Rama: Plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut do i marrin në menaxhim bashkitë. 

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se plazhet e Ksamilit dhe Dhërmiut do t’i kalojnë plotësisht në menaxhim të Bashkive për të siguruar një administrim më efikas dhe të rregullt.

Ai ka theksuar se shumë shpejt do të publikohet një plan i ri për zhvillimin e bregdetit, ku do të diskutohet me çdo bashki se cilat plazhe do t’i administrojnë ato në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Në një deklaratë të tij, Rama ka theksuar se dy plazhe të sigurt janë Ksamil dhe Dhërmiu, duke shtuar se ata që njihen si dhunues plazhi, nuk do të lejohen të aplikojnë për t’u angazhuar më tej në këtë sektor.

Edi Rama: Uroj të ketë dëgjuar kush duhet të dëgjojë, por do t’i ripërsërisim disa herë këto në mënyrë që ata të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezlongë ngjitur me njëri-tjetrin dhe bishta çadrash, të mos marrin më mundimin të aplikojnë fare.

Shumë shpejt do të nxjerrim të gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me të gjitha bashkitë do të kuptojmë se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy janë të sigurta Ksamili dhe Dhërmiu.

Fakte interesante – Florida, rasti kur toka “g*lltiti” një njeri në gjumë

Toka e përpiu atë. Në mars të vitit 2013, tragjedia goditi Seffnerin, Florida, kur një gropë e madhe u hap nën dhomën e gjumit të 37-vjeçarit Jeffrey Bush. Gropa përpiu shtratin e tij, mobiljet dhe pjesën më të madhe të themelit të shtëpisë brenda sekondash.
Vëllai i tij, Jeremy Bush, dëgjoi përplasjen dhe britmat e dëshpëruara të Jeffrey-t. Duke nxituar drejt dhomës, Jeremy gjeti vetëm një gropë të hapur aty ku dikur ishte dhoma e gjumit.

Në një përpjekje të furishme për të shpëtuar vëllanë e tij, ai u hodh në tokën që po shembej, duke gërmuar me duar të zhveshura dhe një lopatë derisa ndihmësit e tërhoqën, nga frika se e gjithë shtëpia do të shembej.
Pavarësisht përpjekjeve të dëshpëruara të shpëtimit, trupi i Jeffrey-t nuk u gjet kurrë. Toka ishte jashtëzakonisht e paqëndrueshme, duke i detyruar autoritetet të ndërprisnin kërkimin.

Gropa ishte gati 6 metra e gjerë dhe deri në 15 metra e thellë, dhe përfundimisht, shtëpia e familjes u shemb për arsye sigurie.
Florida, me shkëmbinjtë e saj të pasur me gëlqerorë, është e njohur për gropat e thella, veçanërisht në “Sinkhole Alley” në Qarkun Hillsborough, ku ndodhi kjo fatkeqësi. Por ekspertët thanë se kjo nuk ishte një gropë e zakonshme – ishte jashtëzakonisht e paparashikueshme dhe shkatërruese.
Për familjen e Jeffrey-t, shembja la një plagë të pashëruar, një kujtesë se sa shpejt mund të ndryshojë jeta kur natyra zbulon fuqinë e saj të fshehur.

Fier – Humb jetën pas 10 ditësh në koma 35-vjeçari i aksidentuar pranë Shkollës së Muzikës

Ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë Kreshnik (Tomani) Barjami, 35 vjeç, i cili prej 10 ditësh ndodhej në gjendje kome pas një aksidenti rrugor të rëndë në Fier.

Ngjarja kishte ndodhur më 24 gusht, pranë Shkollës së Muzikës në Fier, ku Barjami u përfshi në një aksident me pasoja të rënda për jetën. Ai u transportua menjëherë drejt Tiranës dhe u mbajt nën kujdes intensiv, por sipas burimeve mjekësore, pavarësisht ndërhyrjeve dhe trajtimit të specializuar, plagët e marra rezultuan fatale.

Lajmi i ndarjes nga jeta të 35-vjeçarit ka tronditur familjen, miqtë dhe komunitetin në Fier. Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.

Vlora – Furgoni del nga rruga dhe përmbyset, fatmirësisht pa viktima

Një furgon që po udhëtonte nga Kanina në drejtim të qytetit të Vlorës u përmbys pasi shoferi humbi kontrollin e mjetit.

