Ballina Shqiperia ime SPAK arreston vëllain e deputetit socialist dhe të vëllain e “Rrumit” në...

SPAK arreston vëllain e deputetit socialist dhe të vëllain e “Rrumit” në Shijak

SPAK arreston vëllain e deputetit socialist Loer Kume dhe të vëllain e “Rrumit” në Shijak, në kuadër të hetimeve për pronat në Gjirin e Lalëzit

Një operacion i gjerë i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe forcave operacionale është zhvilluar mëngjesin e sotëm, duke çuar në ndalimin e disa personave të akuzuar për tjetërsim pronash në zonën e Gjirit të Lalëzit, një nga hapësirat më të lakmuara të bregdetit shqiptar.

Mes të arrestuarve është edhe Enea Kume, vëllai i deputetit të sapozgjedhur të Partisë Socialiste, Loer Kume. Ky i fundit, me profesion stomatolog i njohur në qytetin e Durrësit, drejton prej vitesh një klinikë private dhe është gjithashtu i pranishëm në fushën e letërsisë, si autor romanesh, esesh dhe tregimesh, madje edhe fitues i çmimit letrar “Kadare”.

Operacioni i sotëm ka përfshirë edhe qytetin e Shijakut, ku është ndaluar Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe si Pëllumb Muharremi (“Rrumi i Shijakut”), person në kërkim prej kohësh dhe që besohet se fshihet në Gjermani. Autoritetet kishin informacion se ai ndodhej në Shijak, por gjatë kontrolleve nuk u gjet, ndërkohë që u prangos vetëm i vëllai.

Nga të dhënat e para, bëhet me dije se janë lëshuar nëntë urdhër-arreste në total, që lidhen me skemën e tjetërsimit të mijëra metrave katrorë tokë në Gjirin e Lalëzit. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar se kush janë përfituesit përfundimtarë të kësaj skeme dhe roli i secilit prej të arrestuarve.

Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse Vullnet Muça akuzohet drejtpërdrejt për vepra penale, apo është ndaluar për t’u marrë në pyetje lidhur me kontaktet e tij me të vëllanë e shumëkërkuar.

Ky operacion shënon një tjetër goditje të SPAK ndaj fenomenit të tjetërsimit të pronave në zonat turistike të bregdetit, ku interesat kriminale dhe ato ekonomike kanë prodhuar konflikte dhe akuza të shumta ndër vite.