përgjigje të kërkesës në rritje të tregut.

TAP transporton gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit në Azerbajxhan drejt Evropës dhe tubacioni me një gjatësi prej 877 km lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin Turqi-Greqi, kalon në Greqinë Veriore, në Shqipëri dhe në Detin Adriatik, për të dalë më pas në bregun e Italisë Jugore. Pikat e daljes së TAP në Greqi dhe Shqipëri ofrojnë mundësi të shumta për transport të mëtejshëm të gazit natyror nga Azerbajxhani në tregjet e reja evropiane.

Si një pjesë kyçe e Korridorit Jugor të Gazit, TAP është strategjikisht dhe ekonomikisht i rëndësishëm për Evropën dhe thelbësor në sigurimin e aksesit të besueshëm në një burim të ri të gazit natyror. Aksionerët e TAP janë: BP me (20%), SOCAR (20%), Snam (20%), Fluxys (20%) dhe Enagás (20%).