Armando Ndreca, vëllai i deputetit socialist Eduard Ndreca, do të përballet me drejtësinë pas përfundimit të hetimeve nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila e ka çuar çështjen në Gjykatën e Posaçme.
Ndreca akuzohet për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike, si dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Akuzat ndaj tij:
“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal (nenet 283/3 dhe 28/4 të Kodit Penal);
“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e organizimit (neni 333/a/1 i Kodit Penal);
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” (neni 334/1 i Kodit Penal).
Sipas hetimeve të SPAK, Armando Ndreca ka pasur rol organizativ në një grup të përfshirë në kultivimin dhe shpërndarjen e sasisë prej 243 kg kanabis, gjatë vitit 2020 në zonën e Lezhës.
Armando Ndreca u arrestua në 2024, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, pas zbulimit të një stani të kthyer në shtëpi bari në një fshat të Lezhës. Por Ndreca u lirua nga gjykata pasi nuk kishte prova që vërtetonin implikimin e tij në kultivimin e drogës, ku u arrestuan 2 persona.
Por në janar 2025, ai u arrestua sërish në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Ndreca u arrestua pasi doli në komunikimet e Sky Ecc për kultivimin e drogës. Një muaj para ndalimit të tij nga SPAK, Armando Ndreca u arrestua nga Policia e Lezhës në lidhje me një serë e cila kultivohej kanabis sativa. Ndaj tij, SPAK ngriti akuzën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në kuadër të grupit kriminal.
Në dosjen ku bën pjesë Armando Ndreca me urdhër ndalimi është edhe ish-deputeti Arben Ndoka, nipi i tij Samuel Ndoka.