Apeli korrigjon SPAK-un:Prokurori Zarka dhe të tjerët vepruan si grup i strukturuar kriminal

Apeli i Posaçëm prishi vendimmarrjen për dënimin e ish-prokurorit Aurel Zarka – i akuzuar për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Auris” dhe hetime të tjera, duke çmuar se ai, bashkë me të bashkëpandehurit e tjerë, ka vepruar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.Cilësimi i gabuar nga ana e SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për mënyrën e bashkëpunimit të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, në kryerjen e veprës penale të korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm në çështjen “Toyota Auris” dhe hetime të tjera, çoi në prishjen e vendimit të dënimit të tij më 12 nëntor.

Ish-prokurori Aurel Zarka u deklarua fajtor më 20 maj për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm të kryer në bashkëpunim dhe u dënua me 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Prokurorët e çështjes, Altin Dumani dhe Klodian Braho, e gjetën të drejtë këtë vendimmarrje, por ankim ushtroi vetë i pandehuri Zarka, i cili këmbënguli në pafajësi.

Sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit, provat dhe rrethanat tregojnë qartë se jo vetëm Zarka, por edhe tre të pandehurit e tjerë të çështjes kanë bashkëpunuar si një grup i strukturuar kriminal – ndryshe nga vlerësimi i prokurorëve të çështjes, si dhe i gjyqtarëve të Shkallës së Parë, Erjon Çela, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca, të cilët e cilësuan si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese.

Sipas SPAK-ut, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Interesi kryesor i të pandehurve duket se lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Auris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Çani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri, ndërsa u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi.

Gjashtë vjet më vonë, në vitin 2024, si rrjedhojë e të dhënave të përftuara nga aplikacioni Sky ECC, SPAK arrestoi prokurorin e Vlorës Aurel Zarka, avokatin Radovan Çela, Astrit Vladin – vëllain e Elvis Vladit – dhe shpalli në kërkim hetuesen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Eriona Daupaj.

Katër të pandehurit dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në disa raste kanë ofruar dhe premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë në 8 çështje penale, përfshirë gjykimin për sekuestrimin e 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit.

Prokurorët Altin Dumani dhe Klodian Braho, të pyetur për koment përmes koordinatores për të drejtën e informimit në SPAK për vendimin e Apelit, nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi.

Grup i Strukturuar Kriminal

Në vendimin e arsyetuar të trupit gjykues të Apelit të Posaçëm, të përbërë nga gjyqtarët Miliana Muça, Dhimitër Lara e Saida Dollani, renditen argumentet përse prokurori Zarka ka vepruar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Trupi gjykues i Apelit të Posaçëm vëren se Zarka është gjetur fajtor nga Shkalla e Parë për të pesë akuzat e ngritura nga prokurorët, për të cilat – në tre raste për bashkëpunim të thjeshtë si rrethanë rënduese.

Sipas kolegjit të Apelit, në cilësimin e mënyrës së bashkëpunimit ka gabuar fillimisht prokurori, pas tij gjyqtari i seancës paraprake dhe në vijim edhe treshja gjykuese e themelit, duke e përcaktuar bashkëpunimin si rrethanë rënduese dhe jo si bashkëpunim të veçantë.

Sipas kolegjit të Apelit të Posaçëm, nga aktet është e qartë se fajësia përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që bie mbi të pandehurin Zarka, në të gjitha akuzat ndaj tij, është ajo e kryerjes së veprave penale nga së paku tre persona, që kërkon kualifikimin si grup i strukturuar kriminal.

Kolegji i Apelit të Posaçëm thekson se bashkëpunimi konstatohet në ndikimin e paligjshëm në rastin e zëvendësimit të masave të sigurimit ndaj të pandehurve për çështjen “Toyota Auris”; në rastin e mosfillimit të procedimit dhe të hetimit pasuror të kryer atëherë. Po ashtu, evidentohet se bashkëpunimi i posaçëm në këto vepra penale është kryer jo vetëm nga të bashkëpandehurit Aurel Zarka, Erjona Daupaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi.

