Ballina Bota Shqiptari që shpëtoi dy fëmijë nga lumi merr shtetësinë greke nga Mitsotakis

Shqiptari që shpëtoi dy fëmijë nga lumi merr shtetësinë greke nga Mitsotakis

Levian Goga, shqiptari që në qershor të vitit 2025 rrezikoi jetën e tij për të shpëtuar dy fëmijë nga rrjedha e lumit Arahthos, ka marrë shtetësinë greke në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në rezidencën qeveritare “Maksimu”.

Në praninë e Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, ministrit të Brendshëm Theodoros Livanios dhe sekretarit të Përgjithshëm për Çështjet e Shtetësisë, Dimitris Karnavos, Goga dha betimin si qytetar grek.

“Faleminderit për atë që bëre. E meriton këtë nder dhe më shumë,” u shpreh Kryeministri Mitsotakis menjëherë pas ceremonisë.

Ky akt nderimi erdhi si shenjë mirënjohjeje për guximin e tij, kur ndërhyri pa hezitim për të shpëtuar dy fëmijë që po rrezikoheshin të mbyteshin. Megjithëse të miturit nuk mbijetuan dhe humbën jetën në spital, veprimi i Gogës u cilësua si një sakrificë e jashtëzakonshme njerëzore.

Levian Goga ishte gjithashtu i ftuar nderi në pritjen për përvjetorin e rivendosjes së demokracisë në Greqi, organizuar në korrik nga kryetari i Parlamentit, Kostas Tasoulas.