Mbështetje 50% grant për serra diellore – Shteti subvencionon prodhimin e perimeve, rrushit dhe luleshtrydheve

Fermerët shqiptarë që dëshirojnë të investojnë në ndërtimin e serrave diellore për prodhimin e perimeve, rrushit të tavolinës dhe luleshtrydheve, mund të përfitojnë deri në 50% mbështetje financiare nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025.

Mbështetja synon të nxisë bujqësinë intensive dhe të qëndrueshme, duke përfshirë edhe instalimin e sistemeve moderne të ujitjes. Financimi vlen për serra nga 0.2 ha deri në 2 ha dhe është i ndarë sipas llojit të prodhimit:

  • Deri në 15 milionë lekë/ha për serra perimesh
  • Deri në 8 milionë lekë/ha për serra rrushi tavoline
  • Deri në 4 milionë lekë/ha për serra luleshtrydheje

Ministrja Anila Denaj bëri të ditur se përveç grantit 50%, fermerët mund të përfitojnë edhe kredi të butë me interes vetëm 2%, si dhe garanci sovrane që mbulon deri në 70% të kolateralit të kërkuar për investimin.

Aplikimet për këtë program janë të hapura deri më 30 shtator dhe përfshijnë gjithsej 9 masa mbështetëse, të fokusuara në rritjen e produktivitetit, cilësisë dhe konkurrueshmërisë së prodhimeve bujqësore shqiptare, sidomos në rajonet me potencial të lartë kultivimi.

Kjo masë pritet të ndikojë pozitivisht në zhvillimin rural, rritjen e të ardhurave për fermerët dhe zvogëlimin e varësisë nga importet.

445 milionë lekë për sigurinë rrugore – ARRSH shpall fituesit për tre rajone

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka shpallur fituesit e tre kontratave publike për ndërhyrje në akset rrugore në veri, qendër dhe juglindje të vendit, me një fond total prej 445.2 milionë lekësh. Këto projekte synojnë përmirësimin e sinjalistikës dhe elementëve të sigurisë rrugore, duke përfshirë rifreskime, ndriçim dhe shtesa të elementëve mbrojtës në rrugë të rëndësishme të qarkullimit kombëtar.

Në Rajonin Verior, kompania Jubica do të ndërhyjë në akset Milot–Hani i Hotit, Milot–Lezhë–Shkodër, Qafë Mali–Fierzë dhe Qafë Bualli–Ura e Cerenecit me një ofertë prej 181 milionë lekësh.

Në Rajonin Qendër-Perëndim, kompania R.S & M do të zbatojë projektet në segmentet Bishti i Zhurit–Elbasan, Cerrik–Belsh, Belsh–Kosovë e Vogël, Fier Shegan–Kozarë, City Park–Durrës dhe Banjë–Gramsh, me një ofertë fituese prej 168.6 milionë lekësh.

Ndërkohë, Rajoni Qendër-Lindje është fituar nga kompania I.D.K Konstruksion, për 95.5 milionë lekë, që përfshin ndërhyrje në akset Gramsh–Mollë Grabovë–Strelcë, Bilisht–Miras dhe ndriçimin e kryqëzimeve në Qafë Plloçë–Korçë.

ARRSH bën me dije se projektet janë hartuar në bashkëpunim me Policinë Rrugore, duke synuar rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit dhe uljen e aksidenteve. Zbatimi do të ketë efekt të menjëhershëm, sidomos në zonat me densitet të lartë trafiku dhe fluks të shtuar turistik gjatë verës.

Rruga e re lidhëse mes Jugut dhe Beratit: Rama publikon pamjet 

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë mëngjes pamje nga faza përgatitore për asfaltimin e rrugës lidhëse mes Urës së Bilçës dhe fshatit Drobonik, një aks që pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e zonës.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi projektin si më shumë se një rrugë: “Një urë zhvillimi që rrit aksesin për fshatrat përreth, mbështet bujqësinë dhe hap një derë të re për fluksin turistik që vjen nga Jugu drejt Beratit dhe anasjelltas,” – shkruan Kryeministri.

Sipas tij, kjo ndërhyrje infrastrukturale do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve, do të përmirësojë qasjen e prodhimeve bujqësore në treg dhe do të fuqizojë lidhjen e rajonit me potencialin turistik të Beratit, si një nga destinacionet historike më të vizituara në Shqipëri.

Ulen temperaturat, rikthehen reshjet e shiut

Dita e sotme do të karakterizohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit zyrtar të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak paraditja do të nisë me kthjellime, por moti do të përkeqësohet gradualisht, duke sjellë vranësira mesatare deri të dendura, veçanërisht në zonat malore.

SHerbimi Meteorologjik Ushtarak thotë se këto zhvillime atmosferike do të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Në zona të caktuara, veçanërisht në veri të vendit, nuk përjashtohen episode të shkurtra shtrëngatash, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe breshër.
Era do të fryjë e lehtë, me drejtim kryesor veriperëndim–veri, me një shpejtësi mesatare prej 7 m/s. Në zonat bregdetare dhe luginat, era do të jetë më intensive, duke arritur deri në 14 m/s në intervale të caktuara kohore.

Sa i përket detit, valëzimi parashikohet i lehtë deri mesatar, me forcë 1–3 ballë.

