Skënder Hita :“Lufta ndaj korrupsionit nis në radhët tona”

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Skënder Hita ka mbledhur në takim drejtorët e qarqeve dhe të kufirit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me drejtorët e qarqeve dhe ata të kufirit, ku ka përcaktuar prioritetet kryesore të punës për periudhën në vijim.

Gjatë fjalës së tij, Hita theksoi se fokusi kryesor do të jetë lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të Policisë, duke kërkuar tolerancë zero ndaj çdo shkeljeje. Si shembull konkret, ai përmendi pezullimin e 7 oficerëve në Peqin, lidhur me rastin e kanabisit të zbuluar në depon e ish-drejtorit të burgut të Rrogozhinës

Krahas kësaj, drejtori i përgjithshëm nënvizoi si prioritete të tjera goditjen e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, luftën ndaj lojërave të fatit të paligjshme, si dhe parandalimin e krimeve gjatë sezonit turistik.

Hita kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit vendorë për rritjen e sigurisë dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit.