Reshjet e shiut, që përfshinë pjesën më të madhe të vendin ndikuan në shuarjen e zjarreve, ndërkohë që mbetet aktive një vatër në fshatin Spatharë të Skraparit.Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rreziku i lartë në qarkun Fier. Në qarqet Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër pritet nivel rreziku i moderuar, ndërsa në qarqet Lezhë, Durrës dhe Tiranë pritet nivel rreziku i ulët.
Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e dëmeve në pyjet që u dogjën nga flakët.
Nga zjarri në fshatin Plan i Bardhë dhe malin e Allushit në Klos, u dogj rreth 120 ha dhe u përshkua rreth 350 ha me shkurre, pishë dhe lis.Në fshatin Zall Gjoçaj në Mat, u dogj rreth 20 ha dhe u përshkua rreth 499 ha me shkurre, pish dhe ah. Në fshatin Gurë-Lurë në Dibër, u dogj rreth 55 ha dhe u përshkua rreth 580 ha me shkurre, pish dhe ah.
Në vendin e quajtur “Qafa e Buallit” në Bulqizë, u dogj rreth 22 ha dhe u përshkua rreth 35 ha me shkurre, pish dhe kullota.
Ndërkohë, në bazë të parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë, dhe lokalisht të dobëta në qarqet e tjera.