Lirimi i hapësirave publike, vijon aksioni në Vlorë, hiqen tendat dhe karriget në rrugë

Autoritetet vendore në Vlorë kanë vijuar edhe sot aksionin për lirimin e hapësirave publike, duke ndërhyrë në disa nga rrugët dytësore të qytetit ku bizneset kishin vendosur tenda, karrige dhe struktura të tjera pa leje.

Inspektorët e IMT në bashkëpunim me policinë bashkiake, kanë ndërhyrë për heqjen e elementëve që pengonin lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe zinin hapësirat publike në mënyrë të paligjshme.

Ky aksion është pjesë e një fushate më të gjerë që synon të rikthejë rendin urban dhe të përmirësojë cilësinë e jetesës në qytet. Përfaqësues të bashkisë theksojnë se nuk do të ketë tolerime për ata që shkelin rregullat.

Aksione të ngjashme pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë zona të tjera problematike të qytetit. Aksioni ka nisur prej disa muajsh vazhdon në zonën e Lungomares ndërsa tashme po vijon edhe në rrugët dytësore në qytet por edhe në brendësi të zonave të banuara.

Java mbyllet me të kuqe – Rënie e përgjithshme në tregun valutor!

Dollari amerikan sikurse edhe valutat e tjera kryesore e ka mbyllur këtë javë negativisht duke regjistruar zbritje nga një ditë më parë teksa është blerë sot me 82.4 lekë dhe është shitur me 83.7 lekë.

Sipas kursit të këmbimit lokal edhe monedha europiane  ka shënuar një zbritje të kuotës mëngjesin e sotëm duke u blerë me 96.4 lekë dhe duke u shitur me 97.4 lekë në raport me një ditë më parë.

Franga zvicerane gjithashtu ka pësuar zbritje të vlerës duke e mbyllur edhe ajo në rënie këtë javë teksa është blerë këtë të premte me 102.2 lekë dhe është shitur me 103.3 lekë në raport me ditën e djeshme.

Paundi britanik nuk bën përjashtim pasi referuar tregut të brendshëm valutor edhe ai ka humbur pikë këtë mëngjes duke u blerë sot me 110.6 lekë dhe duke u shitur me 112 lekë krahasuar me një ditë më parë.

Përplasen 2 automjete ne Vlore. 4 të pla*osur transportohen në spital

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme rreth orës 01:00 në fshatin Dukat Fushë, ku janë përfshirë dy automjete, një Audi dhe një mjet tip Fiat. Nga përplasja kanë mbetur të plagosur 4 persona, prej të cilëve 2 ndodhen në gjendje të rëndë, ndërsa dy të tjerë kanë marrë lëndime dhe po marrin ndihmën e parë mjekësore

Ambulanca e parë ka mbërritur në vendngjarje duke transportuar me urgjencë të lënduarit drejt spitalit. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Paraprakisht dyshohet se përplasja ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit nga një prej drejtuesve të automjeteve, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.

Shqipëria, “pushtohet” nga makinat aziatike 

Nëse ka një gjë që shqiptarët duket se nuk e negociojnë, ajo është dëshira për makinat dhe siç po rezulton, edhe për makinat koreane. Sipas të dhënave më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vetëm 8 muaj janë regjistruar plot 66,521 mjete të reja në Shqipëri.

Autoveturat përbëjnë thelbin e këtij “fluksi rrugor” me 54,624 regjistrime, ndërsa pjesa tjetër përfshin gjithçka nga motorrë e traktorë, deri te kamionët e automjetet për transport, duke sjellë një mozaik prej 31 llojesh mjetesh dhe 603 markash të ndryshme.

Muaji më “i ngarkuar” për regjistrimet ka qenë pikërisht korriku, jo vetëm për temperaturat e larta, por edhe për numrin rekord të mjeteve të regjistruara, mbi 10 mijë. Në anën tjetër të medaljes, shkurti është treguar më i kursyer, me “vetëm” 6 mijë regjistrime.

Në pistën e qarkut më të motorizuar, Tirana lë prapa të gjithë rivalët, duke regjistruar 27,870 mjete vetëm në këtë periudhë. Durrësi ndjek nga larg me 10,348, ndërsa Gjirokastra “frenon” e fundit, me një numër modest prej 805 mjeteve të regjistruara.

Po kush i zotëron këto mjete?
Shifrat tregojnë se shqiptarët i qëndrojnë besnikë pronësisë individuale, me 77.5% të regjistrimeve që vijnë nga qytetarë të thjeshtë, ndërsa vetëm 22.5% janë nga biznese apo subjekte të tjera.