“…Në të pestë faktet historike të vlerësuar si penale, mbi të cilat është gjendur fajtor i pandehuri z. A.Z., kanë marrë pjesë tre e më shumë persona, të cilët janë marrë vesh e kanë rënë dakord për kryerjen e një apo më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale apo të çfarëdo lloji”, argumenton Apeli.

Kolegji vlerëson se në të pestë rastet e kryerjes së veprave penale nga i pandehuri Zarka kanë bashkëpunuar respektivisht jo më pak se 3 dhe 4 persona, duke përmbushur parashikimet e pikës 4 të nenit 28 të Kodit Penal, lidhur me grupin e strukturuar kriminal.

Në këtë përcaktim të Kodit Penal parashikohet se “grupi i strukturuar kriminal është formë e veçantë bashkëpunimi, në të cilin bëjnë pjesë tre ose më shumë persona, për kryerjen e një a më shumë veprave penale, për të realizuar përfitime materiale dhe jomateriale”.

Po ashtu, përcaktohet se “grupi i strukturuar kriminal për kryerjen e një vepre penale nuk formohet rastësisht dhe nuk është e nevojshme të dallohet për anëtarësi të qëndrueshme, ndarje detyrash, organizim dhe strukturim të zhvilluar”.

Apeli vëren se provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se Zarka është marrë vesh me bashkëpunëtorët e tij për kryerjen e veprës penale pesë herë, se i ka kryer veprat penale për të realizuar përfitim material të shumave në euro dhe se bashkëpunimi është i paramenduar dhe i parallogaritur.

Në vijim të analizës së legjislacionit dhe praktikave gjyqësore, Apeli arsyeton se gjykata mund t’i japë faktit një përcaktim të ndryshëm nga ai që ka bërë prokurori. Për të shmangur mundësinë e dënimit për një fakt tjetër nga ai që është objekt i gjykimit, për të cilin është përshtatur mbrojtja e Zarkës, si dhe për shkak se ankimi është kryer nga i pandehuri, është çmuar që të prishet vendimmarrja e Shkallës së Parë.

Lirohet ish-Përfaqësuesja e BE -Federica Mogherini, e cila u ndalua të martën pasdite në Belgjikë

Lirohet ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme Federica Mogherini, e cila u ndalua të martën pasdite në Belgjikë, si pjesë e hetimit për tenderin për një projekt për të krijuar një kurs pasuniversitar të financuar nga BE-ja për diplomatë të rinj në Kolegjin Evropian në Bruges.

Agjencia e lajmeve Agi raporton se Mogherini u ndalua së bashku me dy italianë të tjerë, Ambasadorin Stefano Sannino, ish-Sekretar i Përgjithshëm i EEAS, organit evropian që kishte iniciuar tenderin prej 990,000 eurosh për kursin në vitin 2021-22 në Kolegjin Evropian. Po ashtu u ndalua dhe Cesare Zegretti, menaxher i të njëjtit kolegj prestigjioz të Bruges. 

Akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit Federal në Bruges dhe Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) përfshijnë mashtrim në prokurimin publik, korrupsion, konflikt interesi, shkelje të sekretit profesional dhe konkurrencë të padrejtë.

Anëtar i PD-së kritika Berishës : Demokratët të demoralizuar, strukturat mezi po formohen

Gjatë takimit të radhës të “Foltores” në njësinë nr. 9 në Tiranë, një nga anëtarët e Partisë Demokratike ka adresuar publikisht pakënaqësi të thella lidhur me funksionimin e brendshëm të partisë dhe mungesën e motivimit te demokratët.

Ai i kërkoi Sali Berishës që të vendosë standarde të qarta llogaridhënieje për deputetët, duke theksuar se shumë prej tyre nuk kanë sjellë rezultatet e pritura.

“Kur filloi Foltorja ishim të gjithë entuziastë. Mendonim se deputetët që nuk performonin do të mbaheshin përgjegjës. Përkundrazi, disa prej tyre edhe pse kanë dështuar, janë promovuar. Kjo na demoralizon,” tha ai.

