Kalorësi i Babunjës”, skulptura 2600-vjeçare e zbuluar pranë Apolonisë (Fier) është ekspozuar në Muzeun e Historisë Natyrore të Vjenës, ku do të qëndrojë deri më 31 korrik.
“Kalorësi i Babunjës” është një statujë e jashtëzakonshme prej bronzi që paraqet një kalorës të armatosur mbi kalë. Kjo është hera e parë që kjo vepër unike shfaqet para komunitetit shkencor austriak dhe studiuesve ndërkombëtarë, në një nga muzetë më të rëndësishëm në botë.Kalorësi i Babunjës” do të qëndrojë pranë Venusit të famshëm të Willendorf-it. Prezantimi i këtij zbulimi të jashtëzakonshëm të arkeologjisë u ideua dhe u organizua nga Ambasada e Shqipërisë në Vjenë në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Muzeu i Historisë Natyrore në Vjenë.Në fjalën e saj përshëndetëse, drejtoresha e Muzeut të Historisë Natyrore të Vjenës, prof. Katrin Vohland, tha se ekspozita e veçantë “Kalorësi i Babunjës”, përbën një tjetër moment të rëndësishëm në bashkëpunimin mbi 100-vjeçar midis Shqipërisë dhe Austrisë në fushën e kulturës dhe të kërkimit shkencor.
Që nga punimet e hershme në fushën e arkeologjisë në Shqipëri nga Camilo Praschniker-i dhe Arnold Schober-i, të publikuara në vitin 1919 dhe që vazhdojnë të jenë themelore edhe sot, janë realizuar një sërë projektesh të përbashkëta arkeologjike dhe kulturore-historike, si ekspozita dhe gërmime.Në fjalën e tij, Fate Velaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri, tha se çdo zbulim arkeologjik përfaqëson një ngjarje të rëndësishme në jetën shkencore dhe shoqërore, duke pasuruar njëkohësisht trashëgiminë kulturore dhe historinë e një vendi.
“Kalorësi i Babunjës” u zbulua në vitin 2018 në qytetin e lashtë ilir Arnisa në fshatin Babunjë pranë Apolonisë së lashtë, si pjesë e kërkimeve shqiptaro-gjermane.