Plot 14 mijë mjete të regjistruara vijnë nga Korea, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të besueshmërisë dhe popullaritetit të markave si Hyundai apo Kia.
Italia dhe Gjermania janë pothuajse baraz, me një diferencë të vogël prej rreth 300 automjetesh, ndërsa Zvicra dhe SHBA plotësojnë pesëshen e parë, me mbi 5 mijë mjete secila.

Të gjitha këto shifra janë tregues i një parku mjetesh që po rritet shpejt, por edhe i një vendi që gjithnjë e më shumë po kërkon komoditet, lëvizshmëri dhe ndoshta edhe stil rrugor.

Sa vlen ekonomia shqiptare në një ditë? 

Bazuar në të dhënat më të fundit të INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit për vitin 2024 është vlerësuar në rreth 2.51 trilionë lekë ose afërsisht 25.2 miliardë euro. Shifra të thata në letër të cilat shpesh nuk arrijnë të përkthehen qartë në kuptimin e përditshëm. Në këtë kuadër, ideja është që ta shohim ekonominë shqiptare në një mënyrë ndryshe, pra sa vlen ajo në një ditë. Duke e thjeshtuar përllogaritjen, rezulton se ekonomia shqiptare prodhon rreth 69 milionë euro në ditë. Pra, në çdo 24 orë të një viti, kjo është vlera monetare që gjeneron ekonomia e vendit.

Brenda kësaj panorame, Tirana mban peshën kryesore të prodhimit të mallrave dhe shërbimeve. Sipas të dhënave mbi shpërndarjen e PBB-së sipas qarqeve, kryeqyteti gjeneron 43% të ekonomisë kombëtare. Përkthyer në shifra, kjo do të thotë se vetëm ekonomia e Tiranës prodhon rreth 10.8 miliardë euro në vit. Ose, në terma të përditshëm, Tirana vlen rreth 29.6 milionë euro në ditë. Pra, gati gjysmën e prodhimit të gjithë vendit e përqendron një qytet i vetëm, duke e bërë kryeqytetin jo vetëm qendër administrative e politike, por edhe motorin real të ekonomisë shqiptare.

Kur analizojmë aktivitetet ekonomike që mbajnë peshën më të madhe në ekonominë shqiptare, del në pah se tregtia, transporti dhe shërbimet ushqimore janë motorët kryesorë. Ndërtimi është gjithashtu një sektor kyç, duke gjeneruar rreth 300 miliardë lekë, ndërsa bujqësia, pyjet dhe peshkimi japin po ashtu një shtysë të forte.

E vendosur në një kontekst rajonal, kjo shifër merr një tjetër kuptim. Shqipëria, me 69 milionë euro prodhim në ditë qëndron në një nivel më të lartë se disa nga fqinjët e saj të afërt. Maqedonia e Veriut prodhon rreth 16.7 miliardë euro në vit, çka përkthehet në rreth 46 milionë euro në ditë. Kosova, me një ekonomi rreth 11.2 miliardë euro, arrin të prodhojë 31 milionë euro në ditë. Ndërkohë, Mali i Zi, me një PBB rreth 8.1 miliardë euro, gjeneron rreth 22 milionë euro në ditë. Në këtë grup, Shqipëria jo vetëm që del përpara, por edhe e zgjeron ndjeshëm diferencën me kalimin e viteve.

Por më tej në rajon, përballë ekonomive më të mëdha, panorama ndryshon. Bosnja Hercegovina prodhon rreth 28.3 miliardë euro në vit ose 78 milionë euro në ditë, duke u pozicionuar mbi Shqipërinë. Serbia mbetet në një kategori tjetër, me një ekonomi që arrin mbi 81 miliardë euro, çka i jep një prodhim të përditshëm prej 224 milionë euro.

Naftëtarët e ‘Bankers Petrolium ‘në protestë: kërkojnë rritje page, kushte më të mira pune dhe statusin e naftëtarit

Sot, më 5 Shtator, përpara zyrave të kompanisë Bankers Petroleum në Marinëz, Sindikata e Naftëtarëve zhvilloi një tubim proteste me pjesëmarrjen e qindra punëtorëve.

Në këtë tubim, naftëtarët përcollën kërkesat e tyre kryesore:

  • respektimin e të drejtave të punëtorëve;
  • rritjen e pagave;
  • zbatimin e kontratës kolektive të punës;
  • përmirësimin e kushteve të punës;
  • miratimin e statusit të naftëtarit.

Protestuesit deklaruan se nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave të tyre legjitime.

📢 Ata njoftuan se nesër, më 6 Shtator, në orën 12:00, do të rikthehen sërish në protestë përpara zyrave të kompanisë. Paralelisht, sindikata do të nisë edhe procedurat për grevë, të cilën e konsideron një hap të domosdoshëm për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve.