Sipas tij, baza e PD-së është në gjendje të dobësuar:

“Është e lehtë të jesh deputet me rrogë në opozitë, por e vështirë për ne demokratët e thjeshtë. Sot demokratët janë të demotivuar dhe me zor po mbushim komisionet.”

Takimet e “Foltores” po vijojnë, ndërsa anëtarësia po shpreh gjithnjë e më hapur pakënaqësitë dhe kërkesat për reformim brenda partisë.

Kushtetuesja shqyrton të enjten kërkesën e Ramës për pezullimin e Ballukut

Të enjten, Gjykata Kushtetuese do të marrë në shqyrtim kërkesën e paraqitur nga Kryeministri Edi Rama lidhur me çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Seanca pritet të sqarojë nëse vendimi për pezullimin e saj do të mbetet në fuqi apo do të rrëzohet.

Kjo çështje ka ngjallur debat të gjerë politik dhe institucional, pasi lidhet me interpretimin e kompetencave midis pushtetit ekzekutiv dhe atij ligjvënës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë përcaktues për vijimin e procesit dhe për pozicionin zyrtar të Ballukut në qeveri.

© NeoAlb

Konsumoi fotoksinë, ndërron jetë në spital 15-vjeçari

Një 15-vjeçar ka ndërruar jetë në spital, pasi dyshohet se kishte konsumuar fotoksinë.

Policia e Elbasanit thotë se fillimisht 15-vjeçari u paraqit në spitalin e Elbasanit dhe më pas u transportua drejt QSUT, ku edhe humbi jetën

Elbasan/Në Spitalin Rajonal Elbasan është dërguar për mjekim një 15-vjeçar, i cili më pas është dërguar në QSUT, por pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, ai ka humbur jetën.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 15-vjeçari ka konsumuar fotoksinë. Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.

Gjenerata Z në Shqipëri: Brezi më digjital, më i stresuar dhe më emigrues në historinë e vendit

Gjenerata Z, që përfshin të rinjtë e lindur midis viteve 1997 dhe 2012, paraqitet si brezi më i veçantë dhe njëkohësisht më i sfiduar në Shqipëri. Të rritur mes teknologjisë së shpejtë dhe ndryshimeve të mëdha sociale, ata shfaqin karakteristika që i dallojnë qartë nga brezat paraardhës.

Sipas analizave sociologjike, kjo gjeneratë është brezi më digjital në historinë shqiptare, me përdorim dominant të platformave si TikTok, Instagram dhe YouTube që në moshë të hershme. Kjo ka sjellë një ritëm të ri konsumimi të informacionit, por edhe rritje të presionit social dhe nivelit të ankthit.

Në aspektin ekonomik, të rinjtë shqiptarë të kësaj moshe rezultojnë jashtëzakonisht pragmatikë dhe të orientuar drejt të ardhurave, duke mos pranuar paga të ulëta dhe kushte jo konkurruese. Pikërisht për këtë arsye, Gjenerata Z përbën sot brezin më emigrues në Shqipëri, me shumë prej tyre që synojnë largimin që në moshën 16–18 vjeç, kryesisht drejt vendeve të BE-së.

Edhe pse kanë aftësi të larta teknologjike, të rinjtë përballen me një sistem arsimor që shpesh konsiderohet të jetë pas kohës, me mungesë praktikash profesionale dhe me kushte të kufizuara moderne. Kjo krijon boshllëk mes aftësive të tyre dhe kërkesave të tregut.

Ndërkohë, në aspektin social, Gen Z është më e hapura ndaj temave të ndjeshme si shëndeti mendor, identiteti personal dhe barazia, duke sfiduar shpesh normat tradicionale të shoqërisë shqiptare.

Ekspertët theksojnë se përmirësimi i kushteve të punës, forcimi i meritokracisë dhe modernizimi i arsimit janë faktorë kyç për të frenuar largimin masiv dhe për të përfituar nga potenciali i këtij brezi.

