Si do përfitojne fermeret nga kompensimi i TVSH-së në bujqësi?

Fermerët që shesin produkte bujqësore tek grumbulluesit mund të përfitojnë kompensim të TVSH-së në masën 10%, nëse mbledhin dhe dorëzojnë faturat përkatëse sipas udhëzimit të Ministrisë së Financave.

Si funksionon skema

Për çdo furnizim që fermeri bën te një grumbullues i regjistruar për TVSH:

  • Faturën e lëshon blerësi (grumbulluesi), jo fermeri.
  • Fatura është e fiskalizuar dhe në të shënohen të dhënat e fermerit (si shitës), përfshirë NIPT-in.
  • Në faturë nuk llogaritet TVSH, por shënohet vlera totale e furnizimit.
  • Mbi këtë vlerë aplikohet norma e kompensimit 10%.

Afatet për aplikim

Fermerët duhet të paraqesin kërkesën:

  • Deri më 31 dhjetor për furnizimet e periudhës janar–qershor;
  • Deri më 30 qershor të vitit pasardhës për furnizimet korrik–dhjetor.

Si bëhet aplikimi

Fermeri dorëzon:

  • Kërkesën standarde për kompensim (në postë ose elektronikisht);
  • Vlerën totale të faturave për periudhën;
  • Numrin e llogarisë bankare;
  • Kopje të faturave të fiskalizuara, të firmosura nga fermeri.

Kush përfiton?

Për të përfituar, fermeri duhet:

  • Të ketë qarkullim vjetor nën kufirin e regjistrimit për TVSH;
  • Të shesë produkte bujqësore;
  • Të furnizojë subjekte të regjistruara për TVSH (grumbullues, përpunues, agroturizëm i certifikuar);
  • Të jetë i pajisur me NIPT;
  • Faturat të jenë të fiskalizuara dhe të regjistruara në sistemin tatimor.

Sa është kompensimi?

Kompensimi është 10% e vlerës totale të faturave të lëshuara nga grumbulluesi gjatë periudhës 6-mujore.

Kur paguhet?

Administrata tatimore kryen verifikimet dhe brenda 30 ditëve e kalon shumën e kompensimit drejtpërdrejt në llogarinë bankare të fermerit.