Situata në Qarkun Fier-Reshje me intensitet të ulët, lumenjtë në monitorim

Sipas informacionit zyrtar të orës 08:00, gjatë natës dhe në vijim në Qarkun Fier janë regjistruar reshje shiu me intensitet të ulët. Deri në këto momente, situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa probleme. Hidrovoret ndodhen në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Prurjet në lumin Vjosë janë në tendencë rënieje, ndërkohë që vazhdon tërheqja e ujërave nga tokat bujqësore të prekura nga përmbytjet e mëparshme. Gjatë ditës së sotme, pas largimit të ujërave në fshatin Ferras, strukturat e Bashkisë Fier po vijojnë punën në terren.

Ndërkohë, prurjet në lumenjtë Seman dhe Shkumbin janë në tendencë rritjeje. Në disa zona përgjatë rrjedhës janë evidentuar dalje nga shtrati, por brenda argjinaturave mbrojtëse.

Autoritetet bëjnë me dije se situata në lumin Seman po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, edhe për shkak të rritjes së shkarkimeve nga hidrocentrali i Banjës.

Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm për çdo zhvillim të mëtejshëm.