Viti 2025 shënon një pikë kulmore në metodologjinë investigative të SPAK, ku teknologjia është kthyer në mjetin më të fuqishëm kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar.
Sipas raportit vjetor të institucionit, SPAK ka zhvilluar një ofensivë të gjerë hetimore, duke përdorur përgjime dhe sekuestrime të pajisjeve elektronike, dhe duke krijuar një arkivë voluminoze provash që po ndikojnë thelbësisht në skenën politike dhe në rrjetet kriminale.
Gjatë vitit 2025, Zyra e Përgjimeve monitoroi mbi 3,000 pajisje telefonike në kohë reale, duke ndikuar në 186 procedime penale të ndryshme. Për të ligjshmëruar këtë ndërhyrje masive, prokurorët lëshuan më shumë se 250 autorizime të drejtpërdrejta, ndërsa Gjykata e Posaçme miratoi rreth 1,700 akte që lejuan përgjimet, vlerësimin e tyre dhe zgjatjen e afateve të monitorimit.
Përgjimet nuk shërbyen vetëm për të konfirmuar dyshimet fillestare. Në shumë raste, bisedat e zbardhura zbuluan elementë të veprave të tjera penale, duke detyruar SPAK-un të hapë dhjetëra procedime të reja, duke përfshirë edhe personazhe që deri më parë konsideroheshin jashtë radarit të drejtësisë.
SPAK intensifikoi edhe sekuestrimin e provave fizike digjitale. Vetëm gjatë vitit 2025, ekspertët e sektorit të ekspertizës analizuan mbi 600 prova, përfshirë 503 telefona dhe tableta, rreth 100 kompjuterë dhe qindra pajisje memorie si USB dhe disqe të jashtëm. Këto prova krijuan një hartë të plotë të transaksioneve, komunikimeve sekrete dhe lëvizjeve të dyshimta.
Rastet e bujshme, si sekuestrimi i telefonave të personazheve si Monika Kryemadhi, që çoi në arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, kanë shkaktuar shqetësim në radhët e deputetëve, ministrave dhe funksionarëve të lartë. Shumë prej tyre kanë nisur të përdorin aplikacione me enkriptim të lartë, por asnjë masë mbrojtëse nuk duket e mjaftueshme përballë kapaciteteve të BKH-së dhe ekspertëve digjitalë.
Edhe pse numri i pajisjeve të sekuestruara shënoi një luhatje të lehtë krahasuar me vitin 2024, cilësia dhe rëndësia e tyre mbetet vendimtare. Ekspertët finalizuan qindra akte ekspertimi, duke zbardhur të dhëna nga pajisjet që tashmë konsiderohen prova të pakontestueshme. SPAK po mbështetet gjithnjë e më shumë te gjurma digjitale










