Skemë mashtruese përmes SMS dhe aplikacioneve: Policia paralajmëron qytetarët – Mos klikoni, ju vjedhin paratë!
Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik ka ngritur alarmin për një skemë të re mashtruese që po përhapet me shpejtësi përmes SMS-ve dhe aplikacioneve të komunikimit online. Persona ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe me linke të rreme, duke u shtirur si institucione bankare ose shtetërore dhe duke kërkuar “përditësim të të dhënave bankare” apo “verifikim të llogarisë”.
Sapo qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin informacionin personal apo të llogarive të tyre bankare, mashtruesit marrin kontroll mbi këto llogari dhe kanë arritur të vjedhin shuma të konsiderueshme parash.
Policia thekson se asnjë bankë apo institucion zyrtar nuk kërkon kurrë të dhëna sensitive përmes SMS-ve ose faqeve të dyshimta dhe i bën thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë.
Udhëzimet e Policisë:
- Mos klikoni në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura;
- Mos jepni të dhëna personale, si numri i kartës bankare, PIN-i apo fjalëkalimet;
- Verifikoni çdo informacion të tillë nëpërmjet kontaktit direkt me bankën ose institucionin përkatës;
- Raportoni menjëherë çdo rast të dyshuar te Policia e Shtetit apo strukturat për krimin kibernetik.
Policia deklaron se po bashkëpunon ngushtë me bankat dhe partnerët ndërkombëtarë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët e këtyre veprimeve.
Respektoni sigurinë tuaj digjitale!
Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!