ITALI- Shqiptari arratiset për herë të 4 -t nga burgu

Një tjetër arratisje spektakolare është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë në Opera, ku i dënuari shqiptar 41-vjeçar, Toma Taulant, është larguar pa lënë gjurmë nga qelia e tij.

Alarmi u dha rreth orës 08:00 të mëngjesit të së dielës, gjatë kontrolleve rutinë, kur oficerët e policisë së burgut konstatuan se Toma nuk ndodhej më në qeli.

Sipas të dhënave hetimore paraprake, ai dyshohet se ka prerë hekurat e dritares, është ngjitur në oborrin e brendshëm, e më pas ka kaluar murin perimetral, duke u zhdukur brenda pak minutash. Hetuesit po analizojnë regjistrimet e kamerave të sigurisë për të përcaktuar me saktësi momentin dhe mënyrën se si ndodhi arratisja.

Toma Taulant – i dënuar për grabitje, vjedhje dhe trafik droge, me dënim që i përfundon në vitin 2048 – njihet për aftësinë e tij për t’u arratisur. Kjo është heraj e katërt që ai i shpëton sistemit të burgjeve italiane:

  • 2009 – Arratiset nga burgu i Ternit; kapet në dhjetor në një shtëpi fshati në provincën e Pavias.
  • 2013 – Arratiset nga burgu i Parmës bashkë me një të dënuar tjetër; kapet më pas në Belgjikë.
  • Pas kapjes, arratiset sërish, deri sa u ndalua përfundimisht në vitin 2015.

Njësitë e kërkimit janë vënë në gatishmëri jo vetëm brenda perimetrit të burgut, por edhe në zonat përreth, ndërsa vijon puna intensive për të zbuluar se ku mund të jetë fshehur 41-vjeçari.

Aksident në kryqëzimin e Cakranit – Dëmtohen 4 persona, mes tyre 3 efektivë policie

Informacion paraprak nga Policia e Shtetit bën me dije se rreth orës 11:00, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”, automjeti me drejtues shtetasin A. Y. është përplasur me automjetin e FNSH Fier, të drejtuar nga punonjësi i policisë K. H.

Si pasojë e përplasjes, janë dëmtuar drejtuesi i mjetit A. Y., si edhe tre punonjës të policisë, të cilët janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Rama:“Buxheti 2026”,pagat dhe pensionet do të shënojnë përsëri rritje historik

Kryeministri Edi Rama gjatë përmbledhjes së zhvillimeve kryesore të javës, foli edhe për “Buxhetin 2026”.Ai u ndal tek pagat dhe pensionet, teksa shtoi se do të ketë sërish rritje, teksa shtoi se viti i ardhshëm hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët.

“Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike.

Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur. 

Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate, një mbështetje e paprecedentë, për Shqipërinë 2030, jo vetëm meritojnë çdo vit e më shumë, por do të kenë çdo vit e më shumë, pasi barra e borxhit ndaj tyre është e tillë që do të na bëjë të vazhdojmë të rrisim punën tonë përditë e përditë”,u shpreh kryeministri Rama.

Aksident në Qafën e Koshovicës në Fier, përplasen 2 automjete

Një aksident rrugor ka ndodhur pak më parë në Qafën e Koshovicës, në Fier. Sipas pamjeve të siguruara, dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.

Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë, të cilat po punojnë për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Shembet segmenti Lozhan-Moglicë, 8 familje mbeten të bllokuara

Reshjet e shumta të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar probleme të konsiderueshme në disa akse rrugore të Bashkisë Maliq.

Një ndër dëmtimet më serioze është shembja e një segmenti të rrugës së vjetër Lozhan-Moglicë, e cila ka sjellë izolimin e 8 familjeve në fshatrat Gjinikas dhe Osojë. Për shkak të shembjes, qarkullimi i mjeteve në këtë aks është bërë i pamundur.

    Nga ana e bashkisë, ekipet e terrenit kanë nisur menjëherë punën për hapjen e një bypass provizor, me qëllim krijimin e një rruge alternative që do të mundësojë lëvizjen e banorëve deri në rikthimin e plotë të qarkullimit. Punimet po vijojnë me intensitet për të garantuar normalizimin sa më të shpejtë të situatës.

    Ndërkohë, reshjet kanë shkaktuar edhe shkarje dherash në rrugën e fshatit Kakaç. Specialistët e bashkisë ndodhen në terren duke kryer inspektime dhe studimin e zonës, pasi janë konstatuar dhe lëvizje të tjera të terrenit që kërkojnë vlerësim të kujdesshëm.

    Megjithatë, pavarësisht dëmtimeve, aktualisht aksi mbetet i kalueshëm për mjetet, ndërsa autoritetet janë në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të mëtejshme, nëse situata e motit përkeqësohet.

