Ballina Shendeti Sllovenia kthen specat shqiptarë me pesticide, Kroacia e Bosnja pezullojnë pjeshkët

Sllovenia kthen specat shqiptarë me pesticide, Kroacia e Bosnja pezullojnë pjeshkët

Produktet shqiptare me probleme në tregjet e rajonit dhe BE – Sllovenia kthen mbrapsht specat, Kroacia e Bosnja pezullojnë pjeshkët

Alarmi për sigurinë ushqimore ka prekur sërish produktet shqiptare në tregjet e rajonit dhe Bashkimit Evropian.

Në Slloveni, kompania “Geaprodukt” ka tërhequr nga tregu specat e kuq me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të larta të pesticideve acetamiprid, format dhe flonicamid. Specat ishin paketuar fillimisht në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.

“Kompania u ka kërkuar klientëve t’i kthejnë produktet në vendin e blerjes ose, nëse kjo nuk është e mundur, t’i hedhin në mbeturinat biologjike. Për shkak të pesticideve të tepërta, produkti nuk duhet të konsumohet,” thuhet në njoftimin zyrtar. Gjithashtu, këshillohet që konsumatorët që kanë pasur kontakt me specat e kontaminuar të dezinfektojnë duart.

Ndërkohë, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina kanë pezulluar dërgesat e pjeshkave nga Shqipëria për shkak të substancave të rrezikshme. Në Kroaci, analizat zbuluan përmbajtje të shtuar nikeli, ndërsa në Bosnjë u gjetën nivele të larta të klorpirifos, një pesticid që mund të dëmtojë seriozisht shëndetin e njeriut.

Ekspertët boshnjakë paralajmëruan se pjeshkat nga këto dërgesa tashmë kanë hyrë në treg, duke rritur rrezikun për konsumatorët. Autoritetet përkatëse kanë njoftuar Sistemin e Sigurisë Ushqimore të Komisionit Evropian, duke sinjalizuar shqetësimin mbi standardet e produkteve bujqësore shqiptare.