SPAK ka bërë të ditur se deri tani ka dërguar dy urdhër-thirrje për ish-kryeministrin Sali Berisha në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 Janarit. Të gjitha njoftimet janë dërguar përmes shërbimit të Postës Shqiptare, por janë përballur me refuzime në disa adresa.
Sipas Prokurorisë së Posaçme:
- Urdhër-thirrja e parë është dërguar më 3 nëntor 2025 në adresën e banesës së Berishës, ku ai duhet të paraqitej më 7 nëntor 2025. Zarf është kthyer mbrapsht me shënimin:
“Rojet janë autorizuar të mos marrin asnjë zarf.” - Pas këtij konstatimi, më 7 nëntor 2025, SPAK ka dërguar një tjetër urdhër-thirrje në tre destinacione: në banesë, në selinë e Partisë Demokratike dhe në Kuvend, për paraqitje më 14 nëntor 2025.
- Më 9 nëntor, zarf i dërguar në banesë është refuzuar përsëri.
- Më 12 nëntor, Shërbimi i Burimeve Njerëzore dhe Trajtimit të Deputetëve në Kuvend ka njoftuar se stafi politik i grupit parlamentar të PD-së ka refuzuar dorëzimin e njoftimit.
- SPAK shton se më 10 nëntor 2025 njoftimi i urdhër-thirrjes është dërguar edhe në adresën zyrtare të emailit: sali.berisha@parlament.al.
Prokuroria e Posaçme thekson se do të vijojë ndjekjen e të gjitha procedurave ligjore për njoftimin dhe paraqitjen e personit të thirrur, sipas afateve dhe detyrimeve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.











