Situata e përmbytjeve në qarkun Fier, 11 janar 2026

Qarku Fier | Informacion zyrtar

Aktualisht në qarkun Fier nuk ka reshje shiu, ndërsa situata hidrologjike vijon të monitorohet nga strukturat përkatëse.

Sipas të dhënave të orës 08:00, nuk raportohet asnjë dëmtim i infrastrukturës kritike. Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet. Hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Ndërkohë:

  • Prurjet në lumin Vjosë vijojnë të jenë në kuota të larta, por me tendencë rënieje, sipas matjeve nga ura e Memaliajt.
  • Po vazhdon tërheqja e ujërave drejt Hidrovorit të Darëzezës nga tokat bujqësore të përmbytura si pasojë e daljes së Vjosës nga shtrati.
  • Lumi Seman paraqet prurje të larta dhe ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë, duke sjellë prani uji në oborret e banesave.
  • Po ashtu, Semani ka përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në zonat Roskovec–Patos dhe Fier.
  • Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Thanasaj, duke kaluar nivelin e argjinaturës dhe duke prekur rreth 20 banesa.

Në terren ndodhen strukturat e Bashkisë Lushnjë, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të banorëve të prekur.

Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet përgjegjëse.