    38-vjeçari me motor humb jetën pas përplasjes me dy automjete

    Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar rreth orës 21:00 në Unazën e Madhe, ku dyshohet se janë përfshirë dy automjete dhe një motomjet. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën drejtuesi i motomjetit, shtetasi O. Xh., 38 vjeç.

    Drejtuesit e automjeteve, shtetasit Gj. L. dhe A. Sh., ndodhen në vendngjarje dhe po bashkëpunojnë me autoritetet për veprimet procedurale. Ndërkohë, Grupi Hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

    Hetimet vijojnë.

    Fermerët ne GREQI ,paralizojnë rrugët dhe doganat ,protestat pritet të përshkallëzohen javën e ardhshme

    Protestat e fermerëve janë intensifikuar në të gjithë vendin, duke shkaktuar bllokime masive në rrugët kombëtare dhe pikat kufitare. Në bllokadën e Nisës pritet të grumbullohen mbi 1.000 traktorë, ndërsa në autostradën E65 ndodhen rreth 1.500 mjete bujqësore. Situata paraqitet e rënduar edhe në Malgara dhe në doganën Greqi–Maqedoni e Veriut, ku fermerët dhe blegtorët e Paionias kanë ndalur qarkullimin.

    Përshkallëzim i paralajmëruar

    Organizatorët kanë bërë të ditur se, nëse qeveria nuk ndryshon qëndrim brenda javës së ardhshme, protestat do të shtrihen në dogana të tjera strategjike, përfshirë Promahonën në kufi me Bullgarinë, si dhe portet e Volosit dhe Selanikut. Ndërkohë, fundjavën e ardhshme paralajmërohet një bllokadë e re në Siatistë, ku pritet të bashkohen fermerët e Kozanit, Grevenës dhe Kosturit.

    Qeveria kërkon dialog

    Teksa mijëra fermerë kanë kaluar natën në rrugë, qeveria ka deklaruar se procesi i subvencioneve do të mbyllet brenda muajit dhe se është e gatshme të ulet në bisedime me përfaqësuesit e tyre. Zëvendëskryeministri Kostis Hatzidakis theksoi se “dera mbetet e hapur” për dialog, duke shpresuar në shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve.

    Protestat pritet të vijojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa situata mbetet e tensionuar në disa nga pikat kyçe të transportit.

    Shqipëria po plaket, fuqia punëtore po tkurret/ Deri në vitin 2050, vetëm 1.4 persona në moshë pune do të mbështesin çdo pensionist

    Rënia e ritmeve të shtimit të popullsisë dhe vështirësitë në tregun e punës po ndikojnë ndjeshëm në raportin mes të punësuarve dhe pensionistëve në mbarë botën. Një analizë e re e World Economics, me parashikime deri në vitin 2050, tregon se Shqipëria po përballet me një ngushtim të shpejtë të numrit të personave në moshë pune që mbështesin popullsinë e moshuar.

    Aktualisht, në Shqipëri rreth 2.5 persona në moshë pune (15–64 vjeç) mbështesin 1 të moshuar (65+), një rënie prej 0.3 pikësh krahasuar me vitin 2020. Deri në vitin 2030, kjo shifër pritet të ulet në 2.1, ndërsa në vitin 2050 parashikohet të arrijë në vetëm 1.4 punëtorë për çdo pensionist, duke rënduar ndjeshëm barrën ekonomike dhe sociale.

    Në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria ndodhet aktualisht në pozicion më të favorshëm:

    • Maqedonia e Veriut: 2 punëtorë për 1 pensionist
    • Serbia: 1.9 punëtorë
    • Bosnja dhe Hercegovina: 1.7 punëtorë
      Edhe në këto vende, raporti pritet të përkeqësohet në vitet e ardhshme.

    Fenomeni është global dhe prek thuajse të gjitha ekonomitë e zhvilluara. Italia renditet ndër vendet më problematike, ku sot vetëm 1.5 persona në moshë pune mbështesin 1 të moshuar, ndërsa në vitin 2050 pritet që raporti të bjerë në 0.8. Situatë të ngjashme kanë edhe Japonia, Greqia, Kroacia, Portugalia dhe Franca.

    Në anën tjetër, vendet e Azisë rezultojnë me raportin më të favorshëm. Emiratet e Bashkuara Arabe kryesojnë me 44.7 persona në moshë pune për çdo pensionist, shifër që në vitin 2050 pritet të jetë ende shumë e lartë — rreth 36.2. Pas tyre renditen Katari me 41 persona dhe Omani me 19.5 persona në moshë pune për çdo të moshuar.

    Sipas ekspertëve, ky trend i plakjes së popullsisë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemet e pensioneve, financat publike dhe fuqinë punëtore, duke e bërë urgjente nevojën për reforma demografike, sociale dhe ekonomike.