Administrata Tatimore ka dhënë sqarime të reja mbi skemën e kompensimit që u ofrohet fermerëve, një mekanizëm i krijuar për të lehtësuar barrën financiare të prodhuesve bujqësorë dhe për të nxitur tregtimin e rregullt të produkteve në treg.
Sipas këtij mekanizmi, fermerët që nuk janë të regjistruar për TVSH mund të përfitojnë një kompensim financiar prej 10% për shitjet e dokumentuara të produkteve dhe shërbimeve bujqësore. Llogaritja bëhet mbi vlerën totale të furnizimeve të realizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Procesi i kompensimit realizohet përmes blerësve të regjistruar për TVSH, të cilët lëshojnë dokumentacionin tatimor përkatës në emër të fermerit. Këta blerës mund të jenë subjekte grumbulluese, përpunuese apo struktura të certifikuara të agroturizmit.
Për të qenë përfitues, fermerët duhet të jenë të pajisur me numër identifikimi tatimor dhe të tregtojnë produktet e tyre vetëm me subjekte të tatueshme. Kërkesa për kompensim paraqitet çdo gjashtë muaj, ndërsa pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga miratimi i dokumentacionit.
Tatimet theksojnë se respektimi i rregullave të faturimit është kusht kyç për përfitimin nga skema, e cila shihet si një instrument për forcimin e sektorit bujqësor dhe rritjen e transparencës në treg.










