Nëse ka një gjë që shqiptarët duket se nuk e negociojnë, ajo është dëshira për makinat dhe siç po rezulton, edhe për makinat koreane. Sipas të dhënave më të fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vetëm 8 muaj janë regjistruar plot 66,521 mjete të reja në Shqipëri.
Autoveturat përbëjnë thelbin e këtij “fluksi rrugor” me 54,624 regjistrime, ndërsa pjesa tjetër përfshin gjithçka nga motorrë e traktorë, deri te kamionët e automjetet për transport, duke sjellë një mozaik prej 31 llojesh mjetesh dhe 603 markash të ndryshme.
Muaji më “i ngarkuar” për regjistrimet ka qenë pikërisht korriku, jo vetëm për temperaturat e larta, por edhe për numrin rekord të mjeteve të regjistruara, mbi 10 mijë. Në anën tjetër të medaljes, shkurti është treguar më i kursyer, me “vetëm” 6 mijë regjistrime.
Në pistën e qarkut më të motorizuar, Tirana lë prapa të gjithë rivalët, duke regjistruar 27,870 mjete vetëm në këtë periudhë. Durrësi ndjek nga larg me 10,348, ndërsa Gjirokastra “frenon” e fundit, me një numër modest prej 805 mjeteve të regjistruara.
Po kush i zotëron këto mjete?
Shifrat tregojnë se shqiptarët i qëndrojnë besnikë pronësisë individuale, me 77.5% të regjistrimeve që vijnë nga qytetarë të thjeshtë, ndërsa vetëm 22.5% janë nga biznese apo subjekte të tjera.
Plot 14 mijë mjete të regjistruara vijnë nga Korea, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të besueshmërisë dhe popullaritetit të markave si Hyundai apo Kia.
Italia dhe Gjermania janë pothuajse baraz, me një diferencë të vogël prej rreth 300 automjetesh, ndërsa Zvicra dhe SHBA plotësojnë pesëshen e parë, me mbi 5 mijë mjete secila.
Të gjitha këto shifra janë tregues i një parku mjetesh që po rritet shpejt, por edhe i një vendi që gjithnjë e më shumë po kërkon komoditet, lëvizshmëri dhe ndoshta edhe stil rrugor.