© NeoAlb

Prokuroria Fier dërgon në gjyq shtetasen A.B., e cila në cilësinë e avokates mashtroi disa persona duke u marrë shuma monetare pa hapur asnjë proces gjyqësor

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallë së Parë të Juridiksionit tëPërgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasen A.B. për veprën penale ‘Mashtrimi’ më shumë se njëherë parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal.

Nisur nga fakti që për këtë shtetase janë bërë edhe kallëzime të tjera nga shtetas të ndryshëm, me këtë procedim janë bashkuar edhe kallëzimi penal nr. 246/2021, procedimet nr. 724 i vitit 2019, nr. 734 i vitit 2019, nr. 95 i vitit 2020, nr. 111/2020, nr. 728 vitit 2019 dhe nr. 512 i vitit 2020.

Nga hetimet, mbi procedimin penal nr.181, datë 16.03.2018, pas denoncimeve të bëra nga shtetas të ndryshëm, rezultoi se e pandehura A.B. në cilësinë e avokates nëpërmjet gënjeshtrës i ka përvetësuar personave të ndryshëm, shuma të ndryshme monetare me pretendime se kjo vlerë i duhej për përfaqësimin si avokate, por në fakt, nga ana e të pandehurës, nuk është hapur asnjë proces gjyqësor apo nuk janë kryer veprimet aministrative apo procedurale të pretenduara prej saj. 

Për ta bërë të besueshme pretendimin e saj, në raste të caktuara, ajo i ka dorëzuar shtetasve akte që përmbajtja e tyre nuk përfaqësonte realitetin. Kjo mënyrë veprimi nga e pandehuraështë përdorur edhe në raste të tjera dhe përgjithësisht tëdëmtuarit identifikoheshin shtetas të cilët jetonin jashtë territorit dhe nuk kishin mundësi të ishin prezent në çdo kohë në Shqipëri dhe nuk kishin informacione në lidhje me procedurat gjyqësore apo administrative që pretendonte që ndiqte avokatja në emër të tyre.

Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka dërguar për gjykim të pandehurën A.B për veprën penale “Mashtrimi” më shumë se njëherë, në dëm të viktimave A.S, K.S, O.Sh dhe D.L, parashikuar nga neni 143/2 i Kodit Penal dhe të veprës penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, në dëm të viktimës M.Sh, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal dhe për veprën penale “Falsfikimi i dokumentave”, parashikuar nga neni 186 pg.3 i Kodit Penal.  

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale që prekin pasurinë dhe të drejtat ekonomike të subjekteve të dëmtuar.

Federica Mogherini arrestohet në Bruksel, nën hetim për mashtrim dhe korrupsion në kontratat e BE-së

Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe aktualisht Rektore e Kolegjit të Evropës, është ndaluar nga autoritetet belge si pjesë e një hetimi për mashtrim dhe korrupsion, raportojnë mediat prestigjioze belge Le Soir dhe De Standaard.

Sipas këtyre burimeve, gjatë ditës së sotme policia belge ka kryer kontrolle në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel, si dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges. Hetimi lidhet me mënyrën se si Kolegji i Evropës ka fituar një kontratë për organizimin e një programi trajnimi nëntëmujor për diplomatët e rinj europianë, të njohur si Akademia Diplomatike e BE-së.

Autoritetet po hetojnë dyshimet për favorizim, konkurrencë të padrejtë, mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Faktet e pretenduara i përkasin periudhës 2021–2022.

Nga operacioni janë ndaluar gjithsej tre persona, mes tyre edhe Mogherini, sipas raportimeve të Le Soir. Deri në këto momente, Prokuroria Federale belge nuk ka dhënë ende një deklaratë publike që të konfirmojë zyrtarisht emrat e të arrestuarve, ndërsa as Mogherini dhe as institucionet e BE-së nuk kanë reaguar.

Hetimi pritet të zgjasë dhe të sjellë zhvillime të tjera, ndërsa pritet deklarata zyrtare e autoriteteve belgë.