Aksidenti në aksin Lushnje-Berat, 30-vjeçari dergohet në spital

Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Lushnjë-Berat, ku si pasojë ka përfunduar në spital një 30-vjeçar.

Sipas burimeve, 30-vjeçari A.G drejtuesi i makinës tip Toyota, është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës.

Në vendngjarje mbërriti policia rrugore dhe zjarrfikësit. Policia e vlerësoi rrethanat e aksidentit dhe dyshon se njëri prej drejtuesve të mjeti ka qenë me shpejtësi të lartë.

Arrestohet FIERAKU në pikën kufitare të Murriqanit,i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Arrestohet në pikën kufitare të Murriqanit, një 56-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia e Shkodrës njofton se si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, u kap duke hyrë në Shqipëri, shtetasi Spartak Joanu., 56 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Ankona, Itali, e ka dënuar me 16 vjet e 4 muaj burg për veprat penale “Grup kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Grup kriminal me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit”, në zbatim të legjislacionit penal italian.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, do të kryejë procedurat për ekstradimin e 56-vjeçarit në Itali.

Arrestime dhe procedime në Fier: Ndërtim i paligjshëm, kanosje ndaj punonjëseje gjykate dhe posedim kanabisi

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:
-arrestuan në flagrancë shtetasin I. Sh., 64 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. H., 75 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për shkak të shtyrjes së një seance gjyqësore, ka kanosur dhe fyer Kryesekretaren e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. O., 34 vjeç, banues në Lushnjë, pasi posedonte doza Cannabisi.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. A., 51 vjeç, banues në Mallakastër, pasi ushtronte aktivitetin tregëtar i pa regjistruar në organet tatimore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

MALLAKASTER- “Tre vëllezër bllokojnë rrugën për në varreza-Bashkia hesht”

Një ngjarje absurde dhe e dhimbshme po zhvillohet në fshatin Drizar të Mallakastrës, ku tre vëllezër, Halim, Zagor dhe Pëllumb Ferzaj, kanë bllokuar rrugën që të çon në varrezat e fshatit. Për pasojë, familja Tenaj nuk mund të kryejë nderimet për të ndjerin që mbush një vit nga vdekja, pasi automjetet që transportojnë materialet për ndërtimin e varrit nuk lejohen të kalojnë.

Sipas denoncimit të Kelmend Tenajt, banor i fshatit Drizar që prej vitesh jeton në Itali, konflikti me tre vëllezërit Ferzaj ka nisur kohë më parë, por është përshkallëzuar ndjeshëm pas vdekjes së vëllait të tij. Kelmendi rrëfen se për të kryer nderimet mortore është dashur të marrë leje nga Ferzajt, të cilët kanë bllokuar rrugën që lidh fshatin me varrezat, duke e kthyer në pronë private.

Situata, sipas Tenajt, është bërë edhe më e rëndë në prag të njëvjetorit të ndarjes nga jeta të vëllait, pasi makina që transporton materialet për ndërtimin e varrit nuk lejohet të kalojë. Ai shprehet se ka kërkuar ndihmë nga institucionet lokale, por pa rezultat.

“Vetwm një herë që kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, ka urdhëruar hapjen e rrugës, u bë e mundur të kalonim, por pas pak ditësh ‘tre agallarët’ e fshatit e bllokuan sërish,” thotë Kelmendi për “Piranjat”.

Institucionet: të pafuqishme ose të painteresuara

Drejtori i Policisë Bashkiake në Mallakastër ka pranuar se është shkelur ligji, por e konsideron rastin jashtë kompetencave të tyre, duke theksuar se duhet të ndërhyjë Prokuroria për shkak të veprës penale të përsëritur. Edhe pse është zotuar për zgjidhje, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret.

Gazetarët e “Piranjave” janë përpjekur të marrin një qëndrim nga kryebashkiaku Qerim Ismailaj, i cili në vend të sqarimeve ka shfaqur sjellje arrogante dhe mungesë përgjegjësie, duke mos lejuar as hyrjen e tyre në zyrë. Edhe pas zotimit të tij për hapjen e rrugës, situata në terren mbetet e pandryshuar.

Një vepër penale pa ndëshkim

Bllokimi i rrugës publike që çon në varreza përbën vepër penale, por deri më sot askush nuk është mbajtur përgjegjës. Dosja, sipas Tenajt, është dorëzuar në Prokurori, por nuk dihet nëse po hetohet apo është mbyllur në heshtje.

Ndërkohë, familja e tij mbetet pa mundësi për të nderuar të afërmin e ndjerë, në një ngjarje që tregon qartë dështimin e shtetit për të garantuar të drejtën më bazike – lëvizjen në tokën e përbashkët.

Nis të hënën ndërhyrja në aksin Vorë–Ura e Dajlanit, parashikohen bllokime të përkohshme trafiku

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) do të nisë ditën e hënë, më 13 tetor 2025, zbatimin e projektit “Emergjencë për riparimin e nënshtresave dhe shtresave asfaltike” në aksin Vorë–Ura e Dajlanit, një nga rrugët më të ngarkuara të vendit.

