Shqipëria sot është në heshtje zgjedhore
Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 majit ka përfunduar të premten në mesnate. Sot ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore, e cila do të zgjasë deri në mbylljen zyrtare të votimeve. Nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të partive apo kandidatëve.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë përgatitjet e duhura për organizimin e zgjedhjeve të lira parlamentare, duke garantuar një proces të shpejtë të nxjerrjes së rezultatit, transparent, të sigurt dhe pa probleme.
Në zgjedhjet e së dielës të drejtën e votës e kanë 3 milionë e 713 mijë shtetas shqiptarë, prej tyre rreth 246 mijë janë regjistruar që të votojnë nga jashtë.
Ndërkohë që rreth 115 mijë zgjedhës votojnë për herë të parë. Në gjithë Shqipërinë do të hapen 5225 qendra votimi.
Këto zgjedhje vijnë me disa risi, pasi për herë të parë emigrantët kanë patur mundësinë të votojnë nga jashtë, ndërsa listat e kandidatëve janë një miksim mes listës së hapur dhe listës së mbyllur.
Këto janë zgjedhjet e 11-ta në Republikën e Shqipërisë, pas ardhjes së demokracisë dhe në garë janë 2.046 kandidatë, për 140 vende në parlament.