Fier – Arrestime, procedime penale dhe një vajzë 15-vjeçare e shpallur në kërkim nga policia

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka njoftuar për disa raste të evidentuara në 24 orët e fundit, ku janë marrë masa ligjore ndaj disa shtetasve:

  • Në Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi R. T., 61 vjeç, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
  • Po në Fier, u procedua penalisht G. T., 22 vjeç, nga fshati Ferras, pasi dyshohet se ka kanosur një 35-vjeçar.
  • Në Lushnjë, u procedua penalisht G. N., 61 vjeç, nga fshati Kashtbardhë, pas kallëzimit të shtetasit Gj. Sh., 69 vjeç, se nuk ka likuiduar të gjithë pagesën për mallrat e blera në subjektin e tij.
  • Në fshatin Kolonjë, Lushnjë, u procedua G. C., 56 vjeç, banues në Itali, pasi dyshohet se ka tentuar të hyjë me forcë në banesën e një 72-vjeçari.
  • Po në Lushnjë, u procedua N. Zh., 53 vjeç, nga fshati Zhamë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj babait të tij.
  • Në Mallakastër, një 17-vjeçar u procedua penalisht pasi akuzohet se ka goditur me send të fortë një 10-vjeçar, për motive të dobëta.

Ndërkohë, në Komisariatin e Policisë Lushnjë u paraqit shtetasja M. V., e cila denoncoi se vajza e saj 15-vjeçare është larguar nga banesa më datë 31.08.2025. Policia po punon për gjetjen e saj.

👉 Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Jo më veprime cash mbi 1 mln lekë, miratohet rregullorja e re për zyrat e këmbimit valutor

Banka e Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ndryshime në rregulloren “Për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor”.Sipas BSH, ndryshimet e propozuara në rregullore synojnë të përmirësojnë procesin e licencimit dhe mbikëqyrjes së zyrave të këmbimit valutor. Ato forcojnë kërkesat për reputacionin, integritetin dhe qëndrueshmërinë financiare të subjekteve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Moneyval për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Ndryshimet kryesore lidhen me rritjen e kapitalit fillestar, dokumentimin e burimit të kapitalit dhe kërkesat për ushtrimin e aktivitetit, me qëllim forcimin e kërkesave rregullative që ndër të tjera adresojnë edhe hyrjen dhe operimin në treg të subjekteve që plotësojnë kushtet e nevojshme të qëndrueshmërisë financiare, përshtatshmërisë dhe integritetit të strukturave të zotërimit të kapitalit, drejtimit të përgjegjshëm, si dhe zbatimit të kuadrit rregullativ.

Subjektet që kërkojnë licencë do të duhet gjithashtu të justifikojnë origjinën e kapitalit, përfshirë edhe deklaratë noteriale për mungesën e huazimeve.

Futja e konceptit të “pronarëve përfitues”në rregulloren e re kërkon identifikimin e pronarëve përfitues dhe regjistrimin e tyre në sistemin përkatës, si pjesë e dokumentacionit të licencimit.

Rregullorja vendos kriter arsimor minimal për administratorët: diploma master ose ekuivalente në fushën e arsimit. Gjithashtu, parashikohet verifikimi i reputacionit të mirë si kusht për miratimin e licencës.

Sistemi ERRS (Elektronik i Raportimit Rregullator) përmendet si kanali i ri për raportimet. Rregullorja përcakton gjithashtu bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës Financiare, në kuadër të analizës së aplikimeve dhe veprimtarive të subjekteve.

Për të frenuar qarkullimin informal të parasë, transaksionet cash mbi 1 milion lekë do të lejohen vetëm nëpërmjet llogarive bankare. Gjithashtu, ndalohet mbajtja ditore e shumave cash mbi nivelin e kapitalit fillestar.

Gjithashtu sipas ndryshimeve rriten gjobat maksimale nga 100 mijë në 1 milion lekë për shkelje të ndryshme. Pezullimi i licencës zgjatet në tre muaj, me ndalim të plotë të aktivitetit gjatë kësaj periudhe.

Po kështu, subjektet që ndërpresin aktivitetin për periudha 1–3 mujore do të duhet të njoftojnë zyrtarisht dhe të ndjekin një procedurë të veçantë dokumentacioni. Është parashikuar edhe mundësia për rifillim të shqyrtimit të licencës me dokumente të reja brenda 30 ditëve.

Tarifat për licencim dhe pajisje me kartë kambisti dyfishohen, duke shkuar në 3,000 lekë dhe 1,000 lekë përkatësisht.