Ngjarja shkaktoi panik tek drejtuesit e tjerë të automjeteve që po qarkullonin në aks, por për fat të mirë nuk u raportuan viktima.

Policia dhe shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa po verifikohen shkaqet që çuan në humbjen e kontrollit.

Së shpejti rregulla të reja për vendosjen e karrigeve të lokaleve në hapësira publike

Jo të paktë kanë qenë ata që kritikuan aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike me heqjen e çadrave të lokaleve, duke thënë se kanë mbetur karriget e këtyre bizneseve.

Por edhe për vendosjen e karrigeve nga ana e lokaleve, duket se qeveria e ka një strategji, dhe këtë e ka paralajmëruar vetë Edi Rama.

Në një postim në Facebook, Kryeministri bën të ditur se shumë shpejt do të ketë rregulla të reja edhe për vendosjen e karrigeve të lokaleve në sheshe e zona publike.

Kështu, sipas Ramës, çdo karrige që vendoset nga lokalet në hapësirat publike, do të duhet që të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbër.

Fondi i Gjelbër do të krijohet nga Qeveria e re e mandatit të katërt.

“Atyre që shqetësohen për karriget u them bëni durim, shpejt u vjen radha së bashku me kushtet e reja për vendosje karrigesh jashtë, por si fillim mund të them se për çdo karrige në hapësirën e kufizuar publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbërt që do të krijojë qeveria e re”, shkruan Kryeministri Edi Rama në Facebook.

Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka nisur prej muajit korrik në të gjithë vendin me porosi të Kryeministrit Edi Rama.

Strukturat metalike dhe çadrat e lokaleve, që kishin zaptuar territor publik, janë çmontuar anembanë vendit. Disa prej pronarëve të këtyre bizneseve kanë bërë heqje vullnetare të këtyre strukturave, ndërsa për ata që refuzuan apo hezituan, ndërhynë forcat e IMT.

Në disa raste, këto struktura pa leje të lokaleve ishin legalizuar. Të tilla situata, siç pati thënë Kryeministri Rama disa javë më parë, do të anulohet legalizimi ndërsa ata punonjës të Kadastrës që kanë kryer këto veprime do të ndiqen penalisht. 

8 objekte dalin në ankand në Elbasan, Përmet e Fier

Tetë objekte në disa qytete të vendit janë nxjerrë në ankand për të kaluar për shfrytëzim tek privati sipas nevojave dhe planeve të tyre të biznesit.Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi se ankandi për këto objekte do të mbahet në datë 25 shtator teksa ka dhënë specifikimet për secilën prej ndërtesave.

Kështu sipas listës janë të paktën katër ndërtesa të ndara në zonën e Zavalinës, Gjinar të Elbasanit me vlerë ankandi që nis nga 162 mijë lekë në 1.1 milionë lekë sipas specifikave që ka secila.

Ndërtesa e pestë është ish-Fabrika e Sallamit dhe Magazinë Prodhimi në Përmet me vlerë fillestare ankandi prej 3.5 milionë lekë.

Më pas është ish Fabrika e Salcës në Fier me vlerë 56 milionë lekë teksa në Rrëshen janë dy ish-frigoriferë me vlera 4.6 milionë lekë dhe 206 mijë lekë.

Pasuritë në fjalë janë në administrim  të Shoqërive Huamarrëse në Administrim pjesë e Ministrisë. Në njoftimin e ankandit specifikohen edhe dokumentet që duhet të dorëzohen.

“Çdo person fizik apo juridik i interesuar për blerje duhet të paraqesë në vendin, datën dhe orën e njoftuar pranë komisionit të ankandit dokumentacionin si më poshtë:

1. Kërkesë me shkrim për blerje e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

2. Garancinë bankare apo mandat pagesën në origjinal që vërteton ngurtësimin e 20% të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë për llogari të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit

3. Dokument identifikimi (pasaportë biometrike ose letërnjoftim).

Shënim: Pjesëmarrësit në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë për vlerën shpallur për shitje, i konfiskohet 20% e garancisë bankare, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand.

Garancia bankare apo mandat pagesa duhet të bëhet detyrimisht brenda afatit të pranimit të kërkesave për pjesëmarrje në ankand.