Sipas njoftimit zyrtar të publikuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërhyrja ka si synim përmirësimin e cilësisë së qarkullimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, ndërsa do të shoqërohet me bllokime të përkohshme të trafikut në drejtimin Vorë–Durrës, në disa segmente të ndara si më poshtë:

  • Vorë – Maminas
  • Maminas – Sukth
  • Sukth – Fllakë
  • Fllakë – Mbikalimi i Shkozetit
  • Mbikalimi i Shkozetit – Ura e Dajlanit

Çdo segment do të ketë kohëzgjatje punimesh nga 1 deri në 2 ditë, në varësi të kushteve teknike dhe motit.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që gjatë ditëve të ndërhyrjes të përdorin rrugën alternative Vorë – Maminas – Katër rrugët e Shijakut – Durrës, për të shmangur vonesat dhe për të lehtësuar qarkullimin.

Pas përfundimit të punimeve në kahun Vorë–Durrës, ndërhyrja do të vijojë edhe në drejtimin e kundërt Ura e Dajlanit–Vorë, me të njëjtën ndarje segmentesh dhe afate kohore.

Në njoftimin e saj, ARRSH thekson se këto punime janë pjesë e programit të ndërhyrjeve emergjente për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore kombëtare, duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për çdo vështirësi të përkohshme gjatë zbatimit të projektit.

Shqipëri-BERZH, memorandum për depozitimin e energjisë, Balluku: Forcojmë sektorin energjetik

Shqipëria nënshkruan memorandum për depozitimin e energjisë me BERZH. Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale zëvendës kryeministrja, njëkohësisht minister e enegjisë dhe transportit Belinda Balluku. Në postimin e saj Balluku shkruan:

Me Charlote Ruhe, Drejtoreshë e #BERZH për Europën Qëndrore dhe Juglindore, nënshkruam një memorandum të ri bashkëpunimi për të avancuar projektet e depozitimit të energjisë dhe për të përmirësuar kuadrin rregullator.

Transparencë, konkurencë dhe besueshmëri – këto janë themelet e ankandeve ndërkombëtare që po forcojnë sektorin energjetik shqiptar dhe po e bëjnë vendin tonë shembull për rajonin.

Memorandumi i nënshkruar sot, një tjetër hap drejt objektivit tonë për 2030: Shqipëria, eksportuese neto e energjisë!”

Ish-deputeti i PD, Ferdinand Xhaferaj emërohet këshilltar në Presidencë

Ferdinand Xhaferaj, ish-deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit emërohet këshilltar i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Emërimi vjen pas përfundimit të mandatit të tij parlamentar dhe vendimit për të mos marrë pjesë në primaret e PD-së për zgjedhjet e ardhshme.

Xhaferaj sjell në institucionin e Presidencës një përvojë të gjerë dhe të konsoliduar, duke iu referuar karrierës së gjatë në politikë dhe në fushën e sigurisë kombëtare. Ai është diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe ka ndjekur studime të avancuara në SHBA, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit për “Politikat e Lidershipit” (1999) dhe një Master të Dyfishtë në “Siguri Ndërkombëtare” dhe “Çështje të Sigurisë Kombëtare” në Naval Postgraduate School. Në vitin 2006, ai përfundoi studimet e doktoraturës në Akademinë e Mbrojtjes.

Balluku në Konferencën e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike: “Shqipëria, pjesë aktive në sigurinë dixhitale të Aleancës”

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në Konferencën për Mbrojtjen Kibernetike të organizuar nga NATO në Tiranë, me praninë e delegacioneve nga 32 vende të Aleancës.

Në fjalën e saj, Balluku theksoi përkushtimin e Shqipërisë për të kontribuar në këtë përpjekje globale, duke forcuar kapacitetet e mbrojtjes kibernetike dhe duke bashkëpunuar ngushtë me aleatët për një hapësirë më të sigurt për të gjithë.

“Në një botë ku rreziku vjen nga çdo cep i hapësirës dixhitale, ne nuk mund të jemi vetëm spektatorë, duhet të jemi të përgatitur, të bashkuar dhe të fortë,” u shpreh ministrja.

Sipas saj, NATO është më shumë se një aleancë ushtarake, por një familje që garanton solidaritet dhe bashkëpunim kundër kërcënimeve që cenojnë lirinë dhe paqen.

“Shqipëria është krenare që luan një rol aktiv në këtë betejë, duke dhënë kontributin e vet në mbrojtjen e sigurisë sonë kolektive,” shtoi Balluku.

Konferenca e NATO-s në Tiranë vjen në një kohë kur siguria kibernetike po kthehet në një nga sfidat më të mëdha për vendet e Aleancës dhe për botën në tërësi.