Operacion kërkimi nga Kepi i Stillos në grykëderdhjen e Semanit pas zhdukjes se nje pasagjeri nga trageti “AKKA”

Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit në bashkëpunim të ngushtë me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane po zhvillon një operacion të gjerë kërkimi për personin e raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”.Mësohet se gjatë gjithë së dielës është kërkuar me intensitet nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykderdhjen e Semanit në veri.

Në operacionin e kërkim shpëtimit janë përdorur 1 Dron TB2 i Forcave Ajrore, 1 Helikopter UH-60 i FA (me 3 efektivë), 1 anije patrulluese P05 e Forcës Detare (me 4 efektivë) dhe 1 motor uji (me 2 efektivë). Po ashtu për kërkimin e shtetasit ende të paidentifikuar kanë dalë në det të hapur 4 mjete patrullimi të Policisë Kufitare me gjithsej 13 efektivë.

vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke ndjekur çdo protokoll të kërkim-shpëtimit në det, por pa rezultat. Mësohet gjithashtu se operacioni do të vijohet edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe kushteve detare.

Kakavijë, mbi 10 mijë persona kaluan kufirin në 24 orë

Në ditët e para të muajit gusht, fluksi i lëvizjes në Doganën e Kakavijës mbetet i lartë, me një numër të konsiderueshëm personash dhe mjetesh që kalojnë në të dyja anët e kufirit me Greqinë.

Sipas Policisë Kufitare të Gjirokastrës, gjatë 24 orëve të fundit, në Kakavijë kanë hyrë dhe dalë nga territori shqiptar gjithsej 10.162 persona, ku 6.394 prej tyre kanë hyrë në Shqipëri dhe 3.768 kanë dalë, ndërsa janë regjistruar gjithsej 3.156 mjete, nga të cilat 1.955 kanë hyrë dhe 1.201 kanë dalë.

Pjesa më e madhe e këtyre udhëtarëve janë emigrantët që kthehen në Shqipëri për të kaluar pushimet verore me familjet e tyre, si dhe turistë nga Greqia dhe vendet e tjera.

Policia Kufitare është angazhuar për të përshpejtuar ritmet e kalimit të kufirit dhe për të evituar krijimin e radhëve të gjata.Po ashtu, pala greke ka shtuar numrin e sporteleve për kontrollin e dokumenteve, duke lehtësuar kështu kalimin e kufirit.

Fluksi i lartë i lëvizjes në këtë doganë pritet të vazhdojë gjatë gjithë muajit gusht.

Italianët të interesuar për Bazën Detare të Pashalimanit

Investitorë italianë janë të interesuar për të ringritur dhe vënë në funksion Bazën Detare të Pashalimanit. Lajmin e ka bërë të ditur ministrii i mbrojtjes Pirri Vengu, i cili ka shpërndarë në rrjetet e tij sociale një video ku tregohet se tashmë ka nisur vlerësimi Teknik I bazës së mirënjohur shqiptare. Në postimin e tij Vengu shkruan se “Ka nisur vlerësimi teknik me partnerët italianë me qëllim ringritjen e kantjerit detar për prodhimin, riparimin dhe mirëmbajtjen e anijeve të Forcës Detare”.Sipas drejtuesit të dikasterit të mbrojtjes interesi I të huajve për të investuar në kapacitet ushtarake të vendit tonë është I lartë. Vengu shkruan se “Në 9 muajt e fundit, 20 shoqëri prodhuese të industrisë së mbrojtjes kanë shprehur interesin e tyre për të bashkëpunuar me KAYO, shoqërinë shtetërore të prodhimit ushtarak “Made in Albania”.

Sipas tij përgjatë muajve qershor dhe korrik 2025, janë finalizuar negociatat me tre prej tyre duke i hapur rrugën themelimit të 3 sipërmarrjeve të reja ku shteti është aksioner në prodhimin e:

Mjeteve të blinduara & mjeteve të emergjencave civile;

Uniformave dhe pajimeve personale;

Municioneve;

Ministri bën të ditur gjithashtu se po vijojmë negociatat për prodhimin e armatimit të lehtë, si dhe asemblimin e sistemeve të artilerisë, predhave dhe dronëve luftarakë.

Kontrolle nga Komani në Ksamil, bllokohen 20 mjete lundruese

Vijon operacioni “SIGURIA DETARE”

Monitorime intensive nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.

Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, janë bllokuar 20 mjete lundruese, 8 prej tyre për shkelje të perimetrit të sigurisë.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 11 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare.

Policia Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, po vijon kontrollet dhe monitorimet intensive në gjithë hapësirën detare, nga Velipoja në Ksamil, si dhe në zonat liqenore e lumore, për të evidentuar shkeljet që lidhen me:

përdorimin e mjeteve lundruese pa dokumentacion përkatës,

shkeljen e perimetrit të sigurisë,

zhvillimin e aktiviteteve jashtë zonave të lejuara.

Gjatë javës janë kontrolluar 316 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Konkretisht 12 jet ski, 4 skafe, 2 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.

8 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.

Ndërkohë, nga Ksamil në Velipojë, Policia Kufitare ka ndërhyrë në 8 raste emergjente, për t’u ardhur në ndihmë 11 shtetasve, që kishin mbetur në rrezik për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjetet e tyre lundruese.

🚨 Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese:

Mos shkelni perimetrin e sigurisë;

Lundroni vetëm në zonat e lejuara;

Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke i garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

përsigurinëepushuesve

zbatorregullatelundrimit

mosshkelperimetrinesigurise

denoncone112cdoshkelje