Shqiptarët “thyejnë” rekord me blerjet vjetore të makinave 

Brenda vetëm një dekade, numri i automjeteve në Shqipëri është rritur me ritme të shpejta, duke kaluar nga rreth 490 mijë makina në vitin 2014, në mbi 1 milion në vitin 2025.

Kjo përkthehet në afro 500 mijë mjete të shtuara në 10 vite. Mesatarisht, çdo vit i janë shtuar rrugëve shqiptare rreth 45 mijë makina të reja, por pas vitit 2018, trendi është përshpejtuar ndjeshëm.

Në 2021 u regjistruan mbi 60 mijë automjete të reja, ndërsa në 2023 shtesa kaloi 70 mijë. Rekordi u shënua në vitin 2024, me më shumë se 90 mijë makina të shtuara brenda një viti. Edhe 2025 ka vijuar me të njëjtën prirje, duke çuar totalin përtej pragut simbolik të 1 milionit.

Sipas të dhënave, rritja dominohet nga makinat për përdorim personal, ndërsa automjetet për biznes janë rritur shumë më ngadalë.

Në raport me popullsinë, Shqipëria ka sot rreth 1.9 milionë të rritur mbi 18 vjeç, çka do të thotë se gati një në dy qytetarë zotëron një makinë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet ndër shtetet me densitet më të lartë të automjeteve, duke reflektuar një prirje të fortë dhe të qëndrueshme drejt rritjes së përdorimit të makinës.