Ballina Shqiperia ime Skema e naftës pa taksa, shpërndahen 6,5 milionë euro për 32 mijë...

Skema e naftës pa taksa, shpërndahen 6,5 milionë euro për 32 mijë fermerë

Skema e mbështetjes me naftë pa taksa për bujqësinë po jep efektet e saj në terren. Deri tani, 32.627 fermerë në të gjithë Shqipërinë kanë marrë fondet në llogaritë e tyre bankare, me një vlerë totale prej 634 milionë lekësh, ose rreth 6,5 milionë euro.

Për fermerët që zotërojnë mbi 10 hektarë tokë, skema parashikon 50% të mbështetjes për çdo hektar të mbjellë. Ndërkohë, grupimet e Bashkimit të Fermerëve përfitojnë të parët, dhe secili anëtar i grupimit merr masën e financimit në një llogari të veçantë në nivelin maksimal 100%.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR), interesi i fermerëve për këtë skemë ka qenë mjaft i lartë.

Në platformën “e-Albania” janë regjistruar 69.917 aplikime nga fermerë dhe Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor, të cilët kërkojnë të përfitojnë nga fondet e Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025.

Pjesa më e madhe e aplikimeve, rreth 52.837, i përket skemës së mbështetjes me naftë pa taksa, që ka si synim të ulë kostot e punimeve bujqësore dhe të nxisë prodhimin vendas.

Përmes Skemës Kombëtare të Mbështetjes 2025, qeveria synon të rrisë rendimentin e prodhimit bujqësor, të fuqizojë produktet “Made in Albania” dhe të garantojë zhvillim të qëndrueshëm rural, duke forcuar më tej konkurrueshmërinë e sektorit.