Garancia bankare apo mandat pagesa mund të bëhen pranë çdo banke të nivelit të dytë në llogaritë respektive të hapura për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit pasi të keni tërhequr pranë D.SH.P.P. ose degëve të thesarit në rrethe faturën për arkëtim të plotësuar dhe të nënshkruar nga përfaqësuesi i institucionit” nënvizon MEKI.

/Monitor

Bashkitë, 36 milionë euro borxhe për të shlyer

Në gjysmën e parë të vitit borxhet e mbartura të bashkive kundrejt kompanive që kryejnë punë publike por edhe qytetarëve regjistrohen në vlerën  e 3.6 miliardë lekëve apo 36 milionë eurove.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, ajo që vihet re është se ka një tendencë të reduktimit të detyrimeve të prapambetura të pushtetit vendor prej  me afro 5 milionë euro në raport me fundin e Marsit 2025, por rritje prej 6 milionë eurosh në raport me Dhjetorin 2024, ku stoku regjistrohej në 33 milionë euro.

Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut megjithëse ka pasur ecuri pozitive në dy vitet e fundit, sërish ka luhatje të herëpashershme nga një tre mujor në tjetrin. Edhe pse qëllimi është që stoku i detyrimeve të prapambetura të zerohet totalisht.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga  totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve rreth 12 milionë euro janë detyrime të papaguara për investime publike, 5.6 milionë euro për shërbime,  rreth 10 milionë euro vendime të gjykatave dhe 10 milionë euro shpenzime të tjera.

Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.

Konkretisht në vendin e parë renditet bashkia Tiranë, e cila ka lënë pas Bashkinë Kavajë që kryesonte deri në Dhjetor.  Tirana rezulton me një vlerë detyrimesh në rreth 8.5 milionë eurosh duke pësuar rënie nga Marsi 2025.

Më pas renditet bashkia Kavajë me 7.2  milionë euro borxhe,  ndjekur nga  bashkia Pogradec me 2.6 milionë euro, më pas vjen bashkia Dimal me 1.7 milionë euro dhe Rrogozhinë me 1.6 milionë euro, duke ia lënë radhën Vorës, Dibrës dhe Cërrikut. 

Kjo renditje nuk ka pësuar ndryshim nga Marsi 2025.,

Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Himarë, Pustec, Gjirokastër dhe  Has.

Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij.

Sa para qarkullojnë në Shqipëri?

Paraja që qarkullon në Shqipëri ka arritur një shifër rekord prej 903 miliardë lekësh në muajin korrik, ndërsa në një hark kohor prej 3 vitesh ka pësuar një rritje me 15%.

Paraja në qarkullim përfshin totalin e kartëmonedhave dhe monedhave të emetuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat përdoren nga qytetarët për të kryer pagesa të ndryshme në mënyrë fizike, ndërsa përfshin edhe një pjesë të parave të mbajtura në bankat tregtare, me përjashtim të parave të ngurtësuara, pra ato që ndodhen në depozita.

Sipas agregatit M1, kjo para ka pësuar një rritje me 13.8% llogaritur me korrikun e vitit të kaluar.

Nëse bëjmë një krahasim midis agregatit M1, pra ajo që merret si vlerë e parasë totale në qarkullim dhe parasë jashtë bankave, atëherë kuptojmë që 50% e parasë në qarkullim është jashtë sistemit bankar. Statistikat zyrtare tregojnë se në muajin korrik, në Shqipëri qarkullonin 451 miliardë lekë ose e thënë ndryshe 4.6 miliardë euro jashtë bankave, një rritje kjo me 12% vlerësuar me korrik 2024. 

Pavarësisht se në këtë përllogaritje nuk përfshihen kursimet që qytetarët mbajnë në depozita, nuk mohohet dot fakti se ne vijojmë të jemi një ekonomi shumë e varur nga cash-i.

Ndërkohë, agregati M3 që është treguesi më i gjerë i parasë në qarkullim dhe përfshin paranë fizike që përdorim në përditshmëri, llogaritë rrjedhëse, depozitat apo dhe instrumentet e tregtueshme, rezulton 1.8 trilionë lekë ose 18.4 miliardë euro. Paraja jashtë bankave përbën 24.3% të këtij totali.