Shërbimi i Burgjeve pritet të vendosë për herë të parë në Shqipëri sisteme antidron në institucionet e sigurisë së lartë, një investim që synon të ndalojë hyrjen e sendeve të ndaluara në qeli përmes dronëve.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se pajisjet do të instalohen në pesë institucione: paraburgimin 313 në Tiranë, si dhe burgjet e Peqinit, Drenovës, Fierit dhe Reçit në Shkodër.
Në paraburgimin 313 mbahen aktualisht disa prej personazheve më të rrezikshëm të botës së krimit, përfshirë organizatorë të grupeve kriminale dhe autorë atentatesh. Në këtë institucion ndodhen edhe 13 bashkëpunëtorë të drejtësisë, që me dëshmitë e tyre kanë ndihmuar prokuroritë në çmontimin e rrjeteve kriminale në vend.
Teknologji e re kundër kërcënimeve nga ajri
Sipas ekspertëve të sigurisë, përdorimi i dronëve është shndërruar në një nga mënyrat më të sofistikuara për kontrabandimin e celularëve, drogës apo pajisjeve të tjera të ndaluara në ambientet e burgjeve.
Megjithëse kamerat e vëzhgimit janë të pranishme në çdo institucion, ato nuk janë të mjaftueshme për të identifikuar objekte fluturuese që operojnë në lartësi të mëdha.
Sistemi i ri pritet të zbulojë, bllokojë dhe neutralizojë çdo dron që tenton të afrohet në perimetrin e burgjeve, duke forcuar ndjeshëm sigurinë dhe duke parandaluar tentativat për survejim apo arratisje.
Tenderi dhe kompania fituese
Sipas dokumenteve të prokurimit publik, kontrata për instalimin e sistemeve antidron ka një vlerë prej rreth 2.3 milionë eurosh dhe është fituar nga kompania “Albascan” sh.p.k., e administruar nga Elton Jorgjis.
Në garë morën pjesë katër kompani, por tre u skualifikuan pasi nuk plotësonin kriteret e eksperiencës në projekte të ngjashme.
Ky investim konsiderohet si një hap domethënës drejt modernizimit të infrastrukturës së sigurisë në burgje, duke e afruar sistemin penitenciar shqiptar me standardet e vendeve të BE-së.