SPAK–Balluku, Kuvendi pret vendimin e Kushtetueses dhe shtyn mbledhjen e Këshillit të Mandateve

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për Belinda Ballukun.

Mbledhja ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së zëvendëskryeministres ishte planifikuar të zhvillohej në orën 12:00.

Sipas njoftimit zyrtar, Kuvendi sqaron se vendimi për shtyrjen është marrë pasi në mbledhjen e mëparshme të Këshillit është kërkuar nga një grup deputetësh që shqyrtimi i kërkesës së SPAK për Ballukun të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Duket se socialistët duan të presin vendimin e Kushtetueses për pezullimin nga detyra, për të vijuar më pas me kërkesën e SPAK në Këshillin e Mandateve.

“Një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Një datë e re për zhvillimin e mbledhjes nuk është bërë